Categories: ARTKULTURË

“Atelieja e piktorit të panjohur” midis realitetit e fantazisë

Bota e gjallë, bimët dhe gjallesat e imëta janë elementet kryesore në veprat e Genc Kadriut të prezantuara në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Arti që paraqitet brenda kornizave që rrethojnë sipërfaqen prej pëlhure duket si një lloj simbioze e cikël jete. Veprat sa gjenerojnë mesazhe aq edhe distancohen me shikuesin. Ngritin pikëpyetje për ekzistencën dhe sikur përplasin realitetin me fantazinë. Shpesh janë imazhe të panjohura ato në ekspozitën “Atelieja e piktorit të panjohur”.

Të premten mbrëma, Galeria Kombëtare e Kosovës ka hapur dyert për vepra shumëngjyrëshe që fshehin shumë elemente përbrenda. Ngjan në një lloj guximi i artistit e provokim nëpërmjet shprehjes personale. Krijesa të vërteta si flutura e zhapinj janë “plastifikuar” me dyllë blete. Në të njëjtën mënyrë, u është bërë vend edhe luleve të ndryshme e myshqeve në sipërfaqet e veprave. Duket se aty lulëzon bota e gjallë e në të njëjtën kohë pasqyrohet loja e natyrshme e artistit në sfondin e veprës.

Ato janë plot ngjyra, ngjajnë në hedhje të rastësishme të tyre. Disa prej tyre janë më të zymta, në disa sikur trajtohen pengesat e artit dhe se simbolikë për to janë ca letra me formate të vogla që duken si barrikada për depërtimin e artit aty.

Në përgjithësi ekspozita duket poetike. Sipas artistit Driton Selmani, autori me veprat e tij flet gjithashtu për jetën e vdekjen. E ka vlerësuar Kadriun si artist të matur.

“Genci është artist shumë i vërtetë, mua më pëlqen shumë qasja poetike në të gjitha veprat që i bën. Gjithmonë aludon te poetikja. Është një eksperiment i ri ky që unë s’e kam parë prej tij, por prapëseprapë më pëlqen pozicioni i tij. Ai gjithmonë flet për jetën dhe vdekjen. Reliktet që i prodhon mendoj se e kanë njëfarë simbolike që e mban lart nivelin e prezantimit artistik të Genc Kadriut”, ka thënë Selmani.

Pos stampimit të artit të tij në sipërfaqe, ekspozita pasurohet me skulptura. Njëra prej elementeve të ekspozitës është një asht i formësuar prej dylli të bletës. Multimediale ngjan me përfshirjen e instalacioneve të imëta me lule dhe forma të gjallesave të detit të punuara prej dylli. Ngjajnë në gjëra me vlerë kur ruhen në arka të vogla dhe shoqërojnë thënie të shkruara në kapakët e tyre si testamente.

Zëvendësuesja e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, Alisa Gojani, ka thënë se ekspozita e artistit Kadriu ka qenë formë e re e tij e shprehjes.

“Galeria Kombëtare ka pasur kënaqësinë të mirëpresë Gent Kadriun, një artist me përvojë të gjatë, por ka pasur një shkëputje dhe ekspozita ka qenë rikthimi i tij. Është kënaqësi për ne që kemi pasur mundësinë të hapim dyert për të dhe njerëzit të shohin një formë të re të shprehjes, ndryshe prej atyre të mëhershme që Genci ka prezantuar për publikun”, ka thënë Gojani.

Në hapjen e ekspozitës ka qenë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. “Bashkë me artistin bashkëkohor, Genc Kadriu, udhëtuam në krijimtarinë e tij. Një botë ku pikturat, skulpturat dhe shkrimet i flasin direkt mendjes sonë”, ka shkruar Çeku në “Facebook”. Pos tij, ekspozitën e ka vizituar edhe kryeministri Albin Kurti.

“Atelieja e piktorit të panjohur është një alegori e pacaktuar dhe e paplotë e dimensionit estetik të përvojës, i cili është jokonceptual dhe nuk të tregon çfarë të besosh, sepse ta jep aftësinë për të përjetuar hapjen radikale dhe të pakushtëzuar që nuk mund t’ia imponosh askujt”, shkruhet në tekstin kuratorial të ekspozitës.

