nga Dr. Alban Dobruna, Instituti i Historisë-Prishtinë
Abstrakt
Në ditët e fundit të Italisë fashiste, nacionalistët shqiptarë bënë përgatitjet për organizimin e një Lidhje, e cila, si pikësynim, kishte bashkimin e trojeve shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë me kufijtë e Shqipërisë, mbrojtjen e këtyre tokave nga popullsitë sllave, si dhe sigurimin në rrugë historike dhe diplomatike të qenies së shqiptarëve në këto toka.
Kështu, në grupin nismëtar të themelimit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, më datën 16 shtator të vitit 1943, do të merrnin pjesë shumë klerikë dhe intelektualë të besimit islam. Në këtë punim vihet në pah roli dhe kontributi i klerit mysliman në një moment shumë të rëndësishëm për popullin shqiptar, që jeton në Kosovë, si dhe aspiratat e tij për liri dhe bashkim me trungun amë. [1]
Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte një organizim i krerëve nacionalistë kosovarë, me në krye Bedri Pejanin, i inkurajuar në periudhën kur Rexhep Mitrovica qe kryeministër i Shqipërisë, dhe me ndihmën e emisarit gjerman Franc fon Shvajger (Franz von Schweiger)[2], u themelua me vendim të një kongresi të posaçëm të thirrur në qytetin historik shqiptar të Prizrenit, më 16-20 nëntor 1943, me angazhimin e 45 përfaqësuesve nga të gjitha viset shqiptare të Kosovës, shqiptarëve të Maqedonisë dhe atyre të Malit të Zi.[3]
Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte organizatë politiko-ushtarake kombëtare shqiptare, ku qëllimi kryesor i “Lidhjes së II-të të Prizrenit ka qenë: organizimi i propagandës intensive, me qëllim përgatitjen shpirtërore, materiale dhe fizike të popullit shqiptar, për mbrojtjen në tërësi të territorit shqiptar. Lidhja kishte si qëllim organizimin e aparatit të vet administrativ, sipas Statutit të saj, ndër të gjitha viset tokësore shqiptare, me organe të çdo Prefekture, komune e bashkie.
Disa nga qëllimet kryesore që kjo Lidhje i vuri vetes, ishin bashkimi i trojeve shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë, me kufijtë e Shqipërisë, mbrojtjen e këtyre tokave nga popullsitë sllave, si dhe sigurimin në rrugë historike dhe diplomatike të qenies së shqiptarëve në këto toka. Që të kapërcehej situata e ndërlikuar dhe e pafavorshme e shqiptarëve në tre zonat e pushtimit dhe të krijoheshin rrethana më të volitshme, lipsej angazhim i njerëzve me autoritet të arsimuar dhe influencë në popull. Njëri ndër këta ishte padyshim edhe kleri mysliman.
Figura si nënkryetari i Lidhjes, Shejh Musa Shehzade, i cili ishte një burrë me një kulturë të gjerë dhe, si njohës i mirë i parimeve islame, ai që në moshë të re do të emërohej nakib (zëvendës i shehut). Ishte i biri i Shejh Hysenit, lindi në vitin 1870, në Gjakovë. Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, i vazhdoi në Prizren, në Selanik dhe në Stamboll.[4] Rrethanat dhe vendi ku u rrit Musa Shehzade, i mundësuan qysh herët të pajisej me një kulturë kombëtare dhe fetare. Ai ishte deputet në Parlamentin e fundit osman dhe shumë aktiv në mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare, ishte edhe njëri nga përkrahësit e alfabetit latin të gjuhës shqipe. Ishte shumë aktiv edhe gjatë vitit 1912; nuk pushoi asnjëherë së bashku me bashkëpunëtorët e tij, duke u dërguar letra konsujve perëndimorë, që ushtronin misionet e tyre nëpër qendra të ndryshme të vilajeteve shqiptare. Në vitin 1912, së bashku me Jahja Dodën dhe Sherif efendi Buajrin, do t’i prinin grupit të kryengritësve të Prizrenit prej 400 vetash, që së bashku edhe me kryengritësit e viseve të tjera shqiptare, do t’ia mësynin Shkupit. Nëpërmjet shoqërive bamirëse “Merhamet” dhe “Gajret”, ai zhvilloi një veprimtari të dendur, duke ndihmuar shumë familje të varfra, sidomos nxënësit dhe studentët.
