Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Kështjella e Jerinës dhe shpellat e Kusarit

Gani Mehmetaj: Kështjella e Jerinës dhe shpellat e Kusariti

1. Të vizitosh lokalitetet antike të Komunës së Gjakovës në fillimpranvere është përjetim, por edhe një kënaqësi e veçantë. Të bashkëbisedosh me vendësit është orë historie. Kur i pyet për ndonjë lokalitet parahistorie, antike a të mesjetës jo vetëm nuk ngurojnë të të rrëfejnë legjenda të pafundme, që nga koha e Noas, kur kjo pjesë, sipas tyre, u përmbyt, ndërsa barkat lidheshin në zinxhirë në cepin e malit, por të bëjnë shoqëri, duke ecur disa orë këmbë gërnjave e kodrave, që të tregojnë të kaluarën e tyre të lavdishme. Vendësit janë mirënjohës për interesimin tënd, janë të entuziazmuar që po i nxjerr vendet e tyre nga harresa, por dëshpërohen kur shohin se si po shuhet e kaluara e tyre pa u nxjerrë në pah.

Asnjëri nga katundarët të rinj a të moshuar, nuk të lëshojnë pa një gotë raki shtëpie që të shijon si eliksir. Vendësit kanë shumë legjenda për katundet e krahinën e tyre.

Dy kështjella të antikës së vonë, në Rrafshin e Dukagjinit, mbajnë emrin “Kështjella e Jerinës”. Askush nuk di ta shpjegojë këtë emërtim, askush nuk di ta thotë kur u ndërtuan këto kështjella dhe kur u braktisën. Jerina ishte mbretëresha ilire e luleve. Legjenda për Jerinën ua mban gjallë fantazinë edhe sot banorëve të kësaj krahine, ata i pagëzojnë fëmijët me emrin e mbretëreshës antike, ndërsa ato kur të rriten imagjinojnë t’i kenë të gjitha ato dhunti që i pati emnakja e tyre e famshme.

Mirëpo, zgjon kureshtje të veçantë Kështjella e Jerinës, afër gropave të sapunit, sipër katundit të Botushës. Katundi e mori emrin sipas botës (dheut) që nxirrej afër. Po emrin e cilës Jerinë mori kështjella malore në lartësinë mbidetare 933 metra? Emrin e Jerinës ilire, që i këndoi me aq mall Gjergj Fishta? Apo emrin e Jerinës, princeshës shqiptare të bijës së Lekë Dushmanit, në të cilën u dashurua Lekë Zaharia, trim, ndërsa e donte edhe Lekë Dukagjini famëmadh. Për princeshën Jerinë u derdh shumë gjak, bënë dyluftim të egër të dy Lekët, ku u plagos rëndë Lekë Dukagjini, ndërsa Jerinën e bukur e mori princi Lekë Zaharia. Në atë betejë për dashurinë e Jerinës së Lekë Dushmanit, Fan Noli shkruan se u vranë 105 burra, ushtarë- truproja të të dy princave. Zaharia nuk e gëzoi të Bukurën e Dheut, Jerinën, sepse Lekë Dukagjini e vrau në pritë afër Lezhës. Princesha shqiptare ia ruajti nderin Lekës së vrarë, u mbyll murgeshë në Manastirin e Sardenjës, ku e ngrysi pjesën tjetër të jetës…

Kështjella e Jerinës sot është e braktisur, e heshtur dhe e mbuluar me shkurre, në një pyll të dendur që vrojton nga maja e malit luginën edhe përtej Rrafshin e Dukagjinit. Është pika më e lartë e asaj hapësire të pyllit të dendur, ku vetëm një sy i mësuar mund të hetojë kështjellën. Nga njëra faqe e murit të kështjellës s’kishte armik që mund t’i afrohej dikur, s’mund t’i afrohet askush as sot, me gjithë shpikjet teknologjike, sepse muri rrethues bie pingul poshtë në luginë në një përrua malor.

Në anën tjetër, nga rruga antike, nëpër të cilën iu ngjitëm përpjetës së lodhshme, ushtarët- rojë nga kullat e vrojtimit kishin mundësi të ndiqnin ditë e natë çdo lëvizje armiqësore, a çdo lëvizje të dyshimtë, ashtu sikurse mund të paralajmëronin që nga largësia ardhjet e miqve a ndihmat ushtarake. Ndërkaq, nga mali përballë, është e pamundur të futet dikush, apo t’i afrohet kështjellës e të mos hetohet shumë kohë më parë.

