Pikërisht 153 vite më parë, më 22 qershor 1869 Shoqata e Inxhinierëve dhe Arkitektëve të Austrisë inaguronte me rastin e 25 vjetorit të Hekurudhës së Semmeringut monumentin madhëshor në Stacionin e Semmeringut në kujtim të veprës të ish-anëtarit të shoqatës së tyre, projektuesit të kësaj kryevepre të artit të ndërtimit të hekurudhave, inxhinjerit Karl Gega.
22 qershori 1869 e përjetësoi këtë personalitet shumëdimesional duke iu bërë e ditur të gjithëve se Karl Gega është Gega i Semmeringut, se personin nuk mund ta ndanin më nga vepra e tij.
Kjo hekurudhë u krahasua me kryevepra të tjera të mendjes njerëzore dhe shumë shkrimtarë e publicistë hiqnin edhe paralele me mrekullinë botërore të Piramidave të Gizeh-ut në Egjipt. “Një kryevepër e mendjes njerëzore, që për të gjithë kohët do të mbetet e lidhur me jetën e Gegës“,e ka vlerësuar Presidenti i Austrisë, Franz Jonas.
Foto: Monumenti në Stacionin e Semmeringut dhe hekurudha e projektuar nga Karl Gega
Kryevepra e Karl Gegës, Hekurudha e Semmeringut, punimet për ndërtimin e së cilës filluan më 1848 dhe përfunduan më 1854, nuk ishte vetëm një risi në fushën e ndërtimit të trasesë për konstruksionin e lokomotivave malore apo teknikën e sigurisë, por ajo shënonte dhe një hap përpara në drejtim të ndërtimeve malore, duke shënuar një arritje në studimin e teknikës së ndërtimit me shina. Në një zonë tepër malore, rreth 1000 metra mbi nivelin e detit, u ndërtuan 41 km hekurudhë, shumë vepra arti, 15 tunele me një gjatësi të përgjithshme prej 4520 metra, nga të cilët ai i Semmeringut 1430 metra, 16 viadukte me gjatësi 1502 metra (disa prej tyre me dy kate), si dhe disa dhjetëra ura. Në ndërtimin e trasesë së Semmeringut punuan rreth 20.000 vetë. Vështirësitë ishin shumë të mëdha: terreni tepër i thyer, dimri i egër, epidemitë vdekjeprurëse, por edhe kushtet e punës, efektiviteti i ulët nga mungesa e mekanizimit dhe veglave cilësore të punës, pasi dinamiti akoma nuk ishte shpikur. Të tilla vështirësi kolosale, Karl Gega i përballoi me aftësi, pasion, besim e guxim të rrallë dhe arriti një fitore historike, në shkencën e ndërtimit të hekurudhave.
Foto: Një nga urat e Hekururdhës së Semmeringut
Mё 12 prill 1854 Perandori Franz Jozefi udhёtoi nё hekurudhёn e re tё Semmeringut i shoqёruar nga Gega. Njё muaj mё vonё, mё 16 maj 1854 Perandori sё bashku me perandoreshёn Elisabeth (Sissi) bёnё njё tjetёr udhёtim pas martesёs sё tyre nё kёtё hekurudhё, tё shoqёruar nga Gega. Ata i shprehёn Gegёs kёnaqёsinё e tyre tё jashtёzakonshme pёr kёtё ndёrtim tё mahnitshёm nё njё nga zonat mё tё bukura tё Austrisё, qё siguronte pёrfundimisht lidhjen pa probleme midis Vjenёs dhe Gracit.
Nё mirёnjohje tё shёrbimeve tё shkёlqyera shumёvjecare tё Karl Gegёs Perandori Franz Josef, e dekoroi dhe e bёri Gegёn mbajtёs tё disa urdhёrave dhe titujve tё fisnikёrisё. Mё 22 qershor 1851 Karl Gega mori titullin fisnik “Ritter” (Kalorёs).
Por kush ishte realisht Karl Gega?
