Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Kush ishte Fehrat Ali Draga dhe ku gjendet varri i tij!

Jusuf Osmani

Në çdo popull ekzistojnë familje të veçuara, por edhe individë të veçantë, të cilët me kohë kanë arritur vetëdije të lartë për të kuptuar se vetëm me gatishmërinë e sakrificën për atdheun dhe popullin, mund të fitohet liria. Një ndër to është edhe familja Draga dhe pjesëtari i saj Ferhat bej Draga. Për të shkruar për këto familje dhe personalitete duhet studim i gjithanshëm, faktografik të bazuar në dokumentet arkivore, objektiv dhe gjithëpërfshirës.
Familja Draga është një ndër familjet e njohura shqiptare, e cila i takon fisit Kelmend të trevës së Peshterit. Ferhat bej Draga ishte djali i Ali Dragës nga Mitrovica, anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ferhati ka mbaruar studimet në Turqi, ku u pajis me njohuri dhe kulturë mjaft të gjerë për kohën. Ka njohur pesë gjuhë të huaja: turqishten, serbishten, gjermanishten, frëngjishten dhe italishten. Edukimi familjar dhe tradita patriotike e familjes kanë ndikuar në ngritjen intelektuale dhe atdhetare të tij. Ai ishte më shumë se krah i djathtë i të vëllait, Nexhibit, në përpjekjet për shkollën shqipe dhe për alfabetin latin në gjuhën shqipe. Që nga dhjetëvjetëshi i parë i shek. XX, Ferhat Draga u bë një ndër personalitetet më të popullarizuara të politikës në mesin e shqiptarëve.
Më 1915, Ferhat bej Draga ndihmoi Hasan Prishtinën në ngritjen e Organizatës legale kulturore e arsimore Bashkimi të Mitrovicës dhe brenda saj Komitetin e Kosovës, organizëm politik e ushtarak ilegal për çlirimin e tokave shqiptare nga pushtuesit austro-hungarezë e bullgarë dhe ribashkimin e Shqipërisë Etnike nën flamurin e ngritur në Vlorë, më 28 nëntor 1912.
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, pushtimit të Kosovës dhe themelimit të Mbretërisë SKS, në vitin 1919, Ferhat bej Draga ndihmoi të vëllanë, Nexhibin, në themelimin e Organizatës politike legale Xhemijet dhe pas vdekjes së vëllaut (1921) u emërua kryetar i kësaj partie. Kjo ishte Organizatë politike kombëtare shqiptare e veshur me petkun fetar islam, mundësi e vetme për organizimin politik shqiptar legal jashtë partive politike serbe. Në anën tjetër, përmes njerëzve të besuar, mbante lidhje veprimi ilegal me Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës në Shkodër. Me 1920, përfaqësoi Xhemijetin në kontaktet me qeverinë e Nikollë Pashiqit në Beograd.
Ferhat Draga iu përvesh punës menjëherë. Ajo nuk ishte edhe aq e lehtë sepse kërkonte mund e sakrifica, dije guxim për të vepruar në ato rrethana mjaft të vështira për kombin shqiptar, që shteti i Mbretërisë SKS, përkatësisht jugosllave në asnjë mënyrë nuk lejonte që të deklarohen si shqiptarë, duke i cilësuar gjithnjë si popullatë myslimane e turke. Gjithë këtë e propagandë qeveria e Beogradit e bënte për të justifikuar dëbimin e shqiptarëve në Anadoll e gjetiu.
Ferhat Draga do të kërkojë nga qeveria një lloj autonomie për Kosovën. Do të kërkojë gjithashtu kthimin e muhaxhirëve të dëbuar nga Sanxhaku i Nishit më 1877/78 në vatrat e tyre stërgjyshore; të ndërpritet terrori dhe masakrat ndaj popullatës shqiptare e myslimane në Jug; të ndërpritet reforma agrare dhe toka t’u kthehej atyre që u është marrë; që myslimanët e shkolluar në Jugosllavi të inkuadrohen në administratë dhe që, në vend të mësimit fetar, të futet gjuha shqipe si lëndë mësimore. Ferhat bej Draga i ka paraqitur këto kërkesa në interpelancën në Parlamentit e Mbretërisë Jugosllave në mbledhjen e tij më 20 mars 1924. Të njëjtat kërkesa ai i kishte deponuar edhe në Konferencën e Hagës. Kjo deklaratë e kishte nxitur Beogradin që të punojë për ta rrënuar nga brenda këtë parti me anën e krijimit të fraksioneve të ndryshme, por edhe me trysni tjera nga jashtë, që do të çojnë deri te shkatërrimi i saj disa vjet më vonë, madje edhe deri te burgosja e Ferhat Dragës, ku u dënua me 20 vjet burg, njëkohësisht u ndalua botimi i gazetës Hak (Drejtësia), organ i Xhemijetit që dilte në gjuhën turke dhe serbe.
Gjatë periudhës 1935-1938, Ferhat Draga ka përgatitur disa promemorie, ku kërkonte sigurimin e lirisë politike dhe kulturore të shqiptarëve në Mbretërinë Jugosllave, duke kundërshtuar politikën diskriminuese shtetërore: shpronësimin agrar, shpërnguljen me dhunë dhe kolonizimin e Kosovës.
Në vitin 1938 Ferhat bej Draga kishte udhëtuar në Stamboll për të sensibilizuar çështjen e pozitës së shqiptarëve në Kosovë. Ai kishte njoftuar lidhur me dhunën e terrorin që po ushtronte qeveria e Beogradit për shpërnguljen e popullatës shqiptare nga Kosova dhe viset tjera të banuara me shqiptare, sidomos me nënshkrimin e Konventës turko-jugosllave për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Në takimin që pati me Hasan Rizën, Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë së Republikës turke, mik i familjes Draga, ai e kishte njoftuar lidhur me pozitën e shqiptarëve në Mbretërinë Jugosllave. Hasan Rizai i kishte premtuar se të gjitha këto do t’ia përcjellë Kryetarit të Republikës, Ataturkut.
