Viteve të fundit kemi libra që tërheqin vëmendje me anë të promovimeve, pa marrë parasysh çfarë vlere kanë dhe kemi libra me vlerë që kalojnë në heshtje pa u hetuar megjithëse autorët e tyre janë historianë të institucioneve tona që njihen jashtë trekëndëshit Prishtinë-Shkup-Tiranë. Kështu është dashur që të kalojnë disa vjet deri kur na erdhi sivjet në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare historiani austriak Oliver Schmit dhe përmendi në një rast tre historianë kosovarë që sjellin risi, në mesin e tyre edhe Ylber Hysën. Kuptohet, Y. Hysa nuk merret me tekste shkollore ose me një temë të sponsorizuar, por vërtet merret me gjurmime serioze dhe pasuron historiografinë tonë me kontribute origjinale. I tillë është libri i tij “Shafrani në Kaçanik” që doli në Prishtinë (Bard Books, 2019) me një parathënie të Ag Apollonit dhe mbeti i pahetuar në trekëndëshin Prishtinë-Shkup-Tiranë përkundër risive që na sjell.
Siç duket nga titulli, libri merret me historinë ekonomiko-shoqërore dhe kulturore të Kosovës në shekullin XVI, përkatësisht me ngritjen e një bërthame të re urbanistike në jug të Kosovës (Kaçanik) që solli risi me monumente dhe profesione të reja si dhe me elemente të reja në kuzhinën e Kosovës si shafrani, që ishte i njohur vetëm në sofrat e familjeve të pasura jashtë Kosovës kurse tani në Kaçanik shërbehej falas në sofrat e Imaretit në Kaçanik që i ndërtoi Sinan Pashë Topojani (1506-1596), i cili me meritë u quajt “Themeluesi i Kaçanikut”. Sinan Pasha ishte ndër figurat e njohura të shekullit XVI pasi që ishte i vetmi që zuri pesë herë postin e sedriazemit me Perandorinë Osmane dhe ishte vali në disa vende në Lindjen e Mesme (Egjipt, Siri etj) ku la shumë vepra monumentale duke përfshirë edhe dy qytete në Siri (Kutajfa në veri të Damaskut dhe Sa’sa në jug të Damaskut).
Si i tillë, Sinan Pasha tërhoqi shumë vëmendje të historianëve në mesin e tyre edhe të historianit francez Jean Paul Pascual, i cili ia kushtoi atij një hapësirë të madhe në librin e tij për zhvillimin e Damaskut në shekullin XVI që u botua më 1985. Libri i Y. Hysës duket si version kosovar për Kaçanikun sepse të dy historianët kanë një qasje metodologjike: si të ndriçohet historia ekonomiko-shoqërore dhe kulturore në bazë të dokumenteve të vakëfit? Mirëpo, pionieri i kësaj qasjeje te ne ishte Hasan Kaleshi (1922-1976), i cili u dokturua më 1960 dhe disertacioni i tij (që u botua në Prishtinë më 1973 dhe 2012) na inspiroi herët me këtë qasje të re në studimet tona. Vetë Y. Hysa u mbështet në studimin e Kaleshit “Veziri i madh Koxha Sinan pasha, vakëfet e tij dhe vakufnamet e tyre” që u botua më 1965 në revistën “Gjurmime albanologjike” ku përmban një botim kritik për vakufnamën që ka të bëjë me Kaçanikun e që u legalizua më 23 korrik 1586. Vërtet, Y. Hysa e trajtoi këtë temë në librin “Shqiptarët dhe të tjerët” (2009), kurse tani e trajton në mënyrë më të gjerë duke u bazuar në burime dhe studime në gjuhë të ndryshme (shqip, serbokroatisht, anglisht e gjermanisht) për të na sjellë një histori më ndryshe të Kaçanikut.
Qysh në fillim të librit (fq.9) Y. Hysa nuk mohon se ai nuk është i pari që po merret me vakëfin e Sinan Pashës në Kaçanik, por ai e trajton më ndryshe nga se është fjala për një vakëf që na solli të vetmen “fortifikatë-qytet e ndërtuar nga themeli në Kosovë gjatë sundimit osman”, për çka është ruajtur vakufnamja e tij (e legalizuar më 23. 7. 1586) që “zbërthen shumë fakte nga natyra historike, juridike, ekonomike dhe kulturore”.
Më tutje, autori flet gjerë e gjatë për themeluesin Sinan Pashë Topojani ( – 1596), duke e dalluar atë nga Sinan Pashë Vila (të dytë nga Luma) që e ngriti një vakëf në Prizren me xhaminë e bukur që e dallon edhe sot qytetin, e duke treguar karrierën e pasur si komandant ushtarak, si vali në disa vende e si i vetmi njëri që u bë pese herë vezir i madh (sedriazem) në Perandorinë Osmane duke lanë shumë monumente në disa vende.
