<div id="reklama-170x600">
    <script type="text/javascript">
        window.ANConfig = window.ANConfig || {};
        window.ANConfig.placements = window.ANConfig.placements || [];

        window.ANConfig.placements.push({
            adUnitId: 'reklama-170x600',
            propertyId: '104390',
            placementId: '840783',
            data: {
            },
            onLoad: function (adUnitId) {
                console.log('1', adUnitId);
            },
            onFail: function (adUnitId) {
                console.log('0', adUnitId);
                //fallback code
            },
        });

        (function () {
            if (!document.getElementById('ap-js')) {
                var ver = new Date().toISOString().split(':')[0].replace(/\D/g,'');
                var apjs = document.createElement("script");
                apjs.type = "text/javascript";
                apjs.async = true;
                apjs.setAttribute('id', 'ap-js');
                apjs.src = "https://central.gjirafa.com/js/ap-gjanout.js?v=" + ver;
                document.head.append(apjs);
            }
        })();
     </script>
</div>

Burri i harruem i ngritjes flamurit…

Kushtue nismëtarit të Pamvarsisë, atdhetarit të pashoq Imzot Nikollë Kacorrit

Jena në vigjilje të ditës përkujtimore të vdekjes në Vjenë të burrit të Flamurit e të themelimit të Shtetit Shqiptar Imzot Nikollë Kaçorrit, e jo pa shkak,  një ndjesi trishtimit e zemrimit vlon mbrenda meje.

Si mundet që: …mbasi eshtnat e Imzot Nikollë Kacorrit u harruen, prej  të githa qeverive shqiptare, për 94 vjet në dhe të huej; prap sot ky burrë, ndera e kombit tonë, vazhdon me kenë i harruem prej shtetit shqiptar, anipse vepra e tij asht në themelin e pamvarsisë e të krijimit të qevisë të parë shqiptare?

Si nuk u gjet nji qeveritar, nuk duel nji personalitet i shtetit, që, në ditën e madhe të flamurit me u kujtue me nderue, figurën e ndritun të fatosit të Pamvarsisë së Shqipnisë, Imzot Nikollë Kacorrit? Ashtu si mue edhe cdo shqiptarit liridashës i lind pyetja: …si mundet nji qeveri e nji popull, me e kremtue e me shijue madhështinë e festës kombëtare, tuj lanë në harresë e tuj mos kujtue, numrin dy, HEROIN E PAVARSISE, atë qi i kushtoj Atdheut jeten e vet, atdhetarin Nikollë Kacorri?

Si ka mundësi që ky personalitet vazhdon të paragjykohet nga “petku i priftit” e jo nga vepra e tij në të mirë të kombit e të lirisë?

Si studius e njohës i veprës dhe personalitetit të Imzot Nikollë Kacorrit dhe  si nismëtari i sjelljes së eshtrave të tij në atdhe, me anë të këtij shkrimi, I DREJTOJ NJE THIRRJE të gjithë personaliteteve shtetnore, duke fillue nga Presidenti i Republikës, Kryeministri i vendit, Kryetari i Bashkisë dhe Deputetët e Durrësit, qi pa u ndikue nga paragjykimet fetare e krahinore, të bajnë homazhe, në Durrës, pranë vorrit ku prehen eshtnat e Imzot Nikollë Kacorrit, atit të pamvarsisë e shtetit shqiptar. Jam i bindun që personat e masipërm, e shumëkush, do të “befasohet” nga fjalet “paragjykime fetare”,…. atëherë, cila asht arsyeja që ky tribun i lirisë injorohet me këtë paftyrësi?

Ja si e kanë nderue dhe vlerësue këtë burrë të madh, bashkësia shqiptare dhe studentore e Austrisë, nëpërmes gazetës “Vëllazënija”, të datës 5 Qershuer 1917, me rastin e vdekjes së tij në Vjenë:

Emzot Nikollë Kacorri vdiq

Nji lajm të tmershëm po i rrefejmë sot me zemër të thyeme lexuesavet t´onë: Emzot Nikollë Kacorri, nji ndër ma të ndritcmit Shqypëtarë, ndera e lulzimi i kombit t´onë vdiq me 29 maj në kohën ma të mirën pa i mbushë 49 vjet!

