Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Historia e shqiptares Laskarina Bubulina, Heroinës Kombëtare të Greqisë!

(…)Vetëm ti mundesh/ ende duke qarë/ të kthehesh e kërkosh të shohësh prapë fëmijët e tu/ të rrotullohesh dhe t’mos dish ç’të thuash/ të heshtësh e mrekulluar/ e të shfaqesh e madhe sa vetë toka/ qiejve duke ngjitur këngën tënde të dashurisë… (Alda Merini)

Laskarina Bubulina, ka lindur në burg, me 23 maj 1771. Babai i saj qe në Konstandinopojë, ku si pjesëmarrës klandestin në Revolucionin e Orlofit (1769-1770) kundër Perandorisë Osmane, u arrestua nga turqit. Duke qenë e lindur në burg dhe e detyruar të jetojnë aty për disa kohë, në shpirtin e një fëmije duhet të ketë të lindur gjeni i rebelimit përballë çdo robërie apo kufizimi të lirisë, gjë e cila e karakterizoi krejt jetën e saj.

Familja e Bubulinës ishte nga komunitetet arvanite (shqiptare) të ishullit të Hidrës në Peloponez dhe Laskarina kishte trashëguar krejt karakteristikat fizike, si: ngjyrën ulli të lëkurës, tipare të mprehta, sytë kafe dhe faktin se ishte tejet krenare.

Kur babai i saj vdiq, nëna e Laskarinës, Skeva, u kthye në Hidra, e më pas u zhvendos në Specie ku Skeva u martua me Dhimitri Lazaru-Orlofin që jetonte atje. Në atë kohë ishujt e Peloponezit dalloheshin për lulëzimin e aktiviteteve tregtare dhe vetë Dhimitri qe pronar dhe kapiteni i një flote të vogël anijesh.

Ky ishte pak a shumë mjedisi në të cilin do të rritej Laskarina: një botë profesionesh, e tregtisë, e peshkimit… plot rrëfime e histori detesh dhe piratësh… po njëherësh edhe dëshirë tejet e fuqishme për liri.

Greqia qe nën sundimin e gjatë të Perandorisë Osmane për gati 400 vjet dhe njerëzit e porteve, marinarët, pronarët e anijeve dhe ushtarët grekë që ishin nën shërbim të gjeneralëve turq, kurdisën një komplot që i dha flatra fantazisë së lirisë dhe rebelimit të atij populli të shtypur. Të gjitha këto, Laskarina, jo vetëm i dëgjonte, por edhe fjalët e para që ajo kish mësuar si fëmijë ishin: “revolucion” dhe “liri”. Ndoshta kjo ndodhte në atë kohë kur tek ajo nisi të lindte dëshira që një ditë edhe arvanitasit të jetojnë në një Greqi të lirë.

Ajo u martua për të parën herë në moshën 17-vjeçare. Më vonë, pas vdekjes së burrit të saj, u bë gruaja e Dhimitri Bubulit, pronar dhe kapiten i flotës, nga një familje fisnikësh, po edhe njeri shumë i pasur. E gjithë kjo pasuri mbas vdekjes në një beteje kundra piratëve, i kaloi Laskarinës.

Bubulina, tashmë nënë e shtatë fëmijëve, dy herë grua e ve, në moshën 40-vjeçare mund ta kishte mbyllur jetën e saj. Por, ajo nuk u ligështua shpirtërisht. Mendja e mprehtë dhe shkathtësia e rrallë bënë që ajo shpejt ta fitojë krejt pasurinë e të shoqit, duke krijuar marrëveshje dhe aleanca me pronarët e anijeve dhe duke u bërë partnere me flotat e tjera, e duke e rritur dukshëm numrin e anijeve të saj. Në një kohë të shkurtër arriti të krijojë një pasuri të konsiderueshme.

Një nismë e tillë s’mund të kalonte pa u vënë re. Perandoria Osmane e deklaron fajtore për tradhti, për shkak të së kaluarës së burrit të saj që kishte kaluar në anën e Rusisë cariste gjatë luftës ruso-turke për kontrollin e Detit të Zi, dhe u përpoq t’i konfiskojë gjithë asetet e saj. Bubulina kërkoi mbrojtje prej ambasadorit rus Strogonoff, i njohur për tendencat pro-helene, dhe zbarkoi në kishat e Kostandinopojës duke kërkuar të bisedojë me nënën e Sulltan Mahmudit të II-të. Ne nuk e dimë se çfarë i tha e çfarë i kërkoi Laskarina, apo cili qe qëndrimi i saj; ndoshta ajo bisedë kokë më kokë midis një gruaje me një grua, apo mes një nëne me një nëne për jetën e saj të deriatëhershme, o ndoshta i ka rrëfyer për fëmijët e saj duke kërkuar ndihmë si të ishte vajza e saj! Dihet vetëm se nëna e Sulltanit, e prekur shumë nga guximi dhe kurajoja e asaj gruaje, e bindi djalin e vet që të hiqte dorë nga konfiskimi i pasurisë së saj.

