Ky shkrim i karakterit informues dhe analitik, është rezultat i një hulumtimi me metodologji të kombinuar shkencore, për shkak të nevojës për analizim sa më objektiv të të dhënave të siguruara. Hulumtimi përbëhet nga të dhëna primare dhe sekondare, ku të dhënat primare janë të siguruara përmes intervistave të hapura me njohës dhe ekspert të fushës së historisë dhe arkeologjisë, si dhe me të moshuarit e fshatit Syriganë, ndërsa të dhënat sekondare janë siguruar nga dokumente të ndryshme. Qëllimi i këtij shkrimi është përmbledhja e informatave të analizuara, rreth historisë, etnografisë, etimologjisë së emrit, kulteve, krijimtarisë dhe jetës në fshatin Syriganë.

Relievi dhe karakteristikat morfologjike të Syriganës

Në mes të rrafshit të Dukagjinit e të Kosovës, dominon një tërësi e veçantë kodrinore-malore me emërtimin e përbashkët: Drenica, kufirin veri-perëndimor të së cilës e përbën fshati Syriganë.
Syrigana është fshat i ndarë në dysh përmes lumit Guja, njëra pjesë i takon Drenicës ndërsa tjetra Podgurit. Objekt i këtij shkrimi, është Syrigana e Drenicës, e cila ka sipërfaqe të përgjithshme 677 ha, 61 ari dhe 92 metra.
Relievi i Syriganës përbëhet nga tërësia malore, kodrinore dhe fushore të ndara pothuajse në mënyrë proporcionale. Tërësia fushore dhe fshati rreze kodrës, me pamje drejtë jugut e bën fshatin Syriganë një vend me klimë jashtëzakonisht të butë, me lartësi mbidetare mbi 700 metra.
Ndërsa karakterisitika morfologjike të Syriganës mund të konsiderohet rrafshnalta shkëmbore mbi fshat që quhet Rudina, monumentin arkeologjik që quhet Gjytet (fortesë qysh prej kohës romake), shtretërit e lumenjëve Guja dhe Vrella, etj…
Afër fshatit Dren, fillon rrjedha e lumit Guja – Gujafq e cila duke rrjedhë luginës së fshatit, në fshatin Padalishtë bashkohet me lumin e Vrellës – Burimit të Bajës, që buron nga shkëmbinjtë mbi fshatin Bajë, për tu derdhur në Drinin e Bardhë.

Pamje e “Rudinës” rrafshnaltës shkëmbore mbi fshatin Syriganë

Historia e Syriganës

Për regjionin e Drenicës, rrjedhimisht edhe për Syriganën, interesimi i studiuesve është jashtëzakonisht i vonshëm. Sipas publikimeve, llogaritet që në mes të dy Luftërave Botërore janë studimet e para për Drenicën, ndërsa publikimet e para vetëm pas Luftës së Dytë Botërore. Përkatësisht studimi i parë specifik për Drenicën është kryer nga etnologu serb Tatomir Vukanovic, që u publikua në librin me të dhëna të shtembëruara “Drenica, Druga srpska Sveta Gora”.

Reklama

about:blank

RAPORTOJENI KËTË REKLAMË

Duke qenë se historia e Drenicës është fare pak e studiuar, e ka vështirësuar edhe realizimin e këtij hulumtimi.

Parahistoria dhe Antika

Periudha e Neolitit të Hershëm në bazë të gjurmimeve arkeologjike prej vitit 1950 deri më 1965, në lokalitetin e Runikut paraqet një dëshmi për histori të begatshmenë këtë lokalitet.
Vendbanimi i hershëm në Drenicë, daton nga viti 6000 deri 2600 BC në rajonin e rrezë Bjeshkëve të Thata në malet Mokna, Treshi (Troica) dhe Duboçak. Toka e plleshme nga fushat e Runikut e në drejtim të Podgurit, malet e pasura me drunjë e kullosa nga Treshi deri në Mokën, klima e volitshme dhe burimet e ujit, kanë krijuar kushte të favorshme jetese.
Nga mijëvjeçari IV BC, ndër të tjera krijohet vendbanimi i madhë i Syriganës, nga Pellazgët. Ky vendbanim qytet jo grek, me sistem shoqëror si në Greqi konsiderohej si Hekateru Polise, dhe quhej Petropolis – Qyteti i Gurit (më vonë Suka e Gurit, sot Syriganë).

Shembull i një vendbanimi neolitik, sipas organizimit grek

Në shekullini II BC, Petropolisi ishte i drejtuar me shiqim drejtë jugut me planimetri katërkëndëshe me lartësi mbidetare mbi 700 metra. Kishte hapësirë të ndarë banimi, hapësirë të organizuar publike, kamp ushtarak – Castrum me sipërfaqe 348m x 308m apo fortifikata e vogël që përbëntë formë e sistemit të kontrollit, etj…

Që Syrigana atëbotë ishte vendbanim me rëndësi e dëshmon traseja e rrugës romake që çonte luginës së Lushtës dhe përmes Syriganës dhe zbriste në Rrafshin e Dukagjinit, duke u lidhur me degën jugperëndimore të rrugës Naissus-Lissus (Nishë-Lezhë).
Nga kjo periudhë historike, sot Syrigana ka trashëguar disa monumente arkeologjike që paraqesin pasuri të jashtëzakonshme.

Gjyteti i Syriganës

Lokaliteti arkeologjik i njohur si “Gjyteti”, ndodhet në anën veriore të fshatit afro 500m në afërsi të shollës fillore në një kreshtë shkëmbore në trajtë cilindrike që ngrihet mbi kodër me pjerrtësi
relativisht të theksuar. Sipërfaqja e kreshtës është relativisht e sheshtë dhe zë një hapësirë rreth 15 ari. Pjesa e kalueshme e terrenit shtrihet në anën lindore dhe verilindore, ndërsa në pjesët e tjera ka mbrojtje natyrore.

