Historia e dropullitit që hodhi bombën në Ambasadën Shqiptare në Athinë që tronditi Enver Hoxhën

Sefer Pasha

Në postën kufitare të Kakavijës e mora detyrën shumë i ri. Aty u burrërova, u martova dhe u bëra me fëmijë. Pas demonstratave të studentëve në Prishtinë më transferuan në Kukës e akoma më tutje 700 kilometra për në Beograd. Në jetë ku nuk më përplasi fati. U bëra dhe zyrtar i lart në Drejtorinë e Sigurimit të Personaliteteve në Gardën e Republikës. Pashë shumë. Por “kryeqyteti” im mbeti Kakavija, që në ato mote shfaqte dy banor.

Rojen dhe qenin e kufirit. Të gjithë të tjerët ishin në vendstrehim. Kur kam hedhur në letër shumë motive të paharruara ato të Kakavijës janë të veçanta. Gjithçka që kam botuar nëpër libra nuk i lexon kush. Nuk pyet njeri shumë për librat. Në Bibliotekën Kombëtare miqtë më dhurojnë libra pa fund. Por ato libra në të shumtën e rasteve përfundojnë në koshin e plehrave. Nëse do t’i çoj në shtëpi ime shoqe do të bëj të njëjtën gjë. Kurse një shkrim kur ai është i goditur dhe botohet në gazetë të bën punë.

Të telefonojnë miqtë nga e gjithë bota. Midis librave që më kanë dhuruar ruaj atë të oficerit të Vidohovës Mitat Lushnjari. Me librin nën sqetull që e kishte botuar në Korçë ai më gjeti në Tiranë. Kishte zbritur që nga fshati i Vidohovës me kalë. Dhe për në Tiranë kishte udhëtuar me fugon.

Një dramë nuk e kam vënë dot në shtrungë. Kur isha në Kakavijë u arratis për në Greqi në majën e malit të Buretos një minoritar nga fshati Glinë. Quhej Ilia Leka. Dhe e kaloi kufirin me të vëllanë dhe një tjetër. Ilia Leka kishte zgjedhur si shteg vendin në majën e Buretos ku mbaronte kloni. Unë edhe pse nuk kisha lidhje me ngjarjen, ku u dënuan rëndë kolegët e mi më ra për hise në Kakavijë që të merrem shumë me Ilia Lekën, i cili u bë personazh në Athinë dhe në Tiranë. Ai jepte intervista në shtyp dhe në televizionet e Greqisë. Ishte i talentuar dhe shikuesit i bënte për vete. E diskreditonte politikën e shtetit shqiptar të Enver Hoxhës. U bë problem. Ilia Leka kishte lënë në Shqipëri familjen. Kërkonte ta merrte me çdo kusht.

Zbulimi i Jashtëm shqiptar në Athinë e ndiqte këmba – këmbës. Thuhej se Ilia Leka do të bënte akte terroriste. Do të hidhte në erë ambasadën në Athinë dhe godinën e postës kufitare të Kakavijës. Zbuluesit më thoshin se Ilia Leka vinte shpesh në tarracën e doganës greke. Ngjitej në katin e dytë dhe vështronte me dylbi në drejtim të fshatit Kakavijë. Unë nuk e kisha takuar ndonjëherë Ilia Lekën. Nuk ja kisha parë fytyrën. Oficerët e Zbulimit të Jashtëm më vendosën në zyrën në katin e tretë të postës një aparat, ku unë në ekranin e vogël e shikoja gjithnjë Ilia Lekën. Duhej të familjarizohesha me fytyrën e tij me qëllim që kur ai të vinte në tarracën greke unë me anë të “kodit” sekret të njoftoja shërbimin e Drejtorisë së Zbulimit të Jashtëm në Tiranë.

“Kuçedra” mbërriti në Kakavijë. Ky ishte pseudonimi i Ilia Lekës. Sa shkoja në zyrë shfaqja filmin me aktorin Ilia Lekën. Mbase do të ishte i vetmi film në botë me një personazh. Ilia Leka në zyrë mu bë si “koleg”. Edhe pse filmin e shkëputur nga zbuluesit në një kanal grek, ku ai villte vrer, unë e shikoja dhjetë herë në ditë kurrë nuk e përputha fytyrën e tij në film me atë që vinte herë pas here në tarracën e shtetit fqinj. Shumë herë raportoja “lart” se erdhi “kuçedra”, por kurrë nuk isha i sinqertë me veten. S’isha i sigurtë. Ilia Lekën e kishin parë dhe kakaviotët që punonin një arë me patate paralel me vijën e kufirit. Ai u kishte folur.

