Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Nuk harrohet duke harruar

Tani këtë mit të heronjve legjendarë, duke e parë si po e mbledh veten e po shkon për të marrë pjesë në ceremoninë e funeralit të vdekjes së vet, edhe pse rruga mbetet rrugë, për diçka më shumë nuk bëhet fjalë. Pas varrimit ku shkojmë?! Punonjësit e shërbimit të varrimit atë ditë mbetën pa drekë. Cilado qoftë arsyeja! Jeta si duket e ka humbur pjesën më të madhe të kuptimit të vet. Për ta ruajtur emrin nuk u treguam se jemi largpamës

1. Rrjepacakët që rrjepin njerëz. Që ua rrjepin lëkurën, që ua regjin lëkurën për ta ruajtur pastaj si trofe. Gjashtë muaj janë në Kosovë e gjashtë muaj nëpër dynja. Për fshehtësitë e luftës personale, zanatin e kanë sojli. Pse të shkojmë më larg. Për dritën që jeton në errësirë, fjalën e fundit kush e tha?! Fytyra më e mirë e ëndrrave na ishte kur na ishte. Ajo që po mbetet është koha që po shkon… Si histori që shfaqet. Histori që zhduket. Kur loja luhet me fjalë. Për interesa personale. Zero plus zero.

2. Vetëm dy ditë dhe dy net pas luftës e kam takuar dhe përjetuar lirinë e plotë. Natën e tretë rebelet e shqiptarhanës me traktor u ndalën para shtëpisë sime. Dola. I pashë. Njëri prej tyre më drejtohet:
– Eu sa shpejt e paske zënë këtë shtëpi!
– Është e imja! – i thashë.
– Qiti letrat!
Unë çuditërisht e shikova në sy:
– Dëgjo! – i thashë. Unë nuk jam trim. Me pas qenë trim nuk kisha ikur. Para kësaj dere, të shtëpisë sime, e kisha pritur armikun. Më kishte vrarë ose e kisha vrarë, por ti, çfarë njeriu qenke?! Ke ardhur të  vjedhësh çka ka lënë armiku pa plaçkitur.
Kjo natë e frikshme u mbyll me kaq.
Jeta apo teatër…

3. Për të keqen e vet, për të mirën e vet, sikur të mos kishte fund. Miku te armiku. Armiku te miku. Çdo ditë të dy bashkë. Për të thënë e bërë të njëjtën gjë. Vetëm kali i Skënderbeut nga turpi po skuqet. Për tre breza. Për pesë breza… Para historisë e pas historisë. Shqiptarët po shkojnë sipas intuitës. Pa asnjë përgjigje. Mes gjërave të tepërta. Nuk ka ndryshuar anatomia e njeriut. Kanë ndryshuar kërkesat. Për njëqind vjetët e ardhshëm. Në skenë po ngjitet kënga mashtruese. Nga drita artificiale bie perdja…

4. Fundi i kësaj ëndrre çka do të na thotë, çka do të na sjellë? Një kohë të gjatë po dëgjoj: “Dua të jetoj ku ndihet jeta. Për t’ia kthyer famën njeriut”. Magjia e lëvizjes shkon edhe më larg. Ndoshta edhe për ta komplikuar besimin. Lufta dhe çmenduria nuk shërohen lehtë. Mos të harrojmë: E vërteta nuk ka qenë kurrë më e kërcënuar. Tani si të heshtim kur heshtja kurrkujt nuk i hyn në punë. Gjatë kohës kur po kërkoja njeriun një ditë, një tip i dyshimtë më pyeti:
– Çka po kërkon? Cilin njeri!
– Po kërkoj Njeriun që po do të bëhet Zot.
– Në Planetin tonë të Vogël, më mirë na shkonte pa të.
Për egoizmin njerëzor.
Pika mbeti pikë!…

5. Pse të shkojmë larg për të mos thënë asgjë. E kemi parë si lind dielli.
Si perëndon dielli. Me një shënim në fund të faqes së çdo ëndrre. Me të njëjtat fjalë kemi çka të themi dhe s’kemi çka të shtojmë. Ëndrrat që kanë fluturuar me rininë time, tani kush i rrok e kush i këndon për të na lënë kujtime. Nuk kam asnjë ide. Asnjë propozim… Për një jetë pa jetë. Për një kohë pa kohë. Asgjë nga asgjë. Ngjarjet mbulojnë ngjarjet. Në qoftë se dëshirojmë të kemi fytyrë, hapi më i mirë është t’i harrojmë edhe armiqtë.
Të shkojmë te një mjek. Ta pyesim për shëndetin tonë mendor.

