Trajan Deci, perandor romak nga Iliria

PASHO BAKU
Studiues dhe botues, Tiranë, 29 shtator 2010

Trajan Deci (Gaius Messius Quintus Decius) është një ndër perandorët romakë me emër që ka nxjerrë Iliria dhe që sundoi gjatë viteve 249-251 të erës së re. Deci lindi rreth vitit 190 a dhe më pas (201), në fshatin Budalia, që ndodhej pranë Sirmit, një nga qytetet e lashtë të Panonisë së Ulët në Ilirinë Veriore, qytet i ngritur në breg të lumit Sava, degë e lumit Danub.

Sot, qyteti i lashtë, përkon me qytetin Sremska Mitrovica (Mitrovica e Sermit) në Republikën e Serbisë. Vendlindja e tij përcaktohet saktë edhe nga historiani dhe shkrimtari anglez, Michael Grant (i cili vdiq në 2004-n), autor i rreth 50 veprave mbi lashtësinë greke dhe romake e në përgjithësi mbi historinë e Mesdheut antik. Deci ishte anëtar i një familjeje të shtresës së lartë, me origjinë vendase ilire, e cila zotëronte mjaft prona, të cilat mund t’i kishte përftuar edhe nga vendi që zinte ati i tij në rangjet e larta të ushtrisë perandorake. Gruaja e tij, Herenia Kupresenia Etruskila, vinte nga një familje fisnike me origjinë etruske dhe gëzonte emër si grua e zonja dhe e ditur. Deci ishte nga ato raste të rralla nga Iliria, pas Maksiminit I Daza, që pasi u bë senator dhe fitoi titullin e konsullit, arriti të bëhej perandor i Perandorisë Romake, hapësirat e së cilës që prej më se tre shekujsh, shtriheshin nga ishujt e Britanisë, pothuajse në të gjithë Europën (pjesa nën Danubin), në gjithë Detin Mesdhe, Afrikën Veriore, Azinë e Vogël e deri në Mesopotaminë e largët. Në vitet dhe shekujt e mëpasshëm, e më saktë deri në mbarim të shekullit VI pas Krishtit, perandorët me origjinë ilire në Perandorinë Romake dhe më pas në atë Bizantine, erdhën në fron, thuajse herë pas here, sa për meritat e tyre aq dhe nga mbështetja e ushtrive që ata komandonin, ku ilirët zinin një vend të rëndësishëm.

Para se të bëhej perandor, Deci ishte guvernator i krahinës Nearer Spain, që i përkiste Perandorisë Romake, dhe ku gëzonte titullin Quintus Decius Valerinus; por sundonte edhe Moezinë e Ulët në Ballkanin Qendror, me titullin Gaius Messius Quintus Decius Valerianus. Kur në vitin 248 të erës së re, perandori romak Filipi pohoi se do të hiqte dorë nga froni për shkak të kërcënimeve që i vinin nga disa kryengritës, Deci, që gjatë asaj kohe ishte prefekt qyteti, e bindi atë se rebelët shumë shpejt do të ndëshkoheshin; parashikim i cili doli plotësisht i vërtetë. Më pas, ai pranoi një detyrë të rëndësishme në dy krahinat veriore ilire, në atë të Moezisë (Myzisë) dhe të Panonisë, ku u përball dhe sprapsi sulmet e barbarëve gotikë si dhe rivendosi rregull dhe disiplinë në ushtrinë e tij. Pas një beteje të zhvilluar në Verona, në Italinë Veriore, mes forcave të tij dhe perandorit të paaftë dhe apatik Filipi I, ku ky i fundit u mund dhe gjeti vdekjen (shtator i vitit 249) ashtu si dhe i biri i tij, të cilin thuhet se e vranë ushtarët e vet, Deci shkoi në Romë, ku u prit nga Senati, i cili e shpalli atë publikisht perandor dhe e mbuloi me lëvdata për fitoret që kishte arritur. Me këtë rast, Decit iu dha titulli i lartë “Trajan”, që më pas u pasqyrua pothuajse në të gjitha monedhat e shumta që ai preu gjatë sundimit të tij, ndonëse ky sundim nuk zgjati shumë. Me këtë, Senati i Romës shpresonte se perandori Decius do të frymëzohej nga shembulli i perandorit të famshëm romak Trajani (sundoi në vitet 98-117 pas Kr.), dëshirë që e grishte dhe vet perandorin e ri. Pas kësaj, Trajan Deci, urdhëroi prerjen e një serie monedhash, me të cilat bënte të njohur, prejardhjen e tij nga Iliria, si dhe provincat që ai zotëronte (PANNONIAE, GENIVS, ILLVRICI), por nxirrte në pah edhe forcën dhe madhështinë e ushtrive të Ilirisë që drejtonte, të cilat në atë kohë përbënin bazën e trupave ushtarake të Perandorisë Romake. Në disa muze dhe arshiva prestigjioze të vendeve të Europës Perëndimore, ruhen, edhe në ditët e sotme, mjaft monedha, kryesisht prej ari, por edhe prej bronzi, të prera gjatë sundimit të perandorit Trajan Deci, ku në mbi 15 syresh dhe në variante të ndryshme, lexohet titulli i lartë që perandori Trajan Deci mbante: GENIVS EXERCITVS ILLVRICIANI – Gjeni i Ushtrive të Ilirëve.
Vitin e parë të mbretërimit të tij, ai iu kushtoi rëndësi të veçantë masave për të riorganizuar vendin dhe territoret e jashtme. Perandori, veç të tjerave, tregoi interes edhe për besimtarët paganë të cilëve iu dha liri adhurimi, duke i përjashtuar ata në disa raste dhe nga betejat, për të cilën Senati i Romës i dha atij titullin e lartë “Restaurues i Kulteve”.