Gjytet i Syriganës, që nga viti 2016 është nën mbrojtje institucionale si monument i trashëgimisë kulturore, kategoria: arkeologjike. Deri më sot në këtë lokalitet ka pas vetëm studim arkeologjik gjeofizik dhe i takon periudhës së Parahistorisë.

Në pjesën e sipërme të Gjyteti dhe rreth tij, janë ende të pranishme gjurmët e periudhës së bronzit të vonë 1450-1100 BC. Po ashtu edhe gjurmët e periudhës së Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës së hershme shekullit IV-VII AD. Në pjesën qendrore të platos ruhet një trakt muri rreth pesë metra i gjatë. Këtu vërehen gjurmë, por që vështirë dallohen, përveç konfiguracionit natyror që ka mbetur.

Historiani Ibrahim Çitaku, insiston që pamja nga lartësia e Gjytetit ka përcaktuar edhe emërtimin e fshatit “Syriganë”. Në mot të mirë, me dukshmëri të kthjellët, nga Gjyteti shihet Gjakova që është më shumë se pesëdhjetë kilometra largësi ajrore!
Të moshuarit e Syriganës kujtojnë edhe muret e gurit që ishin mbi Gjytet dhe rreth saj, të cilat ishin rrënuar në vitin 1959 nga vet fshatarët me urdhër të pushtetit të atëhershëm, me qëllim të shtrimit të trasesë së rrugës Syriganë – Runik.

Gjyteti i Syriganës

Së fundmi, në një thellësi rreth fare të cekët, pranë Gjytetit është gjetur një gozhdë Crucifixion Spike që sipas vlerësimeve preliminare i takon periudhës së Mesjetës.

CRUCIFIXION SPIKE në Syriganë. Për herë të parë ky lloj i gozhdës është zbuluar nga Profesori Richmond në vitin 1961, në kështjellën romake Inchtuthi

Shpella e Samarxhisë

Rreth Shpellës së Samarxhisë nuk ka ndonjë studim që është kryer, përpos iniciativave personale të arkeologëve dhe historianëve. Vlerësimet fillestare janë, që kjo shpellë është pjesë përbërëse e Gjytetit të Syriganës, andaj besojmë që edhe Shpella e Samarxhisë i takon periudhës së Parahistorisë.
Në shërbim të kësaj, rrëfimi i fshatarëve rreth një ngjarje të një bariu dëshmon këtë që u tha më lartë: “Para shumë viteve, një bariu i ik një dhi dhe futet në Shpellën e Samarxhise. Duke qenë se bariu kishte humbur shpresat se do ta gjente dhinë, pas një dite dhia kishte dal në fshat nga Gjyteti”. Andaj në Syriganë besohet që nga hyrja e kësaj shpelle, është tuneli nëntokësor deri në Gjytet.

Shpella e Samarxhisë

Gradina

Lokaliteti arkeologjik “Gradina”, që nga viti 2016 është nën mbrojtje institucionale si monument i trashëgimisë kulturore, kategoria: arkeologjike. Deri më sot në këtë lokalitet ka pas vetëm studim arkeologjik gjeofizik dhe i takon periudhës së Antikitetit të Vonshëm, shekulli IV BC.

Gradina e Syriganës e cila ka lartësi mbidetare 1088 m, në pjesën e sipërme të kodrës në anën jugperëndimore ruhen ende gjurmët e mureve të ndërtura me gurë dhe të lidhur me llaçgëlqeror. Pjesa verilindore e Gradinës ka mbrojtje natyrore, ndërsa pjesët e tjera ishin të mbrojtura nga muret e ndërtuara, themelet e të cilëve ende ruhen. Nga Gradina shihet një pjesë e mirë e Rrafshit të Dukagjinit dhe rajonit të Drenicës.

Lokaliteti Arkeologjik “Gradina”

Kroi i Kallogjerit

Një burim i pashterrshëm i ujit në bjeshkën e Syriganës, që besohet të jetë ndërtuar shekuj më parë nga një murg ortodoks i fshatit, vlerësoj që pasuron historinë e fshatit Syriganë. Emri i këtij kroi “Kroi i Kallogjerit” vërteton gojëdhënat se këtë e ka ndëruar një murg ortodoks.
E veçantë e kroit, dikur ishte një pllakë guri e gdhendur që besohet se ishte nga Mesjeta e Hershme. Pasi që fshatarët e Syriganës rrëfejnë se gdhendjet i kishte të ngjashme me sarkofagun e mermerit në Kishën e Shën Nikollës në fshatin Banjë.

Kroi i Kallogjerit

Miniera e plumbit

Në Syriganë, përkatëisht në bjeshkën e Treshit (Troicë) gjendet miniera e plumbit e cila daton qysh nga periudha antike. Sipas historianëve, në kohën e Perandorisë Romake ka funksionuar kjo minierë, po ashtu Defterët e Perandorisë Osmane mbi regjistrimin gjatë shekullit XIV dhe XV përmbajnë të dhëna mbi obligimet e banorëve minator!
Sipas fshatarëve të Syriganës, kjo minierë ka qenë në funksion deri në mesin e shekullit të kaluar, andaj për ata është e pakontestueshme ekzistimi i kësaj miniere dhe pasurive minerare nëntokësore.

Aty afër është edhe një burim i ujit që quhet “Kroi i Plumbit”, ku edhe lehtë gjenden copa plumbi, sipas të cilave edhe kroi e morri emrin.

