Jeta e Ahmet Selacit, histori nderi dhe krenarie kombëtare

Shkruan: Kadri Ujkaj, studiues/


Kur njihesh me librin”Ahmet Selaci-komandant i divizioni “Ibri”i ushtrisë nacionaldemokrate të “Besës kombëtare” i autorit kosovar Asllan Istrefi, i cili hapet me thënien e poetit tonë të shquar, Dritëro Agollit”Nderi i Kombit”:”Në sofrën e shtruar të historisë presin të marrin lugë të gjithë.
Vështrojnë thelat dhe duan të hanë kurrnacë, grykës, batakçinjë, pelivanë.Po historia u jep nga një kafe në këmbë dhe thotë e përmbajtur diçka nëpër dhëmbë


”Na falni, se presim në sofër të vijnë ata që bëjnë vërtet historinë!”- thënie që vjen si okelio e këtij libri, interesant për nga mesazhi që sjell në konfirmim të një kontributi historik, të shkëlqyer si ai i selacëve të Shalës së Bajgorës-Mitrovicë, bindesh se fisi i Islamëve qe njëri nga fiset më të përkushtuar ndaj çështjes sonë kombëtare duke sakrifikuar gjithçka në emër të zgjidhjes së saj me dinjitet.Duke shfletuar faqet e këtij libri kushtuar jetës së lavdishme të 4 breznive të Islamëve të Selacit, ndjen brenda vetes stuhinë e shpirtit të një populli të martirizuar, që nuk guxonte të gëzonte as të drejtat më elementare në pjesën e vet të diellit, sikur skllavërohej , apo mund të vritej në format më makabre, nën pushtetin monarkik , apo sllavokomunist jugosllav deri në nivelet më poshtëruese të skllavërimit mesjetar gjatë një shekulli të tërë.
Përmes këtij libri autori arrin të plotësojë, me dinjitet studiuesi , atë faqe të diskutueshme të historisë sonë kombëtare, ndryshe të nacionalizmit shqiptar, i inicuar me lëvizjet kaçake në Kosovë apo çetat patriotike në Shqipëri, deri në struktura ushtarake, nga më kompaktet , në kuadrin e Lëvizjes së Rezistencës, siç qe edhe divizioni “Ibri” i ushtrisë nacionaldemokratike të “Besës kombëtare” me komandant Ahmet Selacin.Në këtë vështrim, me shumë të drejtë, mund pohojmë se Asllan Istrefi, ish-ushtari i UÇK-ës së lavdishme, na e sjell në vemendje dhe evidentim, si një vlerë kombëtare e shtuar, ndryshe si një monument i vërtet lirie, i ndritur, jo vetëm për Ahmet Selacin, por dhe për gjithë gjakun e selacëve, sidomos kushërinjtë e tij, krahas Boletinëve, me të cilët gjithmonë u gjendën bashkë, përballë rrezikut , në emër të jetës së Selacit, Mitrovicës dhe Kosovës së lirë sa nga pushtuesi osman,sa nga thundra çetnike serbe dhe ajo sllavokomuniste .
A nuk do të ishin familjet më të njohura që ia shtuan nderin dhe namin Selacit, Shalës së Bajgorës, Kosovës skaj më skaj dhe trojeve shqiptare , që nga Durrësi e deri në Mërdar, familjet e Ahmet, Mehmet, Rizah, Ajet dhe Imer Selacit?!?.Kjo, aspak rastësisht: “Burrat e Selacit që nga viti 1455, kur dihet për të historikisht dhe deri në shekullin XX ishin ballorë në luftën e shenjtë për të mbrojtur veten dhe trojet stërgjyshore. Selaci ishte dhe mbeti fidanishte e trimave që luajtën çarkun e pushkës në të gjitha periudhat historike, kur atdheu ishte në rrezik”, – nënvizon autori i librit, zoti Istrefi. A nuk qe kulla e Mahmut e Rexhep Selacit, po aq Kulla e Boletinëve, siç ishte Kulla e Boletinëve po aq edhe kulla e Mahmut dhe Rexhep Selacit , dy vatra të përhershme të rigonicionit për të mbrojtur deri në pikën e fundit të gjakut gjeografinë e trojeve shqiptare, sa herë që ato sulmoheshin nga taborret turke? Dhe po në të njëjtën kullë tri dekada më vonë Ahmeti, Mehmeti, Ajeti dhe Rezahu do të hartonin të njëjtat rigonicione luftarake, si kundërpërgjigje, deri me jetë, ndaj shkjaut të pabesë.


