Gjetjet e reja në tokën shqiptare mund ta revolucionarizojnë njohjen arkeologjike për Evropën Parahistorike, si dhe zanafillën e bujqësisë. Objektet e gjetura në Lin afër Pogradecit, gjatë punës me projektin “LIN 3”, çuan në zbulimin e vendbanimit palafit më të vjetër në Evropë, që daton deri në 8000 vjet.
Rezultatet e analizat e këtyre gjetjeve janë prezantuar të martën në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë nga profesor Albert Hafner, i cili ka mbajtur leksionin e hapur mbi zbulimet arkeologjike në vendbanimin e Linit, rezultat i ekspeditës së përbashkët shqiptaro-zvicerane, në bazën e projektit në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe Universitetin e Bernës, Zvicër.
“Në këtë veprimtari ishin të pranishëm kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akademik Skënder Gjinushi, zëvendëskryetari i ASHSH-së akademik Vasil Tole, kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike akademik Gëzim Hoxha, drejtori i Institutit të Arkeologjisë Adem Bunguri, anëtarë të ekipit dhe studiues dhe arkeologë të njohur”, ka njoftuar Akademia.
Sipas njoftimit, duke marrë në konsideratë kërkimet arkeologjike nënujore të Institutit, të cilat kishin nisur nga viti 2013 në liqenin e Ohrit, Hafner vendosi së bashku me kolegët shqiptarë të fillojnë projektin “LIN 3”, i cili mendohet të jetë ndër lokalitetet më të mëdha arkeologjike të kësaj natyre.
Kërkimet dhe zbulimet në këtë lokalitet arkeologjik dhanë rezultate shumë të mira për botën shkencore. Në vitin 2023 analizat dendrokronologjike dhe ato me radiokarbon treguan që vendbanimet palafite në “LIN 3” ishin më të vjetrat në Evropë, 6000 vjet para erës sonë.
Këto studime lidhin paralele edhe me vendbanimet në Dunavec, Dispilo, Maliq dhe Plloçë.
“Hafner e konsideron si vendbanimin më të vjetër të këtij lloji në Evropë.
Gërmimet në sondazhet e tokës dhe ato nënujore në vitet 2021-2024 demonstrojnë që ky lokalitet është banuar për rreth 2000 vjet, nga 6000 vjet para erë sonë deri në 4000 para erës sonë”, shkruhet një njoftim.
Sipas biografisë, profesor Hafner është një nga personalitetet më në zë në Evropë për studimin e vendbanimeve palafite. Në kuadër të këtij projekti të madh evropian, filloi një bashkëpunim të suksesshëm në Shqipëri me Institutin e Arkeologjisë. Pas një eksperience të gjatë kërkimesh në vendbanimet palafite alpine, Hafner në bashkëpunim me studiues të tjerë, nëpërmjet projektit evropian EXPLO, nga viti 2018 ka fokusuar në studimet e tij vendbanimet palafite të Ballkanit Perëndimor. Puna është në progres dhe rezultatet janë shumë premtuese. Rezultatet e kërkimet të viteve të mëparshme (2021, 2022 dhe 2023) dhe analizat laboratorike të kryera në Universitetin e Bernës në Zvicër, si dhe ato në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit në Angli, treguan se vendbanimi palafit (liqenor) “Lin 3” është vendbanimi më i vjetër i këtij lloji në Evropë.
Gërmimet e këtij viti, ekspedita shqiptaro-zvicerane po i orienton në njohjen e mëtejshme të shtrirjes së vendbanimit, kohëzgjatjen, kulturën materiale e shpirtërore të banorëve neolitikë, kompleksitetin e ndërtimeve të këtyre vendbanimeve liqenore; si dhe në aspekte të ekonomisë bujqësore e blegtorale dhe të raporteve kulturore e kronologjike me vendbanimet e këtij lloji në trevat përreth (në pellgun e Korçës, Greqinë Veriore e Maqedoninë e Veriut).
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka njoftuar se “përgatit ndërkaq dokumentacionin arkeologjik të nevojshëm për vënien në mbrojtje dhe shpalljen e tij zonë arkeologjike”.
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…
Ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë që udhëtarët të shmangin përdorimin e stacioneve të karikimit…
Një foto tronditëse nga Google Street View ka çuar në zbulimin e një vrasje…
Eqrem Çabej (1908-1980) Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet…
Nëse keni grup gjaku O, ju jeni më unik se një njeri mesatar. Sipas…
Nga: Halil Rama Pasi ka botuar dhe promovuar më parë librat “Kur binte një zymare në…