Ferhat bej Draga ishte i vetëdijshëm se, për të realizuar të drejtat e popullit të tij, duhej një mbështetje e fortë nga jashtë. Kështu, ai mbante lidhje me konsullin italian në Beograd. Nga fillimi i majit 1941, shkoi në Romë dhe atje u angazhua me tërë qenien për bashkimin e të gjitha viseve shqiptare me njësinë shtetërore Mbretnia e Shqipnisë. Pas vendosjes së kufijve të “Shqipnisë së Madhe” midis Italisë dhe Gjermanisë, u kthye në Tiranë, më 9 korrik 1941, me detyrë: Këshilltar i Mëkëmbësit mbretëror në Shqipëri. Propaganda fashiste italiane e mbante Ferhat bej Dragën për shqiptarin e parë të Kosovës numër të lagjes së personaliteteve “Grand Corobne” (ndërmarrës i madh, kapitalist). E përkrahu Iljaz Agushin, i cili ishte njëri nga personalitetet më të njohur të shqiptarëve kosovarë të lagjes “Grand ufficiale” (elitë politike, administrative) dhe u përpoqën së bashku për realizimin e synimeve legjitime të kombit – ribashkimin e Shqipërisë Etnike.
Pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe vendosjes së administrimit gjermane hitleriane në të gjithë Shqipërinë Etnike, më 14 shtator 1943, edhe Ferhat bej Draga u “mënjanua” nga fusha politike, si personalitet i “ish-strukturës italofile”. Por, Ferhat bej Draga vazhdoi veprimtarinë politike, tani të mbështetur edhe nga dhëndri ti tij, Ibrahim Lutfiu. Ai ishte i pranishëm në ngritjen e Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe në Kuvendin Kombëtar të Mbretërisë Shqiptare, bashkëpunoi me krerët e organizatës LDP, njësoj si Iljaz Agushi përmes vëllait, Jusufit.
Në verë të vitit 1944, fati i Luftës së Dytë Botërore dihej. Nazizmi gjerman po pësonte humbje në të gjitha frontet dhe Ferhat Draga u lidh me çetat nacionaliste. Prandaj, duke synuar që të analizohej fati i kombit shqiptar, Halim Spahija, së bashku me prof. Ymer Berishën u takuan me Ferhat Dragën. Takimi u mbajt më 1 shtator 1944, në një lagje të Prizrenit. Aty u bisedua për shumë çështje kombëtare dhe për të ardhmen e popullit shqiptar.
Ferhat bej Draga ishte në shënjestër të komunistëve që vepronin në atë kohë dhe e kishin shpallur armik të Kosovës dhe kombit shqiptar, sepse nuk e pranonte pushtetin komunist jugosllav. Ai, për t’i shpëtuar burgut dhe likuidimit nga komunistët, detyrohet që të largohet nga Mitrovica. Rreth një muaj është strehuar bashkë me Ibrahim Lutfiun, ish prefekt i Mitrovicës dhe dhëndër i tij, në fshatin Zhabar afër Mitrovicës në shtëpinë e Ali Rizah Osmanit. Meqë iu shtrëngua rrethi, u detyruan që të largohen edhe prej andej dhe u vendos në fshatin Gjurgjevik i Madh të komunës së Klinës, në shtëpinë Ukë Sadik Ramës. Aty qëndroi një kohë të shkurtër dhe, për shkak të rrezikut që i kanosej, detyrohet të largohet. Ferhati ishte i sëmuar, dhe gjatë rrugës, duke shkuar në drejtim të Rahovecit, më 2 dhjetor të vitit 1944, ndërroi jetë në moshën 64 vjeçare afër fshatit Këpuz të komunës së Klinës. Nga aty bartet në anën e majtë të rrjedhës së lumit Drini i Bardhë, në malet e Volljakës dhe varroset. Varri i tij gjendet edhe sot në mal, i vetmuar, ku shkruan “Ferhat Ali bej Draga … – 1944”.
Partizanët jugosllavë, por edhe disa shqiptarë nuk i besuan informatës që “rrodhi” për vdekjen e Ferhat bej Dragës. I shkuan te vendi ku ishte varrosur, ia zbuluan varrin dhe, si “trofe”, ia plaçkitën dhëmbët e arit.
Varri i tij sot është i vetëm, në malet e Voljakës së Klinës, pa kurrfarë kujdesi, në vend që të vendoset e varrezat e veprimtarëvetë shquar shqiptarë në Mitrovicë ose diku tjetër. Asnjë prej qeverive të Republikës së Kosovës deri më tani nuk ka ndërrmarë asgjë në senzibilizimin e veprës së Ferhat Bej Dragës. Unë së bashku me të ndjerin prof. Mulla Asllan Muratin, në vitin 2017 kemi botuar librin me titul “Ferhat bej Draga shembull atdhetarie” dhe kemi prezentuar dokumentet arkivore që e dëshmojnë veprimtarinë atdhetare të Ferhat bej Dragës.
Në foto:
1. Ferhat bej Draga,
2. Gazeta “HAK”,
3. Ndërtesa në të cilën u dënua Ferhat Draga në Mitrovicë
4. Deputetët e Kosovës në Asamblenë Kombëtare (Parlamentin e Shqipërisë) në Tiranë(1943). Nga e majta në të djathtë: Mulla Iljaz Spahija – Broja, deputet i Drenicës, Ilaz Agushi- deputet i Prishtinës dhe nënkryetar i Parlamentit, Ferhat Draga – deputet i Mitrovicës, Bedri Pejani – deputet i Pejës.
5. Shaban Mustafa, Ilijaz Agushi, Ferhat bej Draga, Asim Luzha dhe X. Y. (nga e djathta).
6. Varri i Ferhat bej Dragës. (Fotografuar më 20.06.2017).
7. Kopërtina e librit.
/Trungu & InforCulture
https://www.facebook.com/100006306129794/posts/pfbid02uyFALmHzHxDBQUyWNUp65C7EAnwnX4Pv46vLm8fjpcQQ39222wTGcsxRCbTktL1al/
admin admin