Ilia Leka me të vëllanë e trazuan jetën e qeveritarëve në Tiranë dhe në Athinë. Erdhi në Kakavijë Drejtori i Kufirit Enver Pata dhe tha se Enver Hoxhës ja prishëm gjumin. “Kuçedra” Ilia Leka nuk përballohej. Në oborrin e Ambasadës Shqiptare në Athinë Ilia Leka hodhi një bombë. Ky lajm u përhap në të gjithë Evropën. Pasi Ilia Leka hodhi bombën ai ngriti një çadër tek dera e ambasadës. Aty filloj grevën e urisë. Kërkesa e parë e tij ishte që autoritetet shqiptare t’i çonin në Athinë familjen që ishte e internuar në Shqipëri. Qindra qytetarë të Athinës çdo ditë vinin dhe shikonin shfaqjen që jepte i arratisuri nga Dropulli Ilia Leka. Shumë të arratisur nga Shqipëria të cilët ishin nëpër ishuj erdhën aty ku zhvillohej greva e urisë e Ilia Lekës. Ata ishin të armatosur. Pritej pushtimi i ambasadës shqiptare. Ligji i gjendjes së luftës ishte në fuqi. Siç më ka thënë zbuluesi Ropi Kita i gjithë personeli diplomatik i ambasadës shqiptare i nxorën armët dhe zunë pozicionet për tu mbrojtur. Ambasadori Ksenofon Nushi e mbushi mitrolozin dhe e nxori në ballkonin e ambasadës me fushë pamje nga çadra e grevës së urisë e Ilia Lekës. Ditën e dytë të grevës së urisë mbërriti dhe prifti grek Sebastianos. Ai mbajti një fjalim përpara çadrës me grevistë dhe tha se kur të vdiste në Konicë t’ja kthenin kokën nga Korça dhe Gjirokastra, “që ishin pjesë e territorit të Greqisë”.

Qeveria greke u vu në vështirësi. Qarqet reaksionare nuk po linin gur pa lëvizur për të mbështetur dropullitin e arratisur Ilia Leka. Kërkonin me çdo mënyrë që të sulmohej ambasada shqiptare në Athinë. Në mënyrë të befasishme personelit diplomatik ju ndërpre rryma elektrike dhe uji i pijshëm. Helikopterët e Asfalisë Greke fluturonin ngjitur me tarracën e ambasadës. Ata kontrollonin pozicionet ku diplomatët kishin bërë gati armët për tu mbrojtur në rast sulmi nga mbështetësit e Ilia Lekës. Në shtypin grek thuhej se Ministria e Jashtme po bëhej gati që të tërhiqte nga Tirana ambasadorin.

Greva e urisë e të arratisurit Ilia Leka përpara Ambasadës shqiptare në Athinë e alarmoi Drejtorinë e Zbulimit të Jashtëm të Shqipërisë. Drejtoria e Zbulimit ishte një “ministri” më vete në Ministrinë e Brendshme. Enver Hoxha i kishte rënë tavolinës me grusht kur ngjarjen ja kishte raportuar Kadri Hazbiu. Çfarë bëjnë forcat e kufirit shqiptar kishte thënë Enver Hoxha. Flenë gjumë. Vetë ti Kadri duhet të lësh rakinë i qe hakërryer Enver Hoxha! Cikloni i ngritur në mes të Athinës ia u prishi terezinë sigurimsave të zbulimit të jashtëm. Unë në ato ditë të vështira largoja njësitet e shërbimit të kufirit dhe hapja shtigjet për të kaluar kufirin zbuluesit(Kështu u veprua tek Përroi i Gjergjicës tek piramida 55 në Sarandë kur zbulimi nisi me mision shkrimtarin Bilal Xhaferin). Mbresat për stuhinë që shkaktoi Ilia Leka janë të panumërueshme. Një po e pikturoj pas kaq motesh. Në një përrua të thellë, në krah të djathtë të postës kufitare të Kakavijës dhe fshatit Aranistë të Greqisë, bëheshin takimet midis oficerëve të zbulimit dhe bashkëpunëtorëve të tyre që vinin nga Athina. Valixhet ishin plot me dollar. I kam parë me sytë e mi. Aty ku bëheshin takimet jetonin vetëm ujqërit. Ishte mbi një kilometër gjerësi ku nuk shkelte këmba e njeriut. Në një shesh mes lisave shekullor piqeshin mishrat në hell.

