Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Gladiatorët ishin influencuesit e Romës së lashtë

Nga: Claire Turrell / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Influencuesit [influencer] që lëvizin shkopin e selfit mund të ndiejnë se po hapin shtigje të reja, por a i kanë hapur ato së pari gladiatorët romakë, më shumë se dy mijë vjet më parë? Fama në Instagram dhe në TikTok premton të ardhura, lëvdata dhe marrëveshje të mira sponsorizimi me marka të njohura. Disa nga këto ishin të njohura edhe për një gladiator romak.

Por, sigurisht, rreziku ishte më i lartë për një gladiator të zakonshëm me shpatë dhe sandale. Ndërsa influencuesit modernë ndjekin pëlqimet, gladiatorët luftonin – herë pas here deri në vdekje – për lirinë e tyre. Kjo, padyshim, do t’i jepte më shumë nuancë botës boshe të internetit me trendët e kërcimeve në TikTok dhe të videove të hapjes së pakove.

Gladiatorët vazhdojnë të na magjepsin edhe sot. Jo vetëm që në kinema është filmi i Ridley Scottit, Gladiator II, por edhe filmi më i ri i Anthony Hopkinsit – Those About to Die – po shfaqet në Amazon Prime Video, ndërsa emisioni legjendar i lojërave të viteve ’90 të shekullit XX, Gladiators, u rikthye po këtë vit.

Por, ajo që shumica e këtyre filmave dhe programeve shpërfillin është magjepsja e vërtetë e spektakleve të gladiatorëve. Këto nuk ishin vetëm duele argëtuese për jetë a vdekje: gladiatorët nuk ishin thjesht yje të famshme në Romën e lashtë. Përkundrazi, ishin figura të rralla: individë që mund të ndryshonin jetën e tyre duke vepruar brenda hierarkive të ngurta sociale të Romës. Në fund të fundit, ata ishin skllevër që mund të mbushnin Koloseun me dhjetëra mijëra spektatorë. “Pas perandorit, kush tjetër komandonte respektin dhe brohoritjet e 60 mijë njerëzve?” – thotë konsulenti historik Alexander Mariotti, i cili ka punuar në projektet Rome dhe Ben Hur.

Luftimet e gladiatorëve ishin pjesë e pandashme e jetës shoqërore romake, të pranishme jo vetëm me posterët që reklamonin ndeshjet, por edhe në parada në stilin e [cirkut] Barnum & Bailey, që parakalonin nëpër qytet përpara ballafaqimeve të mëdha. Shumë gladiatorë ishin skllevër që detyroheshin të luftonin, por disa ishin njerëz të lirë që kërkonin para ose famë, ose ndoshta të dilnin nga borxhet.

Gladiatorët gjithashtu njiheshin si ekspertë të armëve. Ata vlerësoheshin kaq shumë për atletizmin dhe profesionalizmin e tyre, saqë elitat e shoqërisë paguanin për t’u stërvitur me ta në mënyrë që të zotëronin shkathtësitë me shpatë. Ballafaqimet e tilla mes të famshmëve përmenden te Jeta e Kaligulës nga historiani romak Svetoni.

Dhe, ashtu si me mediat sociale moderne, seksi shitej. Grafitet që mund të shihen në muret e Pompeit thonë: “Keladi, gladiatori trak, është kënaqësia e të gjitha vajzave”, ndërsa një tjetër grafit e quan Kreskensin “rrjetë merimangash për vajzat e reja gjatë natës”. Edhe nëse Keladi ose Kreskensi i kishin shkruar – të shkretët – vetë këto grafitë, siç besojnë disa historianë, ata duket se e kuptonin nevojën për marketing. Mitet dhe legjendat i rrethonin gladiatorët. Gjaku i gladiatorëve besohej të ishte një ilaç kundër impotencës, ndërsa flokët e nuses të krehura me shpatën e një gladiatori të mundur garantonin një martesë të frytshme.

Magjepsja pas gladiatorëve ishte aq e madhe saqë Muzeu “Pit Rivërs” i Oksfordit mban një koleksion të “mbledhëseve” të djersës së gladiatorëve. Këto pajisje – të quajtura strigile – mund të jenë përdorur për të mbledhur dhe ruajtur djersën e gladiatorëve të famshëm dhe për t’ua shitur adhuruesve të tyre. Disa historianë, megjithatë, e kundërshtojnë këtë duke pohuar se strigilet ishin të zakonshme në banjat romake dhe se ka pak prova që aroma e gladiatorëve tregtohej me të vërtetë.

Nga ana tjetër, ka dëshmi që tregojnë se gladiatorët, si figura të famshme, tërhiqnin turma që shkonin për t’i parë edhe kur hanin. Autori i krishterë, Tertuliani, në veprën e tij Spektaklet e dënonte këtë praktikë duke e krahasuar famën e gladiatorëve me “shkëlqimin e Djallit dhe ftesën e demonëve”.