Fshati Syriganë

Mesjeta

Syrigana, në shekullin e VI AD rrënohet si pasojë e një tërmeti e më pas edhe nga sulmet e fiseve barbare. Atëbotë kishin filluar dyndjet, duke u shpërngulur banorët e këtij lokaliteti drejt Podgurit, ndërsa këtu kishin filluar të zinin vend fiset barbare.
Për të vërtetuar këtë, sipas rrëfimeve të fshatarëve të Syriganës së sotshme kuptojmë që sipas gojëdhënave shpërngulja e këtyre banorëve është rrëfyer ndër breza. Edhe pse, jo me orientim të saktë kohor, ata kujtojnë që paraardhësit ishin shpërngulur drejt Podgurit deri në Krajë, ndërsa pas më shumë se dhjetë brezave, një pjesë e tyre kanë filluar të kthehen gradualisht në Syriganë.

Në Mesjetë, sipas hostorianit Prof.Nezir Çitaku dhe sipas rrëfimeve të banorëve, por edhe sipas gjurmëve të mbijetuara të kohës në mes të “Gjytetit dhe Syriganës” dhe “Gjytetit të Tushilës” në një rrugë afër njëzet kilometra, ishin pesë fortesa të bujarëve shqiptarë në Mesjetë, edhe pse nuk janë bërë gjurmime arkeologjike:

  • Kastella e Tushit në Tushilë;
  • Kastella e Nikollë Kopiliqit dhe të birit Milloshit në Kopiliq;
  • Kastella e bujarës Drenusha dhe djalit të saj Klod Drenica në Kllodernicë;
  • Kastella e Kosto Mulli në Kostërc; dhe
  • Kastella e Qytetit të Gurit në Syriganë.
Ilustrim i komunikimit mes pesë fortesave arbërore në Mesjetë

Pas shpalljës së Mbretërisë së Arbërisë (Regnum Albaniae) në vitin 1272, territori i Kosovës ishte nën pushtimin Mbretërisë Serbe, pas rënies së cilës u pushtua nga Perandoria Osmane. Syrigana asokohe ishte nahije në kuadër të Sanxhakut të Shkodrës.

Pjesë e hartës së Sanxhakut të Shkodrës, marrë nga Defteri turk i regjistrimit të vitit 1485

Burime të shkruara informatave rreth historisë së Syriganës, janë Defterët e regjistrimit të cilët edhe pse janë të manipuluara në kohë nga sllavët, paraqesin në gjendje reale të numrit të banorëve dhe shtëpive në teren.
Mbiemri më i hershëm autokton në Syriganë, sipas regjistrimeve është “Lika” që paraqet emër tipik ilir “Licca”. Ky mbiemër haset më së shumti në trevat shqiptare në Mal të Zi si Ulqin, Krajë, etj…
Sipas Defterit turk të regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485, Syrigana kishte 198 shtëpi (me kryefamiljar), derisa Shkodra kishte vetëm 80 shtëpi dhe Peja 133 shtëpi. Syriana si qytet mesjetar kishte 50 fshatra.

Ziameti i Suhogërlës sipas Defterit turk të regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485

Ndërsa në regjistrimin e 1582 Syrigana kishte vetëm 77 shtëpi, meqë Perandoria Osmane e suprimon nahijen “Suhogërllë”, duke ia bashkangjit nahijes dhe kazasë së Pejës në kuadër të Sanxhakut të Shkodrës.
Është e dukshme që në Defterin e sipërpërmendur, kemi të dhëna të manipuluara me emra si pasojë e fushatës së egër për asimilimin e banorëve autokton në Syriganë, pasardhës të pellazgëve dhe ilirëve. Asimilimi bëhej në forma të ndryshme, ndër të tjera edhe përmes konvertimit fetar dhe zhdukjes së dokeve, zakoneve, gjuhës dhe kulturës tonë, këtë e konstatoi edhe legati papal Guido de Padova në vitin 1350.

Krahasimi i të dhënave mes Defterëve të regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485 dhe 1582

Në disa vise kishte dukuri të islamizimit të emrave, sidomos pas vitit 1355. Po ashtu kishte raste të braktisjes së ortodoksisë e të konvertimit në katolicizëm. Në këtë situatë sllavët e jugut realizonin fushatë të egër për përvetësimin e pasurive historike kulturore dhe atyre fetare.

Për dallime nga viset tjera, në shekullin e XIV në regjionin e Drenicës me theks të veçantë në rrethin e Runikut të sotëm, përfshirë edhe Syriganën kemi pas një popullatë autoktone arbërore-shqiptare, pasardhës të pellazgëve dhe ilirëve që si përkatësi religjioze ishin ortodoks. Këtë e dëshmojnë edhe objektet e kultit fetar dhe kishat në këtë regjion. Vetëm nën mbrojtje institucionale të Republikës së Kosovës sot janë shtatë kisha, derisa vetëm në Syrigana janë gërmadhat e nëntë kishave që i takojnë periudhës së hershme të Mesjetës.

  • Kisha e Shën Nikollës dhe sarkofagu i mermerit në Banjë
  • Gërmadhat e Kishës së Murgeshave në Leqinë
  • Gërmadhat e Kishës së Shën Gjonit në Leqinë
  • Kisha varrore e Shën Gjergjit në Runik
  • Kisha e madhe në Rezallë
  • Gjurmët e Kishës paleokristiane në Izbicë
  • Gërmadhat e Kishës së vjetër në Fushticë

Krahas fushatës për asimilimin e banorëve autokton shqipëtar-arbërorë, Syriganës i ndërrohet emri në Suvogrlo-Suhogerla.

Afreskë nga Patrikana e Pejës, Burrat me plisa.

