Arsyet për të cilat vojvodët shqiptarë mbronin ndër shekuj kishat në Kosovë

Një dëshmi shumë domethënëse për mbrojtësit shqiptarë të këtyre faltoreve paraqet edhe një medalje të cilën klerikët e Manastirit të Deçanit ia kishin dhënë vojvodës shqiptare të familjes Hakaj, për rolin e tij në mbrojtjen e këtij manastiri gjatë kohës së Perandorisë Osmane. Këtë medalje të proveniencës perëndimore e ka ruajtur deri më sot, Jusuf (Nezir) Nitaj. Kjo medalje botohet për herë të parë me pëlqimin e pronarit të tanishëm

Avazet e njëjta serbët i shfaqin edhe kur është fjala për ndërtimin, rindërtimin, mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e kishave dhe të manastireve të krishtera (ortodokse-pravosllave) në Kosovë. Ata pranojnë, për shkak të fakteve relevante, vetëm një pjesë të së vërtetës – se këto kisha dhe manastire janë mbrojtur nga vojvodët trima shqiptarë gjatë shekujve të gjatë osmanë – vetëm sepse ata kinse kanë qenë të paguar, por jo sepse kanë qenë faltore të besimit të tyre. Burimet që disponojmë që kanë të bëjnë me mbrojtjen e kishave ortodokse nga vojvodët shqiptarë në Kosovë ndër shekuj, janë me prejardhje serbe dhe me të dhëna fragmentare. Themi se janë burime fragmentare për faktin se këto të dhëna janë servuar me paragjykime dhe konotacione politike ditore. Nga ana tjetër, ç‘është më e keqja, shkenca shqiptare nuk i ka dhënë përkushtim të merituar kësaj çështjeje me rëndësi të posaçme. Një studim të rëndësishëm, duke shfrytëzuar bisedat e drejtpërdrejta me dëshmitarë të pasardhësve të familjeve të vojvodëve shqiptarë, e ka botuar në serbokroatisht studiuesi i mirënjohur shqiptar, Mark Krasniqi. Sidoqoftë, ç‘është më e rëndësishmja, mbrojtjen shekullore dhe të suksesshme të kishave të Kosovës nga vojvodët shqiptarë askush s’mund ta mohojë.
Disa autorë serbë (M. Gjuriçiq, D. Vlahoviq, T. Gjorgjeviq) nismën e këtyre mbrojtjeve shqiptare të kishave e vendosin në fund të shekullit XVII dhe në fillim të shekullit XVIII, apo, siç thonë ata, pas “dyndjes së madhe serbe” nga Kosova kur “manastiret ortodokse kishin mbetur pa mbrojtje”. (Fjala është, pra, për pasojat e luftës austriake-turke nën Pikolominin, më 1690, me ç‘rast, ç‘është e vërteta, luftuan dhe u shpërngulën edhe mjaft shqiptarë të krishterë). Sipas këtyre autorëve, pushteti turk nuk ishte as i prirë e as në gjendje që në mënyrë efikase t’i mbronte këto kisha nga vërsuljet e fiseve anarkike arnaute (shqiptare), që kërcënonin jo vetëm pronat feudale dhe pasurinë kishtare, por edhe tempujt dhe jetën e kallogjerëve dhe të personelit të manastireve. Nuk ndihmonin, shtojnë ata, madje as fermanët e Stambollit. Në këto rrethana, drejtoritë e manastireve ishin të detyruara të kërkonin mbrojtje nga fiset më të fuqishme shqiptare ose nga farefisi më i fortë i tyre. Ja, aq të fortë – më të fortë se vetë qeveria osmane (sipas disa autorëve serbë), ishin shqiptarët.
Vojvoda Bilall Rrusta i Deçanit

