660 CAMET QE MOREN PJESE NE LUFTEN E DYTE BOTRORE LIIB, JA KUSH JANE HERONJTE E CAMERISE
FUSTANELLA E FAMSHME CAME DHE ILIRE ~ SHQIPTARE
Për të çliruar trojet e tyre që ishin pushtuar nga nazifashistët, popullsia çame krijoi formacionet e saj luftuese. Ata ngritën në fillim një çetë dhe më vonë një batalion. Por ndryshe nga çetat e krijuara në atë kohë, me vendim të Partisë, formacioni partizan u krijua nga popullsia çame, për t’u çliruar nga pushtuesit. Çamët luftuan heroikisht dhe batalioni i tyre “Çamëria”, i cili në përbërje kishte më shumë se 600 luftëtarë çamë, u bë një nga formacionet partizane më të rëndësishme të zonës ku veproi. Gazeta “Tirana Observer” boton historinë e krijimit të këtij formacioni partizan si dhe listën e plotë me të gjithë emrat e partizanëve të batalionit “Çamëria”.
Krijimi i çetës Çame
Fillimi i organizimit të LANÇ-it kundër pushtuesve nazifashistë e gjeti krahinën e Konispolit dhe popullin e saj në një situatë të shëndoshë, të parapërgatitur e në kushte shumë të favorshme për organizimin e saj në të gjitha drejtimet. Në Luftën e madhe kundër pushtuesve nazifashistë nuk ngelën pa marrë pjesë edhe partizanë nga Çamëria. Këta luftëtarë do ta kundërshtonin me forcë si pushtuesin e huaj, por edhe qëndrimin e egër që mbanin autoritetet greke. Luftëtarët e parë erdhën edhe nga matanë kufirit, por pjesa dërmuese ishte në territorin shqiptar. Në Shqipëri forcat çame u organizuan në fillim në çetën e quajtur Çamëria, kjo u themelua nga krerët e Konispolit. Në 2 shkurt të 1943, në Markat u krijua çeta dhe komandant u zgjodh Haki Rushiti. Kjo çetë nuk u krijua me vendimin e Komitetit të Partisë së qarkut, ashtu siç ishte bërë për shumë çeta, ajo u krijua me dëshirën e patriotëve çamë. Në të gjithë krahinën u përhap lajmi se ishte formuar një çetë duke e përgëzuar këtë iniciativë. Çeta krijoi lidhje edhe me fshatrat e tjerë çamë në territorin grek.
Menjëherë mbasi ishte formuar, çeta kaloi në veprime luftarake, dhe brenda një kohe të shkurtër ajo krijoi një zonë të lirë nën kontrollin e saj. Veprimtaria e çetës kishte të bënte me prita, me aksione kundër postave ushtarake. Sukseset e çetës bënë që numri i saj të rritej shumë, ajo filloi të shtohej me elementë të rinj. U organizuan mbledhje me qëllim që hasmëritë dhe armiqësitë të faleshin si dhe luftëtarëve t’u krijoheshin kushte sa herë të ishte e nevojshme.
Lufta për çlirimin e Konispolit
Pas kësaj mbledhjeje, çeta iu drejtua Konispolit, pasi kishte izoluar forcat fashiste në të gjitha pikat ku mbështeteshin, ushtarët e ndodhur në Konispol u larguan. Kjo ishte një ngjarje e rëndësishme dhe u festua nga banorët e Konispolit, çeta ishte tashmë në gjendje të garantonte sigurinë dhe të ofronte ndihmë. Me hyrjen në Konispol numri i çetës u shtua shumë, ai arriti në 220 vetë. Pra detyrimisht kërkohej një tjetër organizim, jo ai i një çete, por më tepër. Kjo çoi në krijimin e batalionit që mbante po një emër me atë të çetës, “Çamëria”, komandant i saj ishte Haki Rushiti.
Reagimi i fashistëve ishte i menjëhershëm, ata tentuan të ripushtonin Konispolin dhe këtë u munduan ta bënin në mënyrë indirekte me bashkëpunëtorët e tyre. Por batalioni “Çamëria” nuk e lejoi forcën armike të vendosej në qytet. Këto ishin suksese për batalionin, dhe që prej këtij momenti batalioni filloi të merrte pjesë në aksione jashtë krahinës së Çamërisë. Në këtë kohë italianët dhe gjermanët ishin të vendosur të shumtë në numër.