Pas kapitullimit të ushtrisë jugosllave, në prillin e vitit 1941, ky prijës kombëtar dhe shpirtëror, i njohur në Prizren e rrethinë, por edhe më gjerë, së bashku edhe me shumë burra të tjerë të asaj ane, do merrnin pushtetin në Prizren. Me kapitullimin e Italisë fashiste, në shtator të vitit 1943, dhe me inicimin e disa figurave të njohura nacionaliste, si dhe për shkak të gjendjes së pafavorshme të krijuar në atë kohë për popullin shqiptar, do të formohej, në Prizren, Komiteti organizativ i “Lidhjes së II të Prizrenit”, i cili do të shqyrtonte gjendjen e përgjithshme të krijuar në vend, dhe masat që duheshin marrë në të ardhmen. Më 16 shtator do hapte punimet Kuvendi themelues i Lidhjes, dhe aty Musa Shehzade do të mbante fjalën e hapjes, ku foli për rëndësinë që kishte mbajtja e kësaj Lidhjeje, në një kohë kur shovinizmi sllav dhe ai grek ishin rritur së shumti. Ai gjithashtu theksoi se, “Tash që kemi të gjitha mundësinat e nji organizimi të përgjithshëm të fuqinave kombëtare, duhet që ta fitojmë, mbrenda nji kohe të shkurtën, gjithë periudhën qi humbëm gjatë së shkuemes së afërt (…). Duhet të mendojmë, pra, masat dhe mënyrat e mprojës s’onë për çdo gjasë dhe për çdo rrethanë. Qëllimi që do të frymëzojë përpjekjen t’onë, nji përpjekje jete a vdekje, do të jetë nji i vetëm; Sigurimi i njisisë s’onë ethnike”.
Me riokupimin e Kosovës nga komunistët, kur edhe do të fillonte përndjekja e nacionalistëve shqiptarë, në mesin e atyre, që ishin përfshirë në listën e zezë të komunistëve, ishte edhe Musa Shehzade. Megjithëkëtë, ai do të kalonte në ilegalitet në Prizren e rrethinë, ku do të strehohej nëpër miq e dashamirës, por në fillim të vitit 1946, komunistët do t’i binin në gjurmë vendqëndrimit të Musa Shehzades, dhe ai do të arrestohej e do të likuidohej.
Një personalitet tjetër islam me përmasa të mëdha kombëtare ishte Idriz Hajrullahu, i njohur më shumë me emrin Mulla Idriz Gjilani, veprimtar і Komitetit të Kosovës dhe і organizatës “Drita”. Në vitet e luftës u zgjodh komandant і formacioneve vullnetare, që u ngarkuan për mbrojtjen e kufirit të Shqipёrisё etnike dhe që ishin në varësi të kolonel Fuat Dibrёs, komandant і Regjimentit IV tё Sektorit Kosova të Ushtrisë Shqiptare. Nё dhjetor 1944 ishte komandant і shtabit, që organizoi sulmin në Gjilan. Pas kësaj kaloi nё ilegalitet të thellë. Prej 15 marsit të vitit 1945 e deri nё 22 nëntor 1949 ishte strehuar te Rrahim S. Sadiku і Gjurishecit. Në mëngjesin e 22 nëntorit 1949, organet e ndjekjes e rrethuan dhe e detyruan të dorëzohej. Pas tri ditë hetimesh dhe torturash çnjerëzore në burgun e Gjilanit, u vra nga UDB-ja, e cila i zhduku edhe kufomën.[5]
Po ashtu pjesëmarrës ishte edhe Tahir ef. Kolgjini, lindur më 24 prill 1903, në Lusën të Lumës. Ishte studiues, shkrimtar, poet, letrar, historian e gjuhëtar. Me të plasur Lufta Ballkanike, emigron në Stamboll me familjen. Pas gjashtë muajsh familja iu kthye, por ai qëndroi me të atin, që të bënte tregti, e Tahiri i vogël të studionte në shkollën “Sulltan Mahmud”, ku mësoi dhe Kur’anin përmendësh e mori titullin Hafiz. Po në Stamboll e kreu edhe Medresenë e Lartë “Dar-ul Hilafet-ul Aliyye”. U kthye mbasi mbaroi Lufta e Parë Botërore me një anije italiane drejt Durrësit.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore punoi në Prizren, dhe më pas u emërua prefekt nё Gjirokastër, Prishtinë e Shkodër. Mbas luftës u vendos përfundimisht në Stamboll. Shkroi shumë artikuj kulturorë e gjuhёsorё, që і botoi nё “Shejzat”, “Koha jonë”, etj.
