Categories: ART

Epika e Yjeve të Mëngjesit

DISIDENTI BLU…

Ishte kjo pikturë, edhe fillimi i fundit të artistit… “Nxirje e realitetit” u cilësua vepra, ndërsa Edison Gjergon, si artist me “ndikime të huaja” e priste fundi  i pashmangshëm i burgjeve dhe kampeve të përqendrimit.

Gjergo ishte artisti që lexoi dhe e kundërshtoi kohën, me guximin e karakterit dhe forcën e talentit. Ndërsa vepra e tij është sot, fanari i kohëve të errëta të konformizmit, artit dhe jetës së imponuar, vetë komunizmit që erdhi pas luftës së shqiptarëve për çlirim. Ai ishte artisti që thirri hapur kundër kohëve të errëta të propagandave çnjerëzore të diktaturës. Piktori kërkonte lirinë… dhe Epika e Yjeve të Mëngjesit është gjith’ çfarë artistin e privonte. Është mungesa e ajrit nën qiellin me yje… në skajin e errët mbi tokën e tiij. Aty ku kishte hedhur rrënjët pushteti absolut. Ku edhe arti, – si në rastin e tij, – ishte i dyshimtë, ishte armik.

“Epika…” erdhi triumfuese ndaj tiranisë së sistemeve diktatoriale, si triumfi i dritës ndaj errësirës…/Konica.al

***

Edison Gjergo (Tiranë 16.04.1939 – 25.06.1989 )
Edison Gjergo ishte një nga piktorët e rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX. I prirur drejt një pikture më moderne, larg nga rregullat e Realizmit Socialist, Gjergo me tablotë e tij “ndryshe” arriti të ndikojë në modernizimin e pikturës shqiptare të viteve ’70. Edison Gjergo ishte një nga piktorët kryesorë që realizoi në vitet 1971-1973, vepra me prirje të fuqishme moderniste. Në trajtimin piktorik të tablove të tij, vihen re gjithmonë e më shumë tendencat ekspresioniste & kubiste, larg shablloneve të ngurta akademike dhe skematizmit që mbizotëronte në këtë periudhë në artin figurativ shqiptar. Piktori Gjergo zgjodhi tematikën e tablove të tij, brenda rregullave të realizmit socialist.“Era” e një jete politike sociale më liberale që u ndje në fillimin e viteve ’70 edhe në kulturën shqiptare. bëri që mjaft piktorë sidomos ata të rinj, të realizonin punimet e tyre në forma artistike “novatore” për kohën.

Ky grup artistësh ku protagonist ishte dhe piktori Edison Gjergo nuk gjetën frymëmarjen dhe mbështetjen e duhur. Kështu që pas dy ekspozitave kombëtare të titulluara “Pranvera” (1971,1972) u urdhërua nga pushteti komunist, dënimi i kësaj tendence novatore në art e kulturë si veprime antiligjore e antikombëtare. Një pjesë e artistëve, shkrimtarëve, regjizorëve u dënuan me burgime apo dhe u persekutuan, ndër ta ishte edhe piktori Edison Gjergo, i cili sidomos me veprën e fundit të ekspozuar “Epika e yjeve të mëngjesit” (1971) , do të hapte hapësira dhe konceptime të realizimeve bashkëkohore në pikturën shqiptare. Kjo krijimtari nga rregjimi komunist i Hoxhës u etiketuan “të degjeneruara dhe me ndikime “borgjezo – revizioniste”. Ngjarjet politike të viteve 1973-1974 në Shqipëri, ndikuan edhe në jetën e piktorit Edison Gjergo, pasi ai ishte ndër artistët që u dënuan me 8 vjet burg (1974-1982) nga Gjykata, për idetë liberale dhe krijime artistike të ndikuara nga piktura europiane-perëndimore e asaj kohe. Pas lirimit nga burgu, Edison Gjergo, u detyrua të punojë si punëtor i thjeshtë dhe nuk u lejua të ekspozojë, kështu që ai i dërmuar nga jeta, i braktisur nga kolegët dhe miqtë mbeti jashtë jetës artistike të kohës duke rënë në dëshpërim të thellë, u alkolizua dhe u sëmur rëndë. Në këto vite artisti .realizonte kryesisht ndonjë portret familjar apo peizazh, Tabloja “Epika e yjeve të mëngjesit” e merr subjektin nga lufta nac.-çl. Në tablo paraqitet një moment pushimi i një formacioni partizan, të cilët janë të ndarë në dy grupe. Në grupin e planit të parë, një grup partizanësh janë mbledhur pranë një malësori nga zona veriore e Shqipërisë që po këndon me lahutë. Figura kryesore është ajo e lahutarit plak, i cili po këndon këngët epike të folklorit shqiptar. E gjithë vemëndja është përqëndruar te kjo figurë, e cila nga qëndrimi dhe pikturimi është krejt e veçantë. Skena është përfytyruar nga artisti në një natë me yje, moment që i ka dhënë tablosë nota epiko-romantike. Ky element ka lidhje veçanërisht nga pikturimi në anën e djathtë të tablosë të figurës së një vajze të re partizane që mban në dorë një lule me petale të kuqe. Ndërsa tri figurat e partizanëve janë të përqëndruar tek kënga e lahuratir plak, vajza e re paraqitet mjaft indiferente dhe po admiron bukurinë e lules që mban. Nga veshja e personazheve me pallto ushtarake të gjera e të gjata kuptohet që jemi ende në stinën e dimrit. Pikturimi i kësaj tabloje është e ndikuar nga kubizmi dhe ndjehet një lirshmëri penelatash në trajtimin koloristik të vetë figurave, portreteve të tyre si dhe peizazhit që ka krijuar atmosferën e një nate me yje. Gjergo ka proceduar me ngjyra të pastra e potente në veshje dhe me tonalitete hije drite tek portretet me prirje grafike, që i japin tablosë modernitet për kohën kur u realizua në Shqipërinë komuniste. Në tablo “ndjehet” një atmosferë tjetër nga jeta partizane në krahasim me piktorët e tjerë që trajtuan në artin pamor shqiptar temën e luftës. Largimi nga heroikja dhe trajtimi më njerëzor jetës partizane e bën këtë tablo me mjaft interes veçanërisht me për vitet e vështira kur ajo u krijua nga autori i saj Edison Gjergo. Tonaliteti i ngjyrave të ftohta në përgjithësi e atmosferës së tablosë është në kontrast me veshjet e figurave të partizanëve duke e krijuar kështu një vepër të veçantë, mjaft moderne dhe unike në artin shqiptar të shekullit XX Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ruhen një koleksion vetëm prej katër tablo të tij si: “Heroina Zonja Çurre” (1966), “Epika e yjeve të mëngjesit”(1971), “Fonditori”(1971) dhe “Portret malësoreje” (1972). Pas viteve 1990 veprat e piktorit Edison Gjergo janë pjesë e linjës muzeale të GKA.