“Këta njerëz ishin superyje”, thotë Siobhan McElduff, profesoreshë e asociuar e Letërsisë Latine dhe Kulturës Romake në Universitetin e Kolumbias Britanike në Kanada. “Mund të shkoje t’i shihje ndërsa festonin një natë para se të luftonin në arenë”.

Dhe, megjithëse gladiatorët nuk reklamuan ndërhyrjet estetike, si “fryrja e të pasmeve në stilin brazilian”, ata padyshim ishin mjete të fuqishme marketingu. “Në Romë kishte një biznes të zhvilluar të suvenireve”, thotë McElduff. “Mund të blije gjithçka me një gladiator mbi të: llamba vaji, gota qelqi, bizhuteri dhe madje edhe zile ere”.

Një shembull i një prej këtyre suvenireve mund të shihet në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju-Jork. Gota prej qelqi, që mendohet se daton nga koha e dinastisë Jul-Klaud, paraqet një kupë me katër gladiatorë që luftojnë dhe mban të shkruar emrat e tyre.

Ashtu si influencuesit e sotëm, paratë ndiqnin famën. Ndërsa gladiatorët mund të mos fitonin shumë komision nga shitja e suvenireve, ata padyshim kishin fuqi fitimi.

“Një ushtar mesatar fitonte 900 sestertë në vit. Ndërsa shpërblimi fillestar për një gladiator ishte dy mijë”, thotë konsulenti Mariotti. “Pagat e gladiatorëve mund të varionin nga 10 deri në 17 herë më shumë se paga vjetore e një ushtari romak – për një ndeshje të vetme”.

Disa e përdornin këtë pasuri për të blerë më në fund lirinë e tyre. Por, çmimi i lirisë varej nga aftësia e tyre, shpjegon McElduff: “[Ai çmim] do të ishte i shtrenjtë, sepse lidhej me shumën e parave që mund të gjeneronin për pronarin e tyre”.

Gladiatorët mund të arrinin të dilnin nga varfëria dhe të fitonin adhurimin, por – gjatë ndeshjeve në arenë – fati i tyre ishte plotësisht në duart e perandorit. Influencuesit modernë mund të përballen me “anulime”, por për një gladiator, humbja e favorizimit kishte pasoja shumë më të ashpra. Madje, edhe kur fitonin lirinë, ata konsideroheshin ende si influencues negativë që prishnin moralin e popullit.

Epoka e gladiatorëve filloi të perëndonte me ngritjen e krishterimit. Lojërat pagane dolën nga moda dhe ato u ndaluan nga perandori Honori në vitin 404 pas Krishtit. Megjithatë, mijëra vjet më vonë, gladiatorët vazhdojnë të kenë një tërheqje universale, siç tregon entuziazmi për vazhdimin e fundit të filmit Gladiator.

Glynn Davis, kurator në Muzeun e Kolçesterit, thotë: “Mendoj se është kombinimi i figurës së gladiatorit që lufton jo vetëm për jetën e tij, por edhe për të kapërcyer statusin e tij të stigmatizuar, gjë që e bën këtë koncept kaq rezistues”.

Siç pyet Maksim Decim Meriti, personazhi i Russell Croweit në filmin e parë Gladiator: “A nuk jeni duke u zbavitur”?

Përgjigjja është e qartë: Po, ende jemi. /Telegrafi/

admin admin

Recent Posts

Zbulohen kulla kripe në tabanin e Detit të Vdekur

Zbulohen kulla kripe solide në tabanin e Detit të Vdekur. Të krijuara nga vetë natyra, nuk…

12 hours ago

Vendbanimi i pasardhësve të ilirëve në Pakistan…

Vendbanimi i pasardhësve të ilirëve, ushtarëve të Lekes madhe në Pakistan që flasin theksin Burrash,…

15 hours ago

Ditarët e panjohura të komandantit gjerman të forcave supreme: Hit’leri është i brengosur për gjendjen në Shqipëri, gjenerali Badoglio dha dorëheqjen prej humbjeve…

Ditarët e luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der…

15 hours ago

Letrat e Jeronim De Radës për inteligjencën shqiptare

Më 19 nëntor të vitit 1814 lindi ideologu i Rilindjes Kombëtare, Jeronim de Rada. De…

16 hours ago

Parandaloni lagështinë në dritare me një truk pesë-minutësh

  Lagështia e grumbulluar në dritare kur temperatura e brendshme është më e ngrohtë se…

2 days ago

Si të ktheni butësinë e pulovrave të vjetër? Ndiqni këshillat

Pas veshjes së shpeshtë, pulovrat shpesh bëhen të ashpra në lëkurë dhe mund të tkurren…

2 days ago