Periudha e hershme moderne

Në muajin Shkurt të vitit 1690, ushtria austriake mbërriti në Syriganë, me ç’rast prishi fortesën, qytetin dhe fshatin e afërt Bajë. Po në këtë vit, në këtë rrethinë paraqitet sëmundja murtaja, duke bërë që të masovikisht të vdisnin banorët e Syriganës dhe Bajës. Sipas historianit Rajko Veselinovic, gjatë murtajës në këtë lokalitet, nuk kanë arritë ti varrosnin të gjitha viktimat!
Historiani Nezir Çitaku, vë në pah faktin se Drenica pas vitit 1690 dhe shkatërrimit të Syriganës, deri në periudhën e mes dy Luftërave Botërore nuk kishte ndonjë qendër administrative. Derisa vendosja e selisë administrative ishte imponuar pranë Manastirit të Deviçit.

Dokumentimi rreth përkatësisë etnike të banorëve të nahijës së Suhogërlës, bazuar në:

  • Defterin e regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës në vitin 1485;
  • Fletë regjistrimet e hollësishme të nahijeve të Pejës, Altun-ilisë dhe Suhogërlës;
  • Defterin e regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës në vitin 1582;
  • Defterin e regjistrimit të Sanxhakut të Dukagjinit në vitin 1571; dhe
  • Defterin e regjistrimit të Sanxhakut të Dukagjinit në vitin 1591,

studiusi Selami Pulaha, konkludon që banorët kanë qenë shqiptarë por që i takonin fesë ortodokse, andaj antroponimia e kohës ishte përbashkët me sllavët, si emrat: Lazër (Lazar), Dhimitër (Dimitar), Mark (Marko), Gjergj (Gjorgje), etj…

Sipas historianit Nezir Çitaku në Syriganë dhe përgjithësi në Drenicë, nga shekulli XVI deri në mesin e shekullit XVII, banorët autokton arbëror-shqiptarë kaluan masovikisht në fenë islame. Ky fenomen i ndërrimit masiv të fesë te shqiptarët, ishte reflektim i okupimit të kishave shqiptare kryesisht ortodokse nga sllavët por edhe dhunës dhe represionit sistematik nga Perandoria Osmane.
Është fakt historik që kishat serbe asokohe, ishin pranuar nga Perandoria Osmane në gjirin e vet me kushtin e lojalitetit dhe vasalitetit. Andaj ka qenë e pamundëshme që shqiptarët në të njejtën kohë të ishin edhe shqiptarë edhe ortodoks!

Vepra të piktorit francez, Jean-Léon Gerome rreth temës “Islamizimi i shqiptarëve”

Periudha moderne

Vilajeti i Kosovës është themeluar si Vilajet i Prizrenit në 1868 dhe më pas si Vilajet i Kosoves në vitin 1877. Në përbërje të vilajetit të Kosovës kanë qenë 6 sanxhaqet – rrethet, të cilat i udhëhiqnin muttesarrifët apo kryetarët e rretheve. Në kuadër të sanxhaqeve kanë qenë kazatë, e në kuadër të kazave – nahijet. Tashmë Syrigana si fshat, i takonte këtij vilajeti.

Përfaqësuesit e vilajeteve shqiptare, në vitin 1912 shapllën pavarësinë e Shqipërisë, morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, përfshirë edhe nga Kosova. Por që si rrjedhojë padrejtësive ndaj shqiptarëve, Kosova dhe shumë treva tjera autoktone shqiptare mbeten jashtë kufirit të Shqipërisë dhe përfshihen në Mbretërinë Serbe-Kroate-Sllovene të Jugosllavisë.

Në luftërat e zhvilluara gjatë kësaj periudhe, banorë të Syriganës e pasuruan të kaluarën historike të fshatit si Halit Ahmeti që ishte bashkëluftëtar i Isa Boletinit, më vonë në çetën kaçake të Azem Galicës, nga Syrigana iu bashkuan Zenel Ujkani, Murat Uka, Hysen Habibi, Tahir Demiri, Ramë Hyseni dhe Xhema i Hoxhës. Më vonë, në lëvizjen e Shaban Polluzhës iu bashkua edhe Bahtir Demiri, i cili edhe vritet në Kaçanoll të Shalës.

Fotodokument: Një familje kaçake nga Kosova sipas objektivit të një gazetari italian në vitin 1923.

Pas Luftës së Parë Botërore, në fund të vitit 1918, u vendos pushteti serb dhe rregullimi administrativ pushtues në Drenicë dhe gjithë Kosovën. Asokohe, sipas regjistrimeve të popullsisë në vitin 1921, rrethi i Drenicës si seli kishte Llaushën dhe përbëhej nga 7 komuna. Derisa fshati Syriganë ishte në kuadër të komunës së Bajës.
Pas Luftërave Ballkanike, në vitin 1919 serbët filluan një fushatë të egër për kolonializimin e trevave shqiptare dhe konfiskimin e pronave shqiptare. Atëherë, Mbretëria e Jugosllavisë në kuadër të kësaj fushate synonte që rrugën Mitrovicë – Pejë dhe fshatrat në krahun perëndimor të spastrohen etnikisht nga shqiptarët autokton.

Edhe fshati Syriganë që kishte jo shumë banorë, u djegë nga serbët dhe kështu popullata u shpërngulë në fshatin Kërrninë. Sipas rrëfimeve të fshatarëve, Syrigana ripopullohet nga shqiptarët pas tri vjetëve. Syrigana në vitin 1921 kishte 34 shtëpi me 274 banorë.

Syrigana, njësoj si të gjitha fshatrat e Drenicës deri në Luftën e Dytë Botërore ka përjetuar dhunë sistematike, uzurpim të pronës, duke bërë që jeta të ishte e papërballueshme. Andaj duhet theksuar se shumë familje të Drenicës janë shpërngulur në Turqi dhe Shqipëri. Dëshmia më e mirë rreth kësaj është, projekti i Vasa Çubriloviçit me titull “shpërngulja e arnautëve” në vitin 1937.

