Viktor Hygo, Poezi

Të uroj

Të uroj më së pari të duash 
E duke dashur, do të të duan edhe ty 
Dhe ata që s’të duan, harroji 
E përtej harrimit, mëritë e vjetra kurrë mos t’i kujtosh!

Të uroj të vazhdosh të duash pa u dëshpëruar 
Të uroj që edhe sikur mes miqve të tu 
Të ketë të pasjellshëm, të pamatur e t’pamend 
Ti, ti… qëndro gjithmonë trim e besnik 
Pse mes tyre ka për të qenë edhe një i vetëm 
Tek i cili ti mund të besosh padyshim 
Pse jeta vetë është e tillë.

Të uroj gjithashtu të kesh armiq 
Të shumtë, a një të vetëm, aq sa ti të kuptosh. 
E kështu të mund të mësosh zemërgjerësinë prej tyre 
Dhe ndër ta, të jetë qoftë edhe një i drejtë, 
Aq sa ti të mos ndjehesh krejt i sigurt.

Të uroj më shumë të jesh i vlefshëm, po jo i pashembullt 
E në çaste të vështira 
Kur asgjë nuk shkon si duhet 
Vlera jote të të japë forcë e kurajo të vazhdosh.

Të uroj po ashtu të jesh zemërgjerë 
Jo me ata që lajthisin pak 
Sepse kjo është e lehtë 
Por me ata që gabojnë trashë e janë të pandreqshëm 
Dhe duke shprehur zemërgjerësinë tënde 
Ti mund të shërbesh si shembull për të tjerë.

Të uroj gjithashtu që duke qenë i ri 
Të mos rrekesh të piqesh me të shpejtë 
E kur rritur të jesh 
Të mos këmbëngulësh të hiqesh më i ri 
E duke qenë plak, të mos pushtohesh prej dëshpërimit 
Sepse çdo moshë ka bukurinë e dhimbjen e saj.

Nuk të uroj të jesh i trishtuar. Oh jo! 
Jo gjithë vitin, por ta njohësh trishtimin veç një ditë! 
E kështu të çmosh 
Që e qeshura e rigjetur është edhe më e mirë 
Se një e qeshur e rëndomtë, e vakët, e shpëlarë që të dëmton.

Të uroj mes tjerash të mbjellësh një farë 
Një farë të vockël fare 
E ta shoqërosh gjithë rritjen e saj 
Për të zbuluar prej sa shumë jetësh është ndërtuar një pemë.

Të uroj gjithashtu të kesh edhe pak para 
Aq sa nevojiten e t’ia dalësh mbanë 
E që së paku një herë në vit të reflektosh 
Mbi ato para e të thuash: “Janë të miat, i kam fituar vetë!” 
Për ta bërë të qartë e të njohur: 
Se kush është pronar i kujt!

Të uroj gjithashtu të mbash sa më gjatë t’jetë e mundur 
Gjithçka që dashuron 
E nëse dashuritë shkojnë, të mund të qash pa u ankuar 
E të vuash pa u ndjerë fajtor!

Të uroj së fundmi 
Që nëse je një burrë, të kesh një grua të mirë 
E nëse je një grua, të kesh një burrë të mirë. 
Nesër, pasnesër e sërish të pasnesërmen 
Edhe sikur rraskapitur të jeni 
Ta gjeni buzëqeshjen si në t’parën ditë dashuruar 
të jeni gjithnjë!

E nëse të gjitha këto ndodhin për ty 
Atëherë, s’do të kem më asgjë të të uroj!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here