13 Marsi në kalendarin popullor shqiptar shënon fillimin e ritit të Verzës. Ky rit në të kaluarën kishte karakter gjithëpopullor dhe varësisht nga krahinat etnografike shqiptare kishte dallime në mënyren e manifestimit. Riti i Verzës kishte karakter festiv dhe lidhej me ekujnoksin -”sa dita-natën” pranverore.
Ritet e motmotit dhe aktualiteti
Prof. dr UKË XHEMAJ
Ritet e motmotit në kulturën shqiptare paraqesin një thesar vlerash,që në përmbajtjen e tyre ruajnë të mbijetuara shumë besime, bestytni, veprime magjike me karakter homeopatik spastrues apo të plleshmërisë -gjithnjë me synim në mbarvajtje dhe shërbim të individit, grupit apo rrethit më të gjerë shoqëror. Ritet janë një ngjizje e mënyrës së jetës njerëzore në mjedisin natyror duke pasqyruar dënjësisht lidhjet : njëri – natyrë. Këto raporte shprehin kuptimësinë e jetës si një shfaqje veprimesh kushtimisht të ndërlidhura me fenomene dhe dukuri natyrore – drejtpërsëdrejti si një mundësi e të jetuarit në mjedis gjeografik. Këto vlera kulturore të bashkërenditura në ceremonitë rituale të riteve të motmotit, në traditën kulturore shqiptare e sidomos në krahina më të thella etnografike siç janë Opoja e Hasi, i hasim të shtresëzuara. Të shpaluarit e atyre shtresëzave na përvijojnë nga e sotmja deri në një lashtësi të mugët historike, përkatësisht deri tek format e hershme të organizimit të jetës, besimeve, dokeve, zakoneve,mënyrës së banimit, veshjes, veglave e mjeteve të punës, etj. Vlerë e veçantë kulturore e këtyre riteve është masoviteti i pelegrinëve në ceremoni rituale, struktura sociale, gjinore e moshatare e pelegrinëve, përkushtimi kultik, aplikimi i kalendarit vjetor të punës i mbështetur në eklipset diellore, besimi i mbijetuar në fenomene e dukuri natyrore, përvijimi i tyre deri në aktualitet.
Dita e verzës në Opojë
Dita e Verzës në Opojë është njëri ndër ritet e motmotit që i bëhet një përkushtim i veçantë. E feston e gjithë popullata e Opojës, natën e 13 marsit deri në të lindur të diellit ditën e 14 marsit. Është e lidhur me ekuinoksin pranveror, sadita-nata, sipas kalendarit popullor. Prof. dr UKË XHEMAJ Riti është i përmbushur me shumë elemente të karakterit magjik me synim spastrimi, plleshmërie, shëndeti, kushtuar individit, familjes, grupit, farefisit, fshatit. Për nga masoviteti ka karakter pelegrinazhesk. Ceremoniali fillon nga familjet ndërkaq përfundon në vende të ngritura të lagjes, si vendtakimi i pelegrinëvet e lagjës. Vendi ku zhvillohet ceremonia tradicionale ka karakter kultik dhe është i njëjti prej vitesh. Ky rit, në fshatin Bresanë organizohet në kodrinat e mbifshatit, në të ngritura mali, ku secila lagje ndezin zjarre rreth të cilit zhvillohet rituali. Kështu atë natë e gjithë Opoja shëndrritë nga flakët e zjarreve, gjithnjë në garë për zjarrin më të madh se lagja tjetër, se fshati tjetër – simbolikë kjo e rritës dhe mbarësisë së familjes, lagjes e fshatit.