Recent Posts

Legjendari i ringut, John L. Sullivan dhe ndeshja e boksit që zgjati 111 raunde, ose 7 orë grushtim

Ndoshta të vërtetat e çmendura të sportit nuk janë thënë të gjitha, dhe kjo është…

2 hours ago

Si është në të vërtetë miqësia me një introvert?

Sot, lidhjet shoqërore janë të rëndësishme, por për introvertët, miqësitë nuk kanë të bëjnë me…

2 hours ago

Shkenca arrin të filmojë krijimin e një embrioni

Për herë të parë është zbuluar formimi i embrionit në një fazë të hershme që…

2 hours ago

Një shkrimtar që e meritonte vërtet “Nobelin”

Kadare ishte një njeri i qartë dhe veprat e tij do të vazhdojnë të jetojnë.…

2 hours ago

Lumenjtë e ndotur të Alaskës, ngrica e përhershme po shkrihet, ujërat e pastër nuk janë më blu

Disa nga rrjedhat ujore të paprekura, të pastra dhe blu të akullit të Alaskës janë…

2 hours ago

Reduktoni përdorimin e rrjeteve sociale, shpëtoni nga depresioni

Një studim i kryer nga kërkuesit në Universitetin e Pensilvanisë pretendon se është i pari…

2 hours ago