Categories: SOCIALE

Meditim mbi jetën e teologut, politikanit, poetit dhe publicistit, Hafiz Ali Korça

KORÇE- Kishte qenë një natë e gjatë. Dhoma ndriçohej nga disa qirinj që ishin tretur deri në mes. Në shtëpinë gjysmë të ndriçuar ndihej aroma e temjanit. Gjithçka kishte qenë e ëmbël, dremitëse, e plogët, të paktën kështu dukej… Vetëm djalli nuk mund të hynte atje në atë dhomë, ku qirinjtë digjeshin në heshtje dhe dhuronin dritë. Hafiz Ali Korça vazhdonte të qëndronte i heshtur në dhomën e tij, i mbështetur pas divanit. Herë të jepte përshtypjen sikur kishte rënë në mendime të thella, dhe herë sikur dremiste në një gjumë të trazuar. Befas u çua në këmbë, u ul te tavolina, mori disa fije letër, i vuri përpara… Nxitonte në çdo veprim që bënte. Diçka duhej të kishte ndodhur në shpirtin e tij. Gjatë gjithë kohës që kishte qëndruar i mbështetur në divan kishte menduar të shkruante diçka për politikanët shqiptarë. Së fundi, kur idenë e tij e kishte konturuar krejtësisht, para syve i dolën 7 krijesa të frikshme me pamje tmerri që villnin nga goja flakë dhe shkretonin gjithçka. Pikërisht këtë gjë kishte dashur të shkruante: idetë e tij do ti përcillte përmes 7 shëmbëlltyrave të frikshme.
Shtatë ëndrrat
Afiz Ali Korça nuk kishte qenë në gjumë, nuk kishte parë asnjë ëndërr, nuk kishte dremitur, por ai do të shkruante shtatë ëndrra që njerëzit ta kishin më të lehtë të kuptonin atë çka ai dëshironte tu thoshte. Ëndrra e parë: I ishte shfaqur një kuçedër që nxirrte nga goja flakë dhe digjte gjithçka. Kuçedra kërkonte me çdo kusht të mos kishte askënd rreth vetes, të ishte mbizotëruese, të bëhej siç thoshte ajo. Pamja e saj ishte e frikshme, gjithçka digjej në zjarrin përvëlues… Ëndrra e dytë: Diku në një cep shtëpie, pa të vendosur një kasafortë të madhe (në shtëpinë e tij nuk kishte pasur kasaforta). Prej kasafortës, atë çast pa të dilte një nepërkë e helmatisur, e stërzgjatur dhe e frikshme, po aq sa kuçedra. Nepërka duke u spërdredhur largohej për diku që askush nuk mund ta dinte se ku… Ëndrra e tretë: Një ari i madh me gojë të stërmadhe u shfaq befas, i jepnin ushqim, por ai nuk ngopej asnjëherë, ishte gjithnjë i uritur, dëshironte të hante gjithçka… Ëndrra e katërt: Në dhomën e Hafiz, Ali Korçës tashmë kishin hyrë të gjitha bashkë dhe në të njëjtën kohë disa krijesa të frikshme, të cilat ishte e vështirë ti krahasoje me ndonjë qenie tjetër të planetit tonë. Ato kishin aftësinë të të fusnin tmerrin dhe të të linin me gjak të ngrirë njësoj sikur të ishin motrat e vdekjes. Ëndrra e pestë: Pamja e radhës kishte qenë edhe më rrëqethëse. Ishte shfaqur një peri, një zonjë e veshur me rroba të rënda, dukej mjaft e bukur, por, po atë çast disa krijesa të tjera që mbanin thika nëpër duar nisën ta copëtonin. Çdonjëra prej tyre kërkonte ti rrëmbente shpirtin. Ëndrra e gjashtë: Iu bë sikur gjendej në një pallat madhështor. Njerëzit e pallatit dukej sikur përpiqeshin të shkonin mirë me njëri-tjetrin, dhe të gjenin mirëkuptimin për të sjellë në pallatin e tyre një mbret, i cili si gjithnjë, ashtu si në përralla ndodhej larg, shumë larg dhe askush nuk ia dinte as pamjen e as trimërinë… Dhe së fundi: Përsëri një pallat, por kësaj radhe pamja ishte tejet makabër: njerëzit e pallatit ushqeheshin me kokat e njëri-tjetrit…
Shtatë interpretimet
Së fundi Hafiz Ali Korça i kishte shkruar shtatë ëndrrat. Po kush do ti interpretonte ato që gjithçka të kuptohej nga të gjithë? Nisi të shkruante përsëri. Këtë radhë solli një shëmbëlltyre tjetër: Një plakë të mençur e të ditur si vetë jeta. E quajti Hamzade. Ajo do të shpjegonte të gjitha ëndrrat, ashtu siç kishte bërë në lashtësi orakulli i Dodonës. Hamzadeja nuk ishte gjë tjetër veçse personifikim i Historisë së Shqipërisë, ishte Perëndia vetë. Dhe Hamzadeja tha: “Kuçedra është shëmbëlltyra e atij politikani që kërkon të kthehet në diktator, që dëshiron të dëgjohet vetëm zëri i tij… Ky njeri është i frikshëm…ai mbledh rreth vetes vetëm njerëz të interesave, servil dhe budallenj, nuk i pëlqejnë njerëzit e ditur… ata i largon, i vret, i mbyt…”. E pyetën për ëndrrën e dytë dhe Hamzadeja tha: “Nepërka që del nga kasaforta janë të huajt që përpiqen të zhvatin Shqipërinë, janë bankat e huaja që kërkojnë të përpijnë pasurinë e shqiptarëve…”. Po ëndrra e tretë? Dhe Hamzadeja u përgjigj: “Ariu i madh me gojë të stërmadhe është mbreti i huaj që do ti vijë Shqipërisë. Shqiptarët nuk bëjnë dot pa të huajt. Sa herë grinden, zihen e vriten, kërkojnë një të huaj që tu vijë nga jashtë e ti pajtojë…”. Po e katërta? Dhe Hamzadeja foli përsëri: “Janë politikanët tanë që gjithnjë përpiqen si e si të pasurohen më shumë, njëri të jetë më i pasur se tjetri, i pari të jetë më i fortë se i dyti, gjithnjë ka vazhduar kjo garë… I zoti është ai që vjedh më shumë, ku mundet e si të mundet dhe gjithnjë të thonë: “Jemi më të varfër se populli…”. Tek ëndrra e pestë, Hamzadeja qëndroi një çast e heshtur, pastaj tha:: “E bukur është Shqipëria, tha ajo, por politikanët tanë përpiqen ta ndajnë pjesë-pjesë: “Këtë pjesë e kam unë, këtë pjesë e ke ti”. Dëshirojnë ta shtrydhin si limon. Askush prej tyre nuk kupton që po i marrin shpirtin….”. Për ëndrrën e gjashtë, Hamzadeja tha: “Shqiptarët pajtohen vetëm atëherë kur i kanë punët pisk, vetëm atëherë kur u rrezikohet jeta e tyre, vetëm atëherë kur kuptojnë se askush prej shqiptarëve nuk i do, dhe në momente të tilla kërkojnë tu vijë në ndihmë një udhëheqës nga jashtë e tu rregullojë punët që kanë katranosur…”. Për ëndrrën e fundit Hamzadeja dha këtë përgjigje: “Po, kjo është një ëndërr mjaft e shpjegueshme, politikanët shqiptarë gjithnjë kanë jetuar duke ngrënë kokën e njëri-tjetrit…. Kam frikë se diçka e tmerrshme ka për të ndodhur …”. Hamzadeja e kishte fjalën për bolshevizmin që kishte nisur të shfaqej në horizont… Shkrimi dhe interpretimi i ëndrrave ndodhi në fillim të vitit 1924…

