Nga: Zahira Jaser / The Financial Times (titulli origjinal: Coming out as Palestinian)
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Shumë herë në jetën time, kam harruar se jam palestineze. Kur njerëzit pyesnin: “Nga vjen emri yt?”, shpejt përgjigjesha: “Është arab”. Ka qenë gjë e ndërlikuar të jesh grua e re, me theks të huaj, në katin për tregti të një banke të investimeve amerikane në Londër. Nuk duhet të ngatërrosh njerëzit më shumë.
Por, gjatë bombardimeve të Gazës në vitin 2021, diçka ndryshoi. Mes heshtjes së opinionit publik, ishte e tepërt vuajtja që ndjeva duke parë njerëzit e mi të vrarë. Nisa të flas për identitetin tim. Një ditë takova disa shoqe për kafe. Njëra prej tyre më pyeti se pse dukesha kaq e trishtuar. “Sepse jam palestineze”, thashë. Kohët e fundit një tjetër më tha se i kujtohej se ka menduar se “kjo është ajo që ndodh kur ti publikisht shfaqesh si palestineze”.
Jam palestineze dhe italiane, me ten të bardhë, sy të kaltër dhe theks të lehtë italian. Nuk jam “qartësisht” palestineze – shumë njerëz mendojnë se jam evropiane kur më takojnë – kështu që ndihej si shfaqje publike. Mos më keqkuptoni, të qenit palestineze është një nga nderet më të mëdha të jetës sime. Por, mund të ndihet si identitet shumë i stigmatizuar, i përforcuar nga supozimet raciste. Ky është realiteti i jetuar nga shumë palestinezë.
Akademikët Yasmeen Abu-Laban, i cili është palestinez, dhe Abigail Bakan e cila është hebraike – e të cilët jetojnë në Kanada – argumentojnë se tri forma i merr diskriminimi i drejtuar ndaj palestinezëve. Së pari – mohimi i historisë palestineze apo edhe ekzistenca e popullit palestinez. Së dyti – mohimi i pabarazisë që përjetojnë nën regjimin e Izraelit. Dhe, së fundi – supozimi i përgjithshëm se palestinezët dhe aleatët e tyre mbështesin terrorizmin dhe antisemitizmin. I kam përjetuar të tri këto.
Në të kaluarën, thjesht i harroja këto episode. Por, dhuna aktuale kundër palestinezëve në Gazë, e barabartë me gjenocidin, po më dëmton aq shumë saqë nuk mund të funksionoj më siç duhet. (Shënim i redaktorit të FT-së: Izraeli mohon se po ndodh gjenocidi.) Në pesë muajt e fundit nuk kam qenë në gjendje të mendoj qartë. I filloj detyrat dhe harroj t’i përfundojato. Gjithmonë jam e lodhur, gjithmonë e trishtuar. Natyrisht, si punëtore e madhe dhe e zellshme, e kam humbur interesimin për punë dhe për të folur me njerëz e tjerë.
Qëkur fillova ta shkruaj këtë ese, disa muaj më parë, niveli i pamjaftueshëm i ndihmës humanitare që arrin në Gaza, qindra-mijëra civilë i ka çuar në vdekjen nga uria. Një raport nga Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër dhe nga Universiteti Xhon Hopkins, parashikon më shumë se 85 mijë vdekje deri në gusht – nëse asgjë nuk ndryshon. Më mirë se kurrë tani e kuptoj frikën për të cilën kanë folur shumë nga miqtë e mi hebrenj: frikën e fshirjes. Kjo tani është edhe frika e palestinezëve. Dhe, është frikë që lulëzon në heshtje.
Linda në Itali në vitet 1970. Nëna ime, feministe italiane, më mësoi të jem e sigurt dhe këmbëngulëse. Babai im palestinez ma rrënjosi ndjesinë e rëndësisë së dinjitetit njerëzor, të respektimit të të gjithëve, pavarësisht nga bindjet e tyre fetare apo nga postet që kanë. Si jerusalemian i vërtetë, e dinte se njerëzit e të gjitha besimeve mund të jetonin së bashku në paqe. E kishte përjetuar këtë duke u rritur në Qytetin e Vjetër. “Gjithmonë mbaje kokën lart”, më thoshte. Kur isha fëmijë, mendoja se kjo ishte veçse pjesë e edukimi të mirë moral. Më vonë kuptova se prindërit e mi po më përgatisnin për diskriminimin me të cilin një grua e re palestineze kishte mundësi të përballej.
Më kujtohet kur për herë të parë e ndjeva stigmën e të qenit palestineze, si adoleshente, duke u shoqëruar me një grup të miqve. Ishte fillimi i viteve 1990 dhe unë mbase thash se babai im ishte palestinez. Një nga fëmijët e “famshëm” i shfaqi shpejt njohuritë e tij për çështjet ndërkombëtare, duke më quajtur terroriste. Të gjithë qeshën. Jo, thashë, babai im erdhi në Itali për të studiuar mjekësinë. Nuk ishte terrorist. Por, në javët dhe muajt që pasuan, shakaja u normalizua mes nxënësve të tjerë dhe recitohej nga kushdo që donte të minonte besimin tim.
