Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Historia e pathënë e Aleksandrit të Madh

Pak dihet për fillimet e Aleksandrit dhe jetës së tij në Maqedoni. Burimet e lashta na japin eshtrat e zhveshura të historisë, por një sërë zbulimesh arkeologjike në Greqinë veriore, e cila sot përfshin territorin e Maqedonisë së lashtë, po transformojnë të kuptuarit e studiuesve për këtë mbretëri dhe, bashkë me të, historinë e Aleksandrit të ri. Ato zbulojnë botën që i kishte dhënë formë mbretit të ardhshëm.

Një mëngjes tetori në vitin 336 p.e.s., teatri i vogël në Aigai, qendra ceremoniale e Maqedonisë së lashtë, filloi të mbushej me të ftuar të nderuar. Ata kishin ardhur nga e gjithë Greqia dhe Ballkani për të marrë pjesë në festimet e dasmës së vajzës së mbretit Filipi II. Një ditë, ahengu i priu dasmës dhe çdo vend u zu shumë përpara agimit. Ndërsa dielli lindte, filloi dhe procesioni mbretëror. Me atmosferën që po arrinte majat, Filipi më në fund bëri hyrjen e tij.

Ky ishte menduar të ishte një moment triumfal, kulmi i karrierës së tij. Filipi ishte tashmë mbreti maqedonas më i suksesshmi ndonjëherë. Gjatë mbretërimit të tij 24-vjeçar, ai kishte fuqizuar ushtrinë, kishte ndërtuar infrastrukturën e mbretërisë dhe kishte zgjeruar kontrollin maqedonas në të gjithë Egjeun verior. Tani, ai ishte gati të pushtonte Persinë. Por më pas, pësoi atentat. Një truprojë në shpejtësi nxitoi për te mbreti dhe i futi një thikë në gjoks. Filipi ra përtokë, i vdekur. Pas trazirave, u shpall një mbret i ri: djali i Filipit, Aleksandri. Ky mbret i ri, tani ishte i ri edhe për nga mosha, vetëm 20 vjeç, por ai tashmë kishte udhëhequr ushtritë dhe kishte themeluar qytetin e tij të parë me eponim. Gjatë mbretërimit të jashtëzakonshëm të të atit, Aleksandri kishte fituar të gjitha aftësitë dhe përvojën e nevojshme për të lënë gjurmën e tij në histori. Ai do të njihej si Aleksandri i Madh.

Aleksandri, i cili sundoi prej vitit 336 deri në vitin 323 p.e.s., është i njohur për fushatën e tij 11-vjeçare në Azi, gjatë së cilës ai pushtoi Perandorinë Persiane përpara se të vdiste në mënyrë misterioze në kryeqytetin e saj, Babiloninë, kur ishte vetëm 32 vjeç.

Pak dihet për fillimet e Aleksandrit dhe jetës së tij në Maqedoni. Burimet e lashta na japin eshtrat e zhveshura të historisë, por një sërë zbulimesh arkeologjike në Greqinë veriore, e cila sot përfshin territorin e Maqedonisë së lashtë, po transformojnë të kuptuarit e studiuesve për këtë mbretëri dhe, bashkë me të, historinë e Aleksandrit të ri.

Mozaiku i madh bardhezi dekoron dyshemenë e Shtëpisë së Dionisit në Pella, kryeqyteti i Perandorisë Maqedonase

Kryeqyteti i Maqedonisë së lashtë dhe vendlindja e Aleksandrit, ishte Pella, e cila tani shtrihet shumë kilometra në brendësi të tokës, por fillimisht ishte një port, i lidhur me detin Egje nëpërmjet një lagune. Arkeologët kanë gërmuar në Pella që nga fillimi i shekullit të njëzetë dhe kanë zbuluar shtëpi të mëdha në qytet, rrugë të gjera, banja luksoze, faltore, dhe një agora ose shesh të madh, një nga më të mëdhenjtë në botën e lashtë. Disa nga shtëpitë më të pasura, duke përfshirë Shtëpinë e Dionisit, ishin zbukuruar me mozaikë të ndërlikuar me guralecë lumi që përshkruanin gjueti dhe skena mitologjike. Këto gjetje tregojnë se, në kulmin e saj, Pella rivalizoi madhështinë e qyteteve të tjera të mëdha të epokës helenistike (323–31 p.e.s.) – Aleksandrinë në Egjipt dhe Pergamonin dhe Antiokin në Anadoll, ose Turqinë moderne. Por shumëçka ka mbetur për t’u zbuluar.