Një divizion italian dhe një gjerman kontrollonin një territor të gjerë që nga qyteti i Gjirokastrës dhe deri në Janinë dhe Prevezë. Qëllimi i tyre ishte të kontrollonin bregdetin shqiptar në rast zbarkimi aleat, por edhe që forcat partizane të mos bëheshin shqetësuese për to. Një nga objektivat e tyre ishte dhe qyteti i Konispolit që do të shërbente si bazë për pushtimin e Korfuzit dhe Sarandës me rrethinat e saj. Këto ngjarje ishin shumë shqetësuese për batalionin “Çamëria”, e vetmja forcë partizane në krahinë.
Menjëherë u morën masa që të bllokohej ardhja e armiqve në Konispol. Çamët partizanë zmbrapsën të gjitha sulmet e nazistëve, por që po fillonin të kishin vështirësi në municione. Armiku tentoi të gjitha veprimet e mundshme të hyrjes në Konispol, madje tentoi të zbarkonte edhe në shpinë të forcave çame që e neutralizuan menjëherë. Nga situata e vështirë ku ishin partizanët çamë, si pasojë e mungesës së municioneve, dolën, sepse Italia fashiste kapitulloi dhe ndaloi të gjitha veprimet luftarake, dhe urdhëroi çarmatimin e ushtrisë së saj.
Menjëherë forcat gjermane lëvizën që të zëvendësonin italianët në pozicionet e tyre. Përparimi i gjermanëve në Çamëri dhe rritja e numrit të ushtarëve, detyruan shumë familje të largoheshin nga banesat e tyre dhe t’i drejtohen malit. Gjermanët sulmuan përsëri Konispolin, madje kësaj radhe me artileri dhe aviacion. Për shumë ditë gjermanët sulmuan dhe partizanët çamë mbajtën pozicionet e tyre. Rreth 2500 ushtarë nazistë ishin përqendruar në pushtimin e Konispolit dhe përballë tyre qëndronte një batalion patriotësh çamë të paarmatosur mirë. Pas kapitullimit të Italisë fashiste, Shqipëria u pushtua nga Gjermania naziste, përveç një territori të ngushtë midis Konispolit, Himarës dhe Kurveleshit.
Pas një lufte të ashpër, ku nazistët angazhuan tanke e artileri të rëndë, u pushtua dhe Konispoli. Forcat çame ndërkohë u tërhoqën nëpër rrethinat e qytetit dhe ishin në pritje. Duke mos mundur që të luftonin kundër një force aq të madhe si ajo e vendosur në Konispol, forcat çame u angazhuan në operacione të tjera luftarake. Batalioni mori urdhër që të nisej në drejtim të Përmetit, kjo në kuadër të një sulmi të organizuar nga komanda e Frontit Nacionalçlirimtar. Forcat çame hynë në Përmet më 22 nëntor. Ato menjëherë filluan të vinin nën kontroll territoret e pushtuara nga armiku.
Sukseset e batalionit çam shqetësuan shumë komandën naziste në Berat, e cila pa që batalioni po shtrinte kontrollin e tij në shumë fshatra të Përmetit. Komanda gjermane për të rivendosur kontrollin në këtë krahinë dërgoi një forcë të konsiderueshme ushtarake e përforcuar me artileri e tanke. Në këtë kohë batalioni “Çamëria” nuk ishte i vetmi që vepronte në këtë zonë, aty ndodheshin edhe të paktën dy batalione të tjerë me partizanë. Bashkëpunimi i këtyre batalioneve bëri që autokolona gjermane të pësonte humbje të mëdha dhe të hiqte dorë përgjithmonë nga Këlcyra, dhe të kthehej në Berat. Pas largimit të gjermanëve populli i Këlcyrës me fshatrat përreth krijoi një batalion të tyren, i cili pas largimit të batalionit “Çamëria” do të drejtonte luftën kundër nazistëve.
Çamët dhe politika greke
Batalioni u rikthye në mbrojtje të tokave çame dhe ndërkohë popullit shqiptar në përgjithësi, dhe atij çam në veçanti, iu shtua edhe një armik tjetër siç ishte edhe politika greke për aneksimin e tokave çame të mbetura përkëtej kufirit shqiptar. Politika greke përkrahej nga elementë antikombëtarë që synonin të ngrinin një lëvizje paralele me atë shqiptare, që synimit për të luftuar gjermanët t’i shtonin dhe edhe synimin e bashkimit me Greqinë. Kjo politikë ishte edhe më e ashpër matanë kufirit shqiptar, ku popullsia çame u përball me masakrat e ushtrisë greke për të vetmen arsye se donte të mbronte lirinë, pronën, identitetin e saj. Forcat çame kanë qenë kundërshtaret më të forta të pushtuesve nazistë në të dy anët e kufirit. Edhe pse ushtria greke ishte treguar tepër agresive ndaj popullsisë çame, me masakra e shpronësime, ajo gjithsesi kërkoi ndihmë tek forcat shqiptare.
