Udhëtimi i anglezit Thomas Smart Hughes nëpër trojet shqiptare dhe përshtypjet e tij për Shqipërinë, shqiptarët dhe Ali Pashën – Nga Prof. dr. (Emeritus) Refik Kadija
Udhëtari e teologu anglez Thomas Smart Hughes (1786-1847) është një emër i njohur për studjuesit shqiptarë. Ai është përfshirë në grupin e udhëtarëve anglezë të gjysmës së parë të shekullit XIX që i vizituan trojet shqiptare dhe kanë shkruar për ato, si W. M. Leake, J. C. Hobhouse, Dr. H. Holland, G. Finlay, D. Urquhart, etj. Mirëpo ai nuk është në lartësinë e këtyre udhëtarëve. Reverend Hughes-i ishte një teolog dhe studjues i shkëlqyer i kulturës së antikitetit i diplomuar në Universitetin e Kembrixhit. Por vetëm kaq; ai nuk bëri ndonjë karrierë elitare si udhëtarët e tjerë. Ai udhëtoi vetëm një herë në Greqi e Shqipëri të Jugut për gati 2 vjet, kur pranoi ftesën e aristokratit anglez Robert Townley Parker për të qenë shoqërues e tutor i tij. Ky ishte edhe një rast i rrallë për Hughes-in që të realizonte një dëshirë të tij për t’i vizituar këto treva, i nxitur pa dyshim edhe nga suksesi e jehona e veprës së Lord Bajronit “Shtegtimet e Çajld Haroldit” që u botua në Londër më 1812. Hughes-i kishte qenë bashkëstudent i Bajronit në Kembrixh dhe e kishte lexuar poemën mbi Çajld Haroldin, të cilës i është referuar disa herë në librin e tij të udhëtimeve duke cituar vargje prej saj.
Thomas Hughes lindi në qytetin Nuneaton, Warwickshire me 25 gusht 1786 dhe ishte djali i madh i Hugh Hughes-it që shërbente si famullitar i atij qyteti. U arsimua në Shkollën Shrewbury dhe në Kolegjin St John të Universitetit të Kembrixhit. Karriera e tij universitare ishte e shkëlqyer. Më 1809 u diplomua për baçelor (B.A.), më 1811 për Mastër (M.A.), kurse më 1818 u diplomua për teologji me gradën B.D. (Bachelor of Divinity). Në dhjetor 1812 ai pranoi postin e tutorit shoqërues në udhëtime për djaloshin e pasur R. T. Parker. Pas kthimit nga udhëtimi, që nga viti 1815 deri në fund të jetës, angazhimet e tij profesionale ishin kryesisht akademike e letrare në disa kolegje të Universitetit të Kembrixhit, por ai bëri shpesh edhe punë klerikale. Kur u martua më 1823, ai u emërua famullitar në Çesterton, por dy vjet me vonë u kthye në Kembrixh, ku jetoi e punoi deri më 1846. Hughes-i vdiq në Edgware, në Londrën Veriore, më 11 gusht 1847.
Në fillim të dhjetorit 1812 dy udhëtarët britanikë Hughes dhe Parker u nisën në turneun mesdhetar dyvjeçar. Pasi vizituan Spanjën, Italinë e Siçilinë (gjatë gjysmës së parë të vitit 1813), për pjesën më të madhe të kohës përshkuan gjërë e gjatë Greqinë e Shqipërinë. Rezultat i drejtpërdrejtë i vëzhgimeve të Hughes-it ishte botimi i veprës së tij madhore në dy vëllime Travels in Sicily, Greece, and Albania, më 1820.
Dy udhëtarët britanikë arritën në ishullin Zakynthos më 25 shtator 1813 dhe prej andej shkuan në Patra. Ata vizituan disa qendra arkeologjike e qytete në Peloponez. Pastaj shkuan në Athinë dhe më vonë në Janinë në shoqërinë e mikut të Hughes-it Charles Robert Cockerell. Më 2 janar 1814, pasi kishin vizituar Delfin, Salonën, Santa Mauran, Prevezën dhe Artën, dy udhëtarët arritën në Janinë, ku, me porosi të veçantë të Ali Pashës, u vendosën në shtëpinë e tregtarit të pasur Nikolla Argjiri (Vreto), në të cilën katër vjet më parë kishin banuar Lord Bajroni dhe miku i tij Hobhouse. Hughes-i bëri një përshkrim të hollësishëm të shtëpisë së madhe karakteristike me mjediset e saj orientale, për të cilën shkruan se “ajo ishte porositur nga veziri posaçërisht për pritjen tonë; ishte e njëjta shtëpi në të cilën kishin qëndruar Lord Byron-i dhe Mr. Hobhouse-i gjatë rezidencës së tyre në Janinë,” (vol I, ch. XV, p. 438). Këtu atyre iu dha mundësia të takoheshin me njerëzit më të shquar të vendit, bile dhe me vetë Ali Pashën – takim që e organizoi Cockerell-i.
