KALATË PELLAZGE TË GANJOLLËS, PECËS E XIBRIT
Nga Besnik Imeraj, Vlorë 23. 06. 2022
Fortifikime të rëndësishëme prehistorike në rrugë-kalimin Lisus-Skodrion-Dardani nëpërmjet luginës së Drinit janë edhe ato të Ganjollës dhe Pecës, të cilat arkeologët tanë i vendosin në kohën protourbane, parë nga ne si ndërtime pellazgjike. Ndjekim pohimet interesante të arkeologut Bashkim Lahit, i cili në vitin 1988 ka udhëhequr një ekspeditë arkeologjike në Ganjollë:
“…Rrënojat e vendbanimit të Ganjollës ruhen në pjesën e sipërme të një kodre shkëmbore 355 m.mbi nivelin e detit në verilindje të qytetit të Shkodrës, 8 km në të majtë të rrugës Shkodër-Pukë… Në gërmim u fiksua një shtresë 0,40-1,10 m, që përmbante fragmente qeramike të përdorimit të përditshëm të shek. II-I p.e.s., të përziera me fragmente qeramike të përiudhës së bronzit të hershëm…M.Korkuti pohon se fortifikimi i Ganjollës përfaqëson një nga vendbanimet më të hershme të fazës Tren në pellgun e Shkodrës…S.Islami e cilëson kalanë e Ganjollës si vendstrehim që u shfrytëzua gjatë periudhës së kalimit nga fundi i epokës së bronzit në fillimet e asaj të hekurit. I këtij mendimi është pak a shumë dhe Gj.Karaiskaj…Fortifikimi është ndërtuar sipas sistemit katërkëndësh pseudoizodomik. Themeli i murit përbëhet nga gurë të mëdhenj gëlqerorë, të rrafshuar në pjesën e sipërme dhe, më rrallë, nga shkëmbinj natyrorë…Muri verior është ngritur direkt mbi tabanin shkëmbor, pa themel…muri ruan gjatësi 140 m, lartësi 1,70 m dhe gjërësi që luhatet 4-5 m…Tipologjia e fortifikimit flet qartë për një ndërtim prehistorik. Në anën jugore nuk ka mure por mbrojtja i besohet shpatit të pjerrët shkëmbor… Fragmentet e pakta të qeramikës së bronzit të hershëm, gjetur larg murit, brenda sipërfaqes së banuar, duket se janë elementë të pamjaftueshëm për të dhënë një datim më të kufizuar…Ky lloj dekori (i qeramikës) është gjetur në disa vendbanime nga Dalmacia në Malin e Zi dhe është datuar në fazën e vonë të eneolitit Dalmatin që, sipas kronologjisë sonë, do t’i përgjigjej fillimeve të periudhës së bronzit të hershëm.”[1]
Kronologjia e Ganjollës, fillimi i periudhës së bronzit të hershëm, tipologjia e fortifikimit, gjërësia e madhe e mureve, 4 m, etj, e vendosin atë në një rradhë me fortifikimet e tjera pellazgjike në Iliri, të njëkohëshme me ndërtimet pellazgjike të qytetërimit Kreto-Mikenas.
Fortifikimi prehistorik i Ganjollës në një kombinim inteligjent me fortifikimin prehistorik të Pecës, siguronin segmentin më të vështirë të rrugës për në Dardani, kordonin malor të rrugës që ndiqte rrjedhën e Drinit, duke lidhur pjesën hyrëse nga ultësira e Lisit dhe Skodrionit me pjesën dalëse në rrafshnaltën e dardanisë, në bashkimin e dy Drinave dhe vazhdimin në luginën e Drinit të Bardhë.
Arkeologu Luan Përzhita që ka kryer një ekspeditë arkeologjike në vitin 1986 në kalanë e Pecës na informon: “Në pikëtakimin e dy lumenjve Drin i Bardhë dhe Lumë, në një gjuhëz kodrinore me zgjatim nga V-L përballë kullës së Lumës ngrihet kështjella e Pecës, e njohur nga vendasit me toponimet: “Kodra e Pecës”, “Guri i Kalasë” dhe “Çuka e Kalasë”, kufizohet nga tri anët (veri, jug, perëndim) me ujërat e liqenit të Fierzës, kurse në pjesën lindore me fshatin Përbreg nëpërmjet disa kodrinave të buta. Kalaja ngrihet mbi një terren shkëmbor me një pozitë shumë të rëndësishme strategjiko-ushtarake që siguronte kalimin për në zonat fushore dardane, nëpërmjet trasesë së rrugës Lisus-Naisus…Ana veriore e kalasë ka një mbrojtje të sigurtë natyrore nga rrëpirat shkëmbore që zbresin thikë mbi Drinin e Bardhë…shpesh si bazament për ndërtimet janë shfrytëzuar masivet shkëmbore...” [2]
Luan Përzhita vë re tek kalaja e Pecës atë veçori që karakterizon pjesën më të madhe të fortifikimeve tona prehistorike, të cilat e kanë vazhduar rrugëtimin në histori deri në antikitetin e vonë dhe mesjetë: …vendbanimi i Pecës u rifortifikua më mirë në fillim të shek. IV të e.s… Në të njëjtën rrugë kanë kaluar fortifikimi i Krujës, Çukës së Ajtojt