Pas Luftës së Dytë Botërore shpërngulja nga fshati kishte ndaluar, edhe pse në kushte të mjerueshme jetonin shqiptarët. Rreth kësaj historiani Ibrahim Çitaku ka siguruar të dhëna, ku vërehet që për çdo regjistrim është rritur numri i banorëve shqiptarë në këtë vendbanim. Syrigana në vitin 1948 kishte 63 shtëpi me 426 banorë, në vitin 1953 kishte 66 shtëpi me 438 banorë, në vitin 1961 kishte 71 shtëpi me 492 banorë (276 shqiptarë), në vitin 1971 kishte 74 shtëpi me 495 banorë (314 shqiptarë), në vitin 1981 kishte 81 shtëpi me 576 banorë (374 shqiptarë).

Lufta e fundit

Para luftës së fundit, në vitin 1998 në Syriganë jetonin 93 familje, 68 prej të cilave ishin shqiptare me 613 banorë, ndërsa 25 familje ishin serbe me 117 banorë. Familjet shqiptare ishin të vendosura në pjesën lindore të fshatit, ndërsa familjet serbe në pjesën perëndimore.
Syriganën si të gjitha fshatrat e Drenicës në luftën e fundit, pushtuesi serb nuk e kurseu. Në Qërshor të vitit 1998 serbët lokal të Syriganës së bashku me forcat policore dhe ushtarake serbe, sulmuan shtëpitë e shqiptarëve. Si rrjedhojë, natën e këtij sulmi u vranë gjashtë banorë shqiptarë civil të Syriganës, dhe u dogjën të gjitha shtëpitë dhe objektet përcjellëse të shqiptarëve në këtë fshat.
Pas fillimit të luftës, edhe nga ky fshat iu bashkangjiten Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, kryesisht në Zonën Operative të Drenicës, duke pasuruar historinë e fshatit krahas obligimit ndaj vendit.
Deri në përfundim të luftës në Qërshor 1999, Syrigana numëron trembëdhjet viktima civile të vrarë nga forcat serbe, tre prej të cilëve mbesin të zhdukur. Në muajin Korrik 1999, filloj kthimi masiv i shqiptarëve në Syriganë.

Stema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që përbën kryeveprën historike kombëtare ndërshqiptare

Kulti dhe religjioni

Syrigana nga parahistoria deri në ditët e sotme, ka kultivuar dhe trashëguar kulte, doke dhe zakone që e bëjnë të veçantë. Po ashtu populli i lashtë në këtë trevë dallohet për krijimtarinë që lidhet me kultin dhe shërbesën ndaj hyjnorës.
Rreth kësaj teme autori Mark Tirta ka bërë një studim të jashtëzakonshëm, duke evidentuar mitologjitë ndër shqiptarë, si përshembull kulte të natyrës dhe gjallesave, kultin e gurit, krijesat mitike, kulte të blegtorisë e bujqësisë, kultin e zejës, rite kalendarike, etj… Andaj, bazuar në biseda me shumë fshatarë të vjetër të Syriganës, sipas metodologjisë analitike dhe bazuar në të dhënat sekondare të disponueshme, konstatoj që në Syriganë janë evidente elementet e kulteve nga parahistoria, disa prej tyre edhe sot praktikohen në një mënyrë apo tjetër.

Kulti i gurit

Ngirtja e kalave dhe qytetit me gurë sipas kultit të mitologjisë, Syrigana në parahistori merr emrin Qyteti i Gurit.
Ndër shqiptarë, ashtu si dhe në popuj të tjerë të Evropës, ka qenë i pranishëm një kult i veçantë për gurin, besimi në veçori të mbinatyrshme të tij, i shfaqur në besime, në adhurimin e gurëve të veçantë. Vëreheshin rite e praktika të jetës shpirtërore, ku guri ka qenë pjesë përbërëse e tyre. Besimi e ritet në fjalë na shfaqen në gurë të veçantë, të madhësive të ndryshme, që janë të lëvizshëm, po ashtu dhe në gurë që e kanë bazën thellë në tokë ose në masive shkëmbore. I tillë është rasti me Syriganën që dikur quhej Petropolis-Qyteti i Gurit.

John Clark Ridpath: Pelasgian Masonry

Në Syriganë, guri ka pas rrol multidimensional si mjet luftarak, mjet mbrojtje, vegël pune, si objekt besimi, për ndërtim, etj…
Shembull interesant është legjenda mitike “Bariu dhe delet”, që në bjeshkën e Moknës afër liqenit, bariu me shkop dhe delet e tij janë gurëzuar. Kjo legjendë rrëfehet ndër breza në Syriganë, por pa marrë parasysh vërtetësinë e saj, mësimi i këtij tregimi është që guri ka diçka të mistershme në psikikën e njeriut.
Krahas kultit të gurit, në Syriganë kanë qenë edhe muratorët e njohur që kishin ndërtuar vendbanimet me gurë deri në Kolashin, Pazar të ri e Plavë. Andaj krijimtaria e tyre lidhej edhe me kultin e gurit, pasi që përmes profesionit të tyre prej muratori kanë arritë të jetojnë.
Banorët e Syriganës shquheshin për muratorë me gurë, sipas rrëfimeve të banorëve muratorët, profesionin e tyre e kanë ruajtë dhe ia kanë mësuar vetëm pasardhësve, kështu që edhe sot është evidente që profesioni i muratorit është trashëguar ndër breza.

Kulti i diellit

Në parahistori dhe antikë, tek paraardhësit tonë pellazg dhe ilir, në këtë shkallë të zhvillimit, kulti i diellit ishte themel në të gjitha manifestimet religjioze. Ky lloj kulti tek ilirët është hasur edhe tek fisi Dardan.

