Në mes tuaj kam qëndruar
E jam duke përvëluar
Që t’ju ap pakëz dritë,
Natënë t’jua bënj ditë.
Do të tretem, të kullohem,
të digjem, të përvëlohem,
Që t’ju ndrinj mir’ e të shihni,
Njëri tjatërin ta njihni.
Për ju do të rri të tretem,
As një çikë të mos mbetëm,
Të digjem, të qanj me lot
Se dëshirën s’e duronj dot.
Unë zjarrit nuk i druhem
Dhe kurrë s’dua të shuhem,
Po të digjem më dëshirë,
Sa të mundt t’ju ndrinj më mirë.
Kur më shihni se jam tretur
Mos pandehni se kam vdekur :
Jam i gjall’ e jam në jetë,
Jam në dritët të vërtetë;
Unë jam në shpirtit tuaj,
Mos më kini për të huaj.
Më është falur durimi,
Andaj po digjem si trimi,
Sa më kënda t’ju bënj mirë,
Të mos mbeti n’errësirë.
Jakëni, rreth meje rrini,
Flisni, qeshni, hani, pini
Në shpirtit kam dashurinë,
Pa digjem për njerëzinë…
Me zjarr ta djek mushkërinë
E të tretem për njerinë
Unë dua njerëzinë,
Mirësin’e urtësinë.
Në bëhi shokë me mua,
Në më doni si ju dua,
Njëri tjatrinë në doni
Të paudhë mos punoni…
Unë, duke përvëluar,
Njerëzit i kam ndrituar;
Kam qenë mik me njerinë,
Andaj i di e më dinë…
Dua shum fjalë t’ju them,
Po trembem mos ju bënj ujem.
E ku shkruhenë në kartë
Fjalët’ e gjuhësë ‘zjarrtë ?
Naim Frashëri /InforCulture.info
JEHONA E AZEM BEJTËS NË SUEDI Duke shfletuar arkivin e gazetës suedeze Svenska Dagbladet te…
BESA. HISTORIA E NËNËS QË MBROJTI NË BESË, VRASËSIN E TË BIRIT Besa, para së…
Ekspertët thonë se njerëzit nuk duhet ta lënë asnjëherë qumështin në derën e frigoriferit,…
Niveli i lartë i yndyrave në gjak rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës…
A ishin qytetet si Apollonia dhe Bylisi grekë, apo ilirë? Ky është një debat i…
Halim Dauti është një figurë e njohur jo vetëm në fshatin Vllahi, por edhe në…