Emzoti i ynë i përmbledhte në vedi vehtësitë ma të mirat, qi ka populli shqyptar. Aj ish trim e besnik. Dashtënin e vet për kombësinë e vet e tregoj jo vetëm me fjalë, por edhe me të bame tuj u përpjekë me gjithë fuqit´e veta për përtrimjen e fatbardhësin´e popullit të vet. Me nji gjakftoftësi të pashoqe, gjithmonë gadi me ju ba ball trimnisht anmiqve u mundue që sa mot për të mirë të popullit shqyptarë. As salvimi, as të këqijat qi hoq e as burgu qi bani nuk j´a ndërruene menden qi mos me i mprojt ma të drejtat e popullit të vet; por si luftar trim deri në ma të mbramin sahat të jetës së vet e mbajti nalt flamurin e kombit të vet e vdiq si bir besnik i popullit të vet. Oh! sa gëzim të madh pat zemra e ti e sa herë e tregoj kënaqësin´e vet tuj e pa agimin e nji pritmjes së lume të dashtunës Shqypni.

Ideali ma i larti i këtij meshtari shpirtmadh ishte me i pa të gjithë Shqyptarët të bashkuem, për te ishin të gjithë Shqyptarët vëllazen. Kur para nji vjete e gjysë duel në dritë fletorja jonë, u gëzue fort përmbi emnin “Vëllazënija” qi e zgodhme për titull. Jetëshkurti tha atëherë këto fjalë: “Në dashtë populli shqypëtar me pa ditë të lume, lypset qi t´ë kuptojnë se jemi të gjithë vellazën”

Emzot Kacorri ishte në kler katolik përfaqësonjësi ma i dëgjuar i idesë kombjare. Si nacjonalist besnik si burrë pa frigë, tuj pasë gjithmonë para sysh të mirën e popullit të vet i vu të gjithë shpresët e veta në Monarkinë austro – hungareze; sepse e dite hollë se veprimi i Monarkisë ishte mprojtja ma e mira, ma e thjeshta e ma e fuqishmja për me e vu Shqypëninë n´udhë të mbarë.

Mjerisht, ky prift i ndritcëm, qi pa ndërlikim feje, kje dasht´e cmue prej të tanë Shqyptarëvet, i msheli syt´e vet para kohe e të gjithë ata qi e kanë njoftë vepren e ti kanë me vajtue e me mbajtë zi për të. Trupi i këti atëdhetarit të flaktë po pushon tash në dhe, por emni i ti s´ka me u harrue kurr në zemra të gjithë Shqypëtarvet e miqvet t´Arbnisë. Luftoj kurdoherë për nji qëllim shejt e psoj vetëm për dashtëni të pamasë, qi kishte për popullin shqypëtar. Atëdhetare të dashtun, t´a nderojm ket meshtar shpirtmadh tuj marrë mbrapa githë herë idealin e ti, të cilit j´a kushtoj krejt jetën e vet, e ky ideal i lartë kje: BASHKIMI E VELLAZENIJA E TE TANE SHQYPETARVET.

Prej jetës s´Emzot Kacorrit

(po nga gazeta Vëllazënija)

Emzot Nikollë Kacorri kish le në Lurë në vjetë 1868. Atje i filloj mësimet e veta e tuj  kenë 14 vjec u ba xhakue e hini në kolegjë të Shkodrës, ku mbasi i mbaroj mësimet e meshtarisë, kje shugurue prift në vjetë 1893. Mbasi mbet për pak muej si famulltar në Delvinishtë, u emnue prift famullije në Durrës e në kët vend qindroj deri sa vdiq. Në vjetë 1906 u emnue Protonotar i Papës, në vjetë 1913 Camberlan e në vjetë 1917 u ba Vikar i përgjithshëm.