Vetëm pak vite pas vdekjes së Gegës (14 mars 1860) nisën të hulumtojnë më shumë për jetën e tij private dhe filloi të krijohej dhe të rritej legjenda mbi figurën e tij. Ishte pikerisht shoqatë e arkitektëve austriakë, që e kundërshoi ndertimin e hekurudhës, duke e konsideruar kalimin e Semmeringut si një marrëzi dhe të pamundur për kohën, por që diti pak vite më vonë të vlerësojë gjeninë e Geges dhe t´i bëjë një vlerësim që nuk ia kishte bërë askujt deri në atë kohë.
Të gjithë biografët e Karl Gegës (botimet për të janë me dhjetëra në Austri, Itali e Gjermani), në se kanë arritur të japin një përshkrim të detajuar të të gjithë veprimtarisë së Gegës si arkitekt e inxhinier, e kanë pasur të pamundur të hyjnë në jetën e tij personale. Biografi më i fundit i Gegës, austriaku Wolfgang Straub, në librin e tij të ri botuar më 2004 „Karl Ritter von Gega“ nënvizon: “Për njeriun-Gega, ne nuk kemi trashëguar pothuajse asgjë”.
Jeta e tij private në të gjitha botimet letrare e shkencore është trajtuar në përgjithësi, në mënyrë të mjegullt apo hipotetike. Sigurisht që edhe prejardhja e tij është trajtuar në mënyrë hipotetike, duke e konsideruar si austriak italian. Edhe në ato raste kur thuhej se prejardhja e tij mund të ishte nga Shqipëria, referuar formalisht mbiemrit të tij, ajo konsiderohej më shumë si një hipotezë, por jo si një realitet i argumentuar dhe i provuar.
Familja Gega mendohet të jetë vendosur në Venedik (Venecia e sotme), në gjysmën e parë të shekullit të 18-të. Të parët e Karl Gegës, pasi u larguan nga Shqipëria, e cila ra plotësisht nën sundimin turk me mposhtjen edhe të Shkodrës më 1479, u vendosën në Perast pranë Kotorrit në Mal të Zi, zonë nën kontrollin venedikas. Prej më shumë se tri shekujsh, ata shërbyen si oficerë marine dhe zyrtarë të lartë të Republikës së Venedikut. Një dokument i 3 tetorit 1739 mund të konsiderohet si dokumenti i parë, i gjetur deri tani, që provon linjën e Gegëve, që fillon me Gjergj Gegën, kapiten dhe gjykatës në Perast dhe vazhdon me të birin e tij Kristoforin, oficer marine në Venedik dhe pjesëmarrës në Luftën Veneciane të Thesalisë kundër Turqve, ku mbeti i plagosur dhe humbi një krah. Kristofor Gega pati një djalë me emrin Gasper, i cili në vazhdën e traditës familjare u bë oficer marine, duke arritur gradën e kolonelit. Gasper Gega u martua me Laura Javellin, familja e së cilës, prej dekadash kishte drejtuar “Scuola dei Albanesi” (Shkolla e Shqiptarëve) të Venedikut. Me të ai pati tre fëmijë: Antonin, Xhovaniantonin dhe Angelën. Anton Gega është babai i Karl Gegës. Ai vazhdoi traditën e të parëve si oficer marine. Më 1823, Kapiteni Anton Gega gjen vdekjen pranë Smirnës (Izmiri i sotëm) gjatë Luftës për çlirimin Greqisë nga turqit. Sigurisht që kërkime të mëtejshme në arkivat veneciane e malazeze do të hedhin më shumë dritë mbi periudhën para vitit 1739 të familjes Gega.
220 vite më parë, më 10 janar 1802 familja e Kapitenit të Marinës Venedikase, Anton Gega kishte një gëzim të veçantë: lindjen e djalit të vogël Karl-it, që një shekull më vonë do të shkëlqente me gjeninë e tij e do të radhitej ndër 100 “Austriakët më të mëdhenj” të të gjithë historisë së kombit austriak, krahas Moxartit, Froidit, Maria Terezës, Franz Josefit, Kafkës etj.
Nё disa botime ditёlindja e Karl Gegёs figuron mё 13 qershor 1802 dhe si referencё është regjistri i punёs, i plotёsuar nga vetё Gega. Nё kёtё regjistёr Gega ka shёnuar si datё tё lindjes datёn e dhёnies sё emrit (pagёzimit), prandaj nё disa botime figuron gabim si datёlindje 13 qershori 1802. Kjo pёr arsye tё rёndёsisё mё tё madhe, qё i jepej ditёs sё emrit nё krahasim me datёlindjen.