Në vitin 2021, arkeologët nga Efori i Antikiteteve të Pellës dhe Universiteti i Miçiganit nisën projektin “Pella Urban Dynamics”. Nëpërmjet analizave të gjetjeve dhe gërmimeve të reja, ata shpresojnë të hetojnë më tej historinë e qytetit dhe të kuptojnë se si jetonin banorët e tij. Ata po studiojnë gjithashtu lidhjet më të gjera të Pellës.

“Si funksionoi qyteti në raport me rajonin më të madh?”, pyet arkeologia dhe bashkëdrejtuesja e projektit Lisa Nevett nga Universiteti i Miçiganit. “Si lidhej me qytetet homologe me të cilat po ndërvepronte? Ne po përpiqemi të largohemi nga shikimi i këtyre vendeve vetëm si vende dhe t’i shohim ato si qytete”.

Bust i lashtë prej mermeri që portretizon Aleksandrin e ri (Foto: Tarker/Bridgeman Images)

Shumica e rrënojave të dukshme të Pellës datojnë në periudhën helenistike. Qëllimi i projektit është të gjejë prova të qytetit që daton në periudhën klasike (480–323 p.e.s.), Pella që Aleksandri do të kishte njohur. Gjatë viteve të fundit, ekipi ka përdorur gjeofizikën në kërkimin e përgjigjeve. “Ne filluam duke vëzhguar zonën në jug të qytetit helenistik, ku, sipas burimeve antike, kishte një lagunë apo ligatina në periudhën e vonë klasike”, thotë arkeologia dhe bashkëdrejtoresha e projektit Elisavet Tsigarida e Eforatit të Antikiteteve të Pellës. “Rezultatet ishin shumë të mira. Ne kemi qenë në gjendje të rindërtojmë vijën bregdetare jugore dhe një ishull të vogël, Phacos, që lidhej me qytetin me një urë druri. Phacos, sipas historianit romak Livy, ishte vendi i një kështjelle dhe thesari. Ishulli ishte një nga tiparet më të njohura të Pellës dhe ekipi beson se bërthama e qytetit klasik ndodhej në zonën përballë tij. Pella e Aleksandrit duket të ketë qenë e vogël në krahasim me mishërimin e saj të mëvonshëm helenistik dhe ishte e përqendruar kryesisht rreth bregdetit. Më shumë se dy mijëvjeçarë më parë, do të ishte e gjallë me pamjet dhe tingujt e jetës në një port – peshkatarë që ushtronin peshkimin e tyre të përditshëm, anije që shkarkonin mallrat e tyre, tregtarë që shisnin gjithçka, nga punimet metalike te vera.

Ekipi ka filluar gjithashtu të hulumtojë pallatin mbretëror të Pellës – shtëpinë e mundshme të fëmijërisë së Aleksandrit. Ky kompleks i madh, që mbulonte afro 20 hektarë, ndodhej në një kodër të ulët dhe përfshinte ndërtesa të shumta të vendosura në tarraca në shpat. Në vitin 2017, ata filluan të gërmojnë dhe konservojnë ndërtesat. Por puna e tyre nuk ka qenë aspak e drejtpërdrejtë.

“Ruajtja e dobët e ndërtesave është sfida më e madhe”, thotë Tsigarida. Kjo, shpjegon ajo, është kryesisht për shkak të plaçkitjes nga romakët në shekullin e dytë p.e.s., përdorimit të zonës gjatë gjithë periudhës bizantine dhe plaçkitjes së ndërtesave në kohët moderne. Pavarësisht gjendjes së rrënojave, arkeologët kanë përcaktuar se dy ndërtesa ngjitur me oborrin në qendër të kompleksit, që të dyja datojnë në mesin e shekullit të katërt p.e.s., ishin ndër strukturat më të rëndësishme të pallatit.