Pas një qëndrimi të shkurtër në Krime, Bubulina u kthye në Specie, dhe jo vetëm për t’iu përveshur punëve, por tashmë duke sjellë me vete edhe erërat e revolucionit. Gjatë qëndrimit në Konstandinopojë, Laskarina në fakt i qe bashkuar, si e vetmja grua, shoqërisë së fshehtë “Filiki Eteria”, një konspiracion për lirinë e Greqisë. Prandaj, kthimi në shtëpi i saj përkoi me përgatitjen e përpiktë të kryengritjes kundra sundimit turk: blerja e paligjshme e armëve dhe municioneve, transferimi i fshehtë i tyre me anije në ishullin e Speces, shndërrimi i tyre në luftanije, dhe ndërtimi i të famshmit “Agamemnon” – një anije lufte e armatosur me 18 topa, balli i anijeve luftarake të flotës gjë që bëri që ajo të mbledhë rreth vetes një ushtri të vogël me “djemtë më trima” (palikari) siç i quante ajo vetë: një organizim ku ajo paguante, ushqente dhe mbështeste krejt anijet dhe ekuipazhet. E gjithë pasuria e saj u sakrifikua për çështjen e çlirimit të Greqisë.

Me 13 mars, 1821, me një gjëmim topi të “Agamemnonit”, komanda e të cilit ishte në duart e Bubulinës, flamuri separatist grek ngrihet mbi shtizën e një anije lufte. Ky qe dhe “Fillimi i Revolucionit” – me 3 maj 1821, flota e ishujve të Species, Hidrës dhe Psaras sulen drejt Napflios për të organizuar bllokadën detare. Ikonografia zyrtare e paraqet Laskarina Bubulinën ashtu në këmbë të “Agamemnonit” me shikim përpara, me kryet të mbuluar me veshje tradicionale, me krahun e drejtuar në pushtim të kështjellës, tashmë e mbrojtur nga 300 topa. Beteja qe e zjarrtë dhe Kapedania, siç quhet ajo, zbarkoi në terren me njerëzit e saj dhe me gjithë energjitë merr pjesë në betejën e parë. Dhe pas vijuan betejat e Monemvasias, Pilosit dhe Argosit, ku ajo humbi edhe të djalin e parë të saj, Janin.

Por, Bubulina nuk mbeti e famshme për shpirtin e saj luftarak. Ajo meriton të kujtohet edhe për aktin e faljes kërkuar separatistëve grekë të gatshëm për masakrimin e popullsisë së rrethuar në kalanë e Tripolisit, në zemër të Lakonias. Me ndërmjetësimin e saj, grekët kursyen jetën e grave dhe fëmijëve të familjes së Pashait, sundimtar të qytetit, në respekt për aktin e dikurshëm të nënës së Sulltan Mahmudit kur ajo zbriti për herë Kostandinopojë. Më pas ndodhi edhe 1825-ta: kufijtë e Greqisë ishin përsëri në rrezik, mbasi flota turko-egjiptiane kishte mbërritur në brigjet e Peloponezit, në qytetin Pilos. Laskarina, edhe pse tani ishte në mjerim, mbasi e kish shpenzuar krejt pasurinë e saj për revolucionin, shfaqet sërish e gatshme të luftojë, të përgatisë e të organizojë njerëzit.

Papritmas i mbërrin një akuzë shpifëse nga familja e së dashurës së djalit të saj. Kjo ndodhi bëri që Laskarina të harrojë Greqinë, atdheun dhe revolucionin. Ndodhi që ajo të braktisë idealet politike dhe ta lërë luftën mënjanë. Kështu, Kapedania e humbet rolin e saj publik dhe bëhet thjesht një nënë. Përballet me të afërmit e familjes së vajzës, duke i dalë në mbrojtje djalit të saj. Papritmas atmosfera ndizet dhe një armë zjarri, e qëlluar nga një dorë që mbeti përjetësisht anonime, e godet midis ballit duke e lënë të vdekur. Dhe, kështu merr fund jeta e saj…

Në këtë mënyrë vdiq Laskarina Bubulina, Heroina Kombëtare e Greqisë së Lirë, e vetmja grua admirale e marinës Perandorake Ruse, e lindur në burg, por që në zemër dhe në buzë e saj pati një fjalë të vetme: Lirinë! /progettomediterranea.com/Përktheu: Jozef Radi/

admin admin

Recent Posts

Kjo është temperatura më e përshtatshme në dhomën e gjumit në dimër

Sezoni i ngrohjes ka filluar dhe shumë prej nesh ngrohin shtëpitë edhe gjatë natës. Megjithatë,…

12 hours ago

E dini se çfar është hamari, apo koshi?

Është një ndërtim tradicional që përdoret për ruajtjen e ushqimit, veçanërisht për drithërat dhe prodhimet…

13 hours ago

Si të transformoni rutinën tuaj ditore në një burim frymëzimi dhe produktiviteti

  Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Rutinat ditore shpesh mund të duken tëzakonshme dhe monotone, por ato…

18 hours ago

Soft Skills: Aftësitë që na ndihmojnë të jemi të suksesshëm në punë dhe jetë

Zana Islami / Trungu&InforCulture.info Në botën e sotme, suksesi profesional dhe personal nuk matet vetëm…

2 days ago

Personat me këtë grup gjaku nuk duhet të pinë kafe

  Ngrënia e disa ushqimeve bazuar në grupin tuaj të gjakut mund të përmirësojë shëndetin…

2 days ago