Lidhjen e Dytë të Prizrenit e nderoi dhe e fuqizoi një ndër hoxhallarët më të spikatur të Anamoravës, Mulla Haki ef. Sermaxhaj nga Hogoshti. Organizator i mbrojtjes së kufirit të Kosovës Lindore, anëtar i Komitetit Qarkor të Lidhjes së Dytë të Prizrenit për Nënprefekturën e Gjilanit, kryetar i Komitetit Qarkor të ONDSH-së të po kësaj nënprefekture dhe anëtar i KQ të ONDSH-së në Shkup. Pas zbulimit dhe burgosjes së KQ me qendër në Shkup, në gjysmën e dytë të muajit gusht të vitit 1946, burgoset edhe Haki Sermaxhaj në burgun e OZN-së së Qarkut të Shkupit, ndaj të cilit përdoren torturat nga më të tmerrshmet e çnjerëzoret, si pasojë e të cilave sëmuret rëndë dhe nuk i ofrohet kurrfarë ndihme mjekësore. Ishte kjo arsyeja që Hakiu të mos gjykohet së bashku me të tjerët në “Procesin e Gjilanit”, por për të do të organizohej gjykim i veçantë në Gjyqin e qarkut në Gjilan, ku dënohet me 20 vjet burgim të rëndë. Për vuajtje të dënimit dërgohet në burgun e Mitrovicës së Sremit.
Myderrizi Haki ef. Sermaxhaj vdiq më 27 janar 1948, pas 9 muaj qëndrimi në spitalin e burgut të Mitrovicës së Sremit[6]. Disa shokë, me leje të drejtorisë së burgut, e varrosën në varrezat e burgut të Mitrovicës së Sremit.
Kjo Lidhje mori përmasa e shtrirje të gjerë dhe në të u angazhuan dhe u shquan klerikë si: Shejh Hasani i Prizrenit, lindur në vitin 1903 në Prizren. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje. U gradua Shejh, duke marrë hilafetname nga Shejh Ahmeti i Mitrovicës. Shejh Hasani përveç veprimtarisë religjioze, u mor edhe me veprimtari shoqërore-politike. Ka qenë deputet në Parlamentin e Mbretërisë Jugosllave, kurse gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte pjesëmarrës i “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”[7]. Shejh Hasani ka qenë një shërbyes i sinqertë i rendit Halveti, duke u angazhuar me punë intensive, në organizimin shembullor në ngritjen e autoritetit të teqesë së Saraçahnës. Shejh Hasani ndërroi jetë në vitin 1955 në Prizren.[8]
Hasan ef. Dashi ishte myderriz i njohur dhe njëri prej hoxhallarëve më atdhetarë dhe më të ditur që ka nxjerrë Gjakova. Është i biri i Osman Efendiut, lindi në Gjakovë më 25 mars 1892.[9] Aty kreu mësimet fillestare në mektebin ruzhdije, si edhe në Medresenë e Madhe. Ai vazhdoi studimet e larta në Stamboll. Hasan efendi Dashi, përveç studimeve, ku ishte i dalluar, merrej edhe me veprimtari atdhetare. Hasan efendi Dashi pas diplomimit në Stamboll, u kthye në vendlindje, në Gjakovë, ku shërbeu si mësues, nëpër shkollat e mektebet e qytetit për shumë vite, ku dha lëndën e mësim besimit, ndërmjet viteve 1919-1932. Në vitin 1931 emërohet anëtar i Drejtoratit të Vakëfit të Gjakovës, ndërsa në shtator 1943, u zgjodh anëtar i Kryesisë së “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, ku ishte ndër veprimtarët më të dalluar.[10]
Në fillim të vitit 1948, Hasan Efendiu burgoset nga komunistët me akuzën e rëndë “tradhti ndaj vendit”. Ai torturohet në mënyrë të pamëshirshme, së bashku me shokët: Skënder Çurri, Sylë Lleshi, Sefedin Komoni, Ibrahim Beqa, etj. Hasan efendiu lirohet pas pesë muajsh, por i dërrmuar në shëndet.[11] Hasan efendi Dashi kishte ndjenja të fuqishme atdhetare, ishte hoxhë i ditur, trim, guximtar dhe shumë i drejtë, por gjithnjë në mbikëqyrje të pushtetit serbo-komunist. Për këtë populli ende e kujton me simpati, me dashuri e me nderim të veçantë. Për shërbimet që i bëri fesë, kombit dhe atdheut, sot një rrugë e Gjakovës quhet: rruga “Hasan efendi Dashi”. Ai ndërroi jetë më 20 maj 1962, në Gjakovë, ku edhe u varros me nderime të mëdha.