Dhe batalioni “Çamëria” ishte i vetmi që kishte mundësinë të kalonte kufirin dhe t’u vinte në ndihëm grekëve. Menjëherë gjermanët dërguan forca nga Janina dhe Delvina, ku si përgjigje të aksioneve të batalionit “Çamëria”, ndërmorën reprezalje ndaj popullsisë së pafajshme. Tashmë batalioni “Çamëria” kishte forcat e duhura dhe eksperiencën për të sulmuar Konispolin, i cili ishte kthyer në një bazë të fuqishme të gjermanëve. Sulmi u bë në fund të marsit dhe ishte viti 1944, dhe forcat çame nga një çetë tani ishin një batalion ku kishin arritur suksese. Por një vështirësi që hasën çamët në sulmin mbi Konispol ishte humbja e elementit surprizë. Gjermanët e dinin që shqiptarët do të sulmonin atë natë, prandaj dhe ishin përgatitur. Sulmi filloi në orën tre të mëngjesit dhe me shumë vështirësi forcat shqiptare arritën deri në qendër të qytetit duke rrezikuar shumë herë të rrethoheshin nga forcat gjermane.
Deri në fund të Luftës Nacionalçlirimtare, batalioni “Çamëria” mori pjesë në shumë aksione të ndryshme. Ai u shtua në numër me elementë të rinj. Shumë shqiptarë çamë ranë në Luftë, megjithëse ndonjëherë historia nuk është treguar shumë e drejtë me ta. Po kjo nuk e mohon pjesëmarrjen e tyre në Luftë kundër pushtuesve. Batalioni “Çamëria” ishte i pari që u krijua në zonën e Gjirokastrës. Ata luftuan heroikisht dhe arritën të çlironin një pjesë të konsiderueshme të zonës së Jugut të vendit, përfshi Libohovën, Konispolin apo zona të tjera përreth. Por batalionit çam, përveç luftës kundër nazi-fashistëve i duhej të ndeshej edhe me forcat shovinistë greke për të mbrojtur popullsinë çame.
Lufta për çlirimin e Libohovës
Porosia që sulmi mbi Libohovë të bëhej në fshehtësinë më të madhe në befasi dhe me forca të përqendruara, duke i goditur forcat kundërshtare në një kohë në të gjitha drejtimet, duke bashkëvepruar më së miri me të gjitha forcat që do të merrnin pjesë në këtë sulm. Për realizimin sa më të mirë dhe të zhvillimit me sukses të plotë të sulmit mbi Libohovë, në 13 nëntor 1943, komanda e Grupit të Katërt “Çamëria” me anën e një letre të firmosur nga komisari politik, Mustafa Matohiti, i dërgonte disa udhëzime komandës së batalionit “Misto Mame”. Për arritjen e suksesit me humbje sa më të pakta dhe në një kohë sa më të shkurtër, komanda e batalionit dhe ato të çetave i kushtuan një sukses të veçantë përgatitjes dhe zhvillimit të sulmit për pushtimin e qytetit. Fuqia sulmuese e forcave partizane ishte sa e rrufeshme, aq edhe kompakte dhe organizuar në të gjitha drejtimet.
Emrat e partizanëve:
http://www.shqiperia.com/660
Jepni mendimin tuaje ne lidhje me 660 ose 656 camet qe moren pjese ne Luften e Dyte Boterore, ja kush jane heronjte e Camerise dhe me shkrimin e lartshkruar…?
…Pelqe’je plus (+) Shpernda’je Ju faleminderit para Kohe…!
~ Via Kultura CAME, Shqiptare në Përgjithësi!
Një rrugëtim drejt etimologjisë së “Emrit” dhe vazhdimësisë kulturore Pellazgo-Ilire Në analet e historisë botërore,…
Në zemër të Stambollit, në lagjen e ngjeshur të Mecidiyeköy, një stadium i vogël por…
Një studim nga ekspertët e Universitetit të Harvardit zbuloi se personat që konsumojnë dy…
Në të kaluaren jeta në vendin tonë ishte shumë më e vështirë, sa që shumë…
Nga të gjitha të dhënat rreth emrit “Kosova”, mund të kuptojmë se ky emër…
Muaji i shenjtë i Ramazanit për vitin 2026 pritet të fillojë mbrëmjen e 18…