Në vitin e parë të universitetit në Itali, u përballa me një student të përfshirë në politikë, i cili ishte këshilltar i pushtetit vendor. “Palestinezët nuk ekzistojnë”, më tha. “Janë shpikje për të parandaluar hebrenjtë që të marrin tokën e vet”. Kjo ishte hera e parë kur ekzistenca ime e thjeshtë përcaktohej si kërcënim për njerëzit e tjerë. Më zuri në befasi. Mendimi im i parë ishte fustani siti (i gjyshes) i zbukuruar me tatrizin palestinez, me qëndisjen tonë tradicionale, të cilin e doja qëkur isha fëmijë. Mendova për mënyrën e saj të mbajtjes së mbulesës, siç bënin gratë e krishtera. Mendova për këngët palestineze që njihja, për ushqimin, erën e zatarit palestinez. Si mund të shpiken gjithë këto për të ndaluar hebrenjtë që të marrin tokën e vet? Më tmerroi ideja se dikush mund të mendojë kështu. Kjo ende ndodh.
Teksa rritesha, nisa të kuptoj se për çfarë përpiqeshin të më paralajmëronin prindërit e mi. Për diplomën time universitare, disertacioni im në ekonominë e zhvillimit u fokusua në distriktin industrial të këpucarëve të Hebronit në Bregun Perëndimor. Në verën e vitit 1996, udhëtova atje për të intervistuar sipërmarrësit dhe për të studiuar zinxhirët e furnizimit dhe ekosistemet e biznesit. Në aeroportin ku do të merrja fluturimin tim për në Evropë, për katër orë më mbajtën dhe më morën në pyetje forcat izraelite të sigurisë. Në fund më çuan në një furgon të veçantë, për të hipur në fluturim, ku ballafaqova shikimin poshtërues të pasagjerëve të dyshimtë të cilët u vonuan për më shumë se një orë. Bagazhi im u konfiskua dhe m’u kthye disa ditë më vonë. Çfarë e nxiti këtë trajtim, si dhe episodet e mëvonshme, nëse jo identiteti im palestinez?
Pasi punova për disa vjet në bankë, u trajnova si studiuese. Në vitin 2018, teksa isha duke bërë doktoratën time, mora pjesë në një konferencë lidershipi. Pas prezantimit të kërkimit tim, m’u afrua një koleg i sjellshëm hebre-amerikan, i cili më tha se atje ishin disa studiues izraelitë të cilët ndiheshin të kërcënuar nga prania ime. Refuzonin të merrnin pjesë në çdo seancë ku unë isha e përfshirë. Erdhi si befasi. Ndoshta isha naive, por kërkimi im – për lidershipin e menaxherëve në kompanitë e mëdha – nuk mund të quhej kërcënues as politik.
Në darkë, në atë mbrëmje, u ula pranë një komandanti ushtarak izraelit, i cili bënte doktoratën në lidership. Ishte qëllimmirë, por e supozoi një lloj simetrie në marrëdhënien të cilën unë nuk e ndjeja. Nuk e kuptoi ndjenjën time të brishtësisë dhe frikësimit. Me qëllim fola, duke më rrahur zemra, për brishtësinë e të qenit palestineze. Gjithçka që mbaj mend tani është skica e bisedës, por ajo që më mbeti në mendje është konfuzioni. Ai më tregonte për stërvitjen që marrin ushtarët, se si të vendosnin kur duhet të tërheqin këmbëzën. Për mua, gjithçka dukej si zbutje e goditjes së pushtimit të armatosur i cili mbyste gjithnjë e më shumë aftësitë e familjes sime në Bregun Perëndimor – për të punuar, për të udhëtuar lirshëm dhe për të bërë jetë normale.
Me kalimin e kohës, nisa të kuptoj më mirë dhimbjen e brezave nga të qenit palestinez. Përse babai im, i cili u transferua nga Jerusalemi për në Itali për të studiuar mjekësinë më 1964, kurrë nuk diplomoi. Ky gjithmonë mbeti mister për mua, pasi ai i kaloi të gjitha modulet dhe madje e shkroi disertacionin e vet. Tani e kuptoi se ai nuk mund të funksiononte siç duhet. Edhe në një distancë gjeografike nga Gaza, njohja e asaj që po ndodh atje vendos një barrë të madhe në burimet emocionale dhe kognitive të palestinezëve në diasporë. Mund të paramendoj se si është ndier babai im në vitin 1967, kur Izraeli ndaloi kthimin e atyre që jetonin jashtë vendit. U mbyll jashtë. Ka mundur të jetë mjek i madh. Në vend të kësaj, u bë biznesmen jo edhe aq i mirë.