Edhe në Syriganë kulti i diellit është praktikuar, duke besuar në fuqinë e diellit dhe ndikimin e tij në jetën e njeriut, duke falëmnderuar atë për dritën, ngrohjen por edhe zhvillimin e bujqësisë.
Këtë e vërtetojnë edhe format e paraqitura në varreza dhe figura tjera arkeologjike, që janë gjendur në lokalitetet arkeologjike të kësaj ane.

Kulti i gjarpërit

Tek ilirët, kulti i gjarpërit kisht rrol dominant në sistemin mitologjik dhe religjioz. Ndërkaq, gjarpri si simbol i pëlleshmërisë, i rojës së shtëpisë dhe vatrës, apo si hyjni ktonike, me shumë elemente është i lidhur me kultin e Diellit.

Shtëpi të zakonshme shqiptare

Kulti i gjarprit nga mitologjia ilire është ruajtur në një vijimësi të pakëputur deri në ditët tona. Aplikimin e ornamentit nga kulti ktonik i gjarprit me interpretim gjeometrik abstrakt të simbolit të tij, qoftë me vetëdije apo pa vetëdije, e hasim në raste të panumërta në objekte, tekstile apo orendi shtëpiake.
Po ashtu, në Syriganë por edhe në vende tjera secila shtëpi beson që ka një gjarpër në shtëpi që i ruan ata!

Ritet kalendarike

Historiani Nezir Çitaku veçon disa rite kalendarike në trevën e Drenicës, të cila i konfirmojnë edhe fshatarët e vjetër të Syriganës, andaj sipas metodologjisë komparative konstatoj që gjithëmonë janë veçuar tri data si rite kalendarike, të motivuara nga besimi pagan:

  • Shën Gjergji, si festë me origjinë pagane në Syriganë dhe trevën e Drenicës shënohet me 6 Maj, duke shënuar edhe fillimin e ditëve të nxehta të vitit, ritet fillonin nga 24 Prilli. Në Syriganë, fshatarët dikur shkonin në formë peligrinazhi, kryesisht gratë dhe fëmijët nga fshati në bjeshkë tek Kroi i Kallogjerit.
  • Shën Gjini, po ashtu festë me origjinë pagane ka karakter bujqësor dhe blegtoral. Ajo shënohej me 24 Qërshor, duke filluar me kositjen e livadheve, përgatitjen për korrje, daljen në stane me gjedhe, etj…; dhe
  • Shën Mitri, njejtë edhe kjo paraqet festë me origjinë pagane dhe shënohej me 8 Nëntor, duke lajmëruar fillimin e ditëve të ftohta të vitit kalendarik, ritet fillonin nga 26 Tetori. Në këtë datë, secila familje do të duhej të sigurohej se ka të mbushur hambarin, të siguruar drunjtë për ngrohje dhe ushqimin për gjedhe.

Krishterimi

Religjioni monoteist apo besimi në një Zot, në Iliri llogaritet që është praktikuar diku në vitin 58 AD. Këtë e vërteton fakti se krishterizmi në tokën e arbërit është apostolik, pasi është sjellë apo është mësuar përmes apostujve, sipas dorëshkrimit të Apostullit Pal (Paul) “Kështu prej Jeruzalemit e përqark e deri në Iliri kam kryer shërbimin e ngjalljes se Krishtit, duke u përpjekur të ungjillëzoj atje ku nuk ishte i njohur emri i Krishtit”.
Në periudhe e hershme të Mesjetës është praktikuar monoteizmi në trevën e Drenicës dhe jo vetëm, njejtë edhe në Syriganë, për këtë ka dëshmi të bollshme dhe të pakontestueshme. Bazuar në gjetje arkeologjike, opinione shkencore të historianëve por edhe sipas gojëdhënave, banorët arbëror të Syriganës kanë qenë komunitet i organizuar ortodoks deri në shekullin XVI.

Fotodokument: Një nga dëshmitë e shkruara të shumta që Patriarkana e Pejës është rindërtuar në vitin 1213 mbi një objekt kulti paleokristian shekulli IV.

Shqiptarët në përgjithësi, por edhe në Syriganë, adoptuan një krishterizëm të veçantë: gërshetim të dogmës monoteiste të krishterë me paganizmin e lashtë ilir.
Sipas rrëfimeve të fshatarëve, në Syriganë kanë qenë nëntë kisha ortodokse të popullit arbërorë, të cilat sot kanë vetëm themelet, këtë e vërteton edhe Prof.Jusuf Osmani në librin e tij “Vendbanimet e Kosovës, Drenica”. Banorët e Syriganë, në gjuhën popullore, edhe sot orientohen në hapësirën e fshatit sipas mikrotoponimeve që lidhen me kishat.

Në Syriganë dhe përgjithësi në Drenicë, nga shekulli XVI deri në mesin e shekullit XVII, banorët autokton arbëror-shqiptarë kaluan masovikisht në fenë islame. Ky fenomen i ndërrimit masiv të fesë te shqiptarët, ishte reflektim i okupimit të kishave shqiptare kryesisht ortodokse nga sllavët por edhe dhunës dhe represionit sistematik nga Perandoria Osmane.
Është fakt historik që kishat serbe asokohe, ishin pranuar nga Perandoria Osmane në gjirin e vet me kushtin e lojalitetit dhe vasalitetit. Andaj ka qenë e pamundëshme që shqiptarët në të njejtën kohë të ishin edhe shqiptarë edhe ortodoks!

