Imam Salih Myftia, nuk u pajtua me komunizmin, ja kalvari i familjes pas arratisë së tij

40 vite pa Imam Salih Myftin, themelues i Qendrës Islame Shqiptaro – Amerikane për shtetet New York dhe New Jersey

Nga Leonora Laçi

Imam Salih Myftia (1891-1978) lindi në shekullin e trazirave e përpjekjeve për autonomi, në vitin e largët 1891, bashkëkohës i ngjarjeve më rëndësi kombëtare, siç ishte Pavarësia e Shqipërisë, që u skalit me shkronja të arta në historinë tonë, apo dhe ngjarjeve të dhimbshme për mbarë botën e qytetëruar, siç ishin dy Luftrat Botërore. Ka rrjedhur nga një familje shkodrane, që ka qenë dhe është përherë kontribuese në çështjet me karakter fetar apo kombëtar dhe ka nxjerrë liderë të hershëm të komunitetit mysliman aty. Madje, në fillim të viteve 40, njëra nga bibliotekat më të mëdha të Shkodrës ishte biblioteka e familjes Myftia.

Salihi, mësimet e para, do i merrte në një shkollë turke në Shkodër, në vitet 1898-1904, por krahas mësimeve fetare, do ketë zell dhe për çështjen kombëtare, që po kristalizohej në fillim të shek.XX. Që në moshë të re, do të jetë partizan që në shkollat shqipe të mesohej me germa latine. Ishte njohës i gjuhës turke të vjetër e arabishtes. Asnjëhere nuk do i humbi shpresat që atdheun ta shihte të përparuar e të zhvilluar. Kjo shihet në nismën për pavarsimin e xhamisë shqiptare nga ajo turke, e për këtë, do mbahet Kongresi I Mysliman, në 24 shkurt 1923, në Tiranë. Po ashtu, do jetë inisiator për përkthimin e Kur’anit në shqip, për ta bërë lehtësisht të kuptueshëm për shqiptarët myslimanë. Salih Myftija, përveç mesimeve fetare, do nxiste dhe dashurinë për atdheun. Në vitin 1927 do caktohet Myfti në Krujë, e më vonë, Kryemyfti i prefekturës së Shkodrës e Kosovës, me vendim të posaçëm të Këshillit të Naltë të Sheriatit. Shërbimin e tij si kryemyfti, do ta bëjë më së miri, kultura e diapazoni i tij i gjerë do të reflektohej tek besimtarët, ku armë më të mirë kishte: “Tolerancën, besimin në Zot (Allah) e flamur”.

Imam Salih Myftija asnjëherë nuk u pajtua me pushtuesin fashist. Për këtë, ai u internua në Gjirokastër, për afro dy vite dhe u shkarkua nga detyra e Kryemyftiut me dekret të Viktor Emanuelit III.

Cili ishte qëndrimi i Imamit karshi pushtuesit e komunistëve?!

Pas kapitullimit të Italisë, në shtator të 1943, do të vihet sërish në radhët e nacionalistëve e kryesisht si simpatizues i grupit të Legalitetit, por sërish si i pakompromis. Këtë e thotë i biri Dr. Fuad Myftija, në kujtimet e tij: “Babai ishte figurë në lëvizjen Kombëtare, ka qenë ndër të parët nacionalistë e asnjëherë nuk ka bërë kompromis, as me fashistët e as me nazistët. Ngritëm grupe ilegale dhe çetat kundër gjermanëve…”

Ajo që vihet re në këtë kohë delikate për Shqipërinë, është se tashmë, armiku i nacionalistëve nuk ishte vetëm i jashtëm (gjermanët), por dhe i brendshëm (komunisët). Me gjithë përçarjet mes klerit katolik e atij mysliman, pra ndikonte rreziku i përbashkët që i kërcenohej nga LNÇL, e harruan këtë grindje dhe u bënë miq e bashkëpunëtorë të ngushtë. Bashkëpunimi do të vijë pas zhvillimeve të Mbledhjes së Mukjes, ku personalitete si: Salih Myftija, Hafiz Ali Kraja, Mons.Thaçi, P.Anton Harapi, Sulço Begu, etj, vendosën që të krijonin frontin antikomunist. U krijuan varg disa besëlidhje krahinore, si në Shkodër, Pukë, Lezhë etj, të cilat kërkuan me ngulm zbarkimin e anglo-amerikanëve…