Të dhënat serbe që disponojmë, pohojnë se në shekullin XVII Manastiri i Deçanit kishte gjetur mbrojtje në fisin shqiptar Gashi nga Deçani. Në të njëjtën kohë manastiri i Patrikanës së Pejës kishte bërë kontratë për mbrojtje me familjen Nikçi nga fisi i Kelmendasve të Rugovës, ndërsa Manastiri Gorioç, afër Istogut, kishte qenë nën mbrojtjen e familjes së fortë dhe të shquar shqiptare në fqinjësi. Konsulli rus, Jastrebov, kishte shënuar se shqiptarët e mbronin Manastirin e Shën Markut afër Prizrenit. Nga zhurnali i Patrikanës së Pejës për vitin 1908 shihet se Manastiri i Deviçit në Drenicë kishte pasur mbrojtës shqiptarë. Nga librat e ruajtur të manastireve shihet se këto manastire u jepnin titujt e vojvodës (dukës) mbrojtësve të tyre shqiptarë, i furnizonin me veshje dhe me mbathje luksoze, kuaj shalues, shërbëtorë, u përgatitnin oda në konakun e manastireve ku ata mund të qëndronin sa herë që të dëshironin dhe të pritnin mysafirët gjatë festave fetare. Vojvodët shqiptarë, sipas këtyre librave, merrnin paga të mëdha. Shtëpia e vojvodës Sali Rrustë Gashi, nga Deçani, merrte rrogë të rregullt nga Manastiri i Deçanit: nga 1 shtatori i vitit 1890 deri më 30 gusht të vitit 1891 Sali Rrusta ishte paguar në emër të rrogës vojvodase 1.499 groshë turku, ndërsa vëllai i tij, Osmani, 1.440,20 groshë. Kjo shtëpi vojvodase ishte më e fortë financiarisht se vetë manastiri, saqë i jepte atij hua me kamatë mujore prej 10 për qind. Vojvoda Zhujë Nikçi, nga Rugova, paguhej nga manastiri i Patrikanës së Pejës me rrogë mujore prej 15 groshësh, që më 1914-1915 merrte 30 talira mujore. Shqiptarët ishin edhe mbrojtës të paguar gjatë udhëtimeve të kallogjerëve jashtë manastireve: janë shënuar emrat e vojvodë Bilallit nga Deçani, Zhujë Nikçit nga Rugova, Kolë Gegës, Mark Dedës etj. Manastiret ishin të detyruara t’u paguanin vojvodëve shqiptarë edhe gjakun e të vrarëve (gjatë mbrojtjes) në oborrin e manastirit: 48 lira ari turke për çdo të vrarë, ndërsa për çdo të plagosur gjysmën e kësaj shume. Të dhënat, gjithashtu bëjnë të ditur se, sipas urdhrit të vojvodë Zhujë Nikçit, manastiri i Patrikanës së Pejës kishte furrën, e cila çdo ditë u ndante bukë falas rugovasve.

Arkimandriti Serafim (Ristiq) i Deçanit ka shkruar në fund të shekullit të XVIII, se si Zeqir Ramëmusa, një shqiptar nga fshati Carrabreg, i ka bërë “shumë shërbime manastirit në kohë të vështira”. Familja e Ramëmusës për plot tre vjet, në shtëpinë e tij, ka arritur ta ruajë Kryqin e famshëm dhe të çmuar të car Dushanit. Në dhomën ku është ruajtur kryqi, thuhet se as ditën e as natën nuk është shuar kandili! Këto manastire shërbenin edhe për shërimin e të plagosurve nga luftërat shqiptaro-shqiptare: konaku i Manastirit të Deçanit, për shembull, ishte shndërruar në spital të vërtetë me qindra të plagosur nga luftimet shfarosëse ndërmjet fiseve Gash të Dukagjinit dhe Shalë të Shqipërisë. Titulli trashëgues Vojvoda (Duka) i Deçanit, i përkiste shtëpisë shqiptare të Rrustajve, nga fshati i Deçanit. Rrustajt disa herë, në mbrojtje të Deçanit, e kishin ngritur me armë tërë fisin Berisha.
Medalja e Shën Gjergjit

Në një rast, vojvoda Bilall Rrusta, e kishte vrarë një anëtar të fisit të tij, i cili ishte orvatur t’i binte në qafë vëllazërisë së kishës së Deçanit, duke u vetëshpallur për vojvodë të ri. Me këtë rast Bilalli e kishte marrë “përgjegjësinë e gjakut” mbi vete dhe ai për tre vjet nuk kishte dalë nga burgu shtëpiak. Në një rast tjetër, kur dy nga bashkëkombësit e tij, ua kishin ndaluar hyrjen për në manastir dhe ua kishin kërkuar fletëhyrjet për liturgji serbëve, Bilall Rrusta dhe dy xhaxhallarët e tij i kishin vrarë ata në portën kryesore të Kishës së Deçanit…Autorët serbë pohojnë: “Nijedan manastir nije mogao da se održi bez arbanaške zaštite jer je ona bila snažnija od zaštite koju su pokušavale da pružaju turske vlasti” (Asnjë manastir nuk ka mundur të mbahej pa mbrojtjen shqiptare, sepse ajo ishte më e fuqishme se mbrojtja të cilën orvatej ta ofronte pushteti turk). Dhe, si rëndom, kur është fjala për veprat e shqiptarëve, ata zhvleftësojnë: “Zaštita manastira nije pružana iz humanih, etničkih ili religioznih pobuda, već, pre svega, zarad bogate materijalne naknade” (Mbrojtja e manastireve nuk është bërë nga shtytjet humane, etnike apo religjioze, por, para së gjithash, për shkak të kompensimit të majmë material).