Kurt Selaci, daja i Azem Bejtës, do të nderohej si komitë me famë i Lëvizjes Kaçake dhe po ashtu si përkrahës i Komitetit Kombëtar për Çlirimin e Kosovës.A mund të harrohen komitët tjerë, trima si: Naf, Ahmet e Isuf Selaci, të shpërngulur nga Samadrxha në Fier të Shqipërisë, Zukë, Halil, Rrahman e Shaban Selaci, kaçakë të njohur në rrethin e Vushtrisë? Emrat e trimave selacas si: Feriz Selmani, Qazim Zejnullahu , Sali Smajli dhe Fazli Behrami do t’ i gjejmë në regjistrat sllavokomunist për likuidim fizik të vitit 1946.Ndërkaq Ahmet Selaci, Imer Selaci, Mehmet Selaci, Rizah Selaci dhe Ajet Selaci ishin të planifikuar të likuidohen, t’u grabitej prona dhe t’u shfaroseshin familjet shkruan me shumë dhimbje dhe admirim autori.
Po kështu Mahmut dhe Rexhep Selacin, të regjistruar si kaçakë në regjistrat e komunës së Buçanit dhe Soçanicës do t’i njohim edhe si shoqërues të Isa Boletinit, në ditën e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, sikurse do të jenë në rrethin e tij të ngushtë edhe në Gardën Kombëtare. Gjithmonë pranë Boletinit deri ditën e fundit të jetës, ku vriten nga çetnikët malazezë në vitin 1916, ashtu si Sejdi Selaci dhe Isa Boletini do të plagoseshin, krah njëri- tjetrit, në mbrojtjen e Kullës së Boletinëve
. Kur regjimi gjakatar sllavokomunist i vlerësonte si njerëz të egjër dhe pa dinjitet civil kosovarët, ishte shpirti human, orientimi civil, fryma e dashurisë për vendin dhe njerëzit, kultura civile, që do të afirmonin selacasit si dashnorë me dinjitet civil të jetës. Ishte shembulli i shkëlqyer i solidariteti total , ai që do të shquante autoritetin dhe veprën e tribunit popullor Ahmet Selacit si kryetar i komunës së Shalës së Bajgorës.


Gjithherë, i rrethuar nga kujdesi dhe mbështetja e familjes dhe e gjakut të tij, kushërinjëve: Mahmutit, Rexhepit, Rezahut, Imerit, Ajetit, trima dhe fisnik brilantë, solidarizues të motivuar prej shembullit të shkëlqyer të tij do të ushqenin tek Ahmet Selaci patriotizmin e pashoq, zhvillimin me shumë përgjegjësi të obligimeve institucionale dhe inspirimet nga më fisnike, në emër të përparimit të jetës së selacasve, të shaljanëve, të mbarë Kosovës dhe Shqipërisë, që i deshi aq shumë. Sentencën e kësaj sakrifice solemne, e këtij impenjimi maksimal, në përmasa të jashtëzakonshme, e shpreh me gjuhën e shpirtit 85 vjeçarja Nurije Sadiku, ish-gruaja e dytë e Ahmetit:


” Eh, kemi parë kiametin me sy.Serbët kurrë s’na lanë t’i çelim sytë.Nuk ua ditëm lezetin as dasmave e lindjeve, por as lotit e dhimbjeve”. Nëse në rastin kosovar personalitete të nacionalizmit si Ahmet Selaci, Imer Selaci, Mahmut dhe Rizah Selaci ofrohen si figura dinjitoze, të kompletuara , që me një qëndresë historike sa në zhvillimin e përgjegjësive në frymën e atdhetarizmit në çdo cep të Kosovës, filluar nga Trepça, e pasurive nëntokësore, po aq edhe laboratori makabër, ku u manifestua ndaj shqiptarëve gjithë barabaria serbo-kroato-sllovene dhe sllavokomuniste gjatë mbi një shekulli, sikur edhe rezistenca e matur, protestat dinjitoze të mirëorganizuara nga kombinimi i shkëlqyer i veprimit civil, sindikalisto-politik, në emër të Çështjes Kombëtare nga brezni kosovarësh, për hir të së vërtetës historike duhet pohuar që nacionalizmi shqiptar , edhe pse krejt i ndryshëm nga ai evropian, nuk i shpëtoi dot strategjisë mashtruese të nazifashizmit , ndryshe kolaboracionizmit tragjik, duke pranuar bashkëpunimin me pushtuesin nazifashist në emër të pushtetit vetiak të ditës, apo atij partiak, të së nesërmes.