Trajan Deci besonte në mbijetimin Roma Aeterna, që kishte qenë frymëzim edhe për perandorët e mëparshëm dhe që nënkuptonte idealin për një perandori të pathyeshme dhe të përjetshme. Nga ana tjetër ai kundërshtoi politikën toleruese që kishte ndjekur Filipi dhe përndoqi disa drejtues të kishave, për qëndrimet e tyre të ashpra që nuk përputheshin plotësisht me ecurinë dhe strategjinë e vetë perandorisë. Pas ekzekutimit të Papa Fabianit, thuhet se ai pati thënë: “Do ishte më mirë një armik në fron sesa një prift në Romë”. Por një numër i madh burrash e grash të krishtera refuzuan, me bindje të plotë, që të bënin kompromise me parimet e tyre fetare dhe për këtë arsye, disa syresh u ndëshkuan me dënime e deri me vdekje. Do të kalonte një periudhë kohe prej më se një gjysmë shekulli derisa, një tjetër personalitet i famshëm nga Iliria, perandori Konstandini i Madh, do të bëhej jo vetëm përkrahës i fuqishëm i krishterimit, por do të pagëzohej dhe vetë si një i krishterë i devotshëm. Ishte ky personalitet tejpamës, i lindur në Naissus (Nish) të Dardanisë, që, për herë të parë në historinë botërore, vendosi me ligj që dita e diel të bëhet ditë pushimi dhe të respektohej si një ditë ku njerëzit të gjenin prehje dhe t’i luteshin Zotit.



Ndërkaq, për perandorin Trajan Deci, gjendja u përkeqësua sërish, pasi gotët, nën udhëheqjen e monarkut të tyre të guximshëm, Kniva, kishin kaluar Danubin, ndonëse bënte shumë ftohtë dhe lumi qe mbuluar me akull. Gotët mësynë në dy grupe të mëdha, njëri marshoi deri në Trakë, ku rrethoi gjeneralin Jul Prisku në Filipopolis, dhe grupi tjetër, i kryesuar nga vetë Kniva, u drejtua për në perëndim kundër Navëve. Pas disa luftimesh të ashpra, Trebo-nian Gali, prefekti i Moezisë së Sipërme dhe të Ulët, e detyroi atë të tërhiqej. Atëherë, Kniva u sul kundër territoreve të brendshme, rrethoi Nikopolosin dhe Istrumin në Ilirinë Veriperëndimore, ku shumë njerëz kishin shkuar për t’u mbrojtur. Trajan Deci mendoi se tashmë kishte ardhur koha për një ekspeditë të madhe perandorake të drejtuar nga vetë ai, në mënyrë që pushtuesit barbarë të largoheshin nga territoret romake. Së pari ai bëri disa organizime në Romë, ku një senatori, i quajtur Publius Lusinius Valerianus (perandor i ardhshëm) iu dha një post i lartë për të kontrolluar administratën qendrore. Gjithashtu, Deci tregoi hapur shqetësimin e tij për dinastinë perandorake dhe për ecurinë e saj. Ndaj, gruaja e tij, Herenia Etruskila u ngrit në rangun e lartë “Augusta”, ndërsa, në fillim të verës të vitit 250, djali i madh i tyre, Heren Etrusku, u shpall “Cezar”, si ndihmësperandor dhe “Princ i të Rinjve”.


Megjithëse ende adoleshent, Hereni u dërgua me ushtri në Moezi dhe Dardani. Pak kohë më pas, vetë Deci u nis në të njëjtin drejtim dhe arriti të çlironte Istrumin dhe Nikopolin të pushtuar nga barbarët gotë, nga ku Kniva u tërhoq me turp pasi dështoi plotësisht në luftime me ushtrinë perandorake, e cila përbëhej kryesisht nga trupa të zgjedhura nga hapësirat e gjera të Ilirisë. Pas kësaj, perandori çliroi Dacinë nga Karpët dhe për meritat e tij u nderua me titullin “Dacis Maximus”.