Kisha e Shën Gjergjit në Runik

Sot, në Syriganë nuk është asnjë shqiptarë ortodoks, rrjedhimisht pasurinë fizike por edhe shpirtërore të kohës së krishterimit në këtë trevë, serbët e kanë përvetësuar apo thënë më drejtë synojnë ta përvetësojnë. Vula e kësaj padrejtësie ndaj popullit autokton shqiptarë, është emërtimi i kishave ortodokse në Kosovë si “Kisha Ortodokse Serbe”. Me këtë emërtim janë nën mbrojtje 1,400 lokacione në Republikën e Kosovës.
Ky emërtim është pjesë e dokumentit bazë të shtetësisë së Kosovës: “Planit të Ahtisarit”, por edhe pjesë e marrëveshjeve teknike Kosovë-Serbi !!!
Sa për ilustrim, Aneksi V i “Planit të Ahtisarit”, i kushtohet trashëgimisë fetare dhe kulturore të komunitetit serb. Aty thuhet qartë se “Kosova do ta njeh Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, duke përfshirë manastiret, kishat dhe objektet tjera që shfrytëzohen për qëllime fetare si pjesë integrale e Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd” !!!

Islami

Në Syriganë nga shekulli XVI deri në mesin e shekullit XVII, banorët autokton shqipëtar-arbëror kaluan masovikisht në fenë islame. Ky fenomen i ndërrimit masiv të fesë te shqiptarët, ishte reflektim i okupimit të kishave shqiptare kryesisht ortodokse nga sllavët por edhe dhunës dhe represionit sistematik nga Perandoria Osmane.

Shqiptarët e Syriganës, pas islamizimit vlerësoj që adoptuan një islam të veçantë, për sa i përket mnyrës së jetesës, duke gërshetuar rregullat e islamit me traditën shekullore.
Syrigana në vitin 1825 ndërtoj Xhaminë e fshatit, e cila edhe sot është funksionale. Ajo është e ndërtuar kryesisht me materiale tradicionale (gurë, dru dhe mbulesa e kulmit me tjegulla të rrafshëta të argjilës së pjekur). Xhamia është me etazhitet P+0 në enterier me formim të çardakut, i cili është i konstruktuar nga druri, dhe me rrethojë – gardh nga druri, me elemente dekorative. Në mesin e çardakut dominon zgjerimi në formë harkore, i cili përveç efektit funksional ka edhe efekt dekorativ. Në enterier të xhamisë dominojnë elementet konstruktive dhe dekoruese të drurit të pasura me motive gjeometrike. Muret janë të suvatuara dhe të gëlqerosura me llaç. Kornizat e hapjeve (dyer dhe dritare) janë të punuara nga druri. Në vitin 2011 ky objekt fetar për shkak të specifikave të lartëpërmendura, ka statusin e monumentit të mbrojtur me ligj.

Xhamia e Syriganës

Nga ndërtimi i kësaj xhamie deri më sot, është renovuar disa herë por gjithmonë janë ruajtur vlerat arkitekturore tradicionale. Së fundmi, në vitin 2019 Bashkësia Islame, në kuadër tē projektit pēr ruajtjen e trashëgimisë kulturore, ka nis restaurimin e xhamisë së fshatit Syriganë.
Xhamia e Syriganës, krahas funksionit të saj ka pas rrol të rëndësishëm në aspektin social të fshatit, organizimit të përgjithshëm por edhe ngritjen e vetëdijës kombëtare.
Sot, banorët shqiptarë të Syriganës, kryesisht janë të deklaruar musliman.

Etimologjia e emrit Syriganë

Shumë toponime, nuk kuptohen lehtë apo edhe nuk kuptohen fare. Mbase evoluimi i gjuhës e bën që emërtimet e vjetra, të mos japin mesazh të qartë! Por që emri i fshatit “Syriganë”, ka kuptim në gjuhën e sotshme shqipe, është togfjalësh tipik shqip, i dialektit gegë.

Syriganë => Syri-ganë
Syri = organ shqisor i të pamurit => shikim
Ganë => i ganë => i gjanë => i gjerë

Sipas kësaj, kuptimi i sotshëm është i pandryshueshëm: “Shikim i gjerë (i thellë, i sipërfaqshëm)”.

Pamje nga Gjyteti
Pamje nga Rudina
Pamje nga Gradina

Sipas rrëfimeve të fshatarëve, emërtimi “Syriganë” është i vjetër dhe është përdorë gjithëherë vetëm mes arbërorëve-shqiptarë ndër breza, por që nuk iu ishte ndaluar nga pushtuesit ndër shekuj. Pas luftës së fundit, zyrtarisht në vitin 1999 ky fshat merr emrin Syriganë.

Por që ky lokalitet, në dokumente të ndryshme haset me emërtime të ndryshme, rrjedhimisht edhe me kuptim të ndryshëm.
Emërtimi zyrtar i këtij lokaliteti, për më së gjati ka qenë “Suhogërlla” (Suhogërlë, Suhogërlo, Suvogërllo, etj…), ku pas shpalljës së Mbretërisë së Arbërisë (Regnum Albanaie) në vitin 1272, territori i Kosovës ishte nën pushtimin Mbretërisë Serbe, pas rënies së cilës u pushtua nga Perandoria Osmane. Syrigana asokohe ishte nahije në kuadër të Sanxhakut të Shkodrës. Ky toponim ishte i dhunshëm nga pushtuesi sllav, kuptimi i së cilit është kësisoj:

Suhogërlla => Suho-gërlla
srb. Suho/Suvo => i thatë
srb. Gërllo/Grlo => fyt

Sipas kësaj, kuptimi është: “Fyti i thatë”, që sipas serbëve lokal, ky emërtim bazohet në relievin e thatë të luginës së Gujës (Gujafçit).