Nënë Hamzadeja
Më në fund Hafiz Ali Korça i kishte hedhur në letër idetë e tij. Fillimisht do të ishte një libër i vogël me 23 faqe, ndërsa më pas ai do të rritej gjithnjë e më shumë deri sa në vitin 1944 do të botohej me rreth 100 faqe. Një çast pati përshtypjen sikur plaka e mençur, e quajtur Hamzade, i kishte qëndruar vazhdimisht te koka dhe ndiqte me vëmendje çfarë shkruante ai. Kishte filluar të besonte se ajo ishte aty. Deshi ta pyeste: “Nënë Hamzade, më thuaj, të lutem, a i kam thënë të gjitha, dhe a i kam thënë bukur e mirë, a jam i qartë”? Në dhomën me qirinj kishte vetëm heshtje, por atij i dukej sikur dëgjonte fëshfëritjen e ecjes së saj. Deri atëherë kishte shkruar në shumë revista dhe gazeta, brenda dhe jashtë vendit, por për këtë shkrim ishte menduar shumë gjatë. Atë çast po i kujtohej jeta e tij. Hafiz Ali Korça kishte lindur në Korçë më 5 prill të vitit 1873, ishte biri i intelektualit të shquar Iljaz Efendiut. Pasi përfundoi shkëlqyer studimet në shkollat iptidaije dhe idadije të Korçës, studimet e larta i përfundoi për teologji në Stamboll të Turqisë në universitetin “Çift Erzerum”, i themeluar që nga shek XII. Fill pas mbarimit të shkollës ai njihte mirë gjuhën turke, perse, arabe dhe frënge. Për këtë arsye ai u bë dhe një nga përkthyesit e poetëve të mëdhenj të Persisë përktheu nga persishtja e vjetër “Rubairat” e Omar Khajamit, “Gjylistani dhe Bostani” të poetit të madh Mysli-Ad-Din Sadiut etj. “Megjithatë, duhej të kisha bërë më shumë”…, tha me vete. Befas, iu duk sikur dëgjoi zërin e plakës Hmazade, ajo po i thoshte: “Biri im, ju nuk keni arritur të çlodheni asnjëherë, deri tani të kam parë në pesë kongrese: në Kongresin e Manastirit, në përpjekje për një abetare unike; në Kongresin e Dibrës, ku fole për Shqipërinë Etnike; në Kongresin e Elbasanit, ku gjuha shqipe nisi të merrte udhë; në Kongresin e Lushnjës, ku ti ishte një ndër të parët për organizimin e tij; në Kongresin e Parë Mysliman (1923) për të shpallur mëvetësinë e kësaj feje… ah biri im, të kam parë edhe duke qarë, kur në qershor të vitit 1924, serbët bombardonin mbi Drenicën e Kosovës, ndërsa ti me dorën që të dridhej nga dhimbja, shkruaje: “Më s tu nda zjarri, më s tu nda flaka,/ Më s tu nda vrasja, ndjekja,shuplaka,/ Më s tu nda therja, mbytja grabitja,/ Më s tu nda shtypja, vojtja, drobitja!…”. Qani Kosovën dhe Çamërinë/ Për gjëmëzezat zgjatni zinë!… Të kam parë edhe më 14 shkurt të vitit 1910 në Korçë, te mitingu i madh i shkronjave shqipe, mes 15 000 burrave, ku që të gjithë të mbanin në krah dhe thërrisnin: “Rroftë, Hafiz Ali Korça, rroftë babai i shqipes… di që keni qenë një ndër pedagogët e parë të Mësonjëtores, që keni botuar tekste shkollore në gjuhën e nënës…, di që ngritët edhe komisionin “Përparimi” për pastrimin e gjuhës shqipe nga fjalët e huaja, di shumë për ju….”. Ndoshta ishte ky çast që Afiz Ali Korça vendosi të botonte “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”.