Madje, duke mos pranuar të rrjeshtohet me dinjitet, në koalicionin progresist botëror, jo pse e kërkonte Kominterni, po, sepse e kërkonin shtetet më demokratike të globit si: SHBA dhe Britani e Madhe etj. të cilat kurrsesi nuk pranonin kufinjtë kombëtarë, që ofronte nazifashizmi, ata i lejuan vetes edhe akte si Masakra e 4 Shkurtit 1944,në Tiranë, si suport i okupatorit nazifashist, çka sot dëshmohet qartë në arkivat gjermane( AQFA, Fondi : Komanda gjermane, viti 1944, D. 2, Fq.115)Ndërsa duke u arratisur nga Shqipëria së bashku me pushtuesit e mundur me Çlirimin e vendit, ata morën mbi vete përgjegjësinë historike të lënies së gjithë pushtetit politik PKSH, ndryshe përgjegjësinë e vendosjes së modelit famëkeq të komunizmit rus, në Shqipërinë e raskapitur nga lufta, për afro gjysmë shekulli, shprehet nipi i A.Frashërit, akademiku shqiptar, historiani i shquar, Prof.Dr.Kristo Frashëri”Nderi i kombit”(Historia e Lëvizjes së Majtë në Shqipëri dhe Themelimit të PKSH-ës”, fq.273)
Të nderuar vellezër dhe motra të Selacit, të Mitrovicës dhe mbarë Kosovës!


Duke lexuar gjithë kursin çnjerëzor serbosllav, monarkik apo sllavokomunist , gjatë më shumë se një shekulli, mjafton t’i referohesh vetëm tri prej masakrave nga më të përbindshmet si : Masakra 7 ditore e 11 prillit 1941 nga dora gjakatare e Voja Kaliçaninit, ajo e Bihorit, më 5-6 janar 1943, sikurse edhe ajo e Tivarit, mars 1945, vepër e Millovan Gjilasit, sipas Dr.Hakif Bajramit,( “Mos ia kthe pushkën vedit dhe kombit tënd, o Uran Butka”, gaz.“Telegraf”, më 15.04.2013) që të bindesh, se pse nacionalistët në Kosovë “kishin të drejtë” që t’i prisnin si shpëtimtarë pushtuesit nazistë në prill 1941.Më falni , të citoj dy nga këto dëshmi historike, krahas të vërtetës kriminale për Masakrën e Tivarit, tri nga aktet faktografikë, me interes studimi, nga më dinjitozët, si rishikim dhe pasurim i mëtejshëm i historisë sonë kombëtare, në faqet e librit në fjalë. Citoj:
“Lufta e prillit 1941 nxorri në shesh tërë pezmin e serbëve ndaj shqiptarëve.Në Mitrovicë mbretëronte kaosi i vërtetë.Serbët i vrisnin kudo që i hasnin shqiptarët. Më 11 prill 1941 u vra edhe deputeti i dikurshëm, Sherif Voca. Më 11 prill Voja Kaliçanini kishte urdhëruar të vriten shqiptarët prej moshës 17-7O vjeç. Si i nxori nga kazermat, të gjithë shqiptarët i shpuri në breg të lumit Stinica dhe i pushkatoi. Masakrimi i popullatës shqiptare ndodhi në të gjitha qendrat e Kosovës dhe zgjati 7 ditë”.
”Njëra ndër masakrat më të trishtueshme ishte Masakra e Bihorit më 5-6 janar 1943.Më shumë se 4000 çetnikë, të prirë ose të urdhëruar prej Vojvodës Pavle Gjurishiqit dogjën 1763 shtëpi, vranë 590 burra, therën 180 sish, vranë 340 gra, therën 285 sosh, therën 701 fëmijë, kurse dogjën 705 sish. Nga të ftohtit vdiqën 103 vetë, u plagosën 359 burra dhe 275 gra, ndërsa u morën rob 251 gra e vajza, sikurse 16000 banorë i detyruan të lënë shtëpitë e tyre. Kishte shumë të drejtë Ish-presidenti amerikan Xheferson , dy shekuj më parë, kur duke iu referuar Luftës Civile 20 vjeçare në Amerike do të shprehej për forcat ndërluftuese: “ Të gjithë pjesëmarrësit e asaj lufte 20 vjeçare duhen vlerësuar, sepse secili po luftonte për Amerikën sipas vizionit të vet”( Fadil Kraja”Mjeshtër i Madh”, TV-Shkodra, janar 2015).
Kjo nuk do të thotë që, ne të gjithë, sikurse gjithë bota demokratike nuk duhet të dënojmë krahas komunizmit edhe nazifashizmin, si dy totalitarizma, katastrofë për njerëzimin.