Aty shkruhet gjithashtu se piktori i panjohur “jeton në hapësirën e së projektuar në realitet. Ai materializohet nga hiçi dhe në ekzistencën e tij fantastike ëndërrimtare qëndron mjeshtëria e tij e pakushtëzuar”.

“Piktori i panjohur nuk të jep lloj-lloj shpjegimesh se çfarë ai do (ka dashur) të bëjë. Përpiqet t’i flasë direkt mendjes tënde. Ky lloj artisti është ai. Sa më shumë shpjegime që ai paraqet, aq më shumë mburoja t’i vendosë. Nuk je gati ta shikosh, ta lexosh, ta thithësh, ta zhytësh vetveten në të, sepse tashmë je në mbrojtje, në justifikim. Ai futet drejtpërdrejt në pavetëdijen tënde, ose në atë që nuk mund të dihet, por siç e thotë piktori i panjohur, vetëm të përgjohet, mbase vjedhurazi të shikohet. Pikturat e tij janë kaligrafi e pavetëdijes”, shkruhet më tej në tekstin kuratorial. Ekspozitën e ka kuruar Hana Halilaj, kuratore në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Në kontrast me pikturat vijnë kornizat me dimensione të vogla që mbajnë thënie, dorëshkrime të autorit, shpesh të paqarta. Njëra prej tyre, e vendosur mbi njërën prej pikturave me elemente të botës bimore që duken se notojnë në sfondin e kaltër, nis me fjalët “Nature’s Dictionary” (Fjalori i Natyrës).

Disa prej veprave krijojnë peizazhe abstrakte me nuancat e ngjyrave. Në një tjetër të ngjashme shtohen pupla shpezësh që fluturojnë në sfondin me ngjyrë të kuqe.

Artisti Genc Jakupi ka qenë duke u përgatitur për hapjen e ekspozitës deri pak momente para hapjes së saj të premten mbrëma. Ai nuk ka pranuar të flasë për media.

Genc Kadriu është artist ndërdisiplinor, vepra e të cilit, sipas biografisë së tij, ndikohen shpesh nga marrëdhënia midis autobiografisë dhe presupozimeve socio-historike.

“Shpërthimet kontekstuale të materialeve të gjetura, të foragjeruara dhe të falsifikuara të tij ndjekin një logjikë të ndërthurjes midis origjinës, providencës dhe rëndësisë. Etiketat që renditin materialet e kompozimeve të tij skulpturore janë një komponent kyç që ndikon në interpretimin e tyre. Kultura materiale, trashëgimia, historia natyrore dhe prania shpirtërore në jetën e përditshme janë veçori të përsëritura në trupin e punës së Kadriut”, shkruhet për krijimtarinë e Kadriut.

Ekspozita “Atelieja e piktorit të panjohur” qëndron e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 12 nëntor. Ajo vjen pas ekspozitës “Nga e para” të artistes Lumturi Blloshmi, shenjat e së cilës – muret me ngjyra – u shkojnë për shtati veprave të artistit Kadriu./koha.net

InForCulture

Recent Posts

A ndihmon soda e bukës me problemet e diabetit /Disa këshilla se ku ta përdorni

  Soda e bukës mund të jetë një nga produktet që përdoret më së shumti…

24 minutes ago

“Peshku i apokalipsit” rishfaqet në Kaliforni: shkencëtarët kërkojnë sekretet e specieve

  Një peshk remo është shfaqur në bregun e Grandview në Encinitas, Kaliforni. Është zbulimi…

28 minutes ago

Zbulohen kulla kripe në tabanin e Detit të Vdekur

Zbulohen kulla kripe solide në tabanin e Detit të Vdekur. Të krijuara nga vetë natyra, nuk…

17 hours ago

Vendbanimi i pasardhësve të ilirëve në Pakistan…

Vendbanimi i pasardhësve të ilirëve, ushtarëve të Lekes madhe në Pakistan që flasin theksin Burrash,…

21 hours ago

Ditarët e panjohura të komandantit gjerman të forcave supreme: Hit’leri është i brengosur për gjendjen në Shqipëri, gjenerali Badoglio dha dorëheqjen prej humbjeve…

Ditarët e luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der…

21 hours ago

Gladiatorët ishin influencuesit e Romës së lashtë

Nga: Claire Turrell / The Daily Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Influencuesit [influencer] që lëvizin shkopin e…

21 hours ago