Nga: Dashnor Kaloçi
Hakmarrja e sllavo-komunistëve ndaj familjes së njohur të Isa Boletinit, filloi që në nëntorin e vitit 1943, kur komunistët shkodranë të udhëhequr nga Vasil Shanto vranë me atentat babanë tim nënkolonel Adem Boletinin, djalin e tretë të Isës i cili kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Vjenë.
Pas kësaj si në Mitrovicë ku jetonte pjesa më e madhe e Boletinëve, ashtu edhe në Shqipëri, familja jonë u gjënd nën një persekucion të egër dhe barbar nga regjimet komuniste të Titos dhe të Enver Hoxhës. Nga ky represion i paparë që u ndoq ndaj djemëve, nipave dhe mbesave të Isa Boletinit, numri i të vrarëve dhe të ekzekutuarëve nga familja jonë arriti në 15 vetë dhe dhjetë të tjerë vuajtën për vite të tëra në burgjet e tmerrshme të Serbisë dhe Shqipërisë. Regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj familjes së Boletinëve ndoqi po atë politikë të cilën kishte ndjekur për shumë vjet regjimi komunist i Titos dhe si rezultat i kësaj vetëm në vitin 1962-in, Isa Boletinit iu akordua titulli i lartë i Heroit të Popullit. Edhe pas kësaj familja jonë vetëm një herë pati ftesë zyrtare për të shkuar në Vlorë në përvjetorët e ditës së ngritjes së Flamurit dhe në 1981 kur u inagurua monumenti i gjyshit tim Isa Boletinit në Shkodër, familjen tonë nuk e thirrën, duke na thanë se na kishin harruar”. Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al është 67-vjeçari Isa Boletini, (nipi i Isa Boletinit) ish-mësues i Edukimit Fizik, Mjeshtër Sporti dhe arbitër ndërkombëtar i volejbollit, i cili rrëfen se si u trajtua familja e tij si nga regjimi komunist i Titos në Jugosllavi, ashtu dhe nga ai i Enver Hoxhës në Shqipëri. Po si filloi hakmarrja e regjimit komunist të Tiranës ndaj familjes së Isa Boletinit dhe kush ishin viktimat e asaj familje që u ekzekutuan, vranë, burgosën dhe internuan të nxitur politika zyrtare e Beogradit? Lidhur me këto e fakte të tjera nga historia tragjike e familjes Boletini, na njeh rrëfimi i nipit të tij Isa Boletinit të ri, i cili e ka ndjerë vetë mbi shpatullat e tij peshën e rëndë të dhunës së regjimit komunist të Enver Hoxhës.
GENOCIDI MBI BOLETINËT
Po si qëndron e vërteta ndaj vrasjes së djalit të Isa Boletinit nga komunistët shkodranë në 1944-ën dhe cili ishte qëndrimi që mbajti regjimi komunist ndaj kësaj familje pas mbarimit të Luftës? Lidhur me këtë Isa Boletini i ri dëshmon: “Vrasja e babait tim nënkolonel Adem Boletinit, u krye në 23 nëntor të vitit 1943 nga komunistët shkodranë të udhëhequr nga Vasil Shanto. Ajo vrasje u nxit dhe u urdhërua nga komunuistët serbë që në atë kohë drejtonin dhe Partinë Komuniste në Shqipëri, si shenjë hakmarrje ndaj gjyshit tim Isa Boletinit i cili luftoi për vite me rradhë ndaj serbo-malazezëve. Në atë kohë vrasja e Ademit, u prit me indinjatë të madhe nga gjithë populli i Shkodrës që e dënoi atë akt barbar, sepse Adem Boletini shërbente si ushtarak dhe nuk ishte përzier asnjëherë në politikë. Ndonëse unë nuk kam qenë më shumë se nëntë vjeç, e mbaj mënd shumë mirë varrimin madhështor, që i bëri populli i Shkodrës babait tim Ademit, ku edhe rinia Antifashiste e qytetit u detyrua dhe solli kurorën e saj. Që nga ajo kohë, për të mbulaur atë krim dhe indinjatën e madhe të popullit të Shkodrës, komunistë hapën fjalë se gjoja Adem Boletini ishte vrarë pa dashje dhe shënjestra e atentatit kishte qenë major Ndrec Prenga, Qarkomandanti i Xhandarmërisë së Shkodrës. Po kjo gjë u hodh poshtë po prej tyre nga dy traktet që ata hodhën menjëherë pas asaj vrasje. Nga ato dy trakte, më kujtohet si tani vetëm i pari që ne mundëm ta gjenim, ku për vrasjen e babait flitej vetëm në dy rreshtat e fundit. Aty thuhej: “Adem Boletini nuk ishte i dënuar me vdekje nga PKSH, por qëndrimi i tij me major Ndrec Prengën ishte i pajustifikeshëm”, kujton Isa Boletini rreth vrasjes së babait të tij Ademit, që ishte dhe djali i tretë i Isa Boletinit.
KALVARI I BOLETINËVE NË SHQIPËRI
Qëndrimi që mbajti regjimi komunist i Tiranës pas vitit 1944 ndaj familjes së djalit të Adem Boletinit, tregoi më së miri se vrasja e Adem Boletinit kishte qenë e paramenduar prejt tyre dhe jo gabimisht ashtu si u përpoqën ta paraqesnin ata. Lidhur me këtë hedh dritë dëshmia e Isa Boletinit i cili shprehet: “Sikur të mos mjaftonte ekzekutimi i babait tonë Ademit, regjimi komunist që erdhi në pushtet në 1944, i nxitur nga politika zyrtare e Beogradit vazhdoi hakmarrjen ndaj familjes së Isa Boletinit. Kështu në vitin 1947 u arrestua nëna ime Adile Bekteshi, e cila vuajti pesë vjet në burgjet e skëterrës komuniste, ku nga kushtet e këqia mori dhe disa sëmundje të cilat nuk iu ndanë deri sa vdiq. Burgosja e nënës sime nga komunistët erdhi si pasojë edhe e faktit se motra e saj ishte bashkëshortja e Jup Kazazit, njërit prej antikomunistëve më të njohur i cili në 1947 organizoi dhe revoltën e armatosur që kishte si synim përmbysjen e regjimit komunist. Pas dënimit të nënës sonë, gjykata dha vendimin edhe për sekuestrimin e pasurisë, ndonëse ne nuk kishim asnjëlloj pasurie dhe në Shkodër banonim tek shtëpia e dajës, mjekut të njohur Dr. Selaudin Bekteshit. Deri aty nga fillimi i viteve 60-të, për ne si familje u nxorrën tre vendime që të largoheshim nga Tirana. Herën e tretë ne qëndruam të fshehur për një muaj dhe u desh ndërhyrja e dajës sonë Dr. Bekteshit që të kthehej urdhëri që ishte dhënë për dëbimin tonë nga Tirana. Edhe pas kësaj, qëndrimi i regjimit komunist ndaj familjes sonë ka qenë elastik në varësi të konjiukturave politike. Kështu kishte shumë raste që mua më largonin nga Arsimi dhe më dërgonin të punoja si puntor. Po kështu dhe vëllai Enisi i cili mezi mundi të diplomohej si mjek (nën kujdesin e dajës Dr. Bekteshit) pasi dy vjet shkollë i bëri natën, ndonëse ishte mjek i njohur tre herë e kanë pushuar nga puna dhe e dërgonin në morg. Qëndrimi i regjimit komunist ndaj familjes sonë ndryshoi vetëm pas vendosjes së monumentit madhështor të Isa Boletinit në qytetin e Shkodrës në vitin 1981, ku në inagurimin e tij familjen tonë nuk e thirrën duke na thënë se kishin harruar. Po kështu gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist deri në vitin 1990, familja jonë u thërrit vetëm njëherë të merrte pjesë në përvjetorët e Shpalljes së Pavarsisë në Vlorë, kurse pas viteve 90-të ne nuk na kanë thërritur asnjëherë”, e përfundon rrëfimin e tij Isa Boletini duke shtuar se vlersimin që Isa Boletinit nuk ia bëri siç duhet regjimi komunist në Shqipëri, ia bënë në Kosovë, ku me inisiativën e vetë Presidentit Rugova, janë mbajtur disa sesione shkencore dhe janë botuar me dhjetra studime rreth figurës së tij.
TE VRARE NGA SERBET
Halil Boletini 1833
Mujë Boletini 1892
Ahmet Boletini 1894
Isa Boletini 1916
Halil Boletini 1916
Seid Boletini 1916
Jonuz Boletini 1916
Halit Boletini 1916
Musa Boletini 1944
Skënder Boletini 1944
Asllan Boletini 1945
Faik Boletini 1947
Isuf Boletini 1947
Rasim Dajçi (nip) 1945
Hysni Rudi (nip) 1945
TE BURGOSUR NE JUGOSLLAVI
Mujë Boletini 3 vjet
Kapllan Boletini 20 vjet
Ali Boletini arrtisur nga burgu
Tafil Boletini burgosur në 1945
Ikbale Boletini burgosur në 1945
Kumrie Boletini burgosur në 1945
TE VRARE DHE TE BURGOSUR NE SHQIPERI
Adem Boletini vrarë në 1943
Tafil Boletini burgosur në 1945
Adile Boletini burgosur në 1947
Ismet Boletini burgosur në Spaç
Enver Dajçi (nip) burgosur në Spaç
Familja e madhe e Isa Boletinit nga Mitrovica e Kosovës
Origjina e herëshme e familjes së Boletinëve prej nga rrjedh i famëshmi Isa Boletini, është nga fshati Isniq. Në atë fshat që përpara periudhës së Skënderbeut thuhet të ketë ka banuar i pari i tyre që quhej Lekë, i cili ka pasur tre djem: Nika, Cana dhe Preka. Nga këta tre vëllezër që jetuan në fshatin Isniq, rrodhën dhe u krijuan tre lagje, që morën emrat: Niklekaj, Canalekaj dhe Preklekaj të cila u shumuan dhe arritën deri në 500 shtëpi. Si shumë familje të mëdha patriakale të asaj periudhe, edhe familja e Lekës e ata që erdhën pas tij deri në pesë breza, të detyruar nga presionet e pushtimet osmane dhe për t‘ju shpëtuar pagimit të taksave dhe detyrimeve ndaj Turqisë, iu vunë fëmijëve të tyre emra të ndryshëm si Mujë, Demë, Hajdar dhe Myrsel. Kështu nga barku i familjes së Hajdarit dhe vëllait tij Halitit, rrodhi dhe u krijua lagjia Zhazhë, kurse nga barku i vëllait tjetër Ahmetit, rrodhi dhe u krijua lagjia Muslije. Nga barku i Adem Myrselit rrodhi shtëpia e Ahmet dhe Isa Boletinit. Më pas duke u shtuar numri i tyre, rreth 180 shtëpi u shpërngulën nga fshati Isniq dhe u vendosën rreth e rreth Istogut ku formuan katundet Tomoe, Muzhevinë, Prekallë, Rudicë,
Zabllac, Trubuhovcë, Boletin e Zharcë. Po kështu në atë kohë nga Isniqi janë shpërngulur edhe më shumë se 50-60 shtëpi të tjera të cilat u vendosën nëpër fshatra dhe qytete të ndryshme të Kosovës. Sipas një studimi të Prof. Skënder Luarasit, thuhet se të parët e kësaj familje të detyruar nga depërtimet e pushtuesëve osmanë, kanë zbritur nga viset veriore ku banonin në atë kohë dhe janë vendosur në fshatin Boletin aty rreth vitit 1529, ku morën dhe mbiemrin Boletini. Ky fshat i cili është dhe vëndlindja e Isa Boletinit, ndodhet jo shumë larg qytetit të Mitrovicës (në veri të saj) i cili duket si një qytezë e vogël i vendosur mbi faqen e një shkëmbi të madh, përbri një shpati që vëndasit e quajnë Sokolaj. Aty nga viti 1750, kullat e Boletinëve u dogjën për herë të parë nga taborret e ushtrisë turke, kur këta marshuan në drejtim të asaj krahine për të kapur Hajdarin e Demë Mujë Nikës dhe vëllezërve të tij Halilit e Ahmetit. Duke qenë si fisi i Boletinëve nuk u pajtua asnjëherë me politikën e Portës së Lartë të Stambollit dhe ishte gjithmonë në gjëndje lufte me ta, kullat e tyre në fshatin Boletin u dogjën përsëri në vitet 1830-1832 kur ushtria turke erdhi për të kapur Adem Boletinin. Po kështu në vitin 1892 ajo kullë u dogj përsëri nga turqit në luftrat që ata bënë kundër Ahmet Boletinit. Historia e familjes Boletini vazhdon me Isa Boletinin (u lind në fshatin Boletin në 15 janar 1864) i cili vazhdoi luftrat kundër turqëve dhe si rezultat i saj, zjarri mbi kullat e Boletinëve u vu përsëri nga Hafëz Pasha i cili i dogji ato në vitin 1895. Pas kësaj kullat e Boletinëve u dogjën edhe dy herë rradhazi nga xhonturqit në vitet 1908 dhe 1914, në luftrat që ata bënë kundër Isa Adem Boletinit. Isa Boletini pati nëntë djem dhe pesë vajza, të cilat quheshin: Halil, Zahid, Mujë, Adem, Musë, Bajazit, Asllan, Faik, Kapllan, Azize, Havize, Shehdije, Ajete dhe Feride. Isa Boletini pasi u bë një nga prijsit kryesorë të shqiptarëve të Kosovës në luftrat e tyre kundër pushtimit osman, një nga ngjarjet më të njohura të jetës së tij, është pjesmarrja në ngritjen e Flamurit në Vlorë në nëntorin e 1912-ës ku Ismail Qemali shpalli Pavarsinë e Shqipërisë. Isa Boletini u vra nga forcat serbo-malzeze të Gjeneralit Vukoviq, teksa ishte duke kaluar në urën e Ribinicës në qytetin e Podgoricës. Bashkë me Isa Boletinin, atë ditë u vranë dhe shtatë pjestarë nga familja e tij, duke filluar nga djali i tij i madh Halili (24 vjeç), djali tjetër Zahidi (18 vjeç) që në atë kohë ishte student në Vjenë, dy nipat Jonuzi (26 vjeç) dhe Halili (24 vjeç) si dhe tre kushërijtë e tyre të quajtur Hajdar Selim Radisheva, Misin Niman Bala dhe Idriz Bislimi. Pas vrasjes së Isa Boletinit, në vitin 1916, që përkon edhe me largimin e ushtrisë osmane nga Shqipëria, familja e madhe e Boletinëve që jetonin në fshatin me të njëjtën emër në afërsi të Mitrovicës, u muar me administrimin e pronave të tyre. Përveç këtyre pronave të cilat konsistonin në toka bujqësore, blegtori me mijra kokë dele dhe kullota që shtriheshin në të gjithë fshatin Boletin, familja Boletini ka qenë e njohur dhe për prodhimin e gurëve të Mademit për mullijtë e blojës, të cilat shiteshin deri në Hungari. Në vitin 1944 me ardhjen në pushtet të regjimit komunist të Titos, familja Boletini iu nënshtrua një persekucioni të egër dhe barbar, duke bërë që djemtë, nipat dhe mbesat e Isa Boletinit të ndiqeshin, pushkatoheshin dhe burgoseshin. Po e njëjta gjë ndodhi dhe me pjesën tjetër të familjes së Isa Boletinit që ndodhej në Shqipëri, ku që në 1943 u vra me atentat djali i Isës, nënkolonel Adem Boletini dhe më pas disa nga nipat e kësaj familje vuajtën nëpër burgje dhe internime. Si rezultat i kësaj politike që u ndoq nga regjimet e Beogradit dhe Tiranës në harkun kohorë të 80 vjetëve, nga familja e Isa Boletinit janë vrarë apo ekzekutuar 15 vetë dhe dhjetë të tjerë vuajtën me vite të tëra në burgje dhe internime. Regjimi komunist i Tiranës duke ndjekur dhe mbajtur ndaj familjes Boletini të njëjtin qëndrim si ai i Beogradit, nuk ia dha Isa Boletinit vëndin që i takonte në Historinë e Shqipërisë. Si rezultat i këtij qëndrimi, deri në vitin 1962 ai mbante vetëm urdhërin “Skënderbeu” dhe në atë vit, në kuadrin e 50-Vjetorit të Pavarsisë, iu akordua titulli i lartë “Hero i Popullit”. Pas kësaj rreth 20 vjet më vonë në vitin 1981, atij iu ngrit një monument madhështor në qytetin e Shkodrës dhe në inagurimin e tij nuk u thërritën dy nipat e Isa Boletinit, Enisi dhe Isai që jetonin në Tiranë.
Këtë foto të huajtur nga Micky Haxhiislami postuar në grupin “Albanian Vintage Photography, people, cities,…
Shkaqet e kancerit kanë mbetur të pakapshme, duke e bërë të vështirë zhvillimin e…
Tatuazhi është një formë e artit dhe shprehjes personale që ka ekzistuar për mijëra…
Shenjë delikate në këmbë që mund të nënkuptojë një sulm në zemër, paralajmëron mjeku…
Britanikët u paralajmëruan sot për një parazit që shkakton diarre të rëndë, pasi Mbretëria…
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë ka propozuar që pambuku të eliminohet, sepse përmban lagështi brenda…