Kështjella, me emrin e mbretëreshës ilire të luleve, që sipas arkeologut Haxhi Mehmetaj i takon antikës së vonë, ka qasjen më të lehtë nga të gjitha kështjellat në Rrafshin e Dukagjinit. Mbase vetëm kështjella në Sukën e Cermjanit ka qasje të tillë. Por nga rruga e asfaltuar, kur e kalon përroin malor mbi urë druri, nuk ka asnjë shenjë paralajmëruese, që do të tregonte se ka një orë rrugë këmbë, pasi që ujërat e rrëmbyeshme e kanë dëmtuar rrugën antike. Atje është kështjella më atraktive në këtë krahinë sa me pozitën gjeografike, aq edhe me emrin. Kështjella ka shërbyer, mbase deri në mesjetën e hershme, por për këtë lypet të hulumtohet.

Në katundin Botushë, pasi e vizituam Kështjellën e Jerinës, rastësisht takuam intelektualin vendës, Brahim Rama, ndërsa na tha se emrin e Jerinës ilire e ka trashëguar e bija e tij, studente e mjekësisë. Me emrin domosdo u trashëgua edhe bukuria. Këtë na e vërtetuan edhe ata që e njihnin në Gjakovë.

Në xhaminë e katundit, të rindërtuar pas vitit 1999, na treguan me zemërim vendësit, është varrosur në mur një pllakë antike me mbishkrim të vjetër. Nuk arritëm ta lexojmë mbishkrimin, as t’i qasemi pllakës antike, sepse e kishin mbuluar në atë mënyrë që t’ia humbnin gjurmët.

Arkeologu Haxhi Mehmetaj mendon se Kështjella e Jerinës i takon antikës së vonë, kohës së turbullirave e pasigurisë, kur u riforcua fortifikimi i Ilirisë. Kështjella malore mban emrin e mbretëreshës ilire të luleve, ashtu sikurse e mban këtë emër edhe Kështjella e Jerinës në Komunën e Klinës, afërsisht e së njëjtës kohë.

2. Tri shpellat e Kusarit janë ndër perlat më të bukura që ia dhuroi natyra kësaj hapësire, fare afër rrugës së asfaltuar. Në dy shpellat e para, njëra sipër, tjetra disa qindra hapa përfundi është po ashtu lehtë t’u afrohesh. Nëpër rrugë malore, të hapura nga katundarët, por të shfrytëzuara edhe nga qytetarët e Gjakovës, të cilët fundin e javës kur është kohë e mirë e kalojnë bri tyre, dy shpellat e Kusarit, të shpalosin hapësira e korridore me paradhomë, dhomë ndeje dhe me thellësi banimi e fjetjeje, ku mund të jetohej pa asnjë vështirësi, të mbrojtura nga koha armiqësore, nga grabitqarët e pyllit dhe nga armiku me dy këmbë. Shpella ka mbrojtje natyrore me hyrjen e ngritur në një lartësi mbi tri metra.

Brenda shpellës ekipi i arkeologëve, i udhëhequr nga Mehmetaj, gjeti fragmente enësh e qeramikë të banorëve të lashtë, hasi edhe në vizatime murale e gravura interesante. Sipas tij, ishte vend ideal për banim, jetesë e mbrojtje nga armiku dhe të papritura e të tjera (kafshët e egra), sepse shpella është në mal. Gjatë shtegtimit tonë nuk kemi hasur shpellë më interesante dhe më të përshtatshme për jetesën e njeriut të parë, në disa periudha të parahistorisë (neolit, eneolit), thotë ai, duke u nisur nga përvoja e gjatë e hulumtimeve.

Qindra metra më poshtë është shpella tjetër, po ashtu në një faqe mali, me një paradhomë, korridor e thellësi qindra metrash. Është po aq interesante, sa e para, kushtet e futjes në shpellë janë më të përshtatshme. Edhe brenda korridoreve të kësaj shpelle u gjetën fragmente të qeramikës, që dëshmojnë mu si në shpellën e parë se banohej nga komuniteti i parë një kohë të gjatë.

Disa minuta po ece këmbë, në anën e majtë të rrugës, është një masiv shkëmbor, ndërsa poshtë barkut të këtij shkëmbi hapet goja e një shpelle tjetër. Për dallim nga dy shpellat e para, shpella e tretë në njërin krah depërtonte në thellësi të tokës, sepse ka një humnerë që ishte vështirë ta përcaktoje ku e kishte fundin. Në krahun tjetër është strehimorja e brendshme, vend ideal për banim të një grupi të madh banorësh parahistorikë. Këto raritete arkeologjike e natyrore nuk janë larg rrugës së asfaltuar. Edhe në shpellën e tretë gjatë përnjohjes, arkeologu Mehmetaj, me ndihmësin Dukagjinin, gjetën fragmente gotash prej bote, objekte të përdorimit të përditshëm nga periudha e parahistorisë.

