Revista “Forbes”, harton çdo vit listën e sportistëve më të paguar të 12 muajve të fundit. Sipas revistës angleze, futbollisti argjentinas Lionel Mesi ishte sportisti më i paguar për vitin 2019, duke pasur nga pagat dhe fitimet nga reklamat 127 milionë dollarë të ardhura.
Ai pasohej në këtë renditje me futbollisti portugez Kristiano Ronaldo, me 109 milionë dollarë të ardhura. Ndër renditjet e ndryshme që na propozohen, lexojmë shpesh mbi 20 sportistët që kanë fituar më shumë para gjatë karrierës së tyre.
Dhe këtë rendintje e kryeson aktualisht ish-basketbollisti i famshëm amerikan Majkëll Xhordan me plot 1.7 miliardë dollarë. Pas tij vjen Tajger Uds, ylli i sportit elitar të golfit, që ka fituar gjatë gjithë karrierës së tij 1.67 miliardë dollarë, ndërsa në vendin e tretë renditet po një lojtar golfi, Arnold Palmer, me 1.35 miliardë dollarë të ardhura.
Ky i fundit ka ndërkohë 675 milionë dollarë pasuri të patundshme, duke u konsideruar sportisti më i pasur në botë. Këto shifra duken të jashtëzakonshme dhe të paarritshme, por historiani Peter Strak, nga Universiteti i Pensilvanisë në SHBA, thotë se ato janë në fakt çikërrima, në krahasim me sportistin më të paguar në histori:Gaio Apulei.
Një atlet i famshëm në garat me karroca në fillim të shekullit II të Erës Sonë, ai arriti të grumbullojë një pasuri prej 35.863.120 monedhash prej ari, që është e barazvlefshme me
një shumë prej rreth 15 miliardë dollarësh sot.
Gaio Apulei, lindi në Luzitania. Ai nisi të merret me garat me karroca që në moshën 18-vjeçare, ku nisi të bëhej i njohur, duke fituar garat e tij të para me “Skuadrën e Bardhë”. Kur ishte 24 vjeç, kaloi me “Skuadrën e Kuqe”, dhe pikërisht aty u bë një legjendë që në të gjallë.
Ekipi që sponsorizonte karrocat, paguante miliona sesterca, monedha zyrtare e Perandorisë Romake, për të mirëmbajtur mjetin, kuajt dhe gjithë stafin e nevojshëm që ndihmonte në çdo garë garuesit. Karrocierët ishin të pajisur me një helmetë lëkure, një gjoksore, një kamxhik dhe një thikë, që ishin shumë të dobishme për t’u mbrojtur nga rivalët, që përpiqeshin të çorodisnin, dhe në raste ekstreme të vrisnin kundërshtarin për ta nxjerrë jashtë garës.
Garat zhvilloheshin në Cirkun Maksimus në Romë, ku një ndihmës i Perandorit, sinjalizonte nisjen e garës. Gara përbëhej nga vetëm 7 xhiro, por jo të gjithë ishin në gjendje të mbërrinin deri në fund të garës.
Çmimi mund të fitohej vetëm me kushtin që në fund të garës të ishe ende gjallë, dhe nga 3 garuesit të kaloje ti finishin. Skuadrat ishin ajo Blu, e Kuqe, e Bardhë dhe e Gjelbër, të cilat mund të garonin në pistë me deri 3 karrocierë në të njëjtën kohë.
Ashtu siç ndodh sot me kampionatin e Formula 1, karrocierët mund të ndryshonin skuadër duke paguar shumë të mëdha për kohën, dhe kështu bëri Gaio Apulei. Karrocat e garave,. tërhiqeshin zakonisht nga 4 kuaj, por mund të mbërrihej edhe në përdorimin e 6 ose 7 kuajve, sidomos në garat ku paguhej shumë për çmimet që jepeshin.
Dhe Gaio ishte karrocieri më i pasur romak. Ai arriti të fitojë 1.462 nga 4.257 garat me 4 kuaj në të cilat mori pjesë. Në vitin 146, për nder të tij shokët e ekipit dhe admiruesit i ngritën një pllakat me rastin e daljes së tij në pension në moshën “42-vjeç, 7 muaj e 23 ditë”, duke e vlerësuar atë si “kampionin e të gjitha karrocave”.
Mosha kur ai doli në pension mund të na duket sot anormale. Por për një garë “vdekjeprurëse” që ishte ajo në atë kohë, konsiderohej një moshë e madhe. Apulei vdiq në paqe 5 vjet më vonë, në qytetin aktual të Palestrinës, në periferi të Romës. Edhe pse Gaio rezulton të jetë karrocieri më i paguar romak, Pompe Muskulozi dhe Flavio Skorpusi, që të dy nga Skuadra Jeshile, mbeten fituesit më të mëdhënj, me respektivisht 3.559 dhe 2.048 fitore.
Konvertimi i sestercës në miliarda dollarë, është një temë shumë e diskutueshme. Nëse e llogarisim shumën sipas pretendimeve të shumë ekspertëve, që 1 sestercë e cilësojnë të barabartë me rreth 6/7 të 1 dollari, mund të kemi një shumë të ndryshme nga ajo që jep profesor Strak.
Me 36 milionë sertercat e fituara nga Gaio, mund të ishte paguar për rreth 3 muaj paga e gjithë ushtrisë romake. Kjo ishte e rëndësishme në atë periudhë të veçantë historike, kur perandorë ishin Adriani dhe Antonino Pio, në kulmin e fuqisë dhe pasurisë të Perandorisë Romake.
Forca aktuale ushtarake e SHBA-së, që supozohet të jetë kombi më i madh dhe më i pasur në botë, e paguar për të njëjtën periudhë, pra gati 3 muaj, do të kërkonte një shpenzim prej 15 miliardë dollarësh.
Ndërkohë, është e rëndësishme të theksohet se ndonëse sesterca ishte monedha referencë për tërë Perandorinë Romake ndër shekuj, vlera e saj luhatej me kalimin e kohës. Madje ajo ishte “viktimë” e një inflacioni të shfrenuar (sikurse ishte ai i shekullit III, me pasoja tepër shkatërruese).
Gjatë fillimit të shekullit II-të, 36 milion serterca ishin realisht një shumë e jashtëzakonshme parash, të cilat e bënë sipas profesor Strak, karrocierin romak sportistin më të pasur në histori. Për të imagjinuar sadopak dhunën që ushtrohej gjatë garave me karroca, mund të shihni disa nga skenat e filmit të famshëm të vitit 1959 “Ben Hur”, që pavarësisht disa pasaktësive historike, i përshkruan mirë duelet e kohës. / bota.al
Mitrovica, një qytet me histori të pasur kulturore, ka gjetur në muzikën jazz një…
Bota është e mbushur me informacione dhe fakte mahnitëse që shpesh kalojnë pa u vënë…
Zana Islami Për shumë vite, filma shkencorë dhe libra fantastiko-shkencorë kanë trajtuar idenë e robotëve…
Zana Islami Tregu i patundshmërive është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë dhe…
Zana Islami Në shumë industri, punëtorët janë të ekspozuar ndaj kushteve të rrezikshme që mund…
Zana islami Shëndeti oral është një pjesë shumë e rëndësishme e kujdesit të përgjithshëm për…