Deputetët
Hafiz Ali Korça vendosi që “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë” tua çonte deputetëve. Ata sapo kishin ardhur në pushtet dhe me siguri do ta dëgjonin, do ti lexonin ëndrrat e tij dhe ndoshta do të mendonin qoftë edhe një çast të vetëm për to, që të paktën ëndrrat e tij të mos dilnin ashtu siç i kishte parashikuar plaka Hamzade. Biseda me deputetët kishte qenë e ngrohtë, miqësore, e respektueshme… Hafiz Ali Korça gjithnjë kishte qenë një njeri i nderuar. Vetë Ismail Qemali e kishte thirrur në qeverinë e tij. Në atë qeveri, Hafizi kishte punuar si këshilltar i ministrit të Arsimit, Shahin bej Dino, si drejtor i arsimit për rrethet: Tiranë, Durrës, Elbasan, Pogradec, Dibër dhe Mat, vazhdonte të ishte Kryetar i Këshillit të Lartë të Sheriatit, por deputetët dinin edhe më shumë se kaq. Afiz Ali Korçën gjithnjë kishin dashur ta dënonin me vdekje, sepse përhapte farën e gjuhës shqipe. “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”, vërtetë ishin të frikshme, por Hafiz Ali Korça tani kishte kohë që po i trembej edhe një ëndërr tjetër: në horizont kishte nisur të shfaqej fantazma e bolshevizmit…. “Shqiptarët mund ta ndërtojnë Shqipërinë, u tha deputetëve, mund të ndërtojnë një Shqipëri të re, aq më shumë tani që jemi të pavarur…, por fantazma e komunizmit duket se po i afrohet edhe Shqipërisë… kam një merak: rruga nëpër të cilën po ecni ju, nuk të çon në Qabe, por në shkretëtirë… sepse kur detyra i dorëzohet atij që sështë i zoti e se meriton, atëherë prit shkatërrimin… po su bashkuam të gjithë, si e do sot interesa, ta dini bukur e mirë, se shteti do të çkrihet, porsi vesa…”. Hafiz Ali Korça kishte përmendur disa nga vargjet e tij. “Megjithatë, tha Hafizi, duke dashur ti jepte fund bisedës së tij, tani drejtimi i Shqipërisë është në duart tuaja…… por, bolshevizmi…”. Ky tmerr nuk po i ndahej… Në atë kohë, Afiz Ali Korça ishte 51 vjeç. Një vit më vonë, më 1925, do të shkruante librin me titull: “Bolshevizmi është shkatërrimi i njerëzimit”, ku mes të tjerash thotë” “Shih pra, nuk mbetën fare ndërtesa/ Ndër këmbë u muar e shenjta besa,/ Xhami e kish slan, i rrënuan,/ E kësi punësh djajt i shënuan,/ Priftërinjtë e hoxhët si kec i grinë, Inteligjentët në dhet i shtrinë…”.