6. Për jetën kurrë nuk ka pasur më shumë pyetje. Për ruajtjen e besimit.
Me njeriun apo shkretëtirën. Më duhet të flas. Me një të ardhme të paralizuar asgjë nuk është e lehtë. Në kafenetë e të rinjve shumëçka harrohet. Si t’i bëhet, kërkojeni psenë? Në këtë botë, sipas viteve, më larg se shqetësimi vazhdon një heshtje e lodhur nga pritja e kotë. Pse askush nuk flet asgjë? Nuk e kuptoj. Me bombën e parë atomike përfundon Lufta e Dytë Botërore. Lufta tjetër do të ketë një radhitje tjetër të vlerave. Për të mos ndodhur kjo fatkeqësi kurrkush nuk po e ndal vrapin. Besimi në njeriun mori fund. Deri tani nuk ka qenë asnjë luftë e paprekshme, e pastër, e lavdishme. Vetëm pak kohë më larg, a ka helm që na ndihmon të dalim nga ky qorrsokak?!

7. Për tokën e fjetur, shpëtimtarit tim i vjen të kthehet edhe prapa në kohë.
Tani për njeriun më nuk ka fshehtësi. Kur bie heshtja di gjithçka. Mrekullitë i ka të njohura. Nga buzëqeshja metafizike sa është artistike e di vetëm djalli. Në rrugë të ripagëzuar nuk harrohet duke harruar. Më thonë se duhet të kthehemi mbrapa në kohë, se kemi humbur larg me ëndrra të kota e mandej na duhet prapë të kthehemi përpara. Të ecim e të qëndrojmë në këmbët tona. Por kë ta pyes? Kë ta lë fajtor për kthimin tim pa të ardhme.

8. Më 1914 rebelët e shqiptarhanes, kapadainj e të sigurt në vetveten, për shtatë grosh e një lëkurë lope, për opinga me xhufka, për opinga pa xhufka, shkuan në Durrës për ta përmbysur Qeverinë e Princ Vidit. Si me mbret, si pa mbret, andej e këndej njësoj. Si duket ende nuk jemi kurrkund. Për të menduar diçka më mirë nuk ka më kohë. Sa për t’u qetësuar është një komedi për kohën, për pasqyrën dhe për anën tjetër të pasqyrës. Nga historia e palexueshme, pse u ndal koha. Gazetat nuk kanë se çka të shkruajnë. Popujt janë si jeta e tyre. Si lufta e tyre. Si kultura e tyre. Si harresa e mosharresa e tyre.

9. Tani këtë mit të heronjve legjendarë, duke e parë si po e mbledh veten e po shkon për të marrë pjesë në ceremoninë e funeralit të vdekjes së vet, edhe pse rruga mbetet rrugë, për diçka më shumë nuk bëhet fjalë. Pas varrimit ku shkojmë?! Punonjësit e shërbimit të varrimit atë ditë mbetën pa drekë. Cilado qoftë arsyeja! Jeta si duket e ka humbur pjesën më të madhe të kuptimit të vet. Për ta ruajtur emrin nuk u treguam se jemi largpamës. Helmetën e bardhë kush e ka humbur që ta humbim edhe ne? Tri gra shkulën flokët. Tri nëna u bënë qyqe. Nga historia pa fillim… Si vdekje mitike. Për diçka më shumë fama e rrejshme na solli skllavërinë për t’ia vënë flakën ujit.

Gusht, 2017

Kjo ese e akademik Rexhep Ferrit u botua për herë të parë në Shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore” 12 gusht të vitit 2017. Ribotohet në shenjë përkujtimi për të. 

admin admin

Recent Posts

Sulltan Abdul Hamidi, Esad Pashë Toptani dhe 27 prilli i vitit 1909

Dijetarë, intelektualë, politikanë e ligjvënës, të ndihmuar e të manipuluar nga shërbimet, të joshur për…

58 mins ago

Legjendari i ringut, John L. Sullivan dhe ndeshja e boksit që zgjati 111 raunde, ose 7 orë grushtim

Ndoshta të vërtetat e çmendura të sportit nuk janë thënë të gjitha, dhe kjo është…

4 hours ago

Si është në të vërtetë miqësia me një introvert?

Sot, lidhjet shoqërore janë të rëndësishme, por për introvertët, miqësitë nuk kanë të bëjnë me…

4 hours ago

Shkenca arrin të filmojë krijimin e një embrioni

Për herë të parë është zbuluar formimi i embrionit në një fazë të hershme që…

4 hours ago

Një shkrimtar që e meritonte vërtet “Nobelin”

Kadare ishte një njeri i qartë dhe veprat e tij do të vazhdojnë të jetojnë.…

5 hours ago

Lumenjtë e ndotur të Alaskës, ngrica e përhershme po shkrihet, ujërat e pastër nuk janë më blu

Disa nga rrjedhat ujore të paprekura, të pastra dhe blu të akullit të Alaskës janë…

5 hours ago