Ajo që dua të theksoj është që, ne, shqiptarët, duhet ta kemi krejt të qartë që Bashkimi ynë me Evropën, aq më pak Bashkimi Kombëtar, amaneti i nacionalizmit shqiptar, Shqipëria Etnike,nuk mund të arrihen, kurrsesi, pa bashkimin tonë shpirtëror si komb , prandaj kërkohet të distancohemi përfundimisht nga përplasjet tragjike brenda vetes. Mjaft me vrasjet, ngujimet, përbuzjet apo përndjekjet politike. Monografi i pasionuar i fisit të Islamëve, filluar me monografinë kushtuar Rezah Selacit, promovuar 7 vite më parë, konstaton me shumë sinqeritet, respekt dhe dhimbje, në funksion të një rishikimi profesional të historisë sonë kombëtare, ndryshe në funksion të një komunikimi fisnik, civil, bashkëkohor, demokratik, mes vedi:


”Shpifen e çka nuk shpifen sllavokomunistët për Ahmet Selacin dhe idhtarët e tij. I quajtën pari kriminale, banditë, bashibozukë, lahutarë e çfarë jo tjetër.Kjo gjuhë komunikimi sot , jo vetëm është
anakronike për kohën që jetojmë, por faktet tregojnë se Ahmet Selacit , këtij tribuni popullor, si shumë nacionalistëve të ndershëm, halë në sy për OZN-ën jugosllave, koha i dha të drejtë, ai arriti të triumfoi mbi rrethanat duke u bërë mal në sytë e popullit të tij”.


Lidhur me këto, që sapo thashë, dua të nënvizoj : Sot jetojmë në Epokën e Pashistorisë, që do të thotë se iku koha e fronteve, koha e përplasjeve mes vedi, pra nuk duhet të biem kurrsesi pre’ e lojës me historinë: ”Komunisti apo ballisti, partizani apo nacionalisti, heroi apo kuislingu”. Në Epokën e Integrimit dhe të Shoqërisë së Hapur historia shijohet vetëm si turizëm historik. Historinë dje e bënin heronjtë, posthistorinë sot e ndërtojmë secili. Fatmirësisht ky është edhe kodi i komunikimit me vetveten dhe mjedisin shoqëror, i njërit prej trashëgimtarëve më fisnikë të selacëve të Shalës së Bajgorës, i trajtuar me aq respekt në këtë libër, sponsorizuesi i botimit dhe i promovimit të këtij libri, i dyti pas atij kushtuar Rezahut dhe promovuar 7 vite më parë, zoti Bejtush Selaci, djali I Rezahut.


Duke manifestuar zotësinë, urtësinë, orientimin pragmatist, por edhe atë human si sponsorizues, i nderuari Bejtush Selaci ka arritur të ndërtojë, jo si qaraman, por me dinjitet jetën e vet si qytetar dhe familjar, si bisnesmen bashkëkohor dhe patriot iluminist, duke u lënë brezave që vinë , të promovuar, një pasuri serioze si kontributi i shkëlqyer historik i 4 brezave të fisit Islamëve, që falen gjithçka, në emër të kombit, apo siç shprehej aq madhërisht Rezahu:
”Gjakun Kosovës, jetën Shqipërisë”.Ne shqiptaret që ende nuk e kemi zgjidhur çështjen tonë kombëtare, nuk na lejohet të injorojmë amanetin e nacionalistëve të vërtetë, sepse “Trepça” për të cilën u investua aq shumë Ahmet Selaci, i mbështetur kurdoherë nga kushërinjtë e tij Rezahu, Mahmuti, Rexhepi, Ajeti , Imeri etj.sikur edhe nga nënat dhe motrat selaciane, që derdhën aq lotë gjaku, lot shpirti kur i masakruan , akoma s’ka gjumë…
Kosovarët po ikin nga Kosova, sepse “Trepça” , e njohur botërisht si Kombinati i Trepçes, edhe pse ndodhet në tokën e Kosovës, vazhdon të mos qeveriset nga shqiptarët, ndryshe nuk ka shpëtuar ende prej lakmive të vjetra… Kujtoni! Jo rastësisht, më 24 qershor 1999 francezët, njëri nga investitorët e huaj në Mitrovicë, pasi zbritën nga ajri, do të ishin të parët që do të ngrinin barrikadat e para mbi Urën e Ibrit, ndërsa rusët zbritnin në Prishtinë me qëllim që serbët të mos humbnin shpresat e një përspektive optimiste!