Shtëpia e imam Salih Myftisë ishte bërë pikëtakim për nacionalistët ku u takuan, u pritën e përcollën ngrohtësisht nga i zoti i shtëpisë, me urtinë që e karakterizonte. Dr. Fuadi vazhdon: “Në këtë kohë kishte ardhur Mid’hat Frashëri me Baba Rexhepin e me Zef Palin. Të gjithë krerët ishin mbledhur në Shkodër.” Imam Salih Myftia, së bashku me atdhetarët e tjerë, si: Fuad Myftia, kolonel Xhemal Laçi, Teki Xhindi, Hysen Prishtina e dhjetra të tjerë, u larguan nga vendi drejt Tivarit. Pikërisht me 21 nantor 1944 (Gazeta “Atdheu” mars-prill 1988), por pas pengesave, që i solli policia malazeze, për faktin se ishin të armatosur, ata u detyruan të lundrojnë me një barkë të vjetër në drejtim të Detit Adriatik, duke mbërritur në qytetin bregdetar të Brindizit të Italisë. Ata më pas u dorëzuan në komandën ushtarake të aleatëve, të cilët më vonë i vendosën në kampet e Italisë.

Arratisja në kampet e Grumos me robërit e luftës

Siç shpreh Dr. Fuadi, ky vend ishte i skuqur gjithandej me flamujt rus e yll të kuq, drapër e çekanë. Kampet ishin në gjendje të mjeruar. Shqiptarët ishin të palarë, pis, sepse vinin nga malet. Rregullat e disiplina ishin të rrepta. Përveçse trajtoheshin keq, edhe hetoheshin. Imami Salih Myftia shquhej për urtinë e tij, madje shpesh herë, shuante konfliktet mes zogistëve e ballistëve. Kushtet e këqija të kampit nuk e mposhtën dhe as e përkulën gjakëftohtësine e largpamësinë e këtij njeriu paqedashës, ku me besimin në Zot, ja dilte mbanë të kontrollonte qetësisht shumë situata, kur shqiptarët e tjerë e kishin humbur durimin. Salih Myftija ia ushqeu dashurinë për arsimin të birit që ishte njëherësh mik e bashkëudhëtar në rrugët e vështira të emigrimit të padëshiruar, pasi qëndrimi në Shqipëri nuk ishte i mundur në një situatë të tillë të disfavorshme për nacionalistët, Fuadi u arsimua dhe u diplomua në Itali.

Konsideratë për Salihin kishte, përveç Mbretit Zog, që e bëri dhe këshilltar të tij, ai u zgjodh në krye të komisionit, që udhëtoi drejt Egjiptit për një takim me Mbretin e mërguar, ku u mblodhën të gjitha grupet politike. Konsideratë për të, patën dhe anglo-amerikanët, pasi miqësinë imami nuk e ndërtonte mbi pikëpamje politike apo bindje fetare, prandaj justifikohet pse ata e mbajtën afër.

Para ca vitesh, është botuar një dokument që mban vitin 1945. Ai thotë: “Në Janar të vitit 1945, dy politikanë shqiptarë, ndonëse të internuar në një kamp tranzit në Bari, i mirënjohuni Mit’hat Frashëri, që ishte kreu i Ballit Kombëtar dhe një klerik nga Shkodra, Salih Myftija, ky i dyti në emër të organizatës ”Legaliteti”, i kanë kërkuar Sekretarit Amerikan të Shtetit në detyrë, të mos ndërmerrej asnjë nismë për njohjen e qeverisë komuniste të krijuar para çlirimit të vendit. (Ky dokument është publikuar nga anglezët në një uebsite” Investigim” viti 2000).

Nga Egjipti, imami udhëtoi në Siri e Liban, e së fundmi, u vendos në ShBA në vitin 1965, ku si vend i parimeve të lirisë së shprehjes e besimit fetar dhe vend i demokracisë, ai vazhdoi pa problem aktivitetin e tij kombëtar e fetar.