Nuk kishin të numëruar shishet e verës, të konjakut, uiskit dhe të rakisë së rrushit. Në ato takime vinte dhe një i afërm i Kryeministrit të Greqisë Andreas Papandreu. Të gjithë bashkëpunëtorët grek ishin të veshur e të qethur si të qenë shqiptar. Doemos se veprimet kryheshin në tokën shqiptare. Aty qëndrohej me ditë e me javë. Kushëriri i Papandreut ka vajtur dhe në Tiranë. E kam përcjell tek porta e klonit me duart e mia. Ato ditë të tensionuara flitej vetëm për Ilia Lekën. I arratisuri nga Glina kërkonte që t’i çohej familja në Athinë. Nëse nuk i plotësohej ky kusht do të rrëmbehej sekretarja e komitetit të Partisë të Gjirokastrës Afesa Lulua. Por grupet e Ilia Lekës në radhë të parë do të merrnin peng oficerin e Sigurimit të Shetit Jorgo Suliotin, të cilit kuvendi Popullor me porosi të Enver Hoxhës i kishte dhënë titullin e lart të Heroit të Popullit. Jorgo Sulioti ishte nga fshati Peshkëpi e Dropullit. Komshi me fshatin Glinë, vendlindjen e Ilia Lekës. Në një fjalim që kishte mbajtur Ilia Leka tek çadra e grevës së urisë, ai kishte thënë se ashtu siç varën sigurimsat Anastas Marin tek Rrapi i Vriserasë në Dropull, do të varej përpara ambasadës shqiptare në Athinë Jorgo Sulioti.

Vendin ku punonin zbuluesit i kishin vënë nofkën “oda e grekut”. Veprimtaria në pyllin e fshehtë vazhdoi gjatë. Aty flinte Drejtori i Zbulimit të Jashtëm Sefer Rama dhe disa zbulues të tjerë si Ropi Kita, që kishte pasaportë dhe futej në zyrat e Asfalisë greke. Nuk do t’i harroj ato ditë. Sa hiqej një mish nga helli vendosej në shkop tjetri. Kur bashkëpunëtorët u velën me mish gjingji për ta u soll peshk i egër nga deti i Sarandës. E gatuanin vetë grekërit. Makinat e shkrimit nuk pushonin nën lisa. Qindra faqe shkruheshin në ato “zyra” pa “çati e pa dritare”. Enver Hoxha priste informacione se ç’po bëhej me Ilia Lekën. Radiogramet që dërgonte “komandanti” porosisnin që zbulimi të tregohej i kujdesshëm. Të mos shkelej në dërrasë të kalbur. Enver Hoxha nuk donte që të cenoheshin marrëdhëniet me shtetin grek. Drejtorin nuk e zinte gjumi nën lisa. Ishte në presë të briskut koka e tij.

Në ato ditë ku vetëm grekërit e shijonin mishin e qengjit ne kishim problem korbat që fluturonin për ndonjë kockë. Nuk ishin vetëm korbat, por dhe gjeraqinat e Janinës. Shpendët mund të bëheshin shkak që Asfalia të binte në gjurmët e “odës së grekut” paçka se ajo qe ngritur në tokën shqiptare. U dha porosi që sidomos gjethet me pika gjaku të digjeshin. Gjaku i qengjave ngacmonte shpendët që vinin nga Janina. Edhe pse u groposën kockat dhe gjethet korbat nuk na ndaheshin. Jo vetëm shpendët, por dhe tufat me çakej. Por çakejt na vinin në ndihmë. Ata kockat e hedhura në anë të lumit i bluanin dhe si të thuash qenë “fshesarët” e rrezikut. Qëllonte që grupi i zbulimit të jashtëm të shpërndahej me detyra në drejtime të ndryshme. Prej tyre ndiqej i rrethuar në çadrën e grevës së urisë Ilia Leka. Unë ndjeja një boshllëk kur e shikoja “odën e grekut” të braktisur. Sigurisht që ndryshe nga zbuluesit kthehesha dhe e kontrolloja “odën”.