Mos harroni vëllezër dhe motra kosovare: “Kali i Trojës” sot vërtet nuk e ka veshjen prej druri, por asgjë s’ka ndryshuar në thelbin e tij. Shqiptarët e Kosovës nuk duhet t’ia lejojnë vetes që, “Bashkim-Vëllazërimin” hipokrit të së djeshmes, ta zëvëndësojnë me Entuziazmin modern, mashtrues, të Perandorisë së Tregut, aq më tepër kur edhe sot: ”ka një doktrinë në Ballkan, që titullohet “Dëbimi i shqiptarëve”, një draft të vitit 1938, shkruar prej akademikut serb, Vaso Çubrilloviçit,” i cili kërkon dëbimin e shqiptarëve prej gadishullit.


Një projekt kriminal , që nuk di të jetë dënuar në Jugosllavi, as ish-Jugosllavi, – thekson akademiku ynë I.Kadare”Nderi i Kombit”,- vënien e të cilit në jetë në vitin 1999 e pa gjithë bota’(”Mosmarrëveshja- raporti i shqiptarëve me vetveten”, fq.77). Megjithatë s’duhet harruar as ana tjetër e madaljes: Atdheun e dua sa të më dojë ai mua. Ky është vizion i njeriut modern, aq më shumë kur premtimet elektorale mbeten në fasadë sikurse shifrat tejet shqetësuese të papunësisë dhe të varfërisë në Kosovë njohin vetëm dhe vetëm rritje. Në këtë kontekst duhet të jemi të tej ndërgjegjësuar se pa dashur vetveten nuk të do askush në këtë dreq bote. Mjerë ai popull që harron historinë, dhimbjet dhe sakrificat për një jetë në liri, ku shkëlqyen figura të tilla heroike si: Ahmet Selaci, komandanti i divizionit”Ibri” i ushtrisë nacionaldemokrate shqiptare të “Besës Kombëtare”, që do të sakrifikonte gjithë jetën me idealin e shenjtë: “Shqipëria Natyrore e shqiptarëve”. Mjerë ai popull që, i dehur nga entuziazmi modern, vijon të mos i gëzohet vetvetes, tokës amë, por Dyerve të Botës! Duke përfunduar dua të uroj autorin e librit z. Asllan Istrefi, të vijojë me monografitë e fisit të islamëve, bij të shquar të kombit tonë. Po ashtu, personalisht, kam kënaqësinë të përulem me respekt para z.Bejtush Selaci, patriotit iluminist, djalit të Rezah Selacit, që me sponsorizimin e vet shembullor ka vendosur t’u lërë pasardhësve të selacasve legjendarë dhe kombit të vet, veprën e tyre historike, veprën e një gjaku që do të ndrijë ndër shekuj, historinë e Ahmet Selacit, histori nderi dhe krenarie kombëtare.


* Kadri Ujkaj, studiues,
Koplik, më 17 shkurt 2015
Anëtar i seminarit shkencor ndërkombëtar”Shkodra në shekuj” /gazetadielli.com /InforCulture.info

postbck postbck

Recent Posts

Publikohet letra e rrallë, e nënshkruar nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu

  Historiani shqiptar nga Peja, profesor Doktor Jahja Drançolli ka publikuar më 8 Gusht 2019,…

1 hour ago

Zbulohet mbishkrimi i lashtë për emrin e Shkodrës

  Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit shqiptaro-polak në Shkodër është gjetja e…

2 hours ago

Rrugëtimi i Letërsisë Shqiptare: Tradita dhe Perspektivat Moderne

Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…

4 hours ago

”Scientific Reports”: Macet janë më të afta në lidhjen e fjalëve sesa foshnjat

Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…

19 hours ago

Jeta në komunizmin shqiptar

Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…

20 hours ago

Riktheni butësinë e peshqirëve me këto produkte shtëpiake

Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…

21 hours ago