Letrari serb, Milan Rakiq, i ngarkuar skajshmërisht nga urrejtja etnike, ka përpiluar madje një sajesë naive në vargje të pagëzuar “Simonida”: “Iskopaše ti oči, lepa sliko!/ Večeri jedne, na kamenoj ploči,/ Znajući da ga tad ne vidi niko,/ Arbanas ti je nožem izbo oči! (Ti nxorën sytë, pikturë e bukur!/ Një mbrëmjeje, në pllakë guri,/ Duke ditur se atëherë s’e sheh askush,/ Shqiptari me thikë ti nxori sytë!)

Medalja përkujtimore serbe, në njërën anë të së cilës shkruan: “1912: OSVEĆENO KOSOVO” (Kosova e ahmarun), ndërsa në tjetrën anë shënohen qytetet e ahmarruna, me shqiptime në serbisht dhe me shkronja versale cirilike: “PRIZREN, MRDARE, SHTIP, N. PAZAR, DEBAR, VELES, JEDRENE, PRILIP, SKOPLJE, KUMANOVO, BITOLJ, SKADAR, OHRID, SJENICA, DOJRAN, LJESH, TETOVO, ELBASAN, DRAĈ, PRIŠTINA”

Vallë, si mund ta ketë ditur poeti Rakiq se shqiptari ia kishte nxjerrë sytë me thikë Simonidës, kur në atë çast, siç pohon ai, askush nuk e kishte parë?!

Nga ana tjetër, ka edhe autorë serbë objektivë si Mitar Peshikani, (dikur nxënës i gjimnazit të Pejës) i cili pohon: “Treba odmah istaći da su na udaru tog prvog turskog vala bili ne samo Srbi, nego isto tako i Arbanasi, kao hrisćanski narod, kao činjenicu da su se i sto godina posle Kosova Arbanasi odupirali islamizaciji nimalo manje nego Srbi” (Duhet theksuar që në fillim se në atë sulm të parë të valës turke (1389. v. Sh. N.) ishin jo vetëm serbët, por gjithashtu edhe shqiptarët, si popull i krishterë, për faktin se edhe njëqind vjet pas Kosovës shqiptarët i kundërviheshin islamizmit aspak më pak se serbët). Por, vallë, a do të shfaqet ndonjë autor serb që pa paragjykim popullit të vet t’ia kumtojë të vërtetën relevante – se shqiptarët një mijë vjet para tyre kishin pranuar krishterimin, se faltoret e para ishin ndërtuar nga shqiptarët (që nga shekulli VI të shkatërroheshin nga vërsuljet e para sllave), se rindërtimi dhe ndërtimi i faltoreve të reja, për shembull Manastiri i Deçanit ishte projektuar nga arkitekti, skulptori dhe kryemjeshtri Vitë Cuci-Kuqi nga Kotorri së bashku me dhjetëra artizanë të tjerë shqiptarë – u bë në trojet e lashta autoktone shqiptare gjatë Perandorisë Bizantine (themelues të së cilës ishin perandorët e proveniencës ilire-arbërore-shqiptare dhe gjatë perandorisë së përbashkët të shqiptarëve me serbët, grekët e bullgarët (1346-1355), se këto faltore mirëmbaheshin, mbroheshin dhe në to i bënin shërbesat (dhe mund t’i bëjnë edhe më tutje) shqiptarët ndër shekuj së bashku me të krishterët e tjerë, se projektues, freskografë, ikonografë dhe artizanë të fushave të ndryshme të arteve të aplikuara ishin edhe shqiptarët. Andaj, mbrojtjen e këtyre faltoreve nuk e bënin nga shtytjet për interes material – por pikërisht nga arsyet e lartpërmendura. Këtë mbrojtje shekullore të manastireve shqiptarët e bënë deri në vitet e para pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (me ndërprerje nga viti 1919-1940).

Ndërkaq, edhe pse ata dëshironin edhe më tutje t’i mbronin këto faltore, drejtoritë e manastireve nuk deshën t’u pranonin më këto “privilegje”, sepse ato po hynin nën mbrojtjen e shtetit jugosllav.