Emzot Kacorri kje nji nder ma të vjefshmit atëdhetar shqypëtar, i cili që në djelmëni të vet u përpjek për atëdhen´e vet, e mbasi fjala e ti ecte edhe në fena tjera, i suell kurdoherë Shqypënisë të mira të panjehuna. Kacorri jo vetëm luftoj e punoj për atëdhe të vet, por edhe ka psue fort shumë. Në vjetë 1910 e bani Kurbini nji kryengritje për shkak të virgjisë e të shërbimit n´ushtri e Emzot Kacorri tuj hi ndërmjets e paqoj popullin me qeveri. Ma vonë kje paditë si pjestar i nji komplotit, e sado i pafaj, kje gjikue për katër vjet burg. Mbas lutjeve qi banë, u lëshue prej burgu mbas 13 muejsh, por mjerisht këtu e muer atë lengatë të vështirë në zgrof (shënimi autorit: zgrof = stomak), qi ja shkurtoj jetën.

Në kohë të luftës ballkanike ish agitatori ma i nxeti për vetqeverimin e Shqypënisë. Me 70 atëdhetar shqypëtar muer pjesë në proklamim t´indipendencës së Vlorës e kje zgjedhë si ndënpresident në kabinet t´Ismajl Qemalit, por mbas gjashtë muejsh dha dorëhjekjen e vet. Ma vonë u mundue Esadi me e ba për vedi, por bosh. Mbasi u cpallë lufta botnore vojti në Marienbad (Austri) për me shëndoshë semundjen e zgrofit, qi për vjetë ma tepër u ba  ma e rrezikshme e vetëm atëherë mujt me këthye në Shqypëni kur trupet austro-ungare e zaptuene Durrësin. Para tre muejve kje nderue prej Perandorit me Komturkreuz t´urdhnit të Frano Zefit.

Në fillim të majit lëngata e Kacorrit u ba ma e randë e shkoj në një Sanatorium të dëgjuar të Vjenës, në Sanatorium Fürth, ku kje mjekue prej doktorave ma të përmendun, por mbasi mjerisht sëmundja e ti ishte tepër e mocme, as dija, as marifeti i mjekëvet s´mujtne ma me e shpëtue.

Foto-ja e riatdhesimit të eshtnave, si sarkofagu i Imzot Kacorrit u prit në Rinas nga shteti, i mbështjellë me një thes ambalazhi, ska nevojë për komente të tjera. Po ashtu edhe zvarrisja e konkursit për bocetin e një shtatoreje për heroin e më pas caktimi i vendit se ku do vendoset, janë po ashtu një pikëpyetje e madhe. Aktualisht Imzot Kacorri ka vetëm një bust (të vogël),  të vendosun në Durrës, ndërkohe që statura e këtij atdhetari, meriton një shtatore në qendër të kryeqytetit shqiptar. Për sa i përket vlerësimit të kësaj figure, koha do ta vërtetojë se sa atdhetar e të përkushtuem janë klasa politike shqiptare.

postbck postbck

Recent Posts

Çfarë është tagatoza?/Sheqer me pak kalori dhe pa rritje të insulinës!

    Zëvendësuesit artificialë të sheqerit u krijuan për ta bërë ushqimin dhe pijet e…

12 hours ago

E quajnë “mbetje kripe”, por ky mineral jetik mund të bëjë mrekulli për trupin?

  Edhe pse shpesh nënvlerësohet dhe konsiderohet thjesht si një përbërës dytësor, magnezi është në…

12 hours ago

Trajtimi me 2 përbërës për reuamtizmën: Përbërjen lejeni të qëndrojë në një…

    Dhimbjet reumatike janë shumë të forta dhe thuajse nuk qetësohen dot pa medikamente.…

13 hours ago

Pse kanceri primar i zemrës është kaq i rrallë?

Tumoret që nisin brenda zemrës janë shumë të rralla. Tumoret primare të zemrës janë jashtëzakonisht…

14 hours ago

Çfarë tha Gjergj Fishta për Hasan Rizah Pashën?!

Hasan Riza Pasha do të kujtohet si atdhetari më i mirë për shpëtimin tonë nga…

14 hours ago