“Deri më tani, projekti ka përfunduar gërmimin e një ndërtese ku mbreti priti përfaqësues të qyteteve apo shteteve të tjera dhe ku ai kryente rite për vazhdimësinë dhe mirëqenien e shtetit”, thotë Tsigarida. Kjo ishte edhe ndërtesa ku ndodhej androni i madh, një sallë për simpoziume ose ahengje pijesh dhe ku merreshin të gjitha vendimet mbretërore. Gërmimet janë duke u zhvilluar në ndërtesën tjetër të oborrit dhe në palestrën ose oborrin e ushtrimeve të pallatit, ku së fundmi është zbuluar një pishinë e madhe. Së shpejti mund të jetë e mundur të ecësh nëpër korridoret e pushtetit të Pellës, siç bënte dikur Aleksandri i ri.

Hyrja në një ndërtesë të madhe publike në Mieza, një qytet maqedonas  55 kilometra nga Pella  (Foto: Alex Rowson)

Aleksandri u lind në vitin 356 p.e.s. dhe u rrit në një botë që po ndryshonte me shpejtësi. Mbretërimi i babait të tij, i cili filloi në vitin 360 p.e.s., i solli pasuri dhe prestigj Pellës. Mbretërit maqedonas mund të ishin poligamë, dhe Filipi e shtyu zakonin në ekstreme, duke marrë gjithsej shtatë gra. Olimpia, nëna e Aleksandrit dhe gruaja e katërt ose e pestë e Filipit, ishte një princeshë molose nga Epiri në Greqinë e sotme veriperëndimore. Pozicioni i saj në familjen mbretërore ultrakonkurruese mbështetej tek Aleksandri, djali i saj i vetëm, që mbetej trashëgimtari i favorizuar. Trashëgimia maqedonase shpesh mund të kontestohej shumë dhe varej nga ajo se kush kishte forcën, përvojën dhe mbështetjen për të shfrytëzuar mundësinë. Kishte fëmijë të tjerë meshkuj mbretërorë dhe perspektiva që mund të lindnin më shumë ishte gjithnjë e pranishme. Fushata e gjerë ushtarake e Filipit gjithashtu e vuri atë në rrezik të vazhdueshëm përballë vdekjes.

Edukimi i princit të ri filloi kur ai ishte rreth shtatë vjeç. Ai ishte i rrethuar nga një ushtri mësuesish që i mësuan atij gjërat kryesore greke të leximit, shkrimit, muzikës dhe atletikës. Epikat e Homerit ishin tashmë klasike të njohura dhe Aleksandri kishte një marrëdhënie të veçantë me Iliadën – familja e nënës së tij pohoi se ata mund të gjurmonin prejardhjen e tyre nga heroi grek Akili. Një princ maqedonas i arsimuar siç duhet, duhej gjithashtu të ishte i aftë me kuajt dhe Aleksandri u bë një kalorës i talentuar. Biografi i shekullit të parë pas Krishtit, Plutarku, raporton se, në një rast, kur Aleksandri ishte 11 ose 12 vjeç, ai zbuti një hamshor të quajtur Bucephalus, një gjë që askush tjetër nuk e kishte bërë. Filipi ishte dëshmitar i kësaj ngjarjeje dhe, sipas Plutarkut, u përgjigj me fjalët profetike: “Djali im, ti duhet të gjesh një mbretëri të barabartë me ty. Maqedonia është shumë e vogël për ju”.

Disa vjet më vonë, Aleksandri filloi arsimin e mesëm. Në këtë kohë, ai ka të ngjarë të ketë hyrë në shkollën e fëmijëve mbretërorë, një institucion maqedonas që sillte djem aristokratë nga e gjithë mbretëria në oborrin mbretëror, ku ata shkolloheshin me shpenzimet e shtetit. Shkolla ose u themelua ose u reformua nga Filipi dhe kombinoi studimet liberale me stërvitjen intensive ushtarake që synonte të krijonte njerëz që ishin të dobishëm për mbretin dhe mbretërinë. Në çdo kohë, ishin të pranishëm rreth 150 djem nga mosha 14 deri në 18 vjeç. Gjatë kësaj periudhe të jetës së tij, Aleksandri u mentorua për ca kohë nga filozofi grek Aristoteli. Në biografinë e tij të Aleksandrit, Plutarku shkruan se mësimet e tyre u zhvilluan në nimfeun, ose shenjtëroren e nimfave, në Mieza, një qytet maqedonas rreth 55 kilometra në perëndim të Pellës.

