Rreth artikullit të Pierfranco Brunit “Shqiptaria midis modeleve antropologjike”
Nga Prof. dr. Aleksandër Dhima*
Në numrin e së shtunës të gazetës MAPO (14-15 maj 2016, f. 30), u botua një artikull i P. Brunit mbi shqiptarinë si një model antropologjik, ku vihet në qendër çështja e identitetit kulturor arbëresh. Duke marrë shkas nga ky artikull, që përmban të vërteta të pakontestueshme shkencore, kryesisht në rrafshin historiko-gjuhësor dhe etnografik, dëshiroj të shpreh disa mendime të mbështetura në rezultatet tona mbi gjenetikën e popullatave në kontekstin shqiptaro–arbëresh, çka do të plotësonte tablonë identitare të atij që Jeronim de Rada e quante dikur “gjaku inë i shprishur”, në kuptimin e shpërbërjes territoriale të kombit shqiptar.
Në studimin tonë, janë përfshinë 607 arbëreshë, banorë të 21 fshatrave nga komuna të ndryshme të Puljes, Molizes, Vultures, Kampanjës, Lukanies, Kalabrisë e Sicilisë. Për sa i përket kohës së vendosjes së këtyre grupeve në komunat e sipërpërmendura, ekzistojnë mendime të ndryshme. Sipas një opinioni të përhapur gjerësisht, fshatrat ku u ngulën arbëreshët në këto komuna u krijuan gjatë valës së pestë të shpërnguljeve; pra, ata s’mund të jenë krijuar më herët se sa në vitin 1680. Ekziston edhe një pikëpamje tjetër, sipas së cilës ngulimet arbëreshe, së paku në Molize, do të duhet të datoheshin midis viteve 1456 dhe 1494; në katër fshatrat e kësaj krahine, ende sot shqipen e flet pjesa më e madhe e njerëzve: 54,8% në Campomarino; 86,4% në Ururi; 90,1% në Portocannone; 98,9% në Montecilfone.
Seria kalabreze-lukane përbëhet nga 224 njerëz të ekzaminuar në fshatrat arbëreshe të rrethinave të Castrovilarit, të gjithë banorë të komunave S. Paolo Albanese, me elemente të fshatit fqinj S. Constantino Albanese në Bazilikatë, si dhe në tri grupe fshatrash kalabreze të Polinos, përkatësisht Frascineto (Frashnita-arb.), Eianina (Janina-arb.) Civita (Çifti-arb.) në lindje të Castrovilarit; Firmo, Lungro, Acquaformosa në juglindje të qendrës së komunës; S. Sofia d’Epiro, me elemente të fshatit fqinj S. Demetrio Corone (Sh. Mitri-arb.) në zgjatjen verilindore të të parit. Shqiptarët e Kalabrisë lidhen me valën e tretë të shpërnguljeve (1468-1506), mbas vdekjes së Skënderbeut, ose më saktë mbas rënies së Shkodrës (1479), për t’iu bashkuar njerëzve të të njëjtit gjak, që jetonin ndërkohë në Kalabri, prej nga e gjejnë shpjegimin edhe emërtimet lokale të fshatrave të sipërpërmendur sipas rrethinave të hershme të prejardhjes së tyre; emigrantë të tjerë erdhën këtu nga Peloponezi gjatë dy valë shpërnguljesh të njëpasnjëshme, në vitet 1534-1547.
Seria nga Bazilikata përbëhet prej 159 individësh, që vijnë nga tri fshatra të rrethinave të Vultures: Barile, Ginestra (Gjineshtra-arb.) dhe Maschito (Mashi-arb.). Për sa i përket prejardhjes, ata u përkasin – sipas të gjitha gjasave – ngulimeve më të vjetra shqiptare të bregut perëndimor të detit Adriatik.
Seria e Avelinos përbëhet nga një varg i vogël prej 34 personash, ndër të cilët 27 arbëreshë me të dy prindërit me prejardhje shqiptare, dhe 7 banorë të fshatit Greci, prej të vetmit lokalitet të Kampanjës ku flitet shqip. Kjo seri nuk duket të jetë përfaqësuese për 1.500 banorët shqipfolës të atij fshati, por aty s’mund të mblidhej më tepër material, sepse banorët e njihnin vetëm pjesërisht prejardhjen e tyre.
Seria siciliane përbëhet nga 190 arbëreshë, banorë të tri vendbanimeve në provincën e Palermos, përkatësisht në Piana degli Albanesi, S. Cristina Gela dhe Contessa Entellina. Ngulimet shqiptare në Sicili i takojnë njërit prej kontingjentëve më të vjetër shqipfolës në Itali. Banorët e fshatrave të sipërpërmendur e kanë ruajtur në memorien e tyre prejardhjen nga emigrantët e parë shqiptarë, të cilët patën shërbyer si ushtarë në ushtrinë e Alfonsit I të Aragonës. Ata themeluan, përkatësisht populluan rishtas fshatrat në rrethinat e Catanxaros dhe, më tej, edhe disa të tjera në Sicili, si Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëve-arb.) dhe Contessa Entellina (më 1450), pra pak përpara valës së parë masive të shpërnguljes, në gjysmën e dytë të shek. XV.
Në lidhje me sistemin MNSs, midis grup-popullsive shqiptare nuk gjenden dallime të ndjeshme, aq më tepër që kudo vërehet një qëndrueshmëri e vlerave të aleleve përkatëse. Ndërsa grupet arbëreshe dallohen nga grupet shqiptare prej shpeshtësive më të larta të alelit M në seritë e Bazilikatës dhe Avelinos, përkatësisht të alelit N në grupet e Puljes dhe të Sicilisë. Edhe në sistemin Rh është konstatuar një shpeshtësi mjaft e lartë e alelit D në popullsinë shqiptare, që tejkalohet dukshëm vetëm në grupet arbëreshe të zonës kalabrezo-lukane.
Me vlerë të veçantë në këtë drejtim do të ishte një krahasim i mëtejshëm i serive shqiptare me seritë nga diaspora arbëreshe, nëse do të kryheshin në të ardhmen hulumtime të zona të caktuara të Shqipërisë, prej nga e kanë prejardhjen (sipas traditës mbi shpërnguljet e dikurshme) grupet shqipfolëse të Italisë.
Në përfundim, mund të shprehemi se modeli antropologjik arbëresh gjen indicie të natyrave të ndryshme, që nga peizazhi etno-kulturor, shqipja e gjallë në shtatë krahina të Italisë, ndjenja e fortë komunitare dhe afritë në strukturën hemotipologjike (ende të pastudiuara në thellësi). Këto indicie na japin të drejtë të mendojmë për një përkatësi etnike të veçantë, që i dallon ata bindshëm nga grupet e tjera aloglote dhe nga grup-popullsitë italiane të zonave përkatëse.
* Profesor i Antropologjisë në UET
Diabeti është një nga sëmundjet në rritje në botë dhe megjithëse ka mënyra për ta mbajtur…
Më shumë se tre milionë fëmijë në mbarë botën ndërruan jetë nga infeksionet rezistente…
Ozempic është bërë sinonim i humbjes së shpejtë të peshës dhe rregullimit të sheqerit…
Kur planifikojmë një udhëtim në Evropë, shpesh priremi të zgjedhim vende si, Parisi, Londra,…
Nëse jeni duke u ballafaquar me dhimbje të veshit nuk jeni të vetmit. Dhimbja…
Një familje myslimane palestineze mban çelësat e një prej monumenteve më të rëndësishme të…