Kalvari i familjes së Salih Myftisë

Si shumë familje të tjera nacionaliste, dhe familja Myftija provoi internime dhe burgosje. Për këtë, na vjen në ndihmë vepra enciklopedike “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit” e studiueses Fatbardha (Mulleti) Saraçi, për bashkëshorten e imam Salih Myftisë shkruan:

Qamile Myftija (1903-1974), edhe për të jeta erdhi plot peripeci, mbas vitit 1944. I shoqi, Salih Myftija, i nderuem në rrethin e besimtarëve myslimanë e në popullin e Shkodrës (ishte eksponent i organizatës së Legalitetit), mbasi kishte provue internimin e fashistëve italianë, që detyrue të arratisej në fundin e nandorit të zi të atij viti, tue lanë gruen e shtatë fëmijët (nga 3-13 vjeç përveç Fuadit që e mori me vehte). Si fillim ajo pësoi paraburgimin 5-javor. Mandej shpronësimi e të tjera… Pas katër vjetësh, djali i saj 17 vjeçar, nga bankat e gjimnazit u përplas qelive të Sigurimit, për të provue torturat e tij e ma vonë edhe pesë vite burg. Ishte ende heret… Viti 1962 do t’i jepte një goditje edhe ma të randë. Djali tjetër, Mithati, që ishte nga natyra shumë i ndijshëm, tue mos durue përsekutimin, kalon në krizë nervore. Një djalë në burg, një tjetër në spitalin psiqiatrik, burri në arrati. Për çfarë të mendojë ma parë? Prapë, kishte edhe ma zi… Atë vit, ajo dhe dy djemtë e mbetun internohen. Ishte 60 vjeçe e do t’i duhej të nxirrte bukën e gojës, tue ba punë të ndryshme buqjësore. Si, shumë shoqe të saja… Me mendimin se një ditë do të kthehej në shtëpi, me mendimin se i biri do të shërohej. Vetëm ai të shërohej, ani pse në barakë mungonte pothuaj çdo gja, ani pse nuk kishte forca për të përballue punën e randë. Nuk i shkonte mendja, se djalin, pasi do t’ia ndërpritnin kurën, do t’ia përplasnin baltave të Myzeqesë, aty ku ishte edhe vetë. A mund ta duronte zemra e saj e lodhun këtë gjendje? I duhej. Djali kishte nevojë ma shumë se kurgja për fjalën e saj të ngrohtë, që vetëm nga thellësia e shpirtit të saj mund të delte. Ajo i dha qetësinë, ngrohtësinë, butësinë. I dha edhe besimin për një ditë ma të mirë, i hapi horizontin, i tha të shikonte përtej, në kaltërsinë që do të vinte. Nuk do të ishte ma mirë gjendja ekonomike edhe kur do të ktheheshin nga internimi. Të gjithë në punë krahu, të gjithë në punë të randa. Ndonëse të kulturueme, sepse ata nuk e kishin heqë librin nga dora, nuk mund të gjenin punë ma të mirë. E nana e vuante edhe këtë. Vuenin sidomos përsekutimin e njerëzve të veshun me pushtet. Sa herë u vinte rasti. Vuente sidomos Mithati. Atë e vriste edhe keqardhja e dashamirëve, deri një ditë, që me vetëdije mbylli jetën e vet nën rrotat e një kamioni. Historia njihte këso rastesh, por përgjithësisht nuk ishte marrë me botën shpirtërore të nanave që duhej të përballonin dhimbjen që vinte mbrapa. Pas pak vdiq edhe vetë. “Nuk vdiq. Ajo plasi”- do të thoshte e bija. Dhe kishte të drejtë”-kështu mbyllet rrefimi për Qamile Myftinë dhe kalvarin e saj përgjatë regjimit gjakatar komunist që nuk kurseu as fëmijët, as grate.”

Krijimi i Qendrës Islamike Shqiptaro-Amerikane, si vatër e ngrohtë e shqiptarëve

Teologu, atdhetari, intelektuali ku Atdheun asnjëhere nuk e harroi, por u mundua t’i shërbejë dhe pse nga larg, imami Salih Myftija kontribuoi në ngritjen e qëndrës fetare, atdhetare, shoqërore, arsimore, edukative e kulturore. Meritë për këtë, ka dhe imam Isa Hoxha (1918-2001). Nevoja për një Qendër, që të shërbejë si vendtakim mes shqiptarëve, u rrit me rritjen e numrit të shqiptarëve myslimanë në ShBA. Mbledhja e 16 majit 1966, nën udhëheqjen e Salih Efendi Myftisë të kësaj qendre Islamike Shqiptaro-Amerikane, arriti në përfundim që të themelohet një Xhami, që të shërbente për forcimin e moralit, si dhe të përhapjes së mesimeve fetare e dashurisë për atdheun mes besimtarëve.

Në 12 nëntor 1972, Salih Myftija, pas shumë përpjekjeve e punës së palodhur e përkushtuese, preu shiritin e Xhamisë në Brooklyn të NY, ku u përshëndet nga mjaft personalitete si dhe shtypi vendas amerikan e shtypi shqiptar i Amerikës.