Nuk i dihej. Por për një gjë gëzohesha. “Fshesarët” çakenj nuk kishin lënë rrotull asnjë kockë. Lëkurët e qengjave i kishin zhvarrosur dhe i kishin zhdukur. Unë këtë e ndjeja nga mungesa e ushtrisë së korbave. Ato ishin larguar dhe nuk linin ndonjë dyshim tek forcat e kufirit grek me qendër në Kakavijë. Kur ktheheshin zbuluesit u thoja se “fshesarët” i kanë kryer mirë detyrat. Nuk ka asnjë shenjë nga masakra e sofrës së përbashkët me bashkëpunëtorët grek. Por kjo vazhdonte shumë pak. Sa vihej mishi i radhës në hell “fshesarët” këndonin anës lumit “himnin” për t’i gostitur me ndonjë kockë. Zbuluesi Ropi Kita plëncin dhe zorrët u ndante “fshesarëve” që u bën si të shtëpisë tek “oda e grekut”. Edhe ata u bën pjesë e lojës së zbulimit në luftën kundër të arratisurit Ilia Lekës.

Kur ndonjë zbulues që përcillte postën për në Tiranë e nxirja nga kloni unë kthehesha për pak kohë në zyrën e katit të tretë të Kakavijës. Shikoja librin e shërbimit për të rejat më të fundit në tarracën greke. A mos kishte ardhur aty Ilia Leka?. Tek pushoja hapja kasetën me filmin e Ilia Lekës. E vështroja dhe i thoja me ironi: – “Po ç’na bëre more shef Ilia”? Na vure zjarrin. I therëm të gjithë shqerrat e kopesë së kooperativës së Jergucatit”. Na shqepe nga të ngrënët. Jemi enjtur nga mishrat e pjekur në hell. Po dhjamin do ta tresim në burg. Do të na e kapësh kokën more “shef Ilia”.

Ra dera dhe në zyrë u fut kolegu im Xhafer Meta. Ishte i shqetësuar. Po ti vazhdon të shikosh në ekran Ilia Lekën tha ai dhe i hodhi sytë nga “aktori”, që fliste në televizionin shtetëror grek. Nuk e more vesh vazhdoi Xhaferi se ç’më punoi ministri në telefon. Unë sa përcolla në vijën e kufirit grupin e këngëtares Marinela. Ajo kishte dhënë koncert në Tiranë. Ministri Kadri Hazbiu më tha i tërbuar se me grupin e këngëtares greke Marinela ka qenë i maskuar dhe Ilia Leka me pasaportë greke. Unë u përpoqa ta sqaroj ministrin e revoltuar se grupin e këngëtares e kontrollova kokërr më kokërr me shkoqitej Xhaferi i brengosur. Me grupin e Marinelës nuk ishte Ilia Leka.

U ngrita i alarmuar. Kolegun Xhafer Meta e lashë të mërzitur. Xhaferi mbulonte me zbulimin e jashtëm një linjë tjetër. Mbante lidhje me Alqi Andonin, që edhe ai në Kakavijë e kishte ngritur “kasollen”. Me Xhaferin i kishim të ndara detyrat. Gjithçka ishte sekret. Pa humbur kohë mbrrita tek grupi i zbuluesve tek “oda e grekut”. U thashë se çfarë kishte thënë ministri i brendshëm. Drejtori foli anglisht me bashkëpunëtorët grek. Bën goxha debat. Pastaj zbuluesi Ropi Kita, i cili sa ishte kthyer nga Athina më qetësoi. Ilia Lekën e kishte parë me sytë e tij përpara çadrës së grevës së urisë. Për këto që po thua janë dezinformacione që i përhap Asfalia greke më tha ai. Asfalia është shërbim shumë i kualifikuar. Por ju të kufirit duhet të forconi regjimin e kufirit. Ilia Leka është shprehur i sigurtë se do ta rrëmbejnë në mes të Gjirokastrës Heroin e Sigurimit të Shtetit Jorgo Suljotin.