Por që të tri kështjellat kërkojnë hulumtime e gërmime disajavore, në mënyrë që të dalin në sipërfaqe fragmentet të tjera të kulturës materiale e shpirtërore për të nxjerrë dëshmi për një periudhë parahistorike të banimit, duke na e dhënë një pasqyrë të mënyrës së jetesës.

Shpellat e Kusarit janë pikë turistike për gjakovarët qëkur nuk mbahet në mend. Mund të bëhet vendpushim i këndshëm edhe për të gjithë shqiptarët e vizitorët e huaj. Janë tri hyrje natyrore shpellash, ndërsa hyrja e epërme ka pamje impozante me strehimore, ku mund të jetonte e të mbrohej nga armiku një fis i tërë i bashkësisë së parë primitive.

Kështjella e shpellat duhet t’u shpalosen vizitorëve, sepse janë pjesë e trashëgimisë jo vetën në Rrafshin e Dukagjinit, por në tërë Ilirinë e dikurshme.

Rrënojat e kishave të vjetra e ndërtimeve të vendeve të shenjta, në majë të kodrave a sukave mbizotërojnë në shumë katunde. Në Arat e Priftit (këtë emërtim e ndeshim aq shpesh në këtë krahinë), dalin themele të vjetra nga parahistoria e antika. Muret e moçme të fortifikatave malore janë atraksion që e vlen të hulumtohen, në mënyrë që të shpalohet e kaluara nga parahistoria e antike deri në mesjetë.

Plaku 84-vjeçar, Dervish Halili, që erdhi me ne majë kodre, ku kishte rrënoja të antikës, ta thoshte me siguri të pakundërshtueshme se Gjergj Kastrioti është nga Hasi, krahina e tij; se të parët e Lekë Dukagjinit nga kjo krahinë vinin. Pastaj të fliste për Lekën e Filipit (Aleksandrin e Madh) sikur të ishte fjala për njeriu e katundit fqinj, apo për një kushëri të fesë së moçme, sepse gjysmën e kushërinjve i kishte të fesë katolike në katundin e afërt. Jo vetëm ai, por të gjithë katundarët e Komunës së Gjakovës deri në një ta vënë në pah se ata para 200 vjetësh katolikë ishin, ndërsa ndërruan fe nga zori, ta thonë pa ngurrim, ndryshe nuk i lejonte turku të ktheheshin në tokat e të parëve që i kishin braktisur, kur Perandoria Otomane ishte në kulm të mizorisë.

Katundet e Gjakovës nga Ura e Fshejtë deri në Has e Koshare, nga Dushkaja në Sukë të Cërmjanit e më larg janë të pasura me livadhe, ara e kullota, kanë visore që të mrekullojnë, katundarët janë dashamirës e tejet energjikë. Kështjellat, vendbanimet nga parahistoria, antika e mesjeta, nuk janë të rastit, sepse në këtë krahinë të pasur e me ujë të bollshëm është zhvilluar jetë dinamike nëpër të gjitha periudhat e zhvillimit njerëzor.

Rrënojat e urës së Rogovës, ku vetëm një këmbë e saj i ka rezistuar kohës, ka lartësi pesë metra mbi tokë. Për të thuhet se është ura më e madhe në Gadishullin Ilirik. Nëpër këtë urë kanë kaluar ushtarë e banorë të një varg kështjellash fushore e malore të periudhave të ndryshme. Nëpër këtë urë është bërë qarkullimi e tregtia me tërë gadishullin. Ura e Tabakëve dhe Ura e Terzive, dy objekte monumentale arkitektonike, janë ndërtuar shumë vjet më vonë, megjithatë kanë histori treqindvjeçare.

Nga libri: Qytetet e Ilirisë

InForCulture

Recent Posts

Rrugëtimi i Letërsisë Shqiptare: Tradita dhe Perspektivat Moderne

Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…

2 hours ago

”Scientific Reports”: Macet janë më të afta në lidhjen e fjalëve sesa foshnjat

Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…

17 hours ago

Jeta në komunizmin shqiptar

Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…

18 hours ago

Riktheni butësinë e peshqirëve me këto produkte shtëpiake

Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…

19 hours ago

Çfarë shkruante një lundërtar grek i shek. 2 para Krishtit, për Ilirinë?

Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme.   Shkrimi…

20 hours ago

Vlora, vendi i parë Neandertalian në Shqipëri! Arkeologët zbulojnë vegla guri që datojnë…

Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…

21 hours ago