Por ai gjithashtu na tregon se në Pecë, çuditërisht, adhurohej, e ashtuquajtura perëndi greke, Hermesi, hyjnia lajmëtare e Zeusit dhe mbrojtëse e udhëtarëve dhe tregtarëve. Kujtojmë këtu se Hermesi adhurohej edhe në Dardani, të cilën e tregon gjetja në Ulpianë e një shtatore e vogël prej bronzi e Hermesit. Me këtë ai identifikon kalanë e Pecës më fortifikimin antik të Gabuleut: “…Zbulimi në afërsi të Pecës, në fshatin Brut, i një figurine prej bronzi të Mërkurit (Hermesit), hyjnisë mbrojtëse të udhëtarëve dhe tregtarëve…vjen në ndihmë të identifikimit të Gabuleut me Pecën…dhe përputhja e plotë e largësisë së Gabuleut prej 30 m.p. me Therandën e vërteton këtë…” [3]
Trakt muri pellazgjik në Kalanë e Pecës – Kukës
Por një rrugëkalim tjetër i rëndësishëm, që ka ekzistuar qysh nga prehistoria, antikiteti, mesjeta dhe deri në ditët e sotme, dhe që ka lidhur Epidamnin me Dardaninë, ka qënë ai i luginës së lumit Mat dhe lumit të Tiranës, i cili kalonte në antikitet edhe ai nëpër territoret e Taulantëve, Parthinëve, Pirustëve dhe Penestëve, i cili në mesjetë njihet edhe si rruga e Arbrit. Fortifikimet që mbronin këtë rrugëkalim mendohet se kanë qënë Zgërdheshi në Krujë, Xibri në Mat dhe Grazhdani në Dibër. Madje arkeologjia e jonë, për nga rezultatet e kërkimeve, flet për një kulturë të njëjtë me shtrirje Mat-Glasinac, e cila lidh dhe njëjtëson kulturën pellazgjike të Ilirisë së Jugut me Ilirët e Bosnjë-Hercegovinës, apo Daorsët dhe Autariatët antikë.
Këtë rrugëkalim arkeologu i shquar Selim Islami e përshkruan: “Kalaja e Xibrit në Mat zinte një pikë kyçe në rrugën që të çonte prej Dyrrahut në krahinat e brendshme lindore, nëpër shkallë të Tujanit – Qafë-Murriz-Dibër-Maqedoni.” [4] Po të vëresh me kujdes traktet e mureve të Xibrit në Mat dhe të Pecës në Kukës menjëherë të shkon mendja, se ato të Xibrit janë të ngjashëm me muret pellazge të Gajtanit, ndërsa ato të Pecës me muret pellazgjike të akropolit të Zgërdheshit. Të kësaj natyre janë edhe gurët në traktin e mureve të Grazhdanit në Dibër. Këto të dhëna i rreshtojnë këto dy fortifikime në ndërtimet pellazgjike.
Trakt muri pellazgjik në kalanë e Xibrit në Mat
Një pikë strategjike në rrugëkalimin e Drinit, që lidhte bregdetin me Dardaninë, ka qënë edhe Prizreni. Fortifikimi mesjetar i kalasë së Prizrenit nuk na thotë gjë në këtë drejtim. Por arkeologët e Kosovës, kohët e fundit, mbështetur në gjetjet arkeologjike brenda mureve të kalasë, janë të mendimit se fortifikimi i përket periudhës së bronzit të vonë. Meqënëse gërmimet e deritanishme nuk kanë arritur të gjejnë trakte muresh prehistorikë, kjo mbetet një hipotezë. Ndoshta, fortifikimi i Prizrenit hyn tek ato fortifikime, të cilat pushtimet skithe, apo më vonë romakët, hunët, avarët dhe sllavët, ja kanë shkatërruar muret deri në themel, prandaj edhe nuk gjenden mbetje të tyre.
Gurë pellazgjikë në kalanë e Grazhdanit – Dibër
Besnik Imeraj
(Marrë nga libri “Origjina e shqiptarëve në katakombet e historisë botërore”)
[1] Bashkim Lahi, “Kalaja e Ganjollës” Bot.ILIRIA Nr.1-2, 1993. f. 201-202
[2] Luan Përzhita, “Kalaja e Pecës”, Bot.ILIRIA Nr.1-1990. f. 201, 205
[3] Luan Përzhita, “Kalaja e Pecës”, Bot.ILIRIA Nr.1-1990. f. 225-226
[4] Selim Islami, “Lindja dhe zhvillimi i jetës qytetare në Iliri”, Kuvendi i Parë i Studimeve Ilire, 15-21 shtator 1972, ILIRIA Nr.2-1972, f. 19
“ …Por edhe prej anës së Sundimtarve duhen Aristida, duhen Mark Aurela, e duhen kujtue…
Deri më tani nuk më është e njohur se ndonjëri nga akademikët shqiptarë nga…
Nga Xhezair ZAGANJORI/ Mes trojeve shqiptare, padyshim që Qarku apo Rajoni i Mitrovicës ka qenë…
BBC përmes një filmi biografik dëshmon se në Greqi flitej shqip ne vitin 1811.…
Me gjethe dafine dhe pak mjalt ju mund të krijoni një shërup shumë efikas…
Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik ka tërhequr vëmendjen e studiuesve në Koroshishtë të Strugës. Një…