Qyteti fillonte disa metra mbi shkollën time. Në të dy anët e rrugës, që atëherë dukej shumë e gjërë, ngriteshin në qiell dy vargje të plepave. Plepat, me trupat e tyre të gjatë, e mbulonin rrugën me hije dhe e krijonin flladin veror. Gjatë dimrit, era i detyronte degët të lëviznin deri sa dukej se i nështronte me qëllim. Rruga ka qenë e shtruar me ‘kocka’ (kubëza guri). Kur kalonin automjetet e rralla, ne ndaleshim t’i shikonim. Në disa raste vraponim pas për t’i prekur. Ky ka qenë një lloj sporti argëtues për ne fëmijët. Kjo ishtë për shkak se nuk shihnim automjete shpesh.
Rrotat e automjeteve lëviznin mbi ‘kocka’, duke lëshuar një zhurmë konstante. Një ‘grrrrëëë’, që shkonte duke u ngulfatur me largimin e automjetit. Nëse qëllonim të ishim brenda në automjet, zhurma e rrotave ndjehej në mënyrë të veçantë. E ndjenim ne trup – në bark dhe zemër. Dridheshim nën komandën e rrotave. Kjo ishte edhe nga gëzimi që kishim rast të hipnim në ndonjë veturë apo edhe autobus nëse kishim fat të udhëtonim diku larg qytetit.
Nën shkollën tonë dykatëshe dhe në formë të shkronjës U, ka qenë një ndërtesë përdhese që shërbentë për konvikt të nxënësve të shkollave të mesme. Nga oborri i shkollës i shikonim hyrje daljet e këtyre nxënësve që na dukeshin burra.
Nën konvikt, trotuari zgjerohej. Në mes trotuarit dhe në skaj të gjelbërimit, gjendeshin tri dritare të ngritura mbi tokë, që shërbenin për reklamë të filmave që shfaqeshin apo që priteshin të vinin së shpejti. Njerëzit ndaleshin aty për t’u munduar ta kapnin kuptimin e filmit nga posterat dhe fotografitë reklamuese. Në xhamat reflektues, dikush e nxirrte krahërin nga xhepi dhe e shftytëzonte rastin të krihej, si para pasqyrës. Kur punëtori i kinemasë i ndërronte fotografitë dhe posterat, krijohej një turmë e njerëzve që nxitonin ta shihnin sa më shpejt se cili do të ishte filmi i ardhshëm. Punëtori e kryente punën e tij dhe ngjitej shkallëve të gjëra të ndërtesës krenare të kinemasë.
Gati përballë kinemasë qëndronte hapësira e përmendores. Aty rrinte përmendorja që simbolizonte jetën e re socialiste, të arriturat e vendit që i siguronte ‘vëllezërim-bashkimi’. Më herët aty ka qenë një përmendore tjetër – ajo e ‘kralit’, që ishte hequr nga aty, disa vite pas luftës. Unë nuk e kam zatetë ‘kralin’, por një i afërt i familjes time tregonte me mburrje se si e kishte rrëzuar ‘spomenikin e kralit’ me FAP të ‘Binaqka Moravës’, ku ai ishte shofer. Pastaj, e kishin vendosur përmendoren e re, të cilën sërish e hoqën nga aty para disa viteve për ta zëvendësuar me këtë që është sot: Idriz Seferit. Ndërrimi i përmendoreve tregon kthesat historike të qytetit.
Sidoqoftë, nën kinema dhe nën ndërtesën e gjykatës, ka qenë ‘Hotel Evropa’ – një ndërtesë e stilit të Evropës së Mesme që ndërtoheshin në qytetet e provincave, siç ishte edhe ky i joni. Hapësira e gjërë para hotelit, shërbente si stacion i autobusave. Aty qëndronin dy autobusë të ktheyr në drejtime të ndryshme, që tregonin edhe kahjen se ku shkonin. Nuk kishte shumë destinacione. Vetëm dy ekzistonin: një për Ferizaj e tjetri për Bujanoc.
E ngjitur për hotelin ka qenë një ndërtesë përdhese, por me kulm të lartë, themelet e së cilës i rrihte lumi i qytetit. Aty ka qenë një furrë, që kur i xirrte bukët dhe simitat taze, e mbushte vendin me aromë, të cilën më së shumti e ndjenim ne fëmijët. Të rriturit, sidomos pas ‘korzës’, hynin të krekosur në ambëltoren e ‘goranit’, pothuaj përballë hotelit. Parmakët e ‘Urës së Maskatarit’ shpesh shërbenin si mbështetëse për të rinjtë që nga aty, të veshur me rroba të modës së kohës, i vështronin vajzat, apo reklamoheshin para tyre, ose e shikonin se si ecte bota para syve të tyre. Ndërkohë, pështynin ose i gjuanin bishtat e cigareve në ujin e kthelltë të lumit, ku herë pas here vinin duke notuar qetë patat dhe rosat në vargje.
Disa dhjetëra metra në të djathtë të urës, ka qenë libraria. Vitrina e saj reklamuese kishte një xham të gjërë e të gjatë. Aty vendoseshin ekzemplarët e librave për të treguar se ishin brenda për blerje. Në librari mbretëronte aroma e librit. Nuk ka asnjë aromë më të këndshme se kur e hapni librin e ri dhe i huhatni faqet e tij. Aromë për të cilën iu merr malli dhe vështirë e kujtoni pa u përlotur.
Pastaj, vinte pazari i rrethur me ndërtesa në të dy anët. Duhej ngjitur shkallët për të hyrë nga rruga kryesore. Afër pazarit, ku gjendej ndërtesa e restoranit ‘Union’, dilte një aromë e ushqimit që i sfidonte shqisat e të nuhaturit. Sa herë që kaloje atypari, ndjeheshe i uritur. Pas pazarit, shiheshin shtëpitë e bukura dy katëshe me shumë dritare – shtëpi bejlerësh.
Asnjë nga këto ndërtesa, dhe shumë tjera, nuk genden sot. Janë zevendësuar me të reja gjatë socializmit apo gjatë kohës edhe më të re të post-socializmit. Qyteti e ka humbur pamjen. Ka mbetur pa karakter dhe pa shpirt. Sot ka njerëz më shumë, por duken që asgjë nuk i lidhë me të kaluarën e qytetit. Ecin nëpër rrugët e tij, sikur në tokë të huaj. Ka më shumë edhe ndërtesa dhe lëvizje, por nuk ka identitet. Vrapi për të renë, ia ka shkatërruar të kaluarën dhe ia rrezikon të ardhmen.
Edhe fotografitë e të kaluarës janë të pakta. Qyteti ka mbetur vetëm në kujtesë. Për mallëngjim dhe nostalgji.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here