”Besa – Besë” poezi nga Andon Zako Çajupi
Gjithë vendetë gëzojnë,
ti, Shqipëri, pse pushon?
Gjithë njerëzit këndojnë,
ti, shqiptar, pse rënkon?
Gjithë duanë lirinë
dhe pa të njeriu s’rron;
ti, shqipëtar, Shqipërinë
në zgjedhë si e duron?
Zgjohuni, o shqipëtarë,
erdhi dita për liri!
Zini luftë me barbarë,
përpiqi për Shqipëri!
Të krishter’ e myslimanë,
të tërë një sua kemi;
gegë, toskë, dibranë,
gjithë shqipëtarë jemi.
Mblidhuni te bëjmë benë,
të gjithë dorë për dorë:
Të duamë mëmëdhenë,
edhe malet me dëborë.
Që ditën që u shkeli
robëria dhe gjer sot
nukë bën më bar Dhëmbeli
dhe Tomori qan me lot.
Male me krye në qieli,
si duroni robërinë?
Ju që shihni drit’ e diell,
pse s’ndrini dhe Shqipërinë?
Ku janë vaftet e parë,
që kini dhënë yrnek?
Ku jini, o shqipëtarë,
pse s’dëgjohet një dyfek?
Apo humbi trimëria,
apo s’doni mëmëdhenë?
A u shua Shqipëria,
që ka pjellë Skënderbenë?
Pse rrini lidhur me lak?
Pse s’shpëtoni vënd’ tuaj?
apo s’u mbeti më gjak,
se e derdhtë për të huaj?
Mirri pushkëtë në duar
edhe bëni besa-besë:
Shqipëria do shpëtuar,
kokë turku të mos mbesë! /InforCulture.info
Videoja “Starving Wolf Hunts Caribou” nga BBC Earth paraqet një nga skenat më dramatike të…
Pamjet që dikur konsideroheshin si teknologji futuriste tashmë po shndërrohen në një mjet kontrovers për…
Mbjellja e një peme frutore në oborr mund të sjellë bollëk. Por, para se…
Në vend të produkteve të shtrenjta, një zgjidhje e thjeshtë ndryshon strukturën e tokës…
Lënia e duhanit ka qenë gjithmonë një sfidë e vështirë, por sot ekzistojnë metoda…
Shkencëtarët kanë identifikuar shkakun e mpiksjeve shumë të rralla të gjakut tek disa persona…