Familja Gega banonte në lindje të qytetit në “Sestiere di Castello”, lagje e oficerëve dhe nëpunësve të Marinës Veneciane, pranë rrugës Via Garibaldi dhe Rio di S.Anna-s.
Arsimin fillor Karl Gega e mori pranё familjes nё Venedik. Studjuesit e shumtё tё Gegёs thonё qё shpresat e tё jatit, Antonit, ishin pёrqendruar te djali i vetёm, i cili do tё vazhdonte traditёn e familjes nё karierёn ushtarake detare. Por pa mbushur mire 13 vjec kariera e ardhshme e Karlit mori drejtim tjetёr. Nё vitin 1814 Austria rimori edhe njё herё nё zotёrim Venedikun, dhe pikёrisht nё kёtё kohё Anton Gega, duke parё mungesёn e perspektivёs nё marinёn veneciane, por edhe duke vleresuar dhuntitё e Karlit, vendosi t’ i japё tё birit njё tjetёr drejtim nё jetё. Kalri kaloi nga Kolegji Real i Marinёs (Reale Collegio di Marina) nё kolegjin ushtarak tё Shёn-Anёs, që e përfundoi shkëlqyeshëm. Pas pёrfundimit tё kolegjit Karli ndoqi pёr disa muaj njё institut privat marine, me qёllim qё tё thellonte njohuritё e tij nё matematikё. Me dëshmitë e të dy shkollave, Karli regjistrohet në janar 1818 në vitin e dytë të studimeve në kursin trevjeçar, në Fakultetin e Shkencave të Filozofisë dhe Matematikës të Universitetit të Padovës, në të cilin punonin pedagogët dhe shkencëtarët më të mirë të kohës. Kalimi direkt në vitin e dytë të Universitetit mundësohej nga fakti që, ky student i talentuar e zotëronte lëndën e vitit të parë. Por edhe viti i dytë nuk zgjati shumë, pasi në gusht të vitit 1818, Karli dha provimet përfundimtare dhe u emërtua “Inxhinier arkitekt”, kurse më 11 qershor 1819, Gega u diplomua “Doktor në matematikë” me vlerësimin unanim “shkëlqyeshëm” (a pieni voti e con laude) të Komisionit të Universitetit të Padovës.
Por ajo qё tё tёrheq vёmendjen ёshtё se Karli krahas me ndjekjen e shkollёs private, qё nё tetor 1817 kishte filluar punё nё Inspektoriatin Qendror i Ujrave dhe Rrugёve tё Qeverisё sё Krahinёs sё Venetos, pjesё e Perandorisё Austro-Hungareze dhe njëkohësisht ndiqte edhe kurse nё “Akademinë e Arteve të Bukura“ (Accademia dei Belli Arti) nё qytetin e Venedikut, qё i dhanë njё formim tё plotё nё fushёn e arkitekturёs.
Piketat e ardhshme tё jetёs sё kёtij 17-vjecari ishin vendosur tashmё, ai ishte njё talent i jashtёzakonshёm nё fushёn e shkencave natyrore e teknike, qё e nxitёn nё mёnyrё intensive gjatё gjithё veprimtarisё sё tij dhe karierёs si nёpunёs, qё ai e filloi dhe e vazhdoi deri nё fund tё jetёs pa ndёrprerje pёr mё shumё se 40 vjet nё shёrbim tё Perandorisё Austro-Hungareze, nga tё cilat 17 vite nё Venedik.
