ARKIVA/ Ja cilët janë politikanët e lartë shqiptarë, të cilët janë vrarë që nga formimi i shtetit
Një pjesë e tyre nuk e kanë pasur fatin të vriten nga dora e armikut dhe as të dalin me nder në pension. Për shkaqe të luftës së brendshme politike, apo dhe për arsye të tjera, të paktën 30 prej politikanëve shqiptarë e kanë gjetur vdekjen nga dora e një shqiptari të paguar për llogari të interesave të një pale tjetër. Më poshtë po japim një kronologji të personazheve të rëndësishëm politikë, të cilët janë vrarë në Shqipëri, që pas themelimit të shtetit më 1912.
1915/ Nexhati Libohova, i pari ministër i vrarë
Në fakt, njihet pak qeveria e Esat Toptanit, e cila ka ministrin e parë të vrarë në Shqipëri, që është Nexhati Libohova. Ministri Nexhati Libohova në maj 1915 ishte drejtues i dikasterit të Financave. Duke qenë simpatizant i austro – hungarezëve, Nexhati Libohova i çon një letër Hasan Prishtinës. Në letër ai shprehte ndjenjat e tij ndaj Austro – Hungarisë. Mirëpo letra u kap prej myftiut matjan të Lezhës, që ia dërgoi Esat Toptanit, i cili menjëherë dha urdhër ta zhduknin ministrin e tij dhe të përhapnin fjalë se ishte zhdukur. Nexhati Libohova u arrestua, u çua në Shkallnuer, ku edhe u rrah, derisa vdiq.
Vrasja e Ismail Qemalit në Peruxhia, 26 janar 1919
Et’hem Beu, djali i Ismail Vlorës, që ka qenë i pranishëm në çastet kur ka ndërruar jetë i ati, duke i treguar kryetarit të Bashkisë Ali Asllani situatat gjatë qëndrimit të tyre në Peruxhia, shpjegon: “Një ditë i përgatitën babait një konferencë për gazetarët. Pas buke ai hyri në sallon ku e prisnin korrespodentët. Që në fjalitë e para të bisedës, i zverdhur e i lëkundur nisi të belbëzojë e të mos lidhte dot fjalët. Kërkoi ta çonin në banjë. Atje e mbyti shkuma dhe të vjellët. Dyshimet e para përafronin idenë se diçka ishte hedhur në të dy filxhanët e kafesë që kishin pirë at e bir në barin e hotelit, pak minuta para konferencës së shtypit.
Vrasja e Abdyl Ypit në Durrës, 15 janar 1920
Ishte 15 janari i vitit 1920. Kur pritej të mbahej mbledhja e Kongresit të Lushnjës, në orët e vona të natës, do të vritej ish-prefekti i Durrësit, Abdyl Ypi, i njohur si përkrahës i linjës pro kongresit. Abdyl Ypi, Rauf Fico, Hamit Toptani, Omer Shijaku, morën nismën për të thirrur një kongres e për të ftuar Esat Toptanin në Shqipëri. Ndërsa Abdyl Ypi vazhdonte përpjekjet për kongres, marrëdhëniet e tij me qeverinë e Durrësit dhe italianët u keqësuan. Ujdia ishte që kongresi të mbahej në Krujë më 21 janar 1920 dhe Mustafa Kruja të kishte një post kryesor në qeveri. Kruja solli njerëzit e tij për vrasjen.
1920 / Konkurrenca politike vret Esat Toptanin
Ka qenë një prej vrasjeve kyç të historisë së Shqipërisë. Viktimën e kanë akuzuar se po kryente “tradhti” ndaj atdheut. Një vrasje që kishte brenda sa pjesën e kundërshtarëve të dëshiruar ta shihnin sa më larg Shqipërisë, aq edhe atë të rrethit farefisnor. Më 13 qershor 1920, Avni Rustemi vrau në Paris, Esat Toptanin. Për shumë vite, mbi Esat Pashën u hodhën akuza “tradhtie kombëtare”, “shitje interesash kombëtare”. Duke iu afruar problemit, nuk është e vështirë të dallohet se vrasja e Esat Toptanit, nuk është tjetër, veçse për konkurrencë politike, e përfunduar në një eliminim fizik.