Unë e ndërpreva bisedën me Ropi Kitën. Më kërkuan në radio. Aty ku dega e lumit të Drinos e kalon vijën e kufirit valët e lumit po sillnin varg pas vargu mijëra fotografi të Enver Hoxhës. Fotot qenë futur në qese plasmasi. Në kapakun e fotos thuhej se Enver Hoxha është në prag të vdekjes. E gjithë pika kufitare e Mullirit që mbulonte lumin e Drinos po përpiqeshin që t’i nxirrnin fotot në breg. Por siç më thoshte në radio komandanti Filip Llakaj kjo ishte e pamundur. Disa nga këto foto kishin mbërritur deri tek Ura e Mifolit në Vlorë. Edhe për këtë gjë që po ndodhte e informova grupin e zbuluesve, të cilët po shtypnin materialet në makinat e shkrimit të vogla si krah gjeraqinash. Jemi në dijeni mu përgjigjën. Kudo është dora e Ilia Lekës e dirigjuar nga Asfalia. Unë nuk e kisha përvojën e zbuluesve dhe u thoja atyre që të bëhet ç’është e mundur dhe Ilia Leka të rrëmbehet në Athinë ashtu si Anastas Mari disa vite më parë. Dhe Ilia Leka të varet tek fabrika e ujit të Glinës. Oficerët e zbulimit vinin buzën në gaz. Nuk është e njëjta situatë më kundërshtonin ata. Enver Hoxha ka folur mirë për këngëtaren greke Marinela. Prandaj udhëheqësi ka qenë i indinjuar për atë që po ngjet me të arratisurin Ilia Leka. Ka kohë që Enver Hoxha po tenton që të përmirësohen marrëdhëniet me shtetin grek.

Tek “oda e grekut” lajmet e Ilia Lekës sikur i binte era e Janinës. Me aq sa nuhasja, se nuk kisha asnjë punë, bashkëpunëtorët grek të Zbulimit të Jashtëm merrnin shpërblime të majme. Valixhet me dollar ishin plot. Shpesh kur zbuluesit kishin takime në pyll me të tjerë njerëz misterioz valixhet i ruaja unë.

Një nga korrierët e zbulimit pruri lajmin nga çadra e urisë e Ilia Lekës se së shpejti Asfalia do të rrëmbente oficerin e Sigurimit të Shtetit Jorgo Suliotin. Korrieri tregoi dhe vendin. Përballë fshatit Kakavijë do të kalohej Jorgo Sulioti i paketuar në valixhe qysh nga Gjirokastra. Me të marrë këtë informacion ne si kufi morëm masa të jashtëzakonshme. Në atë kodër rreth 50 metra nga vija e kufirit vetëm mina nuk u vendosën. Të gjithë aparatet sinjalizuese u lidhën me fillin shtatë të klonit, që ishte me rrymë elektrike. U vendosën qindra rreshta me zile. Kur frynte era e lumit të Drinos tringëllima e zileve dëgjohej siç thoshin bashkëpunëtorët e zbulimit deri në fshatin Mavropull. Tufat me ujqër shkuleshin që nga Janina. Në Gjirokastër Jorgo Sulioti sigurohej sikur të qe ndonjë Anëtar i Byrosë Politike. Ilia Leka e kishte bërë gati trekëndëshin pranë çadrës, ku do të varej Jorgo Sulioti.