Gjenia e tij u shpalos realisht në dhjetëra rrugë, vepra e hekurudha në Perandorinë Austro-Hungareze të asaj kohe (në Austri, Gjermani, Çeki, Hungari, Sllovaki, Slloveni e Itali), që kanë vulën e mendjes gjeniale të Karl Gegës: rruga Ampezzane (Strada d’Alemagna), që lidhi Venedikun me Tirolin (1820); projektet për ndërtimin e rrugëve në Vittorio Veneto dhe Conegliano; ndërtimi i godinës së gjykatës në Treviso në Piazza del Duomo(1824); projekti për rregullimin e ujërave të lumit Po në zonën e Rovigos (1830); drejtimi i punimeve për ndërtimin e segmentit hekurudhor Vjenë- Ravensburg-Brno (Ceki) 140 kilometra e gjatë (1839); drejtimi i segmentit hekurudhor Tirol-Voralberg (1840); drejtimi i punimeve për segmentin hekurudhor Mürzzushlag-Grac (1844) dhe Grac–Celje (Sloveni); projektimi i linjave hekurudhore për në Ljubljanë dhe Trieste (1845).
Padyshim kryevepra e Karl Gegës konsiderohet Hekurudha e Semmeringut, punimet për ndërtimin e së cilës filluan më 1848 dhe përfunduan më 1854. Korriku i vitit 1857 do të shënonte një tjetër kulm të inxhinierit e projektuesit Gega, përfundimin me sukses të „Hekurudhës së Jugut“ -Vjenë-Trieste, që ishte triumfi më i madh i artit të ndërtimit dhe që kurorëzonte atë punë gjigante, për të lidhur me linjë hekurudhore Detin e Veriut me Detin Adriatik, që nëpërmjet kalimit të Semmmeringut, shkroi një sukses të madh në historinë e teknikës së re të ndërtimit të hekurudhave. Nё 1852 nё kohёn e punimeve nё Hekurudhёn e Semmeringut, Karl Gega caktohet Drejtori i Pёrgjithёm pёr ndёrtimin e hekurudhave nё rangun e njё kёshilltari perandorak. Me kёtё emёrim tё ri ai arriti postin mё tё lartё tё njё nёpunёsi tё hekurudhave tё Perandorisё Austro-Hungareze. Megjithёse kishte arritur kёtё post kaq tё lartё, Gega vazhdonte tё projektonte, ndёrtonte dhe drejtonte.
Por vdekja e parakohshme e Karl Gegës nga njё sёmundje e rёndё më 14 mars 1860, në apartamentin e tij në “am Lugeck”, që ndodhet në qendër të Vjenës, i ndërpreu në mes projektet e tij gjeniale. Jo vetёm pёr shumicёn e shqiptarёve, por edhe pёr shumё austriakё, Karl Gega ka pёrfunduar nё vetëvrasje dhe „arsyeja“ ishte se nuk u bashkua aksi i hyrjes dhe i daljes sё tunelit tё Malit tё Semmeringut, tё projektuar nga Gega, fakt që nuk është i vërtetë. Ceremonia fetare mortore u zhvillua në Katedralen kryesore të Vjenës, Shën-Stefan, në prani të motrave të tij, kurse trupi u përcoll për në varrezat e Währinger-it në Vjenë. Më 1887, kur këto varreza u shpërngulën, sarkofagu me eshtrat e Gegës u vendos në panteonin e njerëzve më të shquar të Austrisë pranë Moxartit, Bethovenit, Shubertit, Shtrausit e Brahmsit.
Foto: Monumenti i Karl Gegës dhe pllaka përkujtimore në “am Lugeck”, Vjenë.
Prejardhja e Karl Gegës
Çështja e prejardhjes së tij ka qenë një nga çështjet më të diskutuara në të gjitha botimet, qoftë të natyrës shkencore, qoftë të natyrës publicistike.
Nga literatura e studjuar deri tani, ai që e pohon prejardhjen shqiptare të Gegës, dhe që nga pikpamja kohore përbën një nga dokumentat referues më të vjetër, është studjuesi i historisë së hekurudhave austriake, Enderer, i cili në konferencen me rastin e 75 vjetorit të Hekurudhës së Semeringut në 1929 theksonte: ” Këtu lind pyetja në se italianet mund ta konsiderojnë Gegën si bashkatdhetarin e tyre. Nga gjaku dhe prejardhja si zor. Të parët e Gegës i kanë shërbyer si oficere marine Republikës së Venedikut, dhe del që e kanë prejardhjen nga Shqipëria, kështu që nga rraca ai do të mund të mbahej si shqiptar”.