Më pastaj, përshembull sipas historianit Ibrahim Çitaku, në vitin 1629 ky vendbanim përmendet me emrin “Sucho Grelo”, ndërsa në vitin 1703 “Suffogerla”.
Ndërsa historiani Nezir Çitaku, insiston në dy emërtime “Petropolis” dhe “Suka e Gurit”. Sipas tij nga mijëvjeçari IV BC, nga populli neolitik Pellazg u kriju një qytet jo grek, me sistem shoqëror si në Greqi me Petropolis, kuptimi i së cilit është kësisoj:

gr. Petro => Guri
gr. Polis => Qytet

Sipas kësaj, kuptimi është: “Qyteti i gurit”, që sipas historianit, ky lokalitet e merr emrin duke u bazuar në shtëpitë, muret dhe fortifikata e gurit që i kishte.
Sipas të njëjtin autor, ky lokalitet më vonë e merr emrin “Suka e Gurit”, emërtim që ka kuptim edhe sot në gjuhën shqipe. Kuptimi i së cilit është kësisoj:

Suka = Vend i ngritur si breg në një fushë, kodër e ulët, kodrinë.
E gurit => shkëmbor => i gurtë.

Sipas kësaj, kuptimi mund të jetë: “Bregu shkëmbor” për bregun e rrafshnaltës që quhet Rudina, apo edhe “Kodra e gurtë” për fortesën në luginën e Gujës që quhet Gjytet.

Përpos toponimeve në gjuhën greke, atë të pellazgjishtës-ilirishtës, përmes fjalorit etimologjik të gjuhës latine të botuar në vitin 1828 në Cambridge, UK, emri i Syriganës mund të ketë qenë edhe “Serra Gena” ose “Serra Gemonii”, Kuptimi i të cilave është kësisoj:

lat. Serra (siera) => Vargmal => Mal
lat. Gena => Mbulesë => Mburojë (në disa fjalore “gena” përkthehet si “qëpalla e syrit”)
lat. Gemonii => Shkallë => Hyrje => Portë

Sipas kësaj, duke qenë së në malet prapa fshatit Syriganë ishin vendbanimet qysh nga parahistoria si Treshi, Dreni, etj… kuptimi mund të jetë: “Mburoja e Malit” apo “Hyrja e malit”. Po ashtu duke qenë së Malet Dinarike shtrihen nga Ljubljana deri në Sharr, për të vazhduar me Alpet Shqiptare, kemi të bëjmë me vargmale – kuptimi mund të jetë “Mburoja e Vargmaleve” apo “Porta e Vargmaleve”.

Përfundimisht, emri zyrtar aktual “Syrigana” është toponimi më i qëndrueshëm.

Post scriptum

Pushtuesit ndër shekuj, e veçmas ai serb, përpos që ka synuar të përvetësoj tokën arbërore dhe pasurinë e të parëve tonë, me theks të veçantë është munduar që të përvetësoj historinë, kulturën dhe doket tona. Këtë, e bëjnë edhe sot, derisa historianët, arkeologët, klerët fetar, politikanët, etj… performojnë të sinkronizuar drejtë përvetësimit të vlerave tona.

Andaj, historia e Syriganës, Drenicës e gjithë Kosovës duhet të studiohet nga profesionist të mirëfillët shqiptarë.

Shprehë konsideratën më të lartë për dy historianët Prof.Ibrahim Çitaku dhe Prof.Nezir Çitaku, që përmes publikimeve të tyre për Drenicën qysh nga parahistoria, kanë arritë të ngjallin kurreshtjen e gjeneratave tona.

Kujtim Sh.DEMIRI |Magjistër i Shkencave të Sigurisë

Shtojcë: Lokaliteti Neolitik i Runikut

Për shkak të distancës së afërt gjeografike mes Syriganës dhe Runikut, prej tri kilometrave, vlerësoj që, pak fjalë për Runikun e pasuron këtë shkrim.

Këtu është dëshmuar një nga vendbanimet më të hershme neolitike të Kosovës që i takon Kulturës së Starçevës dhe të Vinçës, përkatësisht 6500 – 3500 BC dhe pasqyron një qytetërim të zhvilluar të Kohës së Gurit të Ri. Ky lokalitet arkeologjik është hulumtuar gjatë viteve 1966 – 1968 dhe sërish në vitin 1984; hulumtime sistematike të shtrira në rreth 35 parcela private të lagjes Dardania, më ç’rast u zbuluan mbetje dhe fragmente të shumta qeramike të periudhës neolitike.
Hulumtime më të avancuara u zhvilluan edhe gjatë muajit Mars të vitit 2010, këto të karakterit të surveut sipërfaqësor, të njohura si prospektim, apo incizime gjeofizike me magnetometër të cilat u zhvilluan në dy pjesë të këtij areali arkeologjik, që së bashku kapte një sipërfaqe prej rreth dhjetëmijë metër katrorë.

Nga materiali i lëvizshëm arkeologjik i zbuluar në këtë vendbanim neolitik, dominojnë fragmente të qeramikës monokrome me lustër të kuqe, shpesh të pikturuara me ngjyrë kafe dhe të bardhë me motive lineare e gjeometrike si dhe enë të zbukuruara në teknikën barbotine dhe impreso. Gjithashtu këtu janë dëshmuar edhe figurinat antropomorfe e tavolina (altar) kulti.

Nga zbulimet e shumëllojshme, në këtë lokalitet, reprezentativ neolitik, veçohet një artefakt unik jo vetëm për territorin e Kosovës por edhe për rajon. Ky ekzemplar i punuar nga argjila e pastruar mirë dhe e pjekur, me një lartësi prej 8cm dhe e vrimuar si në boshte, ashtu dhe në aksin më të lartë, kishte shërbyer si një instrumenti frymor muzikor, një lloj fyelli neolitik. Instrumenti ishte pagëzuar me emrin ‘Okarina e Runikut’ dhe është instrumenti me i hershëm muzikor zbuluar në Kosovë. Tingujt dhe vibrimet e ngrohta të lëshuara nga ky instrument, na transmetojnë botën e pasur shpirtërore e muzikore të njeriut neolitik të kësaj treve.

Artefakti unik, reprezentativ neolitik është pjesë e stemës së Komunës së Skenderajt

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here