Pjesëmarrje të artistit në disa nga ekspozitat kryesore:

1966 – Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative, me rstin e 25 vjetorit të themelimit të PPSH. Artisti morri pjesë me një punim: “Heroina Zonja Çurre

23 .11.1970 – Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative, piktorëve dhe skulptorëve të rinj “Rinia në punë dhe në jetë”. Artisti morri pjesë me një punim: “Kënga e aksioneve”.

1971 – Ekspozita Kombëtare “Pranvera”. Artisti morri pjesë me dy punime: “Epika e yjeve të mëngjesit”(1971), “Fonditori”(1971)

1972 – Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative e Rinisë. Artisti morri pjesë me një punim:”Portret malësoreje”

Nëntor 1974 – Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative, kushtuar 30-vjetorit të çlirimit të atdheut. Artisti morri pjesë me një punim: “Tekstilistët”.

postbck postbck

Recent Posts

𝐊𝐨𝐧𝐭𝐫𝐢𝐛𝐮𝐭𝐢 𝐢 𝐇𝐨𝐱𝐡𝐚𝐥𝐥𝐚𝐫ë𝐯𝐞 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫ë 𝐧ë 𝐡𝐚𝐫𝐭𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐚𝐥𝐟𝐚𝐛𝐞𝐭𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐚𝐛𝐞𝐭𝐚𝐫𝐞𝐯𝐞 𝐭ë 𝐠𝐣𝐮𝐡ë𝐬 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞

𝐊𝐨𝐧𝐭𝐫𝐢𝐛𝐮𝐭𝐢 𝐢 𝐇𝐨𝐱𝐡𝐚𝐥𝐥𝐚𝐫ë𝐯𝐞 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫ë 𝐧ë 𝐡𝐚𝐫𝐭𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐚𝐥𝐟𝐚𝐛𝐞𝐭𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐚𝐛𝐞𝐭𝐚𝐫𝐞𝐯𝐞 𝐭ë 𝐠𝐣𝐮𝐡ë𝐬 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞” 🇦🇱 📚…

2 minutes ago

Pamje të rralla nga Rugova, në vitin 1961 (Video)

RETROSPEKTIVË: Pamje të rralla nga Rugova, në vitin 1961 (Video) https://www.facebook.com/watch/?v=550225794417404&rdid=2l0cmv6oLgz5kHUY

57 minutes ago

Dy thelpinj hudhra në ditë – ja si ndikon në organizëm

  Hudhra është një burim natyral i shumë ushqyesve të domosdoshëm për shëndetin e organizmit.…

1 hour ago

Pastroni veshkat tërësisht me kurën natyrale të qepës

Veshkat janë të rëndësishme për nxjerrjen e toksinave dhe helmeve ushqimore jashtë organizmit. Procesi i…

2 hours ago

Si të përdorni gjethet e hurmave për qarkullimin e mirë të gjakut

  Hurmat e shijshme dhe ekzotike kanë diçka magjike që shkon përtej kënaqësisë së shqisave…

2 hours ago