Nimfeu në Mieza mendohet të ketë qenë vendi i shkollës së perandorisë së fëmijëve mbretërorë  (Foto: Alex Rowson)

Vendi i shenjtë u zbulua në vitet ’60 të shekullit të kaluar i fshehur mes vegjetacionit të harlisur dhe i kufizuar nga një përrua që rrjedh me shpejtësi. Në atë kohë mendohej se ishte vendi i shkollës së fëmijëve mbretërorë. Nimfeu përbëhet nga një dalje e madhe shkëmbi vullkanik që është gdhendur qëllimisht. Ka mbetje të një vendkalimi të mbuluar, pjesë kolonash dhe tri shpella natyrore. Por, arkeologia Angeliki Kottaridi, drejtoreshë e Eforit të Antikiteteve të Imathias, nuk është e bindur që faltorja ka funksionuar si shkollë mbretërore.

“Jam e sigurt që nuk mund të mësosh, ushqesh dhe strehosh 150 studentë atje”, thotë ajo. Kottaridi beson gjithashtu se koha e Aleksandrit në shkollë ishte shumë e ndryshme nga ajo e idealizuar në burimet antike. “Është një qasje shumë romantike të përfytyrosh Aristotelin dhe studentin e tij të ulur dhe duke diskutuar mbi metafizikën” thotë ajo. “Nuk ishte kështu. Ishte një edukim shumë i ashpër për të prodhuar luftëtarë dhe mbi të gjitha për të prodhuar oficerë të aftë për të komanduar ushtrinë”.
Kottaridi sugjeron se shkolla mund të jetë vendosur në një ndërtesë masive në oborr në verilindje. Kjo strukturë u gërmua në vitet 1980 dhe në fillim, shpjegon Kottaridi, arkeologët menduan se po gjurmonin një vend të shenjtë të Asklepius, perëndisë së shërimit dhe të mjekësisë. Më pas, në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000, studiuesit menduan se po eksploronin një treg, derisa u ra në sy se ata ishin jashtë kufijve të qytetit.

“Nuk gjetëm asnjë objekt, teatri është aty dhe ne kemi varre”, thotë Kottaridi dhe të gjitha këto tregojnë për një vendndodhje jashtë mureve të qytetit. Ajo beson se kjo strukturë është një lloj ndërtese shkolle e njohur si gjimnaz. Madhësia e kompleksit, rreth 45 mijë metra katrorë, sugjeron se ai ishte më shumë sesa thjesht një objekt ushtrimesh. Të vendosura zakonisht jashtë mureve të qytetit, gjimnazet luajtën një rol kyç në edukimin e adoleshentëve në botën greke –  Akademia në Athinë, ku mësonte Platoni dhe Liceu i Athinës, ku jepte mësim Aristoteli, ishin po ashtu gjimnaze publike. Kompleksi Mieza përfshin një hyrje madhështore, dhoma banketesh dhe një grup sallash të zgjatura që mund të jenë përdorur si baraka. Bazuar në qeramikën e gjetur në vend dhe në stilin arkitekturor të kompleksit, arkeologët e kanë datuar atë në mesin e shekullit të katërt p.e.s. dhe besojnë se ishte mjedisi për kohën e Aleksandrit nën tutelën e Aristotelit.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë 

Marrë nga revista “Archeology” (Alex Rowson). Përktheu: Enis Bytyqi

admin admin

Recent Posts

Shtjefen Gjeçov Kryeziu: – Për Shtetin e Ri Shqiptar 1921, aktual edhe për ditët tona

“ …Por edhe prej anës së Sundimtarve duhen Aristida, duhen Mark Aurela, e duhen kujtue…

6 hours ago

Si “LINDI” Molla e Kuqe dhe a ishin shqiptarët të shtrirë deri atje?

  Deri më tani nuk më është e njohur se ndonjëri nga akademikët shqiptarë nga…

6 hours ago

BBC dëshmon në dokumentarin e tyre se në Greqi flitej shqip në vitin 1811 (VIDEO)

  BBC përmes një filmi biografik dëshmon se në Greqi flitej shqip ne vitin 1811.…

7 hours ago

Si të bëni vetë një shërup për kollë? Jo më në farmaci

  Me gjethe dafine dhe pak mjalt ju mund të krijoni një shërup shumë efikas…

7 hours ago

Zbulim i madh arkeologjik në Strugë: varre mbretërore ilire dhe artefakte të çmuara

Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik ka tërhequr vëmendjen e studiuesve në Koroshishtë të Strugës. Një…

7 hours ago