Por në botimet e mëvonshme, sidomos në ato, që lidhen me 100 vjetorin e Hekurudhës se Semmeringut sillen argumente dhe prova që hedhin dyshim mbi origjinën dhe prejardhjen e tij shqiptare, duke sjelle si argumente faktorë gjuhësorë e fonetikë.
Një nga studjuesit më seriozë të Karl Gegës, Paul Mechler, drejtor i Muzeut të hekurudhave në Vjenë, do të shkruante në vitin 1960: „ Po vihet përsëri në dyshim nga pala veneciane prejardhja shqiptare, e pranuar nga të gjithë, e familjes Gega, që i ka dhënë Republikës së San Markos oficerё marine tё zotё pёr shumё gjenerata”.
Në tri nga botimet biografike më të plota për Gegen të autorëve Alfred Niel (1977), Aldo Rampati (2002) dhe Wolfgang Straub (2004) argumentat mbi prejardhjen e familjes Gega kanë pothuajse të njëjtat shpjegime, që për mendimin tonë i referohen citimeve të njëri tjetrit ose i referohen pohimeve gojore të personave të intervistuar, duke vënë në dyshim prejardhjen e tij shqiptare. Asnjëherë në të gjitha botimet nuk është pohuar se janë kryer kërkime e studime në arkivat veneciane për të argumentuar dhe provuar prejardhjen e familjes Gega, e cila prej shumë gjeneratash shërbente në flotën detare të Venedikut.
Sigurisht si pikënisje për një argumentim të saktë dhe shkencor të origjinës shqiptare të Karl Geges, bazuar në dokumenta autentikë duhet të ishte Venediku. Eshtë e cuditshme që asnjë nga studjuesit seriozë të Geges nuk i është drejtuar arkivave të tij, që konsiderohen si më të plotat dhe të saktat nga të gjitha arkivat evropiane. Aty është e dokumentuar gjithcka, që nga viti 889 (vit që daton fillimin e arkivave të këtij shteti) deri në vitin 1797, kur u pushtua nga Napoleon Bonaparti.
Në të gjitha studimet mbi Gegen nuk është përmendur asnjëherë fakti i pranisë në Venedik prej më se gjashtë shekujsh i kolonisë shqiptare, nga gjiri i së cilës kanë dalë shkencëtarë, shkrimtarë, publicistë, artistë, ushtarakë e veprimtarë të shquar. Duhet nënvizuar fakti që Venediku u bë qendra kryesore, ku u vendosën shumica e dijetarëve e mendimtarëve shqiptare pas vdekjes së Skenderbeut, ku ndër më kryesorët do të përmendnim Gjon Buzukun, Marin Barletin, Marin Beçikemin, Leonik Tomeon etj.
Në Panegjirikun e Marin Beçikemit (1468-1526, shkrimtar dhe dijetar shkodran, profesor i retorikës në Univesitetin e Padovës, larguar për në Venedik pas rënies së Shkodrës më 1478), drejtuar në 1503 Dozhës së Republikës së Venedikut dhe Senatit thuhej: “Ne shkodranët si mbetëm të mërguar, erdhëm në Venedik shtatëqind burra, një mijë e treqind fëmijë dhe po aq gra” (Bëhet fjalë për emigrimin e madh pas rënies së Krujës dhe rrethimit të Shkodrës në vitin 1478).
Prania e shqiptarëve në Venedik nënvizohet edhe në punimin e studjueses Evangelia Skoufari „I forestieri a Venezia tra Medioevo e prima Etá Moderna“ (Të huajt në Venedik nga mesjeta deri në kohët e para moderne), botuar nga Universiteti i Padoves në 2003, e cila thekson: “Kemi një vendosje të tregtarëve shqiptarë në Venedik në gjysmën e dytë të shekullit të XIV. Pastabiliteti i brendshëm politik dhe rreziku në rritje i invazionit turk është një nga shkaqet e emigrimit të shqiptarëve në këtë periudhë për në Venedik. Nga ana tjetër nevoja gjithnjë e më urgjente e Venedikut për të rekrutuar mercenarë stradiotë shqiptarë si dhe marinarë e detyroi Venedikun të favorizonte emigrimin e shqiptarëve (të cilët preferoheshin edhe për arsye të besimit të tyre të krishterë) dhe të lejonte në vitin 1388 kalimin e Adriatikut me anijet veneciane ose raguziane“.