I vetëm
Kur Hafiz Ali Korça mendonte se kishte bërë një punë të mirë, pikërisht në atë kohë, në vitin 1925, e përjashtuan nga Këshilli i Lartë i Sheriatit, po përpiqeshin ta linin gjithnjë e më shumë në harresë. Ai ishte autor i shumë librave, por “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë” dhe “Bolshevizmi është shkatërrim i njerëzimit”, kishin filluar ti hapnin shumë telashe, po e mënjanonin nga skena politike. Ashtu si gjithnjë erdhi një natë dhe ai u mbështet në kanape dhe nisi të mendonte sërish nën dritën e qirinjve… “Ku shkuan vallë të gjitha përpjekjet e mia…”, tha me vete. Përgjigjen e dinte, nuk ishte e nevojshme tia thoshin të tjerët, por atë çast iu duk sikur dëgjoi zërin e plakës Hamzade të vetë Perëndisë: “Biri im, i mbaj mend unë të gjitha: kur ishte 20 vjeç të pashë kur të arrestuan në Stamboll, sepse në valixhen tënde gjetën libra të shkruara në gjuhën shqipe, isha aty edhe kur të internuan në Sinop, të ndiqja me vëmendje edhe kur jepje mësim falas për djemtë dhe vajzat e Korçës, u rrëqetha kur Kisha dhe pushtetarët e Korçës kërkonin dënimin tënd me vdekje, u gëzova kur të pashë në krye të çetës së Devollit, u ndjeva e pafuqishme kur të internuan sërish më 1903 në Spartë të Konjës, sepse ti vazhdoje tu mësojë fëmijëve gjuhën e nënës, qava në heshtje, kur rebelët e Haxhi Qamilit të kapën në Shijak e të tërhoqën zvarrë nga njëri qytet te tjetri, mu drodh zemra kur të vunë pushkën te koka e donin të të vrisnin, por nuk mundën, sepse në atë turmë njerëzish pati edhe nga ata që e dinin kush ishte Hafiz Ali Korça, nuk të vrisnin dot biri im, pati nga ata që u tmerruan kur mësuan se kë kishin dashur të pushkatonin… “Këto fjalë që duket se i kishte dëgjuar vetëm ai, ia qetësuan shpirtin e plagosur…”

I internuar
Çuditërisht edhe kur ishte krejtësisht i bindur se tashmë në pushtet po vinin komunistët, Hafiz Ali Korça, në qershor të vitit 1944, ribotoi “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”, por ai ishte dhe autori i librit, “Bolshevizmi është shkatërrimi i njerëzimit”. Në atë kohë (1944) vazhdonte të ishte pedagog në Medresenë e Tiranës. Diktatori Hoxha i dha goditjen e fundit. E largoi nga Tirana, nuk e lejoi kurrë të kthej në Korçë, e internoj në Kavajë. Duket se nuk e kishin harruar të gjithë: Mustafa Dervishi, një miku i tij, i lëshoi një dhomë në shtëpinë e vet. Jetoi atje deri sa më 31 dhjetor të vitit 1956 u nda nga jeta. Deri në atë kohë interpretimet e plakës Hamzade kishin dalë që të gjitha… Edhe tashmë që është në varr, Hafiz Ali Korça dëshiron që ëndrrat e tij të mos dalin… Kur po e përcillnin për në banesën e fundit, thonë që në atë ceremoni ishte dhe plaka Hamzade, thonë që arkivoli i Hafiz Ali Korçës u drodh në supet e njerëzve që po e mbanin, nga brendësia e arkivolit u dëgjua një zë: “Për Shqipërinë u përpoqa,/ sa flijova jetën time,/ nuk tregohet se sa hoqa,/ se shteti mi njihte krime…”.(shkruar nga Hafiz Ali Korça).

InForCulture

Recent Posts

Përse macet ju presin tek dera kur shkoni në shtëpi? Këto janë arsyet

  Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…

10 hours ago

Pse nuk duhet të karikoni kurrë telefonin në aeroport!

  Ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë që udhëtarët të shmangin përdorimin e stacioneve të karikimit…

11 hours ago

Fotoja e Google Maps zbulon vrasësin që ngarkon trupin në makinën e tij

  Një foto tronditëse nga Google Street View ka çuar në zbulimin e një vrasje…

11 hours ago

Mbi tezën ilire e pellazge të prejardhjes së shqiptarëve

Eqrem Çabej (1908-1980) Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet…

12 hours ago

Nëse keni këtë grup gjaku, studimet thonë se ADN-ja juaj është e veçantë

  Nëse keni grup gjaku O, ju jeni më unik se një njeri mesatar. Sipas…

12 hours ago