Nuk do t’i harroj netët kur bëja roje tek “oda e grekut”. Një detaj më ka mbetur në mendje. Një pasdite vet grekërit sollën një femër të bukur. Ajo u përqafua me zbuluesit dhe nisi të pijë verë me mish të pjekur. Fliste shumë mirë anglisht. Ishte hera e parë që një femër greke futej tek “tigrat e zbulimit”. Se ç’detyrë mbante mua nuk më interesonte. Që të jemi i sinqertë unë aty isha thjeshtë një roje. Dhe asgjë tjetër. Çfarë dua të shtoj për këtë enigmë? Shumë vite më vonë kur qe përmbysur socializmi dhe unë isha i papunë  u përplasa me një personazh që më çuditi. Shërbeja si badigard i një pronari djathi, i cili shumë vite kishte punuar si emigrant në Athinë. Atje ishte njohur me një gazetare që e quanin Marta. E kishte të dashur dhe megjithëse “ofendikoi” im ishte i martuar Marta kishte ardhur për ta takuar. Një të diel “ofendikoi” më mori që t’i tregoja në Sharrë varrin e Enver Hoxhës. Gazetarja greke, Marta, donte ta fotografonte varrin e Enver Hoxhës. Unë pyeta, por askush nuk ma tregoi varrin e Enver Hoxhës. Një skalitës gurësh më tha se arkivolit të Enver Hoxhës i kanë hedhur në beton mbi një ton hekur. Ai mendoi se mos isha nga ata që donin ta zhvarrosnin fshehtas Enver Hoxhën. Gazetarja e pëlqeu tregimin e skalitësit. Kur u kthyem në kafene Marta filloj t’i thoshte diçka në vesh “ofendikoit” tim. Mua më bënte përshtypje se ajo fliste dhe sytë i mbante nga unë. Në një çast kur shkoi në tualet i thashë pronarit se çfarë të tha Marta për mua. Përgjigja që ai më dha më habiti. Marta i kishte thënë se ai punëtori yt më ngjan si spiun. Edhe vështrimin si të ndonjë spiuni e ka. Nuk e di se ku e kam parë. Bëj kujdes i kishte thënë e dashura greke pronarit tim. Marta flinte mes zbulueseve shqiptar, të cilët i vlerësonte në radhë të parë si njerëz. Nga bisedat e Martës me zbuluesit më ka mbetur në mendje një ndodhi që më la mbresë. Ajo tregoi se në periferi të Janinës qe ngritur nga shteti grek një shtëpi rehabilitimi për prostitutat. Janinasit nuk i hidhnin sytë nga ajo “gërmadhë” e ngritur për fundërrinat. Por grekërve u bënte përshtypje që rrotull prostitutave fluturonin tufa me shpendë. Kjo nuk kishte ndodhur ndonjëherë. E kishin shpjeguar psikologët e shtëpisë së prostitutave. Prostitutat nuk qenë shumë të pastërta. Kur u vinin periodat grave ato fashot me mbeturina gjaku i hidhnin në korien afër shtëpisë malore të rehabilitimit. Dhe gjaku i prostitutave i ngacmonte  shpendët, që rrëmbenin me sqep pisllëqe fashosh me gjak e djersë.

Unë rashë në mendime. Ku të më kishte parë kjo vrroma greke? Nuk kisha qenë kurrë në Greqi. Kur Marta u kthye nga tualeti unë fillova ta vëzhgoj me kujdes. Po kjo pikë e zezë i thoja vetes. Edhe mua më duket si fytyrë e parë. Kur ajo qeshi një moment më ra në sy një dhemb floriri. Bobo i thashë vetes dhe e përtypa gjuhën. Gazetarja qenka ajo femra të cilën shumë mote më parë e sollën tek “oda e grekut” bashkëpunëtorët e zbulimit të Jashtëm. As që e diskutoja. Unë heshta. Të nesërmen kur e përcollëm në doganën e Kakavijës ajo i tha “ofendikoit” tim se i njihte këto vende. Ashtu kishte qenë puna.

Epilog

Më në fund Ilia Leka triumfoi. Tirana zyrtare bëri siç tha ai. Por kur Ilia Lekës i është kthyer familja në Kakavija për në Athinë mua më kishte dërguar zbulimi me detyra në Qafën e Botës në Sarandë. Në rajonin e Igumenicës vepronte një vllah nga Peshkëpia e Gjirokastrës. Qe i jashtëzakonshëm. Mbante pseudonimin “Luani”.

