Ndërsa afrohet sezoni i ftohjeve dhe gripit, një mjek i përgjithshëm ka zbuluar disa nga ushqimet dhe zakonet që mund të ndihmojnë organizmin të qëndrojë i shëndetshëm gjatë muajve të ftohtë.
Pas ditëve të gjata me diell, po hyjmë në periudhën e vitit kur temperaturat bien, ditët shkurtohen dhe rrezet e diellit janë më të pakta. Me ndryshimin e motit shtohen edhe infeksionet sezonale, ndaj ekspertët këshillojnë që të bëhen disa ndryshime të thjeshta në ushqyerje dhe në rutinën e përditshme.
Rëndësia e vitaminës D
Mjeku i përgjithshëm, Dr. Kafi Omar, ka theksuar rëndësinë e marrjes së mjaftueshme të vitaminës D gjatë muajve të ftohtë.
Sipas tij, pjesa më e madhe e vitaminës D prodhohet nga organizmi përmes ekspozimit ndaj rrezeve të diellit. Megjithatë, gjatë dimrit, kur ditët janë më të shkurtra dhe njerëzit kalojnë më shumë kohë brenda, marrja e mjaftueshme e kësaj vitamine mund të bëhet më e vështirë.
Vitamina D luan një rol të rëndësishëm në funksionimin e sistemit imunitar dhe ndihmon organizmin të mbrohet nga sëmundje të ndryshme.
Peshku i yndyrshëm, burim i vitaminës D dhe omega-3
Dr. Omar ka rekomanduar që, përveç suplementeve kur janë të nevojshme, vitamina D të merret edhe përmes ushqimit.
“Një gjë që u rekomandoj pacientëve është të marrin suplemente vitaminash, sepse pjesa më e madhe e vitaminës D vjen nga dielli dhe nuk kemi aq shumë në dimër”, tha Dr. Kafi.
Megjithatë, ai ka veçuar peshkun e yndyrshëm si një burim të rëndësishëm natyror të vitaminës D.
“Atë e merrni nga peshku i yndyrshëm, prandaj hani peshk të yndyrshëm një ose dy herë në javë. Ai ju jep acide yndyrore omega-3 dhe vitaminën D shumë të nevojshme.”
Salmoni, harenga dhe skumbri janë ndër zgjedhjet që përmbajnë sasi të konsiderueshme të vitaminës D dhe acideve yndyrore omega-3.
Proteinat dhe frutat e perimet
Përveç vitaminës D, mjeku këshillon edhe një konsum të mjaftueshëm të proteinave, të cilat janë të rëndësishme për funksionimin e organizmit, mbështetjen e sistemit imunitar dhe rritjen e muskujve.
Ai rekomandon gjithashtu konsumimin e pesë racioneve me fruta dhe perime të freskëta në ditë, për të siguruar marrjen e mjaftueshme të vitaminës C dhe lëndëve të tjera ushqyese.
Një tjetër aspekt që shpesh neglizhohet gjatë dimrit është hidratimi. Edhe pse temperaturat janë më të ulëta, mjeku thekson rëndësinë e konsumimit të rregullt të lëngjeve.
“Një dietë e larmishme, proteina, suplemente të vitaminës D, peshk i yndyrshëm për shkak të acideve yndyrore omega-3 dhe hidratim – kjo është ajo që u rekomandoj pacientëve”, theksoi mjeku.
Në këto këshilla përfshihet edhe një mënyrë jetese më e shëndetshme, me aktivitet të mjaftueshëm fizik, ndërprerjen e duhanit dhe uljen drastike të konsumit të alkoolit.
Sipas Dr. Omar, qëllimi nuk është ndryshimi i plotë i rutinës, por përmirësimi i zakoneve që tashmë ndjekim, në mënyrë që organizmi të jetë më i përgatitur për muajt e ftohtë.
Një mace shtatëvjeçare me emrin ‘Nimis’ është kthyer në një nga personazhet më…
Ndonjëherë, në trup shfaqen njolla me ngjyrë të kaltër, vjollcë apo të verdhë, edhe…
Koha që nevojitet për të humbur peshë ndryshon nga personi në person. Faktorë…
Nga Albert Vataj Një përbërës natyror i helmit të bletës, melitina, ka demonstruar aftësi të…
Në vitin 1902, në punishte të vogla të prodhimit të thikave në Francë, mund…
A mund të ofrojë një përllogaritje e re, e bazuar në dy tregues…