Avni Rustemi, deputeti i parë i vrarë i parlamentit shqiptar
Deputeti Avni Rustemi pasi kishte marrë pjesë për herë të fundit në Kuvendin Kushtetues më 12 prill 1924, rikthehet në Tiranë. Në paraqitjen e tij të fundit në Kuvend më 20 mars 1924, ai kishte kërkuar leje 3 mujore dhe kishte nisur procedurat për marrjen e një vize amerikane. Rreth orës 17.00 të 20 prillit 1924 është parë në shoqërinë e miqve të tij, duke shkuar për të takuar në shtëpi ministrin e Arsimit, Fahri Rashit. Kur personat arrijnë në Varrezat e Pashës, Avni Rustemi qëllohet me një plumb të vetëm nga mullixhiu Jusuf Reçi. Pas një qëndrimi dyditor në spital, Avni Rustemi vdiq 22 prillin e vitit 1924.
Misteret e vrasjes së Luigj Gurakuqit 1925
Në mbrëmjen e 2 marsit 1925, një tragjedi shqiptare ndodhi në Bari. Balto Stamolla vrau ish-ministrin e Arsimit dhe të Financave të Shqipërisë dhe ish-deputetin, Luigj Gurakuqi. Luigj Gurakuqi kishte vdekur me 3 plagë revolveri të kalibrit të mesëm 9 mm në anën e majtë dhe një plumb në krahun e djathtë. “Tribuna” e 4 marsit 1925 shkruan: “Një tragjedi shqiptare në Bari. Ish-ministri Gurakuqi i vrarë nga një bashkatdhetar”. “Il messaggero” 4 mars 1925: “Vrasja e ish-ministrit shqiptar Gurakuqi. Arrestohet Balto Stamolla”. “Giornale della Puglia” Bari shkruan: “Natyra e krimit. Deklarime kontradiktore”.
1925/Vrasja e Zija Dibrës, luftë bolshevizmit apo aksident?
Zija Dibra është personazh historik që përmendet vetëm për vrasjen e tij në fillim të vitit 1925, në kohën kur Ahmet Zogu kishte rivendosur pushtetin e tij në Shqipëri. Jetëshkrimi i Zija Dibrës për lidhjet e tij me Moskën, do të bënte që ai me ardhjen e Ahmet Zogut në pushtet të akuzohej “për çështje bolshevike”. U vendos të internohej nga Durrësi në Berat, i shoqëruar nga një aspirant. Sipas versionit zyrtar, në Harizaj të Kavajës, Dibra i iku nga duart aspirantit, i hipi kalit e u përpoq të largohej. Thirrjes së aspirantit nuk iu përgjigj, dhe e detyroi këtë të fundit ta qëllojë me një plumb, që e kapi në kokë.
Vrasja e Bajram Currit
Në marsin e vitit 1925 një tjetër vrasje do të ndodhte në veri të Shqipërisë, ajo e Bajram Currit, e rreshtuar nga ai moment në listën e vrasjeve për të cilat akuzohet Ahmet Zogu. Curri një luftëtar me nam të madh gjatë viteve kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Osmane, për shkak të meritave të tij u zgjodh senator në Kongresin e Lushnjës, por shpejt dha dorëheqjen nga ky funksion dhe u zëvendësua nga Rexhep Mitrovica. Në qeverinë e Sulejman Delvinës, ai ishte ministër pa portofol. Ardhja e Ahmet Zogut nga Jugosllavia në fundin e vitit 1924, solli vetëm reagimin e forcave të Bajram Currit.