Po në këtë punim theksohet se shqiptaret katolikë janë vendosur kryesisht në “Sestiere di Castello”, në famulline Di Santa Maria Formosa, midis brigjeve të Shiavonit dhe sheshit të “Santi Filipo e Giacomo“, (lagje, ku ka banuar dhe familja Gega).
Shqiptarët janë emigrantët e parë, që themelojnë dhe një shoqëri (vllazëri) të tyre “La Scuola di San Severo e San Gallo” në vitin 1442, që njihet me emrin “Scuola dei Albanesi” dhe që synonte t´iu vinte në ndihmë të gjithë shqiptarëve që vinin në Venedik, si dhe të ruante traditat dhe gjuhën amëtare, shkollë e drejtuar prej shumë vitesh nga familja e gjyshes së Karl Gegës. Në vitet e më vonshme, pas pushtimit të Shqipërisë nga Turqia, kjo qendër kulturore shqiptare punoi në favor të çlirimit të vendit, si dhe për ruajtjen e traditave më të mira kulturore shqiptare.
Një nga përfaqësuesit më të shquar të kësaj shkolle shqiptare është edhe piktori dhe skulptori i famshëm i rilindjes italinae Vittorio Carpaccio (1455-1526) me origjine nga Korca, që në vitin 1502, kur u ndertua edhe qendra e “Scuola dei Albanesi”, realizoi me gdhendje në faqen ballore të godinës bazorelievin me temën shqiptare ”Rrethimi i Shkodres”, një kujtim shumë domethënës për atdheun.
Por prania e shqiptarëve në jetën ekonomike e kulturore të Venedikut provon të ketë qenë e pranishme gjatë gjithë shekujve deri në prag të shekullit XX. Faktet e pranisë së shqiptarëve konfirmohen edhe nga leterkëmbimi, që veprimtarja e madhe me origjinë shqiptare Eleni Gjika (Dora DÌstria) ka pasur me shkrimtarin e madh arbëresh De Rada. Në dy nga letrat e saj ajo shkruan për këtë koloni shqiptare dhe praninë e shqiptarëve kudo në Venedik.
Ajo që thekson Dora D’istria mbi “praninë e Shqipërisë kudo në Venecia” vërtetohet edhe sot pas më shumë se 150 vitesh. Jane 9 rrugë dhe sheshe që sot e kësaj dite mbajnë akoma emrat shqiptarë: Calle dei Albanesi (Canarregio), Ramo dei Albanesi (Canarregio), Campiello dei Albanesi (Canarregio), Calle dei Albanesi (Santa Croce), Campiello dei Albanesi (Santa Croce), Calle dei Albanesi (Rio Terá), Calle dei Albanesi (San Marco), Calle dei Albanesi (Castello), Ruga Apolonia (Castello).
Kjo është prova më e mirë e pranisë dhe vazhdimësisë së shqiptarëve në Venedik nga mesjeta deri në ditët tona.
Të gjitha faktet e mësipërme konfimojnё bindjen tonë mbi origjinën shqiptare të Karl Geges, dhe dokumentet e gjetura nё arkivat e Vjenes, Malit të Zi dhe Venedik-ut do të hedhin dritё mbi këtë enigmë të fundit dhe do të provojnё përfundimisht me dokumenta autentike origjinën shqiptare të Karl Gegës.
“Pronësia” mbi Gegën
Padyshim argumentat mbi Karl Gegën „italian“ apo Gegën „austriak“, janë të lidhura me faktorë të shumtë historikë, kulturorë, psikologjikë, etikë e moralë. Çdo komb kërkon gjithmonë të vërë në pah identitetin e tij dhe ky identitet në një farë mase mishërohet te personalitetet dhe figurat e mëdha. Një figure e tillë është edhe Karl Gega.
Të gjithë kombet menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore kishin nevojë për figura të dimensioneve mitike, që të mobilizonin masat e dala nga kjo luftë shkatërrimtare, të kishin një model të cilit t‘i drejtoheshin dhe të frymëzoheshin. Dhe një figurë e tillë ishte Karl Gega.