E kuptova se pse, në dëshpërimin e vet, babai nuk ma mësoi arabishten. Mendoj se donte të më mbronte. Më mirë të jesh italian, të flasësh italisht, të jetosh në Evropë. Përpiqej të më mbronte nga ndjenja e fundosjes – nga njohuria gjithnjë e pranishme për vuajtjen palestineze. Kjo është, pjesërisht, mënyra se si fshihet një popull: është aq e vështirë kur i qëndron besnik identitetit të dikujt saqë, t’ua mësosh gjuhën tënde fëmijëve, kjo shihet si bartje e vuajtjeve.
Përvoja ime e diskriminimit vjen pavarësisht privilegjit të lëkurës sime të bardhë, theksit tim evropian, trashëgimisë sime të krishterë dhe jo myslimane, si dhe nënshtetësisë sime italiane dhe britanike. E shkruaj këtë duke e ditur se kam punë, financa të qëndrueshme dhe kolegë mbështetës. E, megjithatë, është e rrezikshme të flasësh si palestineze – si çdo palestinez tjetër. Kemi parë njerëz që humbin punën, refuzohen nga ngjarjet dhe heshten sepse u bashkuan me zërat që bënin thirrje për paqe, për armëpushim, për të drejtat e qenieve njerëzore dhe duke kritikuar dhunën ushtarake izraelite. Simbolet palestineze, si kufja, janë ndaluar në disa vende, me shumë ekspertë që i barazojnë marshimet në mbështetje të palestinezëve me marshimet për mbështetje të terrorizmit apo edhe kundër hebrenjve. E gjithë kjo e përforcon racizmin anti-palestinez.
Çfarë do të thotë të jesh palestinez? Ka shumë përgjigje. Ekziston realiteti për ata që jetojnë në territoret e pushtuara palestineze të Bregut Perëndimor dhe të Gazës dhe të Jerusalemit Lindor; për ata që si qytetarë jetojnë brenda shtetit të Izraelit; dhe, ata prej nesh që përbëjnë diasporën. Nuk mund të flas në emër të të gjithëve, prandaj, duke parë nga siguria që ofron Britania e Madhe, pyes veten se çfarë do të thotë për mua të jesh palestineze.
Duke u përpjekur për t’u përgjigjur, gjej strehë në shkrimet e Mahmoud Darwishit dhe Edward Saidit, të gjigantëve që hulumtuan këtë pyetje nga pozicioni i diasporës. Kemi përvojë të përbashkët mërgimi, nostalgji dhe mall. Në zërat e tyre dëgjoj zërin e babait tim. Ata kanë lindur në Palestinë, para vitit 1948, ishin burra që ndiheshin të izoluar dhe që vdiqën larg vendlindjes.
Nuk ishte vetëm zhvendosja fizike – ose mërgimi i jashtëm, siç e përkufizoi Darwishi – që la gjurmë në përvojën e tyre. Ishte edhe e brendshme. “Mërgimi”, shkroi Darwishi, “ekziston në vetveten që është privuar nga mendimi dhe fjala e lirë, nga ajo që imponohet nga regjimi shtypës dhe shoqëria po aq shtypëse. Njeriu e gjen veten të mërguar në shoqërinë e vet”.
Në të gjitha shoqëritë ka ekstremistë që duhen dënuar, por tendenca për të ngatërruar të gjithë palestinezët me ekstremizmin, të gjithë neve na privon nga liria e fjalës. Heshtja e tillë është formë e mërgimit psikologjik. Nuk është thjesht përvojë çnjerëzore; ajo e ndez frikën ekzistenciale. Sepse, pas shpronësimit, vrasjeve dhe shpërnguljeve me forcë, ekzistenca e shumë palestinezëve si palestinezë varet nga liria për të menduar dhe për të folur.
Asgjësimi i vazhdueshëm i Gazës po e bën më të njëtrajtshme përvojën palestineze. Pavarësisht se ku jetojnë palestinezët, dhuna që dëshmojmë na bashkon të gjithëve. Mbrojtja e palestinezëve është më e rëndësishme tash se kurrë, për të kundërshtuar përhapjen e formës së vjetër – por, në rritje – të diskriminimit: racizmit anti-palestinez. Qoftë nëse dikush është publikisht palestinez apo ndryshe. /Telegrafi/
Sezoni i ngrohjes ka filluar dhe shumë prej nesh ngrohin shtëpitë edhe gjatë natës. Megjithatë,…
Në vitin 1943, etnologët gjermanë Karl Christian von Loesch dhe Wilhelm E. Mühlmann botuan një…
Është një ndërtim tradicional që përdoret për ruajtjen e ushqimit, veçanërisht për drithërat dhe prodhimet…
Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Rutinat ditore shpesh mund të duken tëzakonshme dhe monotone, por ato…
Zana Islami / Trungu&InforCulture.info Në botën e sotme, suksesi profesional dhe personal nuk matet vetëm…
Ngrënia e disa ushqimeve bazuar në grupin tuaj të gjakut mund të përmirësojë shëndetin…