Isuf Dibra, senatori që u vra nga shërbëtori i tij
Vrasjet e ligjvënësve rifillojnë në vitin 1927. Vrasja më e rëndë e ndodhur në atë kohë përsa i takon pozitës politike të personit, është ajo e Isuf Dibrës. Ai ishte një figurë e rëndësishme politike, aq sa në qeverinë e Esat Toptanit kishte qenë ministër i Luftës. Më 18 dhjetor 1926 kishte zëvendësuar senatorin e rrëzuar Eqrem Vlora, i cili nuk kishte marrë pjesë në punimet e Senatit prej dy muajsh duke sjellë vetiu edhe rrëzimin e tij nga kjo pozitë. Sipas njoftimeve të shtypit, senatori u vra në Tiranë më 19 mars 1927 nga shërbëtori i tij.
Vrasja e Ceno Kryeziut në Pragë më 1927
Si finale, marrëdhëniet e acaruara shqiptaro – jugosllave patën vrasjen e Ceno bej Kryeziut, kunati i presidentit të Republikës, Ahmet Zogu. Kjo pikë ballafaqon edhe pozitën e dy kunetërve në lidhje me partneritetin politik apo çështjen e pushtetit dhe duket që ajo që u luajt në Pragë, ishte e vetmja rrugë që mund të çonte në zgjidhjen e pozitës së të dyve, sipas së cilës njëri vazhdonte në pushtet e tjetri dërgohej në varr. Sipas burimeve diplomatike angleze, midis tij dhe Ahmet Zogut kishte nisur një rivalitet i pashmangshëm pushteti.
Mark Kapidani, deputeti i Shkodrës vrarë më 1933
Legjislatura e dytë e monakisë do të tronditej nga vrasja e një tjetër ligjvënësi, kur sapo kishin mbaruar zgjedhjet e 11 nëntorit 1932. Tirana u përgjak nga vrasja e një deputeti. Gegë Marka Gega nga Oroshi i Mirditës. Në mëngjesin e 19 dhjetorit 1932, ora 10.30, deputeti i Shkodrës, Mark Kapedani, u vra në dhomën e oficerëve rezervë afër Pallatit Mbretëror nga Geg Marka Gega në Tiranë. Gega ka qëlluar në drejtim të deputetit duke i shkaktuar plagë atij. Njëkohësisht edhe deputeti ka qëlluar, duke i shkaktuar plagë të lehta Gegës. Vrasja ishte pjesë e intrigave.
1933 / Hasan Prishtina, viktimë e planeve të veta
Duke qenë një politikan i veprimit, sa i ashpër, aq edhe jo tolerant, Hasan Prishtina, ish-ministër dhe ish-kryeministër i shtetit shqiptar, është njëri nga politikanët e vrarë jashtë Shqipërisë. Dikur mik i Ahmet Zogut, Hasan Prishtina ishte vënë në pozita të forta armiqësore me të. Hasan Prishtina dukej i vendosur në aksionin për të vrarë Ahmet Zogun, të cilin e quante e keqja më e madhe e Shqipërisë. Mirëpo, krejt papritmas, H. Prishtina vritet në Selanik më 14 gusht 1933 nga një bashkatdhetar tij, i cili i rezultonte se kishte qenë mik i tij.
1943/Iljaz Agushi, ish-zv/kryeministri i vrarë në Tiranë
Pasi Kuvendi Kombëtar i kishte hapur punimet e tij, një tjetër vrasje do të ndodhte në Tiranë, ajo e deputetit të Prishtinës, ish-zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve Botore, Iljaz Agushi. Në cilësinë e zëvendëskryeministrit, Iljaz Agushi i drejtoi popullit thirrjen për qetësi, kur kapitulloi Italia fashiste, ndërsa kryeministri Libohova “u nis për punë private në Itali”. Ai dorëzoi në rregull dhe pa probleme pushtetin tek autoritetet e reja në vend. Për këtë shkak, u zgjodh deputet në Kuvendin Kombëtar. Nuk do të mundte të jepte kontribut, pasi ndodhi vrasja më 28 tetor 1943 në Tiranë.
