6.1 C
Pristina
Saturday, July 2, 2022
Home HISTORI/ARKEOLOGJI Gjin Bua Shpata “lavdia e racës shqiptare” – Koha e Shqiptarëve: Shpatajt...

Gjin Bua Shpata “lavdia e racës shqiptare” – Koha e Shqiptarëve: Shpatajt dhe Zenebishët, zotër të Epirit

Pëllumb Xhufi

Pas fitores së bujshme në Akeloos, i gjithë Epiri, përfshirë edhe Etolo-Akarnania në jug të Gjirit të Artës, ra në duart e krerëve shqiptarë, kurse relikat e fundit të aristokracisë bizantine e serbe të Epirit e posaçërisht të Vagenetisë (Çamërisë-Thesprotisë) u grumbulluan në qytetin e Janinës. Me mbështetje të mbretit serb Simeon, që qeveriste në Thesali, paria e vjetër ia dorëzoi qytetin e Janinës serbit Thoma Preljuboviç, i cili hyri në Janinë në vitin 1367.

Gjysma e dytë e shek. XIV ishte edhe në Epir momenti i Shqiptarëve. Shqiptarët kishin dalë me propotencë në skenën e historisë që në dekadat e para të shek. XIV në një territor të gjerë, nga rrjedha e Drinit e deri thellë në Epir. Kemi të bëjmë me emancipimin e parë të madh të tyre në luftë me klasën e vjetër feudale bizantine, serbe e latine.

Me kolapsin e perandorive të mëdha, bizantine e serbe, filloi të shpërndahej tisi “bizantin”, që kishte mbuluar për shekuj kombësitë e ndryshme që përbënin Perandorinë dhe në vend të tij burimet historike fillojnë të flasin për komponentët e ndryshëm kombëtarë të tyre. Pikërisht atëherë edhe në Shqipërinë e Poshtme dolën në skenën e historisë krerë feudalë shqiptarë nga familjet Bua, Shpata, Zenebishi, Losha. Jemi në vitet e para të shek. XIV, kur në kartat e Anzhuinëve të Napolit shfaqen emrat e mësipërm dhe të tjerë emra fisnikësh nga krahina të ndryshme shqiptare. Pas triumfit të tyre në betejën e Akelout mbi despotin Niqifor II Dukas, dy ishin krerët shqiptarë që ndanë mes tyre pothuaj të gjitha territoret e despotatit të dikurshëm të Artës. Këta ishin Gjin Bua Shpata dhe Pjetër Losha.

Sundimit të zotërve shqiptarë i shpëtoi Thesalia, ku qeveriste vetë Simeon Uroshi, si dhe qyteti i Janinës, ku ndërkohë kishin gjetur strehë edhe shumë nga përfaqësuesit e aristokracisë së vjetër ushtarake bizantino-serbe, që u detyrua të braktisë kështjellat e Vagenetisë përballë fuqisë së zotërve të rinj shqiptarë. Në vitin 1360, me rastin e një konflikti të shqiptarëve të kësaj ane me kontin e Qefalonisë, Leonard Tocco, dëgjojmë të flitet për herë të parë për një “despotat të shqiptarëve” (lu despotatu de li Albanesi)63. Titullar i atij despotati ishte Gjin Bua Shpata. Ai përmendet me këtë titull si nga burimet greke, ashtu edhe ato latine (dispoto Ispada, ‘Twávvns Aeonóτnç o Znátαç)65. Gjini ishte më i madhi i 4 vëllezërve, prej të cilëve njihet mirë Sguro Bua. Në fakt, pas betejës së Akelout, “Kronika e Janinës” pohon se tokat e Despotatit të Artës (Etolisë) u ndanë mes dy “despotëve shqiptarë”, Gjin Buas në viset e Akelout e të Angjelokastrës, dhe Pjetër Loshës në zonën e Artës e të Rogut. Paskëtaj, despoti Gjin Shpata u nis nga Akelou dhe mori Artën. Në vitet që ndoqën, Gjin Bua Shpata e shtriu pushtetin e tij në një rreth akoma më të gjerë. Në vitin 1380 ai shënohet edhe si zot i Naupaktit, kështjellës strategjike në gjirin me të njëjtin emër (åñò τoû avvé ντου τῆς Ναυπάκτου Μπούα Δεσπότου τοῦ Σπάτα)68. Zotërimin e Naupaktit nga Shpatajt atë kohë, si dhe “të të gjithë vendeve të Despotatit” e konfirmon edhe “Kronika e Toccove”. Naupakti shënonte edhe skajin më jugor të zotërimeve të Bua Shpatajve, të cilat në këtë krah përkonin me kufijtë historikë të themës bizantine të Nikopojës (shek. IX) e më vonë të Despotatit bizantin të Artës (shek. XIII). Në vitin 1395, pelegrini Nikolla Marconi, konstatoi se Despoti i Artës sundonte gjithë sterenë përballë ishullit të Leukadës, d.m.th. Akarnaninë, të cilën ai e quan pjesë të Shqipërisë7⁰. Gjithsesi ne dimë, se në krye të “despotatit të Shqiptarëve” në vitin 1380, ishte fisniku Gjin Bua Shpata”. Si “Kronika e Janinës”, ashtu edhe “Kronika e Toccove” rezervojnë vlerësimet më të larta për kreun e Shqiptarëve të Despotatit. Ai ishte “një burrë i shkathët dhe i shquar në gjithçka, njeri që i kishte hije fjala dhe vepra, i hijshëm në të parë, njeri i teorisë dhe i praktikës”. Ishte, me një fjalë, “lavdia e racës shqiptare” (τὸ φοῦμος τοῦ Άλβάνι)73.

“Arbërit e Jonit” P. Xhufi   faq. 318 – 321

Përgatiti Elis Buba/usalvision

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Vlerat e rralla të dardhave shqiptare, zbulojini këtu

Dardhat shqiptare kultivohen gjerësisht gati në të gjithë vendin. Sipas AgroWeb.org, Përmeti, Pogradeci, Dibra, Korça, Vlora, Lushnja, Fieri, jo...

Mesazhet e lashta të Ilirëve(Video)

Historia e tyre eshte sa enigmatike aq edhe e pastudiuar siç duhet. A mundet nje varreze te percjelle mesazhe nga lashtesia ?...

Shenjat që tregojnë se fryrja e barkut nuk është normale

Fryrja e barkut është krejtësisht normale dhe e përkohshme kur shfaqet para menstruacioneve ose pas ngrënies...

Misteri i arit shqiptar…(Video)

Sa ar ka dale nga fabrika e Rubikut gjate periudhes se komunizmit ? Perse ky proces qendronte i fshehte dhe ku shkonte...

Recent Comments