6.1 C
Pristina
Tuesday, June 28, 2022
Home KURIOZITETE Historia e rrëmujshme e kalendarit që përdorim ende sot

Historia e rrëmujshme e kalendarit që përdorim ende sot

Edhe pse është diçka që synon të vendosë rregull në jetën sonë, historia e kalendari të sotëm perëndimor ka një historitë rrëmujshme. Kjo ka ndodhur pjesërisht për shkak të vështirësisë së bashkërendimit të orbitave të trupave qiellorë me ciklet e ditës dhe të natës, dhe kalimin e stinëve këtu në Tokë.

Viti i matur me orbitën e Tokës rreth Diellit është afërsisht 365,2422 ditë. Edhe Hëna nuk është një “adhuruese” e numrave të plotë. Në harkun kohor të një viti, ka rreth 12,3683 muaj hënorë. Shoqëritë njerëzore, janë përpjekur tradicionalisht që të njëjtat stinë të rreshtohen me të njëjtët muaj.

Për shembull kalendarët e lashtë të Mesopotamisë, bashkërendonin muajt dhe stinët duke shtuar herë pas here muaj, një proces ky i quajtur ndërthurje. Por në disa sisteme hënore, muajt mund të zhvendosen nëpër stinë. I tillë është rasti i kalendarit islamik Hixhri.

Kalendari diellor i Romës së lashtë, krijon kalendarin tonë modern perëndimor. Kalendari Julian, i quajtur kështu sipas reformave të Jul Çezarit gjatë viteve 46-45 Para Erës Sonë, e përafroi vitin diellor në 365,25 ditë dhe futi një ditë shtesë çdo katër vjet. Por edhe ai rregullim la jashtë llogaritjes 11 minuta.

Po ashtu Kalendari Julian na la një trashëgimi, ku muajt zhvendosen në pozicione të çuditshme. Për shembull muaji ynë i 11-të, nëntori, rrjedh nga latinishtja për numrin 9, si rezultat i zhvendosjes së fillimit të vitit nga marsi në janar.

Muajt ??dhe emrat e rinj u riorganizuan për t’u përshtatur me mekanizmat e pushtetit. Për shembull, gushti është emërtuar kështu për ndër të perandorit romak August. Siç është shprehur historiani i famshëm australian Kristofer Klark:”Ashtu si graviteti e përkul dritën, edhe pushteti e përkul kohën”.

Ndërsa perandoria romake u zhvendos në botën që sot e quajmë Mesjetë, fuqia që e përkuli më me sukses kohën ishte ajo e Kishës. Por ashtu si në të tashmen, Kisha përbëhej nga një shumëllojshmëri fuqish të ndërthurura me dallime lokale dhe rajonale, dhe me një sërë identitetesh dhe përplasjesh të brendshme.

Për shembull, fillimi i vitit mund të ndryshonte shumë në shoqëritë mesjetare. Ndonjëherë ishte 25 marsi, dita që përkujtonte shfaqjen e engjëllit Gabriel tek Maria. Herë të tjera ishte 25 dhjetori, që pranohej gjerësisht si ditëlindja e Jezusit.

Ndonjëherë, fillimi i vitit ishte data e lëvizshme e Pashkëve, duke bërë që vitet të ndryshonin në gjatësinë e tyre. Pikërisht në këtë periudhë 11 minutat shtesë sollën një ndryshim gradual. Stinët nisën të zhvendoseshin pak nga pak, dhe kjo do të sillte pasoja të rëndësishme për llogaritjen e kohës në botën e krishterë.

Data e të dielës së Pashkëve (një tjetër pikë grindjeje), ishte caktuar duke ndjekur Ekuinoksin e Pranverës Veriore, një simbol natyror i dritës që pushton errësirën. Por ndërsa kjo traditë nisi të zbehej, filloi të shfaqej një dallim midis një Pashke “të ligjshme” – ajo e dekretuar nga kalendari – dhe një Ekuinoksi “natyror”, pra Ekuinoksit që mund të vëzhgohej.