Afresku i Simonidës në Kishën e Graçanicës

Një dëshmi shumë domethënëse për mbrojtësit shqiptarë të këtyre faltoreve paraqet edhe një medalje të cilën klerikët e Manastirit të Deçanit ia kishin dhënë vojvodës shqiptar të familjes Hakaj, për rolin e tij në mbrojtjen e këtij manastiri gjatë kohës së Perandorisë Osmane. Këtë medalje të proveniencës perëndimore e ka ruajtur deri më sot, Jusuf (Nezir) Nitaj, i lindur më 1943, të cilën që nga mosha 16-vjeçare e ka trashëguar nga nëna e tij, Hata Kuqi. Zyrtarët e manastirit në këtë mënyrë e kanë shpërblyer vojvodën shqiptar, meqë kisha në ato kohë turbulluese nuk ka mundur ta paguajë me monedha përkatëse.

Pronari i kësaj medaljeje, Jusuf Nitaj, kishte kërkuar në kishën e Deçanit që t’i jepnin ndonjë shpjegim në lidhje me këtë medalje, por ata i kishin thënë që ai t’ua linte për një kohë medaljen që ata ta studionin – por Nitaj nuk ishte pajtuar. Unë konstatova se në anën e parë të kësaj medalje qëndron viti i prodhimit dhe teksti në latinisht: 1757. S: GEORGIVS EQVITVM PATRONVS, ku paraqitet Shën-Gjergji hipur në kalë, duke e mbytur kuçedrën, ndërsa në anën e dytë të medaljes është teksti: IN TEMPESTATE SECVRITAS, ku paraqitet Krishti i fjetur në lundër në Liqenin e Galilesë. Medalje të këtilla komemorative janë prodhuar me qindra dhe i kushtohen Shën Gjergjit. Kjo medalje botohet për herë të parë me pëlqimin e pronarit të tanishëm.

Shën Gjergji (275/281 – 23 prill 303 të e. s.), ka lindur në Lida, Palestina Romane. Ai ishte në shërbim të ushtrisë romake dhe më vonë u masakrua me urdhrin e Perandorit Diokletian, i cili ishte me prejardhje ilire. Si martir Shën Gjergji është shumë i vlerësuar dhe festohet në mbarë botën e krishterë. Në Shqipëri dhe në Kosovë, Dita e Shën Gjergjit festohet në mesin e shqiptarëve si një ditë gëzimi dhe besimi në Perëndinë. Besimtarët ndezin zjarrin dhe luajnë rreth tij, duke i bekuar shtëpitë e tyre, fushat, fëmijët e tyre dhe çdo gjë rreth tyre me ujë, si të ishte uji i shenjtë. Dita e Shën Gjergjit festohet më 23 prill (sipas Kalendarit Julian që përdorët nga kishat lindore), datë e pranuar tradicionalisht e vdekjes së Shën Gjergjit, më 303 të e.s; ndërsa sipas Kalendarit Gregorian festohet më 6 maj.

Kryqi i car Dushanit, i ruajtur për tre vjet nga Zeqir Ramëmusa, një shqiptar nga fshati Carrabreg

Seria e teksteve “Kujt i përkasin, në të vërtetë, tempujt fetarë në Kosovë?” të Shyqri Nimanit (6 maj 1941 – 22 qershor 2023), u botua për herë të parë në Shtojcën për kulturë, prej korrikut deri në gusht të vitit 2014. Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës./koha.net

admin admin

Recent Posts

Çfarë Ndodh me Trupin Nëse Përdorni Njëkohësisht Aspirinë dhe Ibuprofen

  Përzierja e disa ilaçeve të caktuara kundër dhimbjes nuk rekomandohet as nga mjekët dhe…

39 minutes ago

Efekti Mandela: Pse disa njerëz kujtojnë ngjarje që nuk kanë ndodhur kurrë?

A keni kujtuar ndonjëherë diçka me siguri të plotë, për ta zbuluar më vonë se…

9 hours ago

Heroizmat e Grave Shqiptare në Luftën për Pavarësi

  Gratë shqiptare kanë luajtur një rol vendimtar në historinë e kombit tonë, duke u…

10 hours ago

Pse Çabej e “fshiu” himnin e tij?

Himni i flamurit që shkroi Çabej, në konkursin e vitit 1937: Atje lidhet besa e…

23 hours ago

Shqiptarë të famshëm që vunë themelet

Është e dëshmuar se për 500 vite, shqiptarët kanë qenë pjesë integrale dhe e pandarë…

24 hours ago

Teuta, sundimtarja që për hajni e humbi një mbretëri

Mbretëresha Teuta e Ilirisë dhe ushtria e saj pirate, sunduan Detin Adriatik në lashtësi dhe…

1 day ago