Zviceranët më 1943: Pengesë për zhvillimin e shqiptarëve janë vetë shqiptarët

Armand Plaka

Ishte koha kur aludohej se aleatët që pritej të zbarkonin nga dita në ditë në brigjet kontinentale e të nisnin kështu inkursionin e tyre për të mundur nazistët, do të mund ta bënin këtë punë, pikërisht duke shkelur në brigjet shqiptare. Gjithçka rezultoi një blof, një legjende e sajuar me kujdes nga shërbimet inteligjente britanike për të turbulluar ujërat e për të bërë gjermanët e aleatët e tyre të besonin diçka të gabuar. Në këtë kuadër, tashmë Shqipëria kishte marrë një rëndësi të veçantë dhe edhe një vend neutral si Zvicra, që i kishte shpëtuar paq pushimit hitlerian, raportonte jo pak për të.

Një artikull botuar në faqet e revistës së ilustruar “Die Berner Woche”, më 2 janar 1943, edhe pse nga volumi thuajse minimal, ofronte kësisoj një informacion të detajuar për lexuesit e saj rreth një vendi që tashmë dukej se kishte kohë që i kishte rrëshqitur izolimit.Ju pëlqen!

Ndërsa u bëjnë një skanim vertikal realiteteve historike, politike e shoqërore të një vendi “si të thuash ende të pastudiuar” deri para Luftës së Dytë Botërore, duket se për ta, në vitin e fundit të dominimit italian në Shqipëri, ajo vijonte të matej me sipërfaqen e të dhënat që kishte para kohës së “Shqipërisë së Madhe”, e cila, nën pushtimin italian, kishte dy vjet që ishte bërë realitet ndërsa shkruan se: “Shqipëria përfshin rreth 28 000 kilometër katrorë, është, pra, pak më e madhe se Sicilia”.

Përsa u përket tipareve fizike, zviceranët shënojnë: “Shqiptarët kanë ngjyrë më të ndritshme lëkure se pjesa tjetër e popujve ballkanikë. Në veri, biondët ndeshen shumë shpesh”. Më tej, përveç përshkrimit të natyrës apo shifrave të ftohta të eksport-importit, që dëshmonin nivelin modest të zhvillimit të vendit, interesant të duket përcaktimi si “qyteti më i madh” për Korçën dhe Shkodrën, ndërsa për vetë Tiranën artikullshkruesi (i cili nuk e dimë për ç’arsye kish vendosur të paraqitej vetëm nën siglën “J”), pa sjellë detaje të tjera, ka preferuar ta cilësojë atë si një “smerald”. Më poshtë, artikulli i plotë:

Nëse aleatët do ta zotëronin ndonjëherë gadishullin Apenin, nuk do ishte i përjashtuar fakti që përmes Shqipërisë të përpiqeshin të avanconin për në brendësi të Ballkanit. Mund të ishte me interes të vrojtohej më nga afër ky vend.

Shqiptarët, të cilët banojnë në anën tjetër të brigjeve të Detit Adriatik, përballë Italisë së Jugut, janë pa dyshim pasardhës së trakoilirëve të vjetër. Që në kohën e Homerit tregohet se në rrethimin e Trojës, këta ilirë u kanë ardhur në ndihmë grekëve. Më vonë, ato i gjejmë në luftë me Romën, së cilës iu nënshtruan në vitin 168 para Krishtit, kur mbreti i fundit, Genti, bashkë me bijtë e tij u zunë rob nga romakët. Por pushtimit të vendit i erdhi fundi vetëm në kohën e perandorit August.

Në vitin 395 pas Krishtit, Shqipëria u afrua me Perandorinë Romake të Lindjes dhe u qeveris nga guvernatorët bizantinë. Megjithatë, në brendësi ishte si të thuash e pavarur. Në Mesjetë, mbi të vërshuan dyndjet e popujve të tjerë. Shqiptarët u rrezikuan fort nga sllavët. Madje, gjatë viteve 1343-1348, u vunë nën sundimin e drejtpërdrejtë të serbit, Stefan Dushan. Në vitin 1391, filluan luftërat me turqit. Heroi Kombëtar, Skënderbeu, mundi t’u bënte ballë atyre në malet e pakalueshme për një kohë të gjatë.

Pas vdekjes së tij, në vitin 1468, mori fund edhe autonomia e Shqipërisë. Vetëm pas luftërave ballkanike, në nëntor të vitit 1912, u realizua Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë, në Vlorë. Në vitin 1920, Shqipëria u anëtarësua në Lidhjen e Kombeve. Në 1925-ën, Ahmet Zogu u bë President i Republikës, në 1928-ën, nën titullin Zogu I, u emërua Mbret. Por para Luftës aktuale Botërore, ai u dëbua nga italianët dhe vendi u pushtua nga Italia.

Shqipëria, para Luftës së Dytë Botërore, ishte si të thuash ende e pastudiuar. Që prej asaj kohe, mangësitë janë lënë pas në njëfarë mënyre. Në bregun jugor të detit Adriatik, fillimisht shtrihet gjerësisht një plazh i sheshtë. Më tej shtrihen pyje moçalorë, laguna të infektuara nga malaria dhe kodrina të gjelbra. 60 kilometër pas bregut fillon një terren malor i padepërtueshëm. Kanione të shumta, të pakalueshme, copëzojnë vendin dhe favorizojnë formimin e peizazheve të rralla. Në brendësi gjenden liqene të rralla e të rëndësishme, më i njohuri ndër të cilët është Liqeni i Ohrit. Në Shqipëri mbizotëron verë e thatë, ndërkohë që dimri është shumë i pasur në reshje. Deri në 600 metër lartësi rriten shkurrnaja, pastaj fillojnë pyjet, dominojnë lisat, më tej shkurret dhe më në lartësi gjendet brezi i kullotave.