Si zhvillohet ceremoniali
Parapregaditja për rit fillon ditë më parë. Të rinjë e të reja – djemë e vajza – dalin fushës për të mbledhur dëllinja, degëza çetinash, tallë misri, kashtë drithërash e kohëve të fundit dhe goma makinash, të cilat i renditin rreth një druri të ngulitur në kodrinën mbi lagje të vetë, të fshatit, të cilat do bëjnë zjarrin ritual kur të ndizet nga pelegrinët në orët e para të ditës së re të datës 13 në të 14 të Marsit. Ndërkaq, natën e festës, vajzat mbledhin vezë, i dekorojnë ato me motive të ndryshme dhe i ziejnë dhe secila në shportën e vet i marrin në ceremoni, me të cilat bëjnë veprime të karakterit magjiko-ritual kushtuar rritës, shëndetit, spastrimit, me formula magjike që shprehin ato mbështetur për lisi. Festa ka karakter agraro-blegtoral – e dedikuar kryesisht familjes, mirëqenjes së saj në shëndet, në të mira e rendimente në bujqësi, blegtori dhe shtim njerëzor. Zjarri paraqet qenësinë e ritualit. Ka karakter spastrues dhe të plleshmërisë. Është i ndërlidhur me kultin e Diellit si një pjesë e panteonit hyjnor që i kushtohet, në traditën e lashtë, me lutje, pikërisht në këtë të hyrë të stinës së verës kur dhe fillojnë punët në bujqësi. Plleshmëria synon të arrihet, përmes simbolikës së flakës së zjarrit – dritës, që paraqet Diellin, ndriçimin dhe ngrohtësinë e tij, si një kusht i zhvillimit të bimësisë dhe jetës. Ndërkaq, spastrimi i pelegrinëve nga mëkatet eventuale, demonët negative, spastrimi i fushës, spastrimi i objekteve të banimit të njerëzve, kafshëve, objekteve ekonomike, drithnikëve, koshave të misrit, fllanikëve, etj, bëhej përmes kapërcimit – tri herë – të zjarrit kur ai është në shuarje e sipër, por dhe me urëza zjarri në dorë të pelegrinëve duke ngacmuar ato për të lëshuar shkëndijë dhe duke u futur në objekte e shetitur fushës ku bëhen të mbjella. Pelegrinët, në kostume festive, këtë ceremonial e madhështojnë me këngë- të percjella nga vajzat me def- e vallëzime rreth zjarri me orë të tëra, duke shprehur gëzimin e hyrjes në stinën e verës së vogël – Verzës. Ceremoniali, vazhdon tutje në orët e hershme të agimit, para lindjes së diellit, me larjen ritual të fytyrës dhe flokëve nga vajzat e lagjeve të fshatit në rrjedhjen e lumit mbi fshat. Simbolikë për arritjen e shëndetit, spastrimin nga të këqijat, që i dedikohen fuqisë magjike të ujit të rrjedhshëm. Ceremoniali vazhdon, gjithnjë para lindjes së Diellit me ndezjen e zjarreve të dyta, tanimë nëpër lagje të fshatit dhe më në fund me vizitat e pelegrinëve nga dera në derë – nga shtëpia në shtëpi – ku mbledhin dhurime mielli, gjalpi, djathi, vezesh, etj. nga zonjat e shtëpive, nga të cilat përgatitet Dreka rituale kushtuar kësaj feste, që njëherit paraqet dhe përfundimin e ceremonisë.
BEQIR AJET SHEHU*/ Beteja e Lumës meriton vëmendjen e duhur nga historiografia jonë kombëtare, pasi ajo…
HALIL RAMA/ Vlerësimi i heronjve dhe dëshmorëve të atdheut, përveçse akt juridik dhe politik, është detyrimi…
Zotërit shqiptarë të shekullit të katërmbëdhjetë do të bëheshin antagonistët kryesorë në poemat epike serbe,…
Në Mars të vitit 1941, Musolini, la frontin e luftës italo-greke dhe nisi vizitën drejt…
Nis punën projekti Beyond Epica në Antarktidë. Është pasues i misionit të parë Epica dhe…
Ngjyrat janë një pjesë thelbësore e botës tonë, të pranishme në gjithçka që na…