Nga ana tjetër, në kaptinën “Dy Kaçanikat”, që reflektojnë tani “Kaçanikun e vjetër” dhe “Kaçanikun e ri” autori vë në pah disa gjurmë dardane e romake përreth, e sidomos kalldrëmi romak në grykë të Kaçanikut dhe stacioni romak në Kaçanikun e vjetër. Mirëpo, Sinan Pasha për kala-qytetin e ri shkoi më poshtë, atje ku takohen Nerodima dhe Lepenci dhe ku fillon gryka që ndan Sharrin nga Karadaku. Y. Hysa vëren si kjo pozitë e re reflekton sensin strategjik të Sinan Pashës si komandant e burrështetas sepse gryka dominon një segment me rendësi të rrugës së vjetër Nish-Shkup që vazhdon deri në Selanik. Duke u mbështetur në shënimet e udhëtarit F. Caney nga 1579 del se atje kalimi i kësaj rruge ka qenë shumë i rrezikshëm për udhëtarët dhe tregtarët, ndaj u ndie nevoja për një ndërmarrje të këtillë që do ta sillte sigurimin për këtë rrugë rajonale dhe lulëzimin e vendbanimit të ri.
Për vendbanimin e tij, autori kishte një burim të dorës së parë (vakufnamën), që tregon të gjitha objektet e reja ekonomiko-shoqërore dhe kulturore që u ndërtuan atëherë dhe u bënë bazë e qytetit të ri.
Për të kuptuar më mirë natyrën e vakëfit duhet të kemi parasysh se vakëfi përbën dy lloj objektesh: objekte që i ofrojnë shërbime falas popullsisë (xhamia, medreseja, teqeja, hani, imareti/kuzhina popullore etj.) si dhe objekte ekonomike që shfrytëzohen me qira dhe mbulojnë shpenzimet e objekteve të para. Kështu, në bazë të këtij burimi del se Sinan Pasha ndërtoi në Kaçanik dhe rrethinë: një xhami, një medrese, dy hane, një hamam, një imaret, 27 mullinj e të tjera. Në këto objekte tani u paraqitën 37 profesione të reja me 60 punonjës që i prezanton veç e veç autori me pagat e tyre (fq.57-60).
Në mesin e këtyre objekteve kemi pasur një risi: imareti ose kuzhina popullore u ofronte ushqim falas dy herë në ditë studentëve, të varfërve në Kaçanik e rrethinë, punonjësve në objektet e reja si dhe udhëtarëve që ndalen e pushojnë në Kaçanik. Ky institucion i ri, që u paraqit më herët në Shkup dhe ishte i pari në Kaçanik/Kosovë, tërhiqte interesimin e udhëtarëve evropianë pasi që gëzonin ushqim falas dhe më ndryshe.
Mu për këtë, Y. Hysa përqendrohet me anë të këtij institucioni të ri në ndryshimet në kuzhinën e Kosovës me elemente të reja që u bënë të përhershme, prej nga është edhe titulli i këtij libri. Një prej këtyre elementeve është orizi i cili jo vetëm që u konsumua në Kosovë, por edhe u kultivua më vonë në Ballkan, për çka flet gjatë autori në kaptinën “Orizi si ushqim strategjik” (fq. 97-100). Nga ana tjetër, risia tjetër ishte paraqitja e shafranit në ushqimin e ofruar në imaretin e Kaçanikut që reflektonte një domethënie të madhe, sepse shafrani ishte simbol i sofrave të familjeve të pasura në Orient dhe më vonë në Evropë, kurse tani ai u ofrohej të gjithëve falas me ëmbëlsirën e quajtur Zerde, me origjinë nga Persia, në të cilën shafrani është esenca e dukja e saj, për çka flet autori më shumë në kaptinën “Zerde më shumë se ëmbëlsirë”.
Me këto të dhëna domethënëse mund të themi se në këtë libër të Y. Hysës nuk kemi tema të mëdha të stërpërsëritura, por ai përqendrohet në një hapësirë të vogël (Kaçaniku) me një qasje të re (në bazë të vakufnamës të 1586) për ta paraqitur një histori më pak të njohur për gjeneratën e re të historianëve.
Himni i flamurit që shkroi Çabej, në konkursin e vitit 1937: Atje lidhet besa e…
Është e dëshmuar se për 500 vite, shqiptarët kanë qenë pjesë integrale dhe e pandarë…
Mbretëresha Teuta e Ilirisë dhe ushtria e saj pirate, sunduan Detin Adriatik në lashtësi dhe…
Është fakt se bërja e një filxhani çaji duket dhe është një proces i…
Mandarinat e Xarrës tashmë janë shndërruar në krenari, jo vetëm për zonën ku mbillen…
Në zonat më të thella të vendit qasja ndaj mjekësisë moderne ka qenë prej…