Kur hendeku midis të dyjave u zgjerua, shkencëtarët dhe teologët (shpesh të njëjtët njerëz) debatuan mbi propozimet për të reformuar kalendarin. A duhet të hiqeshin një numër ditësh nga viti vetëm një herë, për të riorganizuar kohën ligjore dhe të vëzhgueshme? Nëse po, sa? Kush duhet të jetë përgjegjës për ndryshimin?

Debatet u shtuan në shekullin XIV, me një numër propozimesh për reformimin e kalendarit, të cilat dështuan në testin e kohës apo të mbështetjes politike nga sundimtarët në mbarë Evropën. Një propozim i tillë u zbulua kohët e fundit, i fshehur brenda një libri të shtypur në Bibliotekën Universitare në Kembrixh.

Ai është shkruar në vitin 1488 nga teologu i Universitetit të Luvenit, Peter de Rivo, që sugjeroi heqjen e 10 ditëve nga kalendari. De Rivo mendonte se një festë e njohur si Jubile, ku turma pelegrinësh udhëtonin nga e gjithë Evropa drejt Romës, do të ishte koha e përkryer për t’i bërë të njohur botës reformimin e kalendarit.

Propozimi nuk ishte i pari dhe as i fundit. Por përfundimisht ato 10 ditë u zhdukën, kur Papa Gregori e reformoi kalendarin në vitin 1582. Ky kalendar i ri, Kalendari Gregorian, kapërceu nga 4 tetori 1582 në 15 tetor 1582. Po ashtu ai bëri një përafrim më të mirë të gjatësisë natyrore të vitit, duke përdorur vitet e brishta në një cikël 400-vjeçar.

Reforma e vitit 1582 ndodhi në një botë të përçarë nga ndarjet fetare, disa të vjetra, dhe disa të reja. Anglia protestante nuk i miratoi ndryshimet deri në shekullin XVIII-të. Shumë komunitete të krishtera ortodokse vazhduan të përdornin Kalendarin Julian, me rishikimet e mëvonshme të këtij kalendari, që ishin të diskutueshme dhe provokuan përçarje të mëtejshme.

Kalendari na ndihmon pasi na jep një lloj “harte” të revolucioneve në ndryshim të stinëve, formës së jetës sonë dhe harqeve më të mëdha të historisë. Por a mund të kemi diçka më të mirë sesa Kalendari Gregorian? Kjo pyetje u bë shumë shpesh në shekullin XVIII-të nga të ashtuquajturit mendimtarë të ndritur, dhe ishte në rendin e ditës gjatë Revolucionit Francez.

Në vitin 1793, qeveria revolucionare e rregulloi muajin në 30 ditë standarde (secila me 3 javë me nga 10 ditë), duke lënë 5-6 të pandara në vit, dhe duke u dhënë punëtorëve vetëm 3 ditë pushim çdo muaj. Fillimi i vitit u zhvendos në Ekuinoksin e vjeshtës, pasi barazia e dritës dhe errësirës ishte një simbol i idealeve të republikës së re./News24.al/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Sundoi oqeanet për miliona vite, pse u zhduk super-peshkaqeni Megalodon?

Nga Michael Heithaus Imagjinoni të udhëtoni pas në kohë, dhe të vëzhgoni oqeanet e 5 milionë viteve më parë. Ndërsa qëndroni...

Gjërat më të çuditshme që njerëzit gjetën në oborret e tyre(Video)

A mendoni se e dini se çfarë ka në oborrin e shtëpisë tuaj? Ju ndoshta mendoni se po. Kështu mendonin edhe këta...

Pikturat e harruara të Pirros dhe mbretit ilir Glauk

Pirroja i Epirit është figura e vetme brenda truallit ilir që përmendet gjërësisht sot nëpër auditorët më seriozë të historisë nga pedagogë...

Recent Comments