Në Muzeun e Teatrit dhe Kinematografisë në Tbilisi gjenden shënime, ditarë, fotografi nga xhirimet e filmit “Luftëtari i madh Skënderbeu”. Roli i Heroit Kombëtar Shqiptar i dha një njohje ndërkombëtare aktorit gjeorgjian Akaki Horava, i cili rikthehet në vëmendjen e shqiptarëve në Vitin e Skënderbeut nga historiani Adrian Brisku. Në kërkim të informacioneve për aktorin e madh gjeorgjian, historiani shqiptar ka takuar ish-nxënës të Horavës, ka vizituar muzeume e ka shfletuar intervista të kohës së vetë aktorit. Ky i fundit fliste me dashuri për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, për të cilin thoshte që ka një kulturë të pasur në veshje e në muzikë.
ADRIAN BRISKU
Pasioni që Akaki Horava kishte për teatrin dhe filmin e bëri atë, që në vitin 1939, së bashku me një kolegun e tij, të themelonte Institutin e Shtetit Popullor të Teatrit “Shota Rustaveli,” ku u bë dhe drejtori i saj dhe jepte leksion si pedagog i Regjisurës deri ne vitet e fundit të jetës së tij. Po ashtu, midis viteve 1949 e 1955 – në vitin 1953, ai ndodhej në Shqipëri për xhirimin e filmit – ai u bë drejtor i Teatrit Rustaveli (ku bëri dhe karrierën e tij), themeloi Shoqërinë e Teatrit të Gjeorgjisë dhe ishte president i saj për disa vite. Po ashtu, që nga viti 1950 ishte anëtar i Komitetit Sovjetik të Mbrojtjes së Paqes; një organizatë shtetërore përgjegjëse për bashkërendimin e lëvizjeve aktive të paqes në Bashkimin Sovjetik, me mision kundërshtimin e luftërave dhe militarizimin në vendet antikomuniste, por që nuk e ngrinin zërin kundër proceseve të tilla në vendet komuniste, në fakt iu kundërvunë kritikave nga jashtë, kur sovjetikët filluan testimin atomik në fillim të viteve 1960.
Në intervistën me një nga ish-studentët e tij në Tbilisi, në mes të korrikut 2018, aktorin dhe “Artistin e Popullit”, Zhanri Lolashvili, ky i fundit shprehej me superlativa për Horavën si profesor, ku ai i dha mësim në Institutin e Teatrit, midis vitit 1963 e 1968, si gjeni-aktor dhe si një njeri “guliskuri” (me zemër të madhe). Duke filluar dhe me një përshkrim të fizikut të tij, “me trup të madh e impozant dhe një formë koke, të cilat duken bukur jo vetëm në filmin E Skënderbeut, por dhe në statujën [që ndodhet diku në qendër të Tbilisit], që i bëri skulptori i famshëm gjeorgjian, Nikoloz Kandelaki”, ai shtoi se Horava ishte një “njeri i periudhës sovjetike, me humor të veçantë… po të merret parasysh që ishte periudha represive e Stalinit dhe Beries së vitit 1937, e cila i bëri artistët të ishin të frikësuar dhe të mos flisnin”.
Por, gjithsesi, ai e kujton atë si një “gjeni, i cili edhe pse t’i shpjegonte gjërat mirë, përsëri nuk ia arrije t’i bëje si ai, sepse jo vetëm me stilin e aktrimit, me një zë fantastik dhe të jashtëzakonshëm – sepse në atë kohë për aktorët ishte i rëndësishëm zëri – por dhe nga ana fizike, ai ishte një atlet i vërtetë”. Sipas Lolashvilit, Horava kishte një dhunti të lindur e jo të studiuar; me mbitone të zërit, me të cilat nëse qëndroje pranë, “të bënte hipnozë”, me qartësinë dhe fuqinë e artikulimit të fjalës. “Ai,-tregonte Lolashvili,-të dëgjonte shumë mirë dhe kishte një muzikalitet të madh”.
Njëherë rreth mespranverës së vitit 1967, kujtonte Lolashvili, kur kishte dalë fjala se Teatri shtetëror në Samegrelo do të mbyllej, Lolashvili së bashku me studentët e tjerë shkuan atje për ta ndaluar këtë gjë. Ndërkohë, Horava, i cili kishte ditëlindjen në ato ditë, kishte plan për shkuar në fshatin e tij. U ftua nga ata në një banket për ditëlindjen në qytetin e Zugditit (kryeqendra e Samegrelos) dhe i sollën atje një kalë të mrekullueshëm të racës arabe. “As nuk u mendua shumë dhe u bë gati t’i ngjitej kalit, por nuk e lanë për shkak të moshës. Iu kujtua Skanderbegoba (-oba, një formë gjuhësore në gjeorgjisht që të jep sensin e një kohe të veçantë, të diçkaje të veçantë; në këtë rast koha e xhirimit të filmit të Skënderbeut)”, rrëfente me të qeshur Lolashvili.
FILMI, FIGURA E SKËNDERBEUT, SHQIPTARËT DHE HISTORIA E TYRE NËN VËSHTRIMIN E HORAVËS
Si ndodhi që Horava u bë protagonisti i filmit dhe çfarë mendonte ai për të, për shqiptarët dhe historinë gjatë asaj kohe? “Për mendimin tim,-shtoi Lolashvili, i cili edhe vetë e konsideronte Skënderbeun si një “njeri fantastik”, edhe pse nuk ishte i sigurt pse kishte këtë titull ushtarak osman, Horava nuk do ta kishte pranuar rolin nëse nuk do të ishte impresionuar nga personaliteti i Skënderbeut dhe nga historia e popullit shqiptar”. Xhirimet e filmit nisën në fillim të 1953-shit. Dhe filmi ishte gati për t’u shfaqur në Ditën e Pavarësisë (dhe të Çlirimit) të Shqipërisë të po atij viti. Filmi ishte një bashkëpunim midis “Mosfilmit” (kinostudio sovjetike) dhe Kinostudios “Shqipëria e Re” – për këtë të fundit, e themeluar në të njëjtin vit me xhirimin e filmit, ky ishte projekti i parë pilot me një film artistik të një zhanri të tillë.
Nga këndvështrimi politik i kohës, kur Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës ishte në kulmin e marrëdhënieve të mira me Bashkim Sovjetik të Stalinit, rëndësia e suksesit të këtij filmi ishte e jashtëzakonshme edhe për faktin po aq të rëndësishëm, që siç dhe Lenini ishte shprehur kohë më parë, me metaforë ushtarake për rëndësinë e artit të filmit, “kinemaja është artileria e rëndë e artit”. Dhe në Shqipërinë komuniste, përgjithësisht, kjo ide u përcoll edhe në këtë film dhe në të gjithë të tjerët që ndoqën pas”.
Regjisori i filmit ishte rusi Sergej Jutkeviçi, skenaristi ishte gjeorgjiani Mihail Papava. Ky i fundit, përpara se të fillonte xhirimi i filmit, kishte qenë në Shqipëri për disa muaj, për të vizituar vendet e duhura, për të mbledhur dokumentet dhe materialet e nevojshme dhe për t’u konsultuar me historianët shqiptarë (historiani Xhufi ne atë programin televiziv përmendi profesorin Aleks Buda, në rolin e konsulentit historik). Jutkeviçi shprehej në vitin 1954, se skenari i Papavës krijoi “imazhe të qarta vizuale”, kështu që i mbetej – shkruhej në një artikull të botuar në Tbilisi po atë vit – atij t’ia shtonte interpretimin dhe “Horavës t’i jepte tonin”. Aktorë të tjerë gjeorgjianë, përveç Horavës, ishin, siç u përmend dhe më lart, aktorja po aq me famë në Gjeorgji, Veriko Anjaparixe, Sergo Zakariaxe si dhe një aktore ruse e një armen. Ndërsa disa nga aktorët shqiptarë më të njohur të kohës, me të cilët Horava krijoi mbresa shumë të ngrohta, ishin: Besa Imami, Adivie Alibali, Naim Frashëri e kështu me radhë.
Filmi garoi në Festivalin e 1954-s në Kanë të Francës, ku dhe mori Çmimin Ndërkombëtar. Në një pjesë të mirë të kujtesës personale të Horavës, të cilin një studenti im gjeorgjian, David Gurgenixe, e pa këtë fillim vjeshte – të ruajtur në shtëpinë e bashkëshortes së nipit të gruas së Horavës (Horavës i lindi një djalë, por i vdiq në moshë të njomë), zonja Nina Çankvetaxe, e cila ka krijuar një dhomë memoriali për Horavën, ku gjenden në mes të shumë kornizave fotografike edhe një portret i tij gjatë xhirimit të filmit të Skënderbeut – gjendeshin dhe ditarë e shënime në gjuhën frënge dhe ruse. Këto shënime e ditarë regjistrojnë jehonën e tij, që filmi dhe prestigji e fama, të cilën ai gjeti jo vetëm në Bashkimin Sovjetik, por dhe në Francë e Gjermani, ku u bënë shfaqje të veçanta gjatë muajve nëntor e dhjetor të vitit 1955. Pas rolit të Otellos në teatër, roli i Skënderbeut në film i dha atij një njohje ndërkombëtare.
Prekëse për mua – sepse ishin në shqip dhe ai nuk i kuptonte tekstet – ishte gjetja e dy artikujve, në memorialin e bërë nga zonja Çankvetaxe, të botuar në dy revista në Shqipëri, kopertinat e tyre nuk janë – siç dukej ai mund t’i ketë sjellë vetë ato. Njëri, botim bardhezi, me titull “Nga xhirimi i filmit ‘Skënderbeu’”, botuar në maj të vitit 1953, dhe tjetri me ngjyra, me titull “Me xhironjësit e filmit me ngjyra ‘Skënderbeu’”, me autor Hasan Petrelën, data nuk duket. Në të dy ata artikuj ilustrohet me tekst dhe fotografi skena dhe procesi i xhirimit të filmit.
Si një film i zhanrit të dramës heroike, i vlerësuar dhe i cilësuar nga kritikët sovjetikë – kritika e vetme që dëgjohej ishte se “skenat lirike” (romantike) midis Skënderbeut dhe Donikës nuk ishin aq të rrjedhshme – të kohës si “monumental” (madhështor) nga gazeta “Pravda”, është e vështirë të thuhet nëse ai është i përsëritshëm tani në Shqipëri. Kjo është sepse jo vetëm për përmasat e tij madhështore skenografike, burimeve të mëdha njerëzore e financiare, por edhe llojin e zhanrit dhe interpretimit, që mund të jepet kontekstit historik në dritën e debateve mbi mitin dhe historinë e Skënderbeut.
Në periudhën komuniste në Shqipëri, filmi nuk shfaqej rregullisht; për më tepër disa aktorë shqiptarë u përndoqën dhe vuajtën nga regjimi komunist. Nga kujtesa ime e fëmijërisë – i rritur gjatë dekadës së fundit të sistemit komunist në fshatin Kuqan të Elbasanit – nuk më kujtohet ta kem parë atë në ekranin e RTSH-së. Por kolegë të lindur disa vite më parë më tregojnë se ndonjëherë ai shfaqej. Rrjedhimisht, për herë të parë e pashë si adoleshent pas ndryshimit të sistemit, ku më kujtohet të më ketë nxitur një ndjenjë krenarie kombëtare. Por, pas shumë kohësh studimi, jetese dhe pune jashtë Shqipërisë, duke përfshirë dhe katër vjet në Tbilisi, nuk më kishte rënë rasti për ta rishikuar, përveç tani në përgatitje për ketë artikull – përgatitje që nënkupton dhe punë kërkimore në arkivat në Tbilisi – për të kuptuar më shumë. Siç dhe u përmend më lart, figura a Horavës gëzon një respekt të madh në qarqet intelektuale e kulturore në Gjeorgjinë postsocialiste; përveç bustit, atij i është dhënë emri i një rruge në qendër të Tbilisit dhe, detyrimisht, veprimtaria, veprat dhe letërkëmbimet e jetës së tij janë ruajtur me kujdes në arkivin e Muzeumit të Teatrit dhe Kinematografisë gjeorgjiane. Ky i fundit është vendosur në një ndërtesë të saporikonstruktuar të stilit modern rus, të fundshekullit të nëntëmbëdhjetë, të cilën e vizitova në fund qershorit 2018 pas pjesëmarrjes në konferencën ndërkombëtare akademike, në lidhje me 100-vjetorin e krijimit të Republikës së Parë nën temën, “Republika Demokratike e Gjeorgjisë pas 100 vjetësh: Një model për Europën”.
Në lidhje me Horavën dhe filmin, arkivi mban një sërë dokumentesh e korrespondencë të tij përpara dhe pas bërjes së filmit, si dhe një numër fotografish të bëra gjatë xhirimit të filmit. I pari dokument është një urdhëresë e lëshuar më 16 dhjetor 1952 nga Seksioni i Kulturës së Këshillit të Ministrave të Republikës Sovjetike të Gjeorgjisë, i cili i kërkon Teatrit Rustaveli, që nga datat 15 janar deri në 1 korrik 1953, Horava të lirohet nga detyra e drejtorit të Teatrit, për të marrë pjesë në xhirimin e rolit të Skënderbeut. Dokumenti tjetër në arkiv –në mënyre kronologjike – ishte Urdhri i Lirisë, i Shkallës së Parë, i lëshuar nga Presidiumi Kombëtar i Republikës Popullore të Shqipërisë, me president Haxhi Lleshin. Në tekstin e shkruar në shqip dhe të marrë në Gjeorgji, më 8 mars 1954, të përkthyer në rusisht, shprehet mirënjohje: “Për punën krijuese, dhe aktrimin e rrallë të rolit të heroit tonë legjendar Gjergj Kastrioti, në filmit artistik ‘Skënderbeu’ dhe me meritë të madhe përpara kombit e atdheut tonë, përjetësove me mjeshtëri të madhe artistike një nga imazhet me të lavdishme të historisë sonë kombëtare”.
Këtij urdhri dhe vlerësim maksimal nga shteti shqiptar komunist, Horava i përgjigjet me një letër me tri faqe, të shkruara më 27 tetor 1954 dhe në kuadër të dhjetëvjetorit të çlirimit të Shqipërisë, drejtuar “Shqipërisë dhe shqiptarëve”. Aty Horava flet me shume përzemërsi për rezonancën që filmi mbi Skënderbeun – të cilin e cilëson si “hero legjendar, patriot i madh, shtetbërës i mençur, luftëtar i shquar dhe biri me i madhërishëm i popullit shqiptar” – gjeti kudo, dhe qe i mbetej a paharruar në kujtesën e tij qëndrimi në Shqipëri, ndjenjat që krijoi për njerëzit aty, si dhe respektin për historinë shqiptare.
Në këtë letër del qartë se Horava e kuptonte historinë e Shqipërisë, e sidomos atë të epokës së Skënderbeut, me të njëjtat tekste të përdorura dhe në vetë filmin, domethënë ai përdore shprehje të tilla si “një komb që luftonte për pavarësi, liri e të ardhme kundër ‘Turqisë sulltanike’, ‘pazarxhinjtë venecianë’, ‘Italia papale’ dhe shumë interesave të tjerë”. Duke e vazhduar letrën me frazeologji të zakonta të kohës, si arritjet dhe talentin e popullit shqiptar, në drejtimin e Partisë së Punës dhe ndihmën dhe miqësinë e popullit të madh sovjetik dhe të dy vendeve të demokracisë popullore, ai e mbyll atë me një urim “për një miqësi të përjetshme midis kombit sovjetik dhe atij shqiptar”, gjë që nuk i rezistoi kohës.
Përtej formalizmit të kohës, Horava me të vërtetë kishte ndenja dhe përvoja mbresëlënëse e të larmishme në krijimin dhe interpretimin e rolit të Skënderbeut, për vetë filmin dhe për marrëdhëniet me aktorët shqiptarë. Gjatë punës sime kërkimore mbi të, duke përfshirë dhe intervista me njerëz, doli që Horava nuk fliste apo jepte shumë intervista. Por, në një nga ato që dha për gazetën “Zaria vostoka”, në 1 dhjetor 1954 në Tbilisi, ai shprehej me plot pasion se si të kuptuarit nga afër e historisë së shqiptarëve e ndihmoi atë që të krijojë imazhin dhe “portretin e figurës aq të dashur për shqiptarët”; se si marrëdhëniet me aktorët dhe me njerëzit e zakonshëm ishin të mrekullueshme dhe “si komb i vogël kishte një pasuri të madhe kulturore, në veshje e në muzikë”. Në këtë intervistë, Horava rrëfente një moment gjatë xhirimit të filmit, kur Veriko Anjaparixe, në rolin e saj të nënës tragjike arbërore, vajtonte djalin e saj të vrarë nga hasmëria dhe se si “të gjithë njerëzit vullnetarë të filmit aty filluan të qajnë me të vërtetë”. Po ashtu, ai kujtonte një rast, kur kthehej pas xhirimit në hotel, në një kërkim të pasuksesshëm për të gjetur radio “Tbilisi”, për të dëgjuar muzikë gjeorgjiane (e cila i mungonte), një nga kolegët e tij shqiptarë bëri që Radio Tirana të luante sistematikisht në valët e saj muzikë gjeorgjiane për sa kohë ai ndodhej aty me xhirimet.
Në një intervistë tjetër, Horava përmendi faktin se roli i Giorgi (ky versioni gjeorgjian i emrit Gjergj) Saakaxes, që ai luajti në 1942 e ndihmoi në krijimin e figurës së Skënderbeut; gjë që mund të lexohet si paralele midis figurave historike shqiptare e gjeorgjiane, si dhe midis eksperiencave të dy popujve ndër shekuj – paralele që i kam dalluar edhe unë në librin tim historik-krahasues, “Europë e Hidhur dhe ëmbël”
NGA HARRESA NE PËRKUJTESË?
Ekziston ende një legjendë urbane në Tbilisi, të cilën ishstudenti i tij e përmendi në intervistën e tij me mua në mes të korrikut; të njëjtën gjë bëri dhe bashkëshortja e nipit të gruas së Horavës gjatë intervistës në fillim të shtatorit. Me pak fjalë, Horava, gjatë kohës së xhirimit të filmit në Shqipëri, dallon një bimë aty që rritet dhe në Gjeorgji, që quhet ekalla (latinisht, smilax excelsa). Unë nuk kam arritur ta kuptoj se cila bimë është në Shqipëri, por gjithsesi në Gjeorgji ajo gatuhet me erëza, arra të shkërmoqura, uthull e hudhra. Në Tbilisi, pra, vazhdon ende miti mes brezave të moshuar, që Horava e gatoi atë për kolegët e tij shqiptarë dhe që aq shumë u pëlqeu atyre, sa jo vetëm ata, por të gjithë shqiptarët tani, e gatuajnë këtë pjatë, të cilën e thërrasin “pjata e Horavës”.
Gjithsesi, ajo çka është e vërtetë, është që Horava u bë një figurë jashtëzakonisht e njohur dhe e dashur për shoqërinë shqiptare të kohës. Zonja Çankvetaxe kujton sesi Akaki e përjetonte me shumë nder rolin e Skënderbeut dhe popullaritetit dhe mirënjohjen që ai gjeti nga të gjithë shqiptarët në Shqipëri. Për të, siç theksohet në një dokumentar televiziv në kanalit publik gjeorgjian, “Pirveli arhi”, i transmetuar në vitet 2000, roli i Skënderbeut ishte “roli i tij më i preferuar”, “Për shikuesit shqiptarë”, vazhdonte rrëfyesi i dokumentarit, “Horava u bë fytyra e vërtetë e Skënderbeut. Këto dy emra u njëjtësuan aq shumë, sa statuja e Skënderbeut u bë sipas portretit të Horavës”. Gazetat dhe revistat e kohës në Shqipëri e komentonin me shumë falënderime për këtë portretizim madhështor të figurës së Skënderbeut. Atij i vinin letra – të gjetura në arkivin e Muzeumin e Teatrit dhe Kinematografisë – nga përfaqësues të artit apo të kulturës shqiptare edhe vite më pas.
Akaki Horava, aktor sovjetik gjeorgjian, i cili krijoi imazhin monumental të Skënderbeut për kujtesën shqiptare – një imazh kinematografik i kohës që luhatet midis mitit dhe historisë – vdiq në vitin 1972; duke lënguar për tetë vjet nga tumori limfatik. Është e vërtetë që ai e përjetësoi këtë imazh kinematografik në memorien dhe historinë shqiptare, po aq e vërtetë është edhe harresa e tij si figure artistike me shume vlerë në memorien e sotme shqiptare. /voal.ch
Historiani shqiptar nga Peja, profesor Doktor Jahja Drançolli ka publikuar më 8 Gusht 2019,…
Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit shqiptaro-polak në Shkodër është gjetja e…
Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…