Duke mos qenë në gjendje të prapësonte gotët nga Traka, Deci dhe ajo që i kishte mbetur nga ushtria e tij, u kthyen për në Oeskus, ku trupat e Trebonian Galit kishin vendosur pushtetin. Të dyja ushtritë, ndërsa po ktheheshin në vendin e tyre, zunë pozicione pranë lumit Danub me synimin që të zinin në kurth pushtuesit barbarë. Një vit më pas, Deci dhe i biri Hereni festuan fitoret e arritura mbi fiset gjermanike, duke prerë monedha që hyjnizonin perandorin, ndërsa Herenit djaloshar, me këtë rast, iu dha titulli më i lartë “August” dhe u bë bashkësundimtar me të atin. Po kështu edhe djali më i vogël i perandorit, Hostiliani, mori një titull të lartë dhe u shpall “Cezar”.

Por për perandorin Deci dhe në tërësi për vetë Perandorinë Romake nuk kishte qetësi. Beteja fatale erdhi kur Kniva, gjatë udhëtimit të kthimit, arriti Abritin në Skithinë e Vogël. Atje, në korrik të vitit 251, gotët pushtues u përballën me ushtrinë kryesore të Decit, i cili arriti të shkatërrojë dy nga divizionet e armikut, por më pas ra në kurth dhe gjatë luftimeve mbeti i vrarë i biri i tij Hereni, e më pas, po në këto luftime të ashpra humbi jetën dhe vetë perandori Trajan Deci, ndërsa ushtria e tij thuajse u shkatërrua. Historianët, admirues të Decit, për humbjen në këtë luftë, nuk e fajësojnë atë, por prefektin tradhtar dhe bashkëpunëtorin e tij Trebonian Galin; ndërsa vdekjen e Decit dhe të të birit Herenit, historianët e vlerësojnë si një akt heroik, sepse ata u sakrifikuan për hir të mbrojtjes së Perandorisë Romake dhe të popullsive të shumta që përfshinte kjo perandori. Ishte ky interpretim ngushëllues për humbjen e madhe, që frymëzoi historianin e njohur Eduard Giboni që të shkruante për Decin dhe të birin, duke u shprehur se: “….në jetë e në vdekje ata dhanë një shembull të lartë besnikërie”.

Perandori Trajan Deci njihet nga historia jo vetëm si një drejtues ushtarak dhe shtetar i zoti, por dhe si një organizator pasionant në punët ndërtimtare të Perandorisë Romake, ndonëse në krye të saj ai qëndroi vetëm dy vite si perandor dhe disa vite si cezar. Kështu, në vitin 250, u ndërtuan banjat e famshme në Aventinë të Romës, si dhe u ripërtërinë mjaft godina madhështore në brendësi të Romës, duke përfshirë edhe Amfiteatrin e madh të Koloseut. Jashtë kryeqytetit, në hapësirat e pafundme në të tri kontinentet, ku shtrihej perandoria, rëndësi iu kushtua punimeve botore, si dhe ndërtimit të rrugëve, shënimit të tyre me gurë miljetregues, urave, qendrave publike dhe objekteve të ndryshme. Gjurmët e veprave ndërtimore të ngritura gjatë asaj periudhe gjenden, a mund të gjenden, edhe në ditët e sotme, veçanërisht në krahinat e Ilirisë si në Panoni, Dalmaci, Dardani, Paioni dhe gjetkë.
Në përfundim të këtij shkrimi, për Trajan Decin, mund të thuhet se ai ishte jo vetëm një nga perandorët më me emër të Perandorisë Romake, por dhe një nga figurat më të shquara e më të mëdha që ka nxjerrë Iliria e lashtë dhe që e meriton të vlerësohet sadopak dhe të zërë vendin që i takon në historinë mijëravjeçare të themelimit të kombit shqiptar. /InforCulture.info

postbck postbck

Recent Posts

Skënderbeun e helmuan osmanët me venedikasit në bashkëpunim

  Nga Fahri Xharra Që 550 vjet jetojmë me një mashtrim të madh turko-venedikas se…

14 hours ago

Dosja e CIA për Xhafer Devën,1947: Një politikan gjenial, i cili flet 10 gjuhë të huaja

    Nga dosja e CIA-s thuhet se Xhafer Deva lindi në vitin 1906 në…

14 hours ago

Në telefonin tuaj iPhone ndizet papritur një dritë e vogël portokalli ose e gjelbër, zbuloni kuptimin e saj

  Ju ka shkuar ndonjëherë në mend se çfarë fshihet pas pikës së gjelbër dhe…

14 hours ago

Zhur, Prizren, 1971: Pamje të një dasme në fshatin Zhur të Prizrenit në vitin 1971 (VIDEO)

  https://www.facebook.com/watch/?v=901191661545165&t=0

15 hours ago

Sekretet e jetëgjatësisë së peshkaqenit të Groenlandës

Shkencëtarët realizojnë hartën e plotë gjenetike, mund të jetojnë mbi 400 vjet Realizohet harta e…

15 hours ago

Së shpejti do të mund t’i hamë këta gurë dhe arsyeja është shumë serioze

  Sipas këtij studimi të ri, çarjet dhe thyerjet e pranishme në këta shkëmbinj janë…

15 hours ago