Në këtë vend të izoluar ka relativisht pak kafshë të mëdha, përjashtim bën derri i egër, i cili shpesh kthehet në kërcënim. Bota e zogjve përfaqësohet veçanërisht nga shpendët grabitqarë, shpendët e kënetës dhe zogjtë e ujit. Edhe pelikani ka këtu folenë e tij. Shqipëria përfshin rreth 28 000 kilometër katrorë, është pra pak më e madhe se Sicilia. Gjuha shqipe nuk paraqet ndonjë afërsi me asnjë gjuhë të gjallë. Shqiptarët kanë ngjyrë më të ndritshme lëkure se pjesa tjetër e popujve ballkanikë. Në veri, biondët ndeshen shumë shpesh. Kostumet e njohura popullore të dikurshme me ngjyra karakteristike, janë në zhdukje.

Në brendësi të maleve takohen madje edhe dy popuj endacakë, romët dhe ciganët. Në ekonomi dhe në raportet sociale, Shqipëria përbën ende një vend gati mesjetar. Pengesa kryesore e rivendosjes së qarkullimit të rrugëve tregtare të dikurshme, që kryheshin përmes Shqipërisë, midis Adriatikut dhe Maqedonisë, nuk është natyra e papërshtatshme e vendit, por njeriu. Forca e çuditshme e rezistencës, e cila u ka lejuar shqiptarëve ndër shekuj të ruajnë karakteristikat e tyre, buron pjesërisht nga organizimi shoqëror. Si skocezët dikur, kështu jetojnë ende shqiptarët, të organizuar në fise. Fisi është familja e zgjeruar.

Shqiptari është krenar për armët, simboli i lirisë së tij. Shqiptarët, siç ata e quajnë veten, pretendojnë se e kanë origjinën nga shqiponja, të cilën e mbajnë me krenari edhe në stemën e tyre. Shqiptari është bujk dhe barî. Në shkencat teknike nuk është shquar kurrë një shqiptar. Nga ana tjetër, nga ky popull kanë dalë burra të rëndësishëm shteti, ndër të cilët është edhe pashai Mehmet Ali me origjinë shqiptare. Popullsia e Shqipërisë arrin në 1 milion.

Por jashtë vendit ka mjaft shqiptarë, veçanërisht në Italinë e Jugut dhe në Greqi. Nga 2 milionë shqiptarë gjithsej, 1 milion janë myslimanë, 600 000 ortodoksë dhe 400 000 katolikë. Në Shqipëri kultivohet oriz, misër, grurë edhe duhan i mirë, i cili gjithsesi nuk eksportohet. Pemëtaria është në lulëzim të plotë. Numërohen 500 000 rrënjë ullinj, 400 000 mana, gjithashtu pemë të shumta kumbullash, qershish dhe lajthish, pjeshkë, kajsi, fiq, limonë dhe portokaj. Rrushi në vreshta konsumohet siç është, ndërsa verë prodhohet më pak. Lënda e drurit shpesh shkon për eksport.

Sektori i gjedhëve më shumë është përkeqësuar, ndërkohë që rritja e deleve dhe dhive është e zhvilluar shumë mirë. Në Shqipëri ka më shumë gomarë se kuaj. Interesante janë burimet e ndryshme të naftës. 400 000 hektarë u janë lënë në dorë shoqërive të huaja. Shqipëria zotëron vetëm një linjë hekurudhore, nga Durrësi në Tiranë. Rrjeti rrugor është zgjeruar më shumë kohët e fundit. Në Shqipëri nuk ka qytete të mëdha.

Më i madhi është Korça me 26 000 banorë, qytet i rëndësishëm është edhe Shkodra në veri të Shqipërisë. Qyteti “smerald”, Tirana, me 17 000 banorë, është kryeqyteti. Porte të mira ka pak, ndër të cilët Durrësi (me 5000 banorë), më tej është Vlora që shtrihet në ngushticën detare të Otrantos. “Që në 1901-in,- pati thënë dikur Marini, ministri i Jashtëm i mëvonshëm italian,- ai që pushton portin e Vlorës, do të bëhet pa dyshim zot i detit Adriatik”

postbck postbck

Recent Posts

”Scientific Reports”: Macet janë më të afta në lidhjen e fjalëve sesa foshnjat

Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…

2 hours ago

Jeta në komunizmin shqiptar

Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…

3 hours ago

Riktheni butësinë e peshqirëve me këto produkte shtëpiake

Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…

4 hours ago

Çfarë shkruante një lundërtar grek i shek. 2 para Krishtit, për Ilirinë?

Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme.   Shkrimi…

5 hours ago

Vlora, vendi i parë Neandertalian në Shqipëri! Arkeologët zbulojnë vegla guri që datojnë…

Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…

5 hours ago

Përse macet ju presin tek dera kur shkoni në shtëpi? Këto janë arsyet

  Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…

1 day ago