Hughes-i e përshkruan audiencën e tij të parë me Ali Pashën me emocione të forta dhe e përvijon personalitetin e Vezirit duke bërë vëzhgime të mprehta:
“Nga një prezantim i parë nuk mund të pritet që ne të hynim në mbrendësi të karakterit të këtij pashai: vëmendja ime përsonale u drejtua kryesisht në vëzhgimin e fizionomisë së tij; dhe kjo në përgjithësi nuk është treguese e mendjes së tij. Këtu është shumë e vështirë të gjesh ndonjë gjurmë të asaj prirjeje prej gjakpirësi, atë oreks të egër për hakmarrje, atë ambicje të trazuar e të tepruar, atë dinakëri të pashpjegueshme, të cilat kanë karakterizuar karrierën e tij plot ngjarje. Pamja e jashtme e fytyrës së tij, përkundrazi, ka një shprehje butësie në të, ballina e tij është e hapur, mjekra e tij e bardhë dhe e respektuar që i binte mbi gjoks i jepte një lloj pamjeje prej plaku të urtë, ndërsa tonet e argjendta, melodioze të zërit të tij, thjeshtësia miqësore me të cilën u drejtohet shoqëruesve të tij ndikojnë fort për të dhënë një gjykim të gabuar. Ai duket ashtu siç përshkruhet nga poeti i emocionuar—
(Rri mbështetur Aliu,) ‘Burrë luftrash dhe trazirash;
Por në tiparet e fytyrës së tij nuk zbulon dot,
Ndërsa mirësia shkëlqimin e saj të butë hedh
Nga ajo fytyrë e plakur dhe e nderuar,
Veprat që fshihen nën të, dhe e njollosin me turp.’ (Çajld Haroldi, II, st. LXII)
Megjithatë, pas një përqëndrimi shumë të vëmendshëm mendova se mund të shquaja disa tregues të mizorisë dhe pabesisë së tij nën vetullat e tij të thinjura, së bashku me shënja të politikës dhe aftësive mashtruese të thella në rrudhat e ballit të tij; kishte diçka sarkastike në buzëqeshjen e tij, dhe bile diçka të tmerrshme në qeshjen e tij. Adresimi i tij ishte joshës, tërheqës, figura e tij ishte e shëndoshë, ndonëse thuhej se në rini kishte qenë e hijshme; statura e tij ishte shumë nën gjatësinë mesatare, dhe beli i tij ishte i gjatë në përpjestim me pjesët e tjera të trupit; ai duket goxha burrë kur është i ulur në divan ose nbi kalë. Por fotoja që kemi vënë më poshtë do të japë një ide më të mirë për paraqitjen e tij vetjake sesa mund të shpresojmë të japim me çfarëdo përshkrimi tjetër.” (kap. XV, f. 447-448)
Veprën e tij me përshkrime e shënime udhëtimi Hughes-i ia kushtoi Parkerit, i cili e financoi për shërbimin në Orient. Gjatë turneut në Siçili, Greqi e Shqipëri në vitet 1812-1814. Hughes-i mbajti ditar me shënime të hollësishme që i shërbyen për të shkruar veprën e tij 6 vjet pas kthimit nga ky udhëtim. Këtë vepër në 2 vëllime me 1025 faqe e pajisi me gravura të bëra nga arkitekti i famshëm dhe miku i Bajronit Ch. R. Cockerell, i cili e shoqëroi Hughes-in në Janinë dhe në takimin me Ali Pashën. Ai e njihte mirë Bajronin dhe e kishte lexuar poemën “Shtegtimet e Çajld Haroldit”, të cilën e citon në kapitullin XII të vëllimit II, faqe 380 (cituar). Në këtë botim të dytë autori jep ngjarje dhe fakte që kishin ndodhur thuajse gjatë një dekade të tërë pas botimit të parë të librit të tij më 1820.