Vlen të përmendet dhe miqësia e ngushtë me monsinjor Zef Oroshin (1912-1989) udhëheqësin e themeluesin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare në ShBA.

Imami u nda nga jeta në 19 maj 1978, në moshën 87 vjeçare.  Në ceremoninë mortore, morën pjesë përfaqësues nga tre besimet fetare. Një figurë e shquar si Salih Myftija, e meritonte që lamtumira e fundit t’i jepej në mënyrë të denjë, ashtu siç ishte dhe veprimtaria e tij e admirueshme në rrafshin kombëtar e fetar.

Në një artikull të revistës së përkohshme fetare dhe kulturore “Përpjekja e Jonë” vol. X, mars-prill 1981, nr 9-10, (fq 121) i kushton një nekrologji Imam Salih Myftis, ku shkruhet mes të tjerash: “Salih Efendija ishte jo vetëm udhëheqës shpirtnuer, por edhe nji Atdhetar i merituem e i respektue nga e gjithë mergata politike shqiptare. Fesë e Atdheut i ka sherbye me zotsi e dinjitet dhe me nji guxim të pashoq. Ardhja e tij në Shtetet e Bashkueme t’Amerikes i ka ndihmue komunitetit t’onë shqiptar mysliman aq sa me njiherë u vunë themelet e Xhamisë dhe të Qendres s’onë Islame. Kjo gja u ba e mundun vetem me praninë e personalitetit dhe të autoritetit të Salih Myftisë(…)”

Në maj të 2012, ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi vlerësoi me “Medalje Mirënjohjeje” Sali Efendi Myftinë (pas vdekjes), me motivacion: “Për kontributin e dhënë në krijimin e institucioneve fetare të emigrantëve shqiptarë në ShBA, në mbështetjen e tolerancës fetare dhe të bashkëpunimit në dobi të interesave kombëtare.”

Imam Salih Myftija mbetet një nga personalitetet më të rendësishme të emigracionit shqiptar dhe përbashkues i shqiptarëve të besimeve të ndryshme fetare.

Burimet e këtij artikulli:

Xhemal Laçi përmes dokumentave dhe kujtimeve” Leonora Laçi, 2M Printing, Durrës: 2016.

“Përpjekja e Jonë” Revista e përkohshme fetare dhe kulturore, vol. X, mars-prill 1981, nr 9-10.

“Kalvari i grave në burgjet e komunizmit” Fatbardha (Mulleti) Saraçi, Instituti i
Studimit të Krimeve dhe Pasovaje të Komunzimit (ISKK), Tiranë:2013.

Leonora Laçi, Imam Salih Myfija, Gazeta Telegraf, Mars 2014. http://telegraf.al/opinion/leonora-laci-imam-salih-myftija-veprimtar-i-shquar-per-fe-e-atdhe-1891-1978.

Shkëputur nga intervista, marrë nga Dalip Greca Dr.Fuad Myfise, shkurt
20,2007.

Shkëputur nga kumtesa e Nexhmi Bushatit, mbajtur në sesionin shkencor të X të
Shoqatës Trojet e Arbërit.

https://kujto.al/imam-sali-myftija-nuk-u-pajtua-me-komunizmin-ja-kalvari-i-familjes-pas-arratise-se-tij/

postbck postbck

Recent Posts

Si “LINDI” Molla e Kuqe dhe a ishin shqiptarët të shtrirë deri atje?

  Deri më tani nuk më është e njohur se ndonjëri nga akademikët shqiptarë nga…

15 mins ago

BBC dëshmon në dokumentarin e tyre se në Greqi flitej shqip në vitin 1811 (VIDEO)

  BBC përmes një filmi biografik dëshmon se në Greqi flitej shqip ne vitin 1811.…

29 mins ago

Si të bëni vetë një shërup për kollë? Jo më në farmaci

  Me gjethe dafine dhe pak mjalt ju mund të krijoni një shërup shumë efikas…

34 mins ago

Zbulim i madh arkeologjik në Strugë: varre mbretërore ilire dhe artefakte të çmuara

Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik ka tërhequr vëmendjen e studiuesve në Koroshishtë të Strugës. Një…

37 mins ago

Shprehja diabolike “feja e të parëve”

Nga Shaban Murati “… Natyrisht në Shqipëri misioni diabolik fondamentalist i konvertimit të shqiptarëve në…

48 mins ago