1943 / Idhomeno Kosturi, kryetari i Kuvendit Kombëtar, i vrarë në detyrë
I vetmi kryetar legjislativi i vrarë në detyrë është Idhomeno Kosturi, Fillimisht u zgjodh kryetar i komisionit të letërpërfaqësimeve dhe pasi kryetari i mëparshëm, Lef Nosi, u zgjodh anëtar i Këshillit të Naltë, u zgjodh kryetar i Kuvendit Kushtetues, më 25 tetor 1943. Këtë detyrë do ta ushtronte shumë pak ditë, pasi do të gjente vdekjen nga një atentat. Për të vrarë Idhomeno Kosturin, njësiti guerril komunist i Durrësit ngarkoi të riun Kolë Laku, i cili e kreu krimin, sapo kryetari i Kuvendit po dilte nga shtëpia. Ai qëlloi mbi Kosturin. Ishte 5 nëntori i vitit 1943.
1943/Hysen Myshketa, deputeti i vrarë pa u betuar akoma
Sërish një statistikë e hidhur nga Kuvendi Kombëtar i 1943. Vrasjet i paraprinë mbledhjes së parë të Kuvendit, që ishte lënë për më 16 tetor 1943. Durrësi, qyteti me aktivitet jo të vogël të njësiteve guerile komuniste, do të bëhej dëshmitar i ngjarjes së 8 tetorit 1943, kur në shëtitoren që kishte mbajtur emrin e Musolinit, vritet deputeti i Durrësit, avokat Hysen Myshketa së bashku me të vëllanë. Gazeta e vetme në atë kohë shkruante se 3 të panjohur kishin qëlluar mbi vëllezërit Myshketa
1944/ Lefter Kosova, ministri më jetëshkurtër në detyrë
Në kaosin e shtuar dita – ditës, politika shqiptare do të shënonte edhe statisktikën më të shpejtë të vrasjes së një ministri. Më 6 shtator 1944 Lefter Kosova, pak orë pasi kishte bërë betimin si ministër i Punëve Botore para Këshillit të Naltë, vritet në Tiranë. Pasi u betua si ministër në para Këshillit të Naltë, Lefter Kosova mori makinën e kryetarit të Parlamentit, prof.Mihal Zallari dhe u nis drejt shtëpisë. Sapo mbërriti atje, në prani të nënës së tij, vritet nga personi i sipërpërmendur. Ora 20.00 i shkuan në shtëpi 3 xhandarë dhe 3 civilë dhe e vranë.
Mehmet Shehu, kryeministër i Shqipërisë për 27 vjet
Askush nuk e di me saktësi nëse ish-kryeministri shqiptar u vra apo u vetvra natën mes 17 dhe 18 dhjetorit të vitin 1981. Pak orë më parë Mehmet Shehu kishte dalë i tronditur nga një mbledhje e Byrosë Politike. Fejesa e djalit Bashkim me volejbollisten Silva ishte bërë molla e sherrit. Por kupola e Komitetit Qendror nuk ishte mjaftuar më kaq. Rastësi, debulesë për fëmijët, apo prapavija e një pune armiqësore? Djali i kryeministrit komunist me vajzën e Turdinjve të deklasuar? Pikëpyetjeve vinin njëra pas tjetrës. Të nesërmen u gjet i vdekur me një plumb në shtratin e tij.
DOSJA
Politikanët e vrarë
Soda e bukës mund të jetë një nga produktet që përdoret më së shumti…
Një peshk remo është shfaqur në bregun e Grandview në Encinitas, Kaliforni. Është zbulimi…
Zbulohen kulla kripe solide në tabanin e Detit të Vdekur. Të krijuara nga vetë natyra, nuk…
Vendbanimi i pasardhësve të ilirëve, ushtarëve të Lekes madhe në Pakistan që flasin theksin Burrash,…
Ditarët e luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der…
Nga: Claire Turrell / The Daily Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Influencuesit [influencer] që lëvizin shkopin e…