Vëllimi i parë i kësaj vepre ka 17 kapituj dhe 511 faqe. Tema shqiptare ceket në disa kapituj të këtij vëllimi, si në kapitullin VII, ku flitet për banorët shqiptarë të Argosit (f.221-224), kap. X (f. 312, 327) dhe XI (347) ku flitet për kasollet shqiptare, si dhe në kap. XIII, ku, përveç tregimit anekdotik të akteve të dhunshme të Ali Pashës në Santa Maura, përshkruhet mbrritja e Hughes-it dhe Parkerit në Prevezë me 27 dhjetor 1813. Kur sheh “kullat dhe fortesat e Prevezës që shfaqeshin si të veshura në mjegull mbi valët e largëta të detit”, autori citon një strofë nga poema e Bajronit Çajld Haroldi:
“Dhe bashkë me to kodra të Shqipërisë së rreptë,
Shkrepa të Sulit t’errët, dhe majë e lartë e Pindit,
Të veshura përgjysëm me mjegull, spërkatur me rrëke dëbore,
Me veshje vija-vija të murrme e të purpurta,
Ngrihuni; e ndërsa retë gjatë tyre thyhen,
Zbulojnë banesat e malësorit:
Këtu endet ujku, shqiponja sqepin mpreh,
Shpend, bisha grabitqare, dhe njerëz më të egër shfaqen,
Dhe stuhitë që mblidhen përreth tundin vitin që po mbaron.” (Canto II, st. 51)
Kurse 3 kapitujt e fundit – XV, XVI dhe XVII – i kushtohen kryesisht përshkrimit të “kryeqytetit” të pashallëkut të Ali Pashës – Janinës, përshkrimit të sarajeve të Ali Pashës, të kështjellës së Aliut, të sarajit dhe të karakterit të dhunshëm të djalit të madh të Aliut, Muhtar Pashës, përshkrimit të shtëpisë së tregtarit Nikolla Argjiri, përshkrimit të bukur të Mehmet Pashës, djalit të Veli Pashës, përshkrimit të tipit dhe karakterit të Ali Pashës gjatë dy takimeve të para të Hughes-it me Vezirin, etj. Në 15 faqet e kapitullit XVI (476-491) përshkruhet takimi i dytë i autorit me Aliun. Ky takim zhvillohet në kështjellën e Aliut. Në kapitullin XVII përshkruhet vizita e tretë që bëri Hughes-i tek Ali Pasha, më 26 janar 1814, dhe biseda e tij e fundit me vezirin para se të vazhdonte turneun në Thesproti dhe në qytete e fshatra më në thellësi të Shqipërisë.
Duhet thënë se në përshkrimin e hollësishëm të jetës dhe karakterit të Ali Pashës, Thomas Smart Hughes-i ka qenë i prirur, më shumë se çdo udhëtar tjetër anglez i të njëjtës periudhë, të zhbironte e të vinte në dukje anët e errëta të Aliut, të theksonte dinakërinë, ashpërsinë, hakmarrjen, pabesinë, ndonëse u prit me nderime, respekt e bujari në sarajet e tij. Udhëtari e kleriku anglez Hughes përshkruan me hollësi edhe portretin brutal të djalit të madh të Aliut, Muhtar Pashës, me të cilin u takua disa herë në sarajin e tij madhështor, duke përdorur ngjyrat më të errëta të mundshme. Mirëpo kur shkon në pallatin e Veli Pashës, djalit të dytë të Aliut, për të takuar të birin e Veliut, djaloshin 15-vjeçar Mehmet Pasha, ai befasohet nga mençuria, mirësjellja, pamja e hijshme dhe e ëmbël, etiketa e njeriut të kulturuar dhe “dinjiteti i një princi të vogël” dhe i përshkruan me ngrohtësi virtytet e nipit të Aliut:
“Ne shkuam në pallatin e Veli Pashës për t’i bërë një vizitë djalit të tij, Mehmet Pashës, njërit prej të rinjve më interesantë që kishim takuar ndonjëherë. Ky ishte djaloshi i vogël për të cilin Lord Bajroni flet aq mirë në shënimet e tij të Çajld Haroldit dhe sigurisht aspak më shumë sesa e meriton. Ai kishte qenë kohët e fundit në Larisa për vizitë tek i ati, dhe ne e kishim parë kur ishte kthyer bashkë me vëllain e tij më të vogël kur bëmë vizitën e parë ceremoniale te gjyshi i tij. Ai ndryshonte kryekëput në sjellje nga xhaxhai i tij, nga i cili sapo ishim larguar. Kur e lajmëruan se kishim ardhur, ai u ngrit nga qoshja e divanit dhe eci drejt nesh për të na takuar te dera me sjelljen më të hijshme që mund të mendohet. Pastaj ai u kthye e marshoi para nesh me gjithë dinjitetin e një princi të vogël; u ul përsëri dhe me mirësjellje na bëri shenjë me dorë që të zinim vend në kolltukët tanë. Shprehja e fytyrës së tij ishte pa asnjë dyshim më e ëmbla që unë kisha parë ndonjëherë, kurse tonet e zërit të tij ishin posaçërisht të ëmbël e të harmonishëm. Ai hyri menjëherë dhe me lehtësi në bisedë, dhe na bëri pyetjet më me vend në lidhje me vendet që kishim vizituar, veçanërisht Britaninë e Madhe që shprehu dëshirën më të madhe për ta vizituar. Pastaj, duke u kthyer papritur nga vëllai i tij më i vogël Ismail Bej, i cili rrinte ulur pranë tij, e pyeti nëse e donte anglishten: nga që fëmija nuk dha përgjigje, nga ndrojtja ose vetpërmbajtja, ai shtoi duke qeshur se do ta mbyllte në një dhomë të errët dhe do ta ushqente vetëm me bukë e ujë, nëse ai nuk i donte miqtë e tij anglezë që kishin bërë gjithë atë rrugë për ta takuar. Ai iu përgjigj me zgjuarsi të veçantë e dashamirësi shumë pyetjeve që i bëmë, në lidhje me qeverinë e babait të tij në Larisa dhe për gjëndjen e vendit,; ai na informoi për disa përmirësime që ishin bërë në ura, dhe për digat që ishin ndërtuar dhe dukej kejt i çliruar nga paragjykimet; ai qeshi me gjithë zemër për idenë absurde të paracaktimit hyjnor që i frenon turqit për të marrë masa mbrojtëse kundër infeksioneve dhe ishte absolutisht kundër hyrjes në Parajsë nga një portë e tillë. Nga ‘kalemboja’ apo takëmi i shkrimit, me pena e letër që gjëndeshin mbi një tavolinë, ne e kuptuam se ky djalosh interesant, i cili tani ende nuk i kishte mbushur pesëmbëdhjetë vjeç, kishte qenë duke e shfrytzuar kohën e tij me studime, në vend që ta shpërdoronte në atë plogështi që është aq karakteristike për bashkatdhetarët e tij. Si të gjithë të rinjtë turq të shtresës së lartë, ai kishte mësues privat për t’i mësuar artin e komunikimit e të etiketës; mirëpo asnjë art nuk do të kishte mundur t’i jepte atë përsosmëri sjelljeve të tij nëse edhe natyra nuk do të kishte qene aq bujare me dhuratat e saj.” (vëll. I, kap. XV, f. 459).
Vëllimi i dytë ka gjithashtu 17 kapituj dhe 514 faqe. Në këtë vëllim Hughes-i përshkruan segmentin e dytë të turneut, i cili fillon në Janinë, Pargë e Paramithi e vazhdon më tej nëpër Shqipëri përpara se ai të kthehet në Angli nga Italia e Franca. Të gjithë kapitujt e këtij vëllimi i kushtohen Shqipërisë dhe shqiptarëve, në të cilët tregohet për udhëtimin e Hughes-it nëpër qytete e fshatra – Gjirokastër, Tepelenë, Këlcyrë, Përmet, Berat, Apolloni, Gradishtë, Finiq, bile dhe Selenicë me minierën e lashtë të serës, etj.; për shtrirjen gjeografike të vendit, origjinën e popullit shqiptar, gjuhën, tiparet dhe karakterin e shqiptarit (ashtu siç e mendonte vetë autori), besