Qëndresa e organizuar e fisnikëve shqiptarë, herë-herë e bashkërenduar edhe me anzhuinët e me fuqi të tjera evropiane, kishte mundur t’i mbajë serbët për mjaft kohë larg Durrësit e Principatës së Arbrit. Por pushtimi i këtyre të fundit si dhe i gjithë tokave shqiptare, njohu një shkallëzim të ri në kohën e sundimit të mbretit serb, Stefan Dushanit (1331-1355). Që në verën e vitit 1336, në ujdi me perandorin bizantin Androniku III Paleolog, i cili në atë kohë drejtonte ekspeditën ndëshkimore në Shqipërinë e Poshtme, mbreti serb organizoi një fushatë të madhe, në përfundim të së cilës pushtoi viset qendrore midis Matit e Shkumbinit.
Pushtimi serb u bë shkas për riorganizimin e krerëve shqiptarë. Për t’i dhënë më tepër gjerësi qëndresës së tyre, këta iu drejtuan për aleancë mbretit Robert Anzhu të Napolit, i cili ishte i interesuar së tepërmi për Durrësin e prapatokën e tij që anzhuinët vazhdonin t’i konsideronin feud të tyre.
Në fakt, mbreti Robert dërgoi që atë vit në Shqipëri një ushtri të vogël nën komandën e djalit të tij, Luigjit, e cila duhej të bashkëpunonte me forcën kryesore të kryengritësve shqiptarë. Në muajin dhjetor midis Luigjit, që përfaqësonte mbretin Robert, dhe despotit Andre II Muzaka, përfaqësuesit të krerëve feudalë shqiptarë, u nënshkruan në Durrës paktet e aleancës që hapeshin me premtimin anzhuin për t’u ofruar ndihmë ushtarake fisnikëve shqiptarë. Paktet në fjalë numëronin edhe një sërë të drejtash e privilegjesh, të cilat anzhuinët ia njihnin posaçërisht despotit Andre Muzaka dhe familjes së tij. Të tilla të drejta e privilegje kishin të bënin me pronat e pasuritë e tundshme e të patundshme të Muzakajve, me titujt, nderet e ofiqet, që u ishin dhënë atyre që së hershmi nga perandorët e Bizantit e që do t’u jepeshin në të ardhmen nga mbretërit anzhuinë etj. Kundrejt këtyre, despoti Andre Muzaka duhej të konfirmonte bindjen dhe besnikërinë e tij ndaj oborrit anzhuin e t’i garatonte ato duke dërguar peng në Napoli njërin nga djemtë e tij.
Një traktat të ngjashëm anzhuinët e nënshkruan dy vjet më vonë, më 1338, edhe me kontin Tanush Topia, të cilit i konfirmuan zotërimin e tokave midis Matit e Shkumbinit bashkë me dhënien e një shpërblimi vjetor prej 1 000 grosh.
Përmbajtja e pakteve në fjalë, si dhe ecuria e deriatëhershme e marrëdhënieve të oborrit anzhuin me krerët shqiptarë, tregojnë se pozita e tyre kundrejt njëri-tjetrit kishte ndryshuar në favor të të dytëve. Anzhuinët jo vetëm nuk ishin në gjendje të impononin me forcë sundimin dhe vullnetin e tyre, por në të kundërtën, ata përpiqeshin t’i joshnin me tituj e privilegje zotërit e plotfuqishëm shqiptarë për të ruajtur sovranitetin e tyre formal mbi Durrësin e mbi prapatokën e tij.
Mobilizimi i ri i fisnikëve shqiptarë nuk mundi t’u bënte ballë për një kohë të gjatë sulmeve të përsëritura të serbëve. Brenda vitit 1343 forcat eprore të Dushanit kishin mundur të shtronin territoret e Arbrit të hershëm, me kryeqendër Krujën. Po atë vit qyteti i Beratit pësoi sulmin e parë nga një ushtri serbe që vinte nga ana e Ohrit. Në verën e vitit 1346 ishte vetë Stefan Dushani, që në krye të një fushate të madhe, pushtoi njërën pas tjetrës kështjellat e Kosturit, Beratit dhe të Kaninës. Në 2-3 vjetët që pasuan, Stefan Dushani, i cili që prej vitit 1346 filloi të quhej “perandor i Romanisë, i Sklavonisë dhe i Arbërisë”, aneksoi Epirin e Thesalinë, duke krijuar një perandori të re ballkanike, kufijtë e së cilës fillonin nga Danubi e përfundonin në gjirin e Korintit dhe në detin Egje.
Një numër popujsh të huaj, shqiptarë, bullgarë, grekë, vllehë hynë në përbërje të Perandorisë Serbe. Perandoria e Stefan Dushanit qe konkretizimi i ambicieve pushtuese të klasës feudale serbe. Në vendet e pushtuara feudalët serbë u pajisën me fonde të mëdha tokësore që iu rrëmbyen popullsisë vendase. Burimet historike dëshmojnë masat veçanërisht të ashpra që Stefan Dushani zbatoi në dëm të popullsisë shqiptare. “Arbrit janë të shtypur keq nga zgjedha e padurueshme dhe tepër e rëndë e sunduesve të urryer sllavë….. Klerikët poshtërohen e persekutohen, fisnikët shpronësohen e burgosen”, shkruhet në një relacion të vitit 1332 të kryepeshkopit frëng të Tivarit, Guljelmi i Adës.
Pushtimi serb solli ndryshime të mëdha përsa i përket përbërjes së elitës sunduese. Në krahinat apo në qytetet e pushtuara u vendos një administratë serbe, në krye të së cilës qenë njerëzit më të afërt të carit, të cilët mbanin sipas rastit titujt despot, cezar, qefali etj. Kështu, në krye të provincës së Beratit u vu despoti Ivan Aseni, kunati i carit serb, në Epir u zgjodh Simeon Uroshi, vëllai i tij, kurse në Thesali Qezar Preljubi, i cili në vitin 1355 u vra gjatë një revolte të shqiptarëve të atyshëm.
Pushtimi serb solli ndryshime të reja nëpërmjet intensifikimit të shtypjes ekonomike e shoqërore të popullsisë shqiptare. Kodi i Stefan Dushanit, dokumenti kryesor që sanksiononte marrëdhëniet ekonomike, politike e juridike të shtetasve të Perandorisë me pushtetin e carit e të klasës sunduese serbe, përfshinte në sistemin e marrëdhënieve feudale edhe bashkësitë e lira fshatare e blegtorale, duke i dhënë ato si pronë feudale për manastiret e për feudalët serbë. Një masë e tillë godiste rëndë fshatarësinë e lirë shqiptare, posaçërisht atë të zonave malore, që kishte mundur t’i shpëtonte deri atëherë shfrytëzimit feudal e të ruante një farë autonomie politike ndaj pushtetit qendror. Kodi i Stefan Dushanit mbështetej në institucionet juridike dhe dokesore serbe dhe si i tillë ai në shumë aspekte binte ndesh me institucionet dhe traditën e popujve të tjerë që u përfshinë në suazën e shtetit serb. Në mjaft raste ai shpallte ndalimin e institucioneve tradicionale vendase, siç qe ai i mbledhjeve (kuvendeve) të fshatit, ku vendosej e gjykohej për probleme të ndryshme, që tani kalonin në kompetencë të feudalëve të veçantë e të vetë carit serb.
Pasoja sidomos negative pati pushtimi serb në viset veriore shqiptare e veçanërisht në Kosovë, ku sundimi serb zgjati gati dy shekuj. Të pasura me toka bujqësore, me qendra të zhvilluara minerare, zejtare e tregtare, këto territore kishin qenë një joshje e vazhdueshme për mbretërit serbë. Duke filluar nga shek. XIII, mbretërit serbë nga dinastia Nemanja punuan për ta zhvendosur epiqendrën e shtetit të tyre nga Rasha në drejtim të viseve të pasura të Kosovës e të Gentës. Qytetet e këtyre të fundit, Shkodra, Prizreni, Prishtina e Shkupi, u bënë në kohë të ndryshme seli të oborrit serb. Një tjetër qendër e rëndësishme e Kosovës, Peja, prej mesit të shek. XIII u kthye në qendër të kishës autoqefale serbe.
Zhvendosja e qendrave të gravitetit të shtetit serb drejt jugut u shoqërua me dukuri të tjera të natyrës shoqërore e etnike, të cilat qenë më të dukshme në Kosovë. Një pjesë e aristokracisë vendase u shpronësua e u zëvendësua nga aristokracia serbe e tokës, laike e sidomos fetare. Duke filluar nga gjysma e dytë e shek. XIII serbizohen kishat e manastiret e Kosovës dhe ndërtohen shumë syresh, të cilat u pajisën me fonde të mëdha tokësore. Në kohën e sundimit të Stefan Dushanit, aty nga gjysma e shek. XIV manastiret, tashmë të serbizuara, të Deçanit, Greçanicës, Banjskës, Kryeëngjëllit, manastiri i Hilandarit në Malin Athos e krahas tyre peshkopatat e Pejës, Prizrenit etj., zotëronin një pjesë të konsiderueshme të fshatrave të Kosovës e të viseve të tjera veriore shqiptare.
Shtrirja e shtetit serb në drejtim të Kosovës u shoqërua edhe me ardhjen këtu të kolonëve të rinj nga territoret e Serbisë së mirëfilltë (Rashës). Të porsaardhurit populluan fshatrat e braktisura (selishtë) ose u vendosën në pronat e përvetësuara rishtazi nga feudalët apo kishat e manastiret serbe.
Krahas kolonizimit, mbretërit serbë, e në veçanti car Stefan Dushani, zbatuan një politikë që synonte asimilimin e popullsive shqiptare të viseve të pushtuara. Si më të efektshme në këtë drejtim u zgjodhën represioni dhe persekutimet në lëmin fetar. Kapituj të tërë të kodit të Stefan Dushanit dhe urdhëresa të veçanta të carit serb parashikonin masa të rrepta, si sekuestrim të pasurisë, damkosje, dëbim e deri dënim me vdekje për të krishterët katolikë e ortodoksë, që nuk pranonin të konvertoheshin në ortodoksinë serbe e nuk ripagëzoheshin duke marrë emra sllavë. Krahas dokumenteve arkivore dëshmitarë të ndryshëm të kohës, si udhëtari anonim i vitit 1308, kryepeshkopi frëng i Tivarit, Guljelm i Adës (1332), kardinali italian Guido da Padova (1350), e nënvizojnë me theks të veçantë këtë aspekt të politikës së mbretërve serbë ndaj popullsive të pushtuara josllave, e cila ishte sanksionuar në të drejtën mesjetare serbe, kodin e Stefan Dushanit (1349). Masa të tilla goditnin në radhë të parë popullsitë shqiptare të besimit katolik e të atij ortodoks-bizantino të viseve veriore e verilindore, ku presioni i shtetit serb ishte më i fortë.
Ato përcaktuan përhapjen e fenomenit të sllavizimit fetar-onomastik në shtresa të caktuara të popullsisë shqiptare. Kjo është arsyeja që midis shek. XIII-XIV, krahas shqiptarëve gjithsesi të shumtë, që mbanin emra, si Gjin, Dedë, Gjon, Progon, Llesh, gjenden në këto treva edhe shqiptarë të tjerë, të cilësuar nga vetë dokumentacioni si të tillë, që mbanin emra sllavë ose që i ishin përshtatur onomastikës sllave. Emra, si Pribisllav, Radomir, Vladislav apo mbiemrat Vogliç, Kuqeviç, Flokovci, Gjinovci etj., dëshmojnë se në këtë kohë (gjysma e parë e shek. XIV) një pjesë e popullsisë shqiptare të trevave veriore, nën presionin e dhunshëm të pushtuesve serbë, gjendej në një fazë kalimtare të një asimilimi kulturor e fetar. Në mjaft treva ky proces asimilimi u ndërpre në kushtet e reja që u krijuan me shkatërrimin e shtetit serb e mbërritjen e turqve osmanë (gjysma e dytë e shek. XIV). Pikërisht në këtë kohë vihet re aty një kthim i popullsisë në onomastikën karakteristike shqiptare, krahas dukurisë së re të marrjes së emrave osmanë. Megjithatë, në një pjesë të territoreve në fjalë, sidomos në zona të veçanta të Gentës (Zetës), procesi i sllavizimit vazhdoi edhe paskëtaj duke çuar gradualisht në asimilimin kulturor dhe etnik të bashkësive të tjera shqiptare.
Pushtimi serb i Stefan Dushanit, i ngarkuar me pasoja të rënda ekonomike, shoqërore e etnike, ndeshi në qëndresën e ashpër të popullsisë shqiptare. Që në vitin e parë të sundimit të Stefan Dushanit, në trevat veriperëndimore shpërtheu një kryengritje antiserbe, në krye të së cilës u vu bujari Dhimitër Suma (1332). Zgjerimi i saj e nxiti kryepeshkopin e Tivarit, Guljelmin e Adës, të projektonte organizimin e një kryqëzate të Perëndimit kundër serbëve, e cila do të mbështetej në kontributin vendimtar të kryengritësve shqiptarë të zonave të veriut. Në letrën që i dërgonte për këtë qëllim dukës së Burgonjës, Filipit VII Valua, prelati frëng pohonte se për organizimin e kësaj kryqëzate antiserbe nuk mund të gjendej vend më i përshtatshëm sesa zonat kryengritëse në fjalë, “… ku populli arbër mund të nxirrte në luftë më se 15 000 kalorës, burra të shëndetshëm, trima e luftëtarë të mirë, të aftë për çdo betejë”.
Qëndresa e shqiptarëve kundër pushtimit serb nuk qe karakteristikë vetëm për viset e veriut, por për të gjitha trevat shqiptare deri thellë në Epir. Ajo doli akoma më në pah pas vdekjes së carit serb, Stefan Dushanit (1355). Kryengritjet e zonës së Beratit (1356) dhe të Himarës (1358), e reduktuan pushtetin e despotit sllav Ivan Komnen Asenit vetëm në qytetin e Vlorës e në rrethinat e tij. Më 1356 dështoi një përpjekje për të ripushtuar Beratin me ndihmën e ushtrisë së Simeon Uroshit, sundimtarit serb të Epirit. Megjithatë, sipas një shënimi të kohës në një nga kodikët e Beratit, serbët me atë rast u sollën aq mizorisht “saqë edhe të vdekurit i nxorën nga varri”.
Një vit më parë, më 1355, shqiptarët e Thesalisë ngritën krye kundër qeveritarit serb, Qezar Preljubit, dhe e vranë atë. Pak kohë pas ekspeditës së tij kundër Beratit, edhe Simeon Uroshi, vëllai i Dushanit, u detyrua nga shqiptarët e Epirit t’i linte zotërimet e veta. Në këtë mënyrë që nga Genta e Kosova deri poshtë në Epir lindën ose u ringjallën formacione politike të dyerve më të shquara shqiptare, Balshët, Gropajt, Topiajt, Matrëngët, Muzakët, Zenebishët, Bua-Shpatat etj.
Zhvillimi i pavarur politik i trojeve shqiptare hynte tani në një fazë vendimtare, duke i orientuar ato gjithnjë e më shumë drejt krijimit të një shteti të përqendruar shqiptar. /usalbanianmediagroup.com/
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…
Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme. Shkrimi…
Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…