Për ta mbyllur këtë publicistikë më duhej të merrja ndonjë hollësi kur në doganën greke familjen e priti vetë Ilia Leka. Me shërbim atë ditë ishte kolegu im Xhafer Meta. Këto ditë e mora në telefon. Mu përgjigj nga Stambolli. Atje jetonte. Për Ilia Lekën nuk më tha ndonjë gjë interesante. Nuk kishte motiv të fiksuar. Por që nga Stambolli një gjë të bukur ma tha. Ti nuk e di belbëzoi ai me zë të qetë se unë në ato vite kisha detyrë dhe të ndiqja ty hap pas hapi. Edhe kur urinoje. Për fatin tënd ti nuk shkele në dërrasë të kalbur. Prandaj të mbajtën nëntë vjet në Kakavijë si asnjë kuadër tjetër. Kur Xhafer Meta më tha kështu unë mbeta pa mend. Nuk e kisha imagjinuar që miqtë e mi të zbulimit atje tek “oda e grekut” edhe pse më donin dhe më besonin valixhet me dollar në të njëjtën kohë më gjurmonin. Ç’kryevepër!

I kujtoj me dhimbje zbuluesit tek “oda e grekut”. Do të kalonte Shtrausi kufirin për në Greqi. Zbuluesit morën në kontroll xhadenë e vjetër me kalldrëm që nga Ura e Bularatit. Mbajtën nën vëzhgim edhe mëllenjat nëpër gorrica. U kontrolluan dhe myshqet në trungjet e lisave. Tek dogana e dikurshme, që ishte sa një kasolle Shtrausi vështronte me kureshtje sheshin e rrethuar me tela. Unë i veshur ushtarak do të hapja  portën me tela me gjemba. Shtrausin e shoqëronte Aleks Buda. Ai bëri disa fotografi. Nga Tirana kishte ardhur fotografi Niko Xhufka. Guxova dhe i thashë fotografit të më bënte një foto me Shtrausin. Idiot më tha Niko Xhufka. Largohu se do të fusin në burg. Jemi me pamje nga greku. Ty nuk të lejohet. Ç’ishte ajo kohë! Qëndrova nëntë vjet me zyrë në katin e tretë dhe nuk bëra një fotografi. Nuk lejohej të fotografoje me pamje nga teritori i Greqisë. Quhej provokacion. Sikur të drejtoje në atë drejtim, jo aparatin fotografik, por mitralozin e e rëndë. Tani që po hedh në letër këto lule kujtimesh sa do të më duhej një foto me Shtrausin për ta botuar në gazetë. Nuk ishte e lehtë të jetoje në ato mote. Ilia Leka që nga tarraca e tokës greke fotografonte, vështronte me dylbi, filmonte dhe mbante fjalime. Ne na kishte pllakosur dalldia e ligjit të gjendjes së luftës, që grekërit e kishin në fuqi. Ç’jetë ishte ajo? Godina tre katëshe e postës kufitare të Kakavijës kishte 17 dritare. Po asnjë dritare nuk ishte me xhama. Të gjitha ishin të veshura me llamarinë çeliku, që të mos depërtonte as plumbi i mitralozit 12.7. Ishte arma e preferuar e kufitarëve grek. Në të gjitha ambientet  e Kakavijës mungonte drita. Të gjitha dritaret me urdhër nuk hapeshin se roja greke nga largësia 10 metra mund të qëllonte në fjetoren e kufitarëve.

postbck postbck

Recent Posts

Përpjekje të reja për të studiuar historinë e klimës në Tokë

Nis punën projekti Beyond Epica në Antarktidë. Është pasues i misionit të parë Epica dhe…

9 hours ago

Ngjyrat që nuk ekzistojnë: Mit apo realitet?

  Ngjyrat janë një pjesë thelbësore e botës tonë, të pranishme në gjithçka që na…

11 hours ago

Çfarë do të thotë nëse ju mpihen duart

  Mpirja është ndjenja kur vështirë se mund të ndjeni diçka në një pjesë të…

13 hours ago

Si prodhohet çokollata dhe pse është kaq e pëlqyer nga njerëzit?

  Çokollata, një nga ëmbëlsirat më të dashura në botë, ka një histori të gjatë…

13 hours ago

Si ta kuptojmë që kemi nevojë për psikolog?

  Në ditët e sotme, kërkimi për ndihmë psikologjike është një hap i rëndësishëm për…

14 hours ago

Kush ishte Alfred Nobel?

  Alfred Bernhard Nobel ishte njeriu, vizioni dhe fondet e të cilit çuan në çmimet…

14 hours ago