Të tjerë mund të përmendim, Mulla Nuredin Haliti, Hoxhë Visoka Alias, Shaqir (Halil) Visoka, Hafiz Imer Shemsiu, Mulla Iljaz (Hysen) Broja, Mulla Januz Abazi-Lubishta, Mulla Hamit Sllovia, Mulla Bahtjar Qafleshi, Aqif Blyta, Hysen Statovci.
Në fund të Luftës së Dytë Botërore kontributi dhe qëndresa e klerit mysliman shqiptar në Kosovë u shpreh në forma të ndryshme. Ata kudo që vepruan arritën të mbajnë lart moralin e luftës dhe rezistencës kundër pushtuesve të vjetër, që po vinin me uniforma të reja komunist-jugosllave. Përkundër faktit se për këtë realitet, që po e krijonte pushteti i ri, i cili kishte për qëllim ta ndrydhte ndjenjën kombëtare të shqiptarëve, në fakt, merita e klerit mysliman kishte edhe segmente të tjera te faktori shqiptar, si: durimi dhe sakrifica e masave të gjera popullore, lëvizjet e armatosura, lëvizja politike ilegale e shqiptarëve në Jugosllavi, pra e gjitha ajo që nga Beogradi perceptohej si irredentizëm i shqiptarëve të Kosovës.
Përmbyllje
Në ditët e fundit të Italisë fashiste nacionalistët shqiptarë bënë përgatitjet për mbajtjen e një Lidhje, e cila, si pikësynim kishte bashkimin e trojeve shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë me kufijtë e Shqipërisë, mbrojtjen e këtyre tokave nga popullsitë sllave, si dhe sigurimin në rrugë historike dhe diplomatike të qenies së shqiptarëve në këto toka.
Kështu në grupin nismëtar të themelimit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit më datën 16 shtator të vitit 1943, do të merrnin pjesë shumë klerikë dhe intelektualë të besimit islam, në këtë punim kam si qëllim të vë në pah rolin dhe kontributin e klerit mysliman në një monument shumë të popullit shqiptar që jeton në Kosovë, si dhe aspiratat e tij për liri dhe bashkim me trungun amë.
[1]. Botuar në librin “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”, botim i tre Bashkësive Islame Shqiptare, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH), Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë (BFIM), Tiranë 2013, f. 268, mbajtur si referat në konferencën me të njëjtin titull në tetor 2012 në ambientet e Universitetit Bedër.
[2]. Robert Elsie, Fjalor Historik i Kosovës, Scanderbeg Books, Tiranë, 2011, f. 206.
[3]. Historia e Popullit Shqiptar IV, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë, Toena, 2002, f. 139; Marengel Verli, Nga Kosova per Kosovën (Profile biografike), Vëllimi i Parë, Botimpex, Tiranë, 2006, f. 152; Neol Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, KOHA, Prishtinë, 2001, f. 317.
[4]. Shejh Muhamed Shehu, Shejh Shefqeti dhe Teqja e Madhe në shërbim të Zotit, në shërbim të popullit, ARB desgu, Gjakovë, 1418/1998, f. 114.
[5]. Mulla Idriz Gjilani (1901-1949), 100 personalitete shqiptare të kulturës islame shekulli XIX-XX, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Tiranë, 2012, f. 98.
[6]. Aliriza Selmani-Hafiz Avni Aliu, Myderriz Haki Efendiu (1914-1948), Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Prishtinë, 2005, f. 359.
[7]. Ing. Xhafer Deva, Ngjarje rreth robnimit të popullsisë shqiptare ne Jugosllavi (1941-1943), Xhafer Deva Jeta dhe Vepra, f. 47.
[8]. Sipas Shejh Abedin Shehut nipi i Shejh Hasanit më 28. II. 2011.
[9]. Mexhid Yvejsi, Hasan ef Dashi, www. zemrashqiptare. net.
[10]. Dr. Muhamet Pirraku, Lidhja e Dytë e Prizrenit sipas shkrimeve autentike të Pjesëmarrësve, Edukata Islame, Nr. 67, Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës, Prishtinë, f. 210.
[11]. Pleurat Krasniqi, Aspekte Kulturoro-Historike të Gjakovës dhe Ixhazetlinjtë 1870-1940, Litografia, Gjakovë, 2002, f. 90.
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…
Ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë që udhëtarët të shmangin përdorimin e stacioneve të karikimit…
Një foto tronditëse nga Google Street View ka çuar në zbulimin e një vrasje…
Eqrem Çabej (1908-1980) Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet…
Nëse keni grup gjaku O, ju jeni më unik se një njeri mesatar. Sipas…
Nga: Halil Rama Pasi ka botuar dhe promovuar më parë librat “Kur binte një zymare në…