Detyra e studjuesve dhe historianëve është që të vënë në pah të gjithë elementët dhe faktorët, që ndikojnë në formimin dhe lindjen e personaliteteve të tillë historikë, të cilët nuk lindin si të tillë rastësisht, por janë produkt i faktorëve tepër të rëndësishëm si familja, tradita, edukata, formimi, rrethi shoqeror, në të cilin janë rritur dhe brumosur, që në një masë të madhe ndikojnë në lindjen e gjeniut.
Dokumentimi dhe vënia në pah e prejardhjes dhe origjinës së Karl Gegës, nuk duhet të konsiderohet si një përpjekje folklorike apo mendësi romantike nacionaliste, por si një detyrim moral dhe shkencor, që do ta bëjë më të plotë portretin e gjeniut Karl Gega.
Çështja e prejardhjeve ka kohë që është bërë një nga çështjet më të ndjeshme jo vetëm ne skenen ballkanike, por edhe më gjerë, mjafton të kujtojmë debatin për prejardhjen e kompozitorit të madh Mozartit.
Rasti i Nënë Terezës, mohimi i prejardhjes së saj shqiptare dhe hedhja në tregun e mediave e tezave nga më absurde për origjinen e saj, sikurse shprehet shkrimtari ynë i shquar Kadare: “ … jane tërthorazi nje përpjekje për të shpallur, se populli shqiptar s´mund të ketë modele pozitive, e aq më pak modele sublime si Nënë Tereza…“
Fati ka dashur, qё ne shqiptaret, të kemi një privilegj të madh, të krenohemi me figura të tilla mitike, të cilat do t´i kishte zili çdo komb.
220 vjetori i lindjes së Karl Gegës kaloi në heshtje dhe ne ndjehemi borxhli, kundrejt këtij gjeniu dhe vlerësimit të veprës së tij. Pavarësisht nga mungesa e të dhënave të plota historike mbi prejardhjen e tij shqiptare nuk justifikohet heshtja nga institucionet përkatëse shkencore, kulturore e arsimore për përkujtimin e kësaj figure, që i bën ndër kombit shqiptar. Emërtimi në Tiranë vetëm i një shkolle të mesme profesionale dhe një rruge me emrin e Karl Gegës është një vlerësim i pamjaftueshëm për veprën e tij. Do të ishte nder, për njërin nga universitetet tona teknike të mbante emrin e të madhit Karl Gega. Kjo do të ishte edhe mënyra më e mirë, për ta përjetësuar emrin e tij. Dhënia e çmimit me emrin “Karl Gega” nga Akademia e Shkencave ose institucionet tona për zbulimet ose shpikjet në fushën e shkencës, teknikës dhe arkitektures do të ishte një tjetër vlerësim, që do t´i bëhej atij nga vendi i të parëve të tij.
Skënderbeu, Nënë Tereza, Karl Gega, Aleksandër Moisiu – janë figura, të cilat ne shqiptarët duhet t´i kemi si emblema në flamurin tonë, për tu bërë pjesë e Evropës së Bashkuar. Janë figura që tregojnë se si ne shqiptarët jemi ndjerë evropianë nëpër shekuj dhe asnjëherë nuk e kemi braktisur ëndrrën për të qenë në Evropë. Shumë popuj do të dëshironin t´i kishin këto figura. Ne që i kemi, duhet të dimë t´i vlerësojmë sa më mirë. Këto modele duhet të jenë mbështetja dhe frymëzimi në punën tonë, për të rritur imazhin e vendit, për të bërë më të pranishme, më të njohur, më të afërt dhe më të dashur Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në botë.
Soda e bukës mund të jetë një nga produktet që përdoret më së shumti…
Një peshk remo është shfaqur në bregun e Grandview në Encinitas, Kaliforni. Është zbulimi…
Zbulohen kulla kripe solide në tabanin e Detit të Vdekur. Të krijuara nga vetë natyra, nuk…
Vendbanimi i pasardhësve të ilirëve, ushtarëve të Lekes madhe në Pakistan që flasin theksin Burrash,…
Ditarët e luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der…
Nga: Claire Turrell / The Daily Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Influencuesit [influencer] që lëvizin shkopin e…