6.1 C
Pristina
Tuesday, June 28, 2022
Home HISTORI/ARKEOLOGJI Ahmet Zogu e ndaloi kultivimin e hashashit, Enver Hoxha e legalizoi për...

Ahmet Zogu e ndaloi kultivimin e hashashit, Enver Hoxha e legalizoi për eksport!

Nga: Afrim Imaj

Hashashi në fillimet e monarkisë së Ahmet Zogut, nuk ka qenë as i lejuar dhe as i ndaluar. Në vitin 1931, nuk dihet nga çfarë rrethanash, Qeveria e Zogut është detyruar ta ndalojë me ligj kultivimin e tij. Një dokument i kohës bën me dije se me kërkesë të Prefekturës së Korçës dhe pas studimit të hollësishëm të informacionit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, me propozim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave, i kryesuar nga Pandeli Evangjeli, mori vendimin numër 178, më 27 mars 1931, për të anuluar lejen e dhënë një subjekti për mbjelljen e hashashit, me arsyen se prodhimi i kësaj bime konsiderohej i dëmshëm nga çdo pikëpamje.

“Këshilli i Ministrave, konfirmon dokumenti në fjalë, vendosi në unanimitet bllokimin e lejes që zoti Avni Qaniu posedon për mbjelljen e hashashit”.

Pra, më herët, siç rezulton nga shkresa, autoritetet e kishin legalizuar, madje prodhuesit privatë pajiseshin me licencë dhe leje për kultivimin dhe tregtimin e hashashit. Sakaq, askund në dokumentet e kohës nuk ka të dhëna konkrete nëse lejohej për përdorim. Gjithsesi, kujtimet e bashkëkohësve bëjnë me dije se hashashi përdorej rëndom për të qetësuar dhimbjet e dhëmballëve dhe gjerësisht për të vënë në gjumë fëmijët e vegjël. Shfrytëzohej kësisoj efekti qetësues, si një mjekim alternativ.

Në vitin 1946, qeveria komuniste ka nxjerrë një ligj për ndalimin e kultivimit të hashashit. Pavarësisht se qeveritë e mëparshme, duke futur dhe atë të Zogut, e kishin ndaluar me ligj, autoritetet zyrtare të pasluftës kishin konstatuar se hashashi ishte prezent si në kultivim dhe në përdorim. Me zbardhjen e ligjit të ri, në një kohë të shkurtër u asgjësuan bimët e mbjella ilegalisht dhe u zhvillua një aksion masiv për dënimin e përdoruesve. Disa vite më vonë, qeveria shqiptare, duke parë leverdinë ekonomike të kësaj bime çudibërëse, vendosi ta kultivojë, tashmë me emërimin bimë mjekësore. Për dekada me radhë, ajo është kultivuar në mjaft kooperativa të tipit kodrinore-malore nga veriu në jug të vendit, duke ruajtur të paprekur hapësirën e tokave të destinuara për prodhime bujqësore.

Klima me shumë ditë me diell dhe rezervat e pashtershme të ujit, garantonin jo vetëm prodhim të bollshëm e cilësor, por edhe një kërkesë në rritje nga tregu ndërkombëtar. Fakt është se të ardhurat e siguruara nga eksporti i hashashit Made In Albania, ekonomia shqiptare përfitonte jo pak. Gjatë një interviste për gazetën “Panorama”, para disa viteve, Shane Korbeci, asokohe ministër i Tregtisë, pohonte se nga eksporti i hashashit që cilësohej bimë mjekësore, një emërtim alla shqiptar për të fshehur efektin narkotik të saj, thesari i shtetit përfitonte mbi 600 milionë dollarë në vit. Sipas dokumenteve të kohës, pjesën më të madhe të prodhimit e tërhiqte Zvicra. Në vitet 1960-’70, kur kërkesa erdhi në rritje, arriti piku i prodhimit.

Ekspertët më të mirë bënë studime për ta zgjeruar këtë lloj aktiviteti fitimprurës, madje u bënë edhe plane konkrete, por nuk u mësuan arsyet pse hezitoi lidershipi i kohës. Avokati Spartak Ngjela ka dëshmuar se i ati i tij, ish-ministër i Tregtisë në vitet 1970, kishte paraqitur në organet përkatëse një studim për ta çuar në tre miliardë dollarë përfitimin nga ky lloj eksporti, por nuk gjeti mbështetje për shkaqe krejt vulgare. Me fundin e regjimit komunist, fati i kultivimit të hashashit iu la spontanitetit. As i legalizuar, por as dhe i ndaluar. Për herë të parë, Shqipëria postkomuniste, që ishte shquar për prodhimin bio të kanabisit, filloi të përmendej gjithnjë e më shumë në opinionin ndërkombëtar si kampione e prodhimit të hashashit, të njohur tashmë me emërtimin marihuanë, kanabis dhe kryesuese e trafikut ilegal kriminal të tij.

I destinuar vetëm për eksport, hashashi kultivohej në kooperativat kodrinore malore. Pastrimi dhe përgatitja e tij për eksport bëhej në ndërmarrjet shtetërore të grumbullimit. Aty ishte vështirësia më e madhe. Të ballafaquar për herë të parë me këtë proces pune, punonjësit e ndërmarrjeve që deri atëherë ishin marrë vetëm me magazinimin e produkteve bujqësore, duhej të përballeshin dhe me përgjumjen që shkaktonte bima fantazmë kur thahej e sistemohej për t’u transportuar për eksport.

Shaze Brahimi, një nga ish-punëtoret e grumbullimit në qytetin e Fierit, tregon se ditën e parë kur kanë rënë në kontakt me bimën e tharë, i ka mbërthyer një përgjumje e padëgjuar të gjitha gratë e ndërmarrjes. “Në djall të vejë edhe kjo punë, i thamë drejtorit, kujton ajo, por avash-avash ia morëm dorën”. Përtej kësaj peripecie dhe volumit të madh të punës, punonjëset e hashashit që i jepnin dorën e fundit për ta adresuar për eksport, vitet e fundit filluan të paguheshin gjithnjë e më pak. Kjo falë krizës që në mesin e viteve 1980 arriti kulmin. Sidoqoftë, ato asnjëherë nuk e morën vesh të vërtetën se nuk bëhej fjalë për një bimë të thjeshtë mjekësore, siç u thoshin zyrtarët, por për hashash. /Panorama/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Sundoi oqeanet për miliona vite, pse u zhduk super-peshkaqeni Megalodon?

Nga Michael Heithaus Imagjinoni të udhëtoni pas në kohë, dhe të vëzhgoni oqeanet e 5 milionë viteve më parë. Ndërsa qëndroni...

Gjërat më të çuditshme që njerëzit gjetën në oborret e tyre(Video)

A mendoni se e dini se çfarë ka në oborrin e shtëpisë tuaj? Ju ndoshta mendoni se po. Kështu mendonin edhe këta...

Pikturat e harruara të Pirros dhe mbretit ilir Glauk

Pirroja i Epirit është figura e vetme brenda truallit ilir që përmendet gjërësisht sot nëpër auditorët më seriozë të historisë nga pedagogë...

Recent Comments