Parathënia e një libri ka për qëllim të zgjojë kureshtjen e lexuesit, qoftë lidhur me informacionin që ofron libri, qoftë lidhur me përvojën krijuese të autorit, qoftë për njohuritë që ofron, si dhe për frymëzimin që jep tema e trajtuar. Pastaj rëndësi të veçantë ka konteksti historik i tërësisë së materialit që ka shfrytëzuar autori për hartimin e veprës. Mirëpo duhet të theksoj që në fillim se nuk kisha as parapërgatitjen fillestare për hartimin e një vepre të këtillë, siç është kjo për Vasil Gërmenjin. Do të thotë, nuk kisha as idenë fillestare se si mund ta trajtoja një temë të këtillë. Prandaj kjo parathënie ka për qëllim që të tregojë rrugën që ka ndjekur autori për hartimin e veprës kushtuar Vasil Gërmenjit. Por, siç kanë thënë të diturit, se rasti është mbret i botës, kështu ka ndodhur edhe me punën që është bërë për hartimin e kësaj vepre. Kjo rastësi, që vetëm i Madhi Zot di ta sjellë, më ka mundësuar që të kem nëpër duar një material të tërë, kryesisht një letërkëmbim madhështor, por edhe krijimtari origjinale, të njërit nga atdhetarët të derës së rilindësve tanë, siç ishin vëllezërit Telemak dhe Themistokli Gërmenji, punën e madhe të birit dhe nipit të tyre, Vasil Gërmenjit. Vepra e tij, e lënë nëpër shtypin e kohës, anekënd botës, letrat e tij, dërguar personaliteteve shqiptare dhe të huaja, që kanë lënë emër në histori, veprimtaria madhore për mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe zhdukjen e komunizmit, sidomos për kërkesën e argumentuar të bashkimit të Kosovës dhe të viseve të tjera me shtetin amë, Shqipërinë, janë vlera që kanë lënë gjumë në historinë e popullit shqiptar. Pra, bëhet fjalë për veprën e madhe dhe të gjithanshme të Vasil Gërmenjit.
Rasti që është mbret i botës ka ndodhur kështu. Një ditë, derisa banoja në Bronx të New Yorkut, më telefonon Muharrem Krreku, i cili ishte nga Juniku, por që banonte dhe punonte si kontraktues në Long Island të New Yorkut. Nga ana tjetër e telefonit ai më thoshte: “O dajë, jam duke e meremetuar një bodrum të një shtëpie, këtu në Long Island. Pronarja e shtëpisë më thotë se çdo mbeturinë ta gjuaj në kontejner. Duke punuar, po shoh disa letra, gazeta, libra të vjetër, të gjitha në gjuhën shqipe, por ka edhe në gjuhën frënge dhe angleze. Janë disa kuti të mbushura me materiale të ndryshme. Çka të bëj? A janë me interes që të ruhen’’?
Duke e dëgjuar, as që më shkonte mendja se çka ishin ato materiale, ato letra e shkrime të ndryshme, ato pako me libra në gjuhën shqipe. Pa menduar dy herë i them: ‘‘Mos i hidh’’! Kur e mora veten nga e papritura, vazhdova t’i flisja: ‘‘Nëse nuk t’i zë makina, mund të vij edhe unë e t’i marr’’. Nga ana tjetër e telefonit më përgjigjet: ‘‘Jo, mos u merakos se e kam kamionin e vogël me vete dhe kam mjaft vend. Në mbrëmje t’i sjell në shtëpi’’. Të gjitha ato materiale m’i solli në shtëpi në Bronx të New Yorkut. Ndërkohë i paketova në kuti të plastikës, kurse pas një kohe i ngarkova në makinën time, të cilën po e dërgoja në Kosovë. Kështu, të gjitha ato materiale shkrimore, nga Porti i New Jerseyt, me anije i nisa për në Portin e Durrësit. Pas një muaji anija kishte mbërritur në Durrës. I mora dhe i vendosa në shtëpinë time në Prishtinë.
Në pushimet e verës, kur u ktheva në Kosovë, fillova t’i shfletoja e t’i kontrolloja, në mënyrë që të njihesha me lëndën e atyre shkrimeve. Në këtë mënyrë e kuptova se ai ishte një “arkiv” i tërë i Vasil Gërmenjit. Unë, në të vërtetë, edhe pse e kisha dëgjuar si emër, nuk e dija se kush ishte Vasil Gërmenji. Pasi kisha shfletuar mjaft shkrime nga ai material, kisha marrë njohuritë e përgjithshme nga tërë ajo lëndë shkrimore, e thirra në telefon z. Idriz Lamaj, ish-gazetar i ‘‘Zërit të Amerikës’’, por edhe njohës i mirë i mërgatës shqiptare të asaj periudhe. I tregova se për çka bëhej fjalë. Sa mund ta kuptoja përmes bisedës, Idriz Lamaj ishte gëzuar shumë nga kjo gjetje e rastësishme. I erdhi aq mirë që kishte shpëtuar së paku një pjesë e atyre shkrimeve nga tërësia e dokumentacionit të Vasil Gërmenjit, me të cilin më thoshte se një kohë kishin punuar bashkë. Por, po ashtu, nga ato që i tregoja, ishte i befasuar me faktin se si kishin përfunduar “shkrimet “ dhe puna e tij në Long Island, kur dihej se Vasil Gërmenji kishte vdekur në Florida.
Në fillim i tregova se është një përkthim i Vasil Gërmenjit nga gjuha frënge me titull ”Gjashtë muaj histori e Shqipërisë”. Pastaj e pyeta se a kishte njohuri në mos ishte botuar në ndonjë revistë, apo kishte dalë si botim i veçantë. Pas pak m’u përgjigj: ‘‘Nuk më kujtohet, por do të interesohem çka mund të gjej’’. Ndërkohë i pata thënë që të mos merrej fare me atë punë, ngase ‘‘materialin’’ do t’ia ktheja që ai të merrej me të, sepse jo vetëm që e njihte mirë këtë materie, por edhe kishin punuar bashkë, si dhe kishin zhvilluar të njëjtën veprimtari.
Idriz Lamaj më tha shkurt: ‘‘Unë nuk kam mundësi shëndetësore që të merrem me të. Përvishu punës për ta ndriçuar figurën e Vasil Gërmenjit. Do të më kesh përkrah. Do ta kesh ndihmën time të vazhdueshme, sepse pasi ke punuar në Programin Dokumentar të TVP-së, ke përvojë si hartohen dokumentarët, andaj jam i bindur se tërë atë dokumentacion do ta sistemosh mirë dhe si duhet’’. Idriz Lamaj, siç thuhet, më “lëshoi në det dhe më tha, noto’’.
I hyra punës. Fillimisht në ndarjen e gazetave dhe të revistave, sigurisht numrat që ishin, pastaj fillova sistemimin e letrave të shumta nga tërësia e letërkëmbimit të tij. Më tutje bëra radhitjen e shkrimeve, të komenteve dhe të raporteve të ndryshme nga veprimtaria e tij, të shkruara në gjuhët shqipe, angleze dhe frënge.
Duke u marrë me gjithë atë krijimtari të Vasil Gërmenjit, ndava mendjen që në këtë botim të përfshihen këto përmbajtje (në dy vëllime);
1. Punime të shkruara për Vasil Gërmenjin
2. Shkrime autoriale, disa nga shkrimet e tij
3. Poezitë e tij, të shkruara dhe të radhitura në një fletore xhepi, “Në fund të vjeshtës”
4. “Gjashtë muaj histori e Shqipërisë”, përkthimi i shënimeve të gjeneralit Descoin, (përkthyer nga Vasili), si dhe vëllimin tjetër
5 Letërkëmbimin e tij me personalitete të ndryshme të kohës kur kanë vepruar, vetëm atë pjesë në gjuhën shqipe. (1)
Letërkëmbimi i tij ishte pjesa më e vështirë që të sistemohej.
Një letërkëmbim i tërë, që arrinte deri në një mijë faqe, qoftë ato të dërguara personaliteteve të ndryshme të kohës, qoftë letrat që kishte marrë nga ata. Ishin të shkruara kaherë, në shumë vende të dëmtuara nga dhëmbi i kohës, kurse shumë nga ato ishin të shkruara me dorë. Do të thotë, kishte vështirësi që të radhiteshin. Një ditë duke biseduar me një ish-koleg, redaktor i shumë botimeve, i fola për hallin tim. Më tha se do të krijonte kontakt me një punëtore, e cila ishte e angazhuar në administratën e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ndoshta do të kishte mundësi të merrej me këtë punë. Pas një kohe bisedova me znj. Latifi, e cila pranoi të merrej me këtë punë, të cilën e ka kryer me sukses, për çka e falënderoj me shumë respekt.
Materialin e rishkruar dhe të përpunuar në tërësi sërish ia dorëzova z. Idriz Lamaj, që ta kontrollonte dhe ta redaktonte, por edhe ta plotësonte me ndonjë të dhënë nga “arkivi” i tij. Studiuesi i zellshëm, Idriz Lamaj, këtë punë e ka bërë me kënaqësi të veçantë, edhe pse i lodhur nga mosha, por edhe nga shëndeti i lig. Disa ditë kemi punuar edhe në shtëpinë e tij, ku bashkëshortja e tij, zonja e nderuar Alma, na ka pritur, na ka nderuar dhe na ka respektuar ashtu siç i ka hije një zonje mikpritëse dhe shumë bujare. Në asnjë rast nuk e kishte mërzi që ia mbushnim shtëpinë me letra e dosje të ndryshme, e madje na jepte kurajë për punën që bënim. (2)
Pas gjithë këtij rrugëtimi, ky libër lexuesit shqiptar shpresoj se i ofron informacion shtesë edhe nga një anë tjetër, por edhe të ndryshëm mbi historinë tonë. Lexuesi do ta kuptojë pasi të njihet me të, se një pjesë të historisë sonë, që nuk e kemi ditur dhe që nuk na e kanë mësuar, edhe përkundër faktit se personazhi kryesor i këtij libri, si dhe personazhet e tjera, me të cilët ka bashkëvepruar, janë pjesë e qenies sonë kombëtare. Të gjitha këto figura të historisë sonë, mjerisht të anatemuara, të ndara, të izoluara nga procesi i përgjithshëm i zhvillimeve historike në jetën tonë kombëtare, janë ajo ana e errët e historisë, pa të cilën nuk ka tërësi të studimit të proceseve historike në jetën e një populli.
Prandaj në këto botime ka informacione mbi personazhe të ndryshme. Ka të dhëna, pra, shkruhet dhe flitet për shumë ngjarje që kanë ndodhur para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, por edhe pas saj, kurse pjesëmarrëse e të gjitha atyre ngjarjeve, shumë herë tragjike, ishte edhe mërgata shqiptare, e cila me angazhimin e saj, me punën e palodhshme në shërbim të kombit, ka zënë vendin e merituar në përpjekjet e mërgatës ndërkombëtare, si dhe në tërësinë e proceseve kundërkomuniste, andaj edhe veprimtaria e mërgatës shqiptare është pjesë e historisë së përgjithshme botërore.
Në anën tjetër, përveç fakteve historike lidhur me veprimtarinë madhore të mërgatës sonë, në botim ka edhe informacione të shumta dhe të ndryshme që shpalohen përmes këtij letërkëmbimi. Letërkëmbimi i Vasil Gërmenjit shkonte dhe vinte nga shumë shtete të botës, nga aty ku secilin nga këta mërgimtarë e kishin përplasur dallgët e jetës. Prandaj këto letra, në një mënyrë, përmbushin rrjedhën e rrëfimit të ngjarjeve historike.
Kam bërë përpjekje që lexuesi ta kuptojë se nuk jemi bërës të historisë, por ne jemi pjesë dhe pjellë e historisë, kurse historia është e rëndësishme edhe për faktin se edhe ne, një ditë, do të kthehemi në të kaluarën.
Të mësuarit dhe të kuptuarit e ngjarjeve, që kanë ndodhur në historinë tonë, lexuesit i ndihmojnë të ketë edhe një aspekt tjetër të informacionit, për atë që ka ndodhur dje, si dhe për ngjarjet që ndodhin aktualisht, por mbase edhe për ngjarjet që do të ndodhin në të ardhmen!
Përmbajtja që është përfshirë në këtë libër është një mundësi më shumë që lexuesi të njihet edhe me anën tjetër të rrjedhës së ngjarjeve historike, të zhvillimeve të ndryshme në jetën tonë historike, në mënyrën e bërjes politikë, por edhe në zhvillimet e përgjithshme shoqërore. Pra, jepet një pasqyrë e të gjitha atyre ngjarjeve që janë zhvilluar jashtë hapësirave të ndryshme shtetërore ku jetojnë shqiptarët e sotëm.
Prishtinë-New York
Ky tekst është parathënia e autorit Elez Osmani në librin e tij “Vasil Gërmenji: Një jetë në shërbim të çështjes shqiptare” të Elez Osmanit, “Botimet KOHA”, tetor 2024. Titulli është i Redaksisë
1. Vlen të theksohet se në shtëpinë e tij në Bronx, z. Idrizi ruan dokumentacion të shumtë, me vlerë të kësaj natyre, ndonëse një pjesë ua ka dhuruar “Vatrës”, Arkivit të Kosovës dhe publicistëve dhe studiuesve të ndryshëm
2. Materialin e mbetur do t’ia dorëzoj Arkivit të Kosovës
Përzierja e disa ilaçeve të caktuara kundër dhimbjes nuk rekomandohet as nga mjekët dhe…
A keni kujtuar ndonjëherë diçka me siguri të plotë, për ta zbuluar më vonë se…
Gratë shqiptare kanë luajtur një rol vendimtar në historinë e kombit tonë, duke u…
Himni i flamurit që shkroi Çabej, në konkursin e vitit 1937: Atje lidhet besa e…
Është e dëshmuar se për 500 vite, shqiptarët kanë qenë pjesë integrale dhe e pandarë…
Mbretëresha Teuta e Ilirisë dhe ushtria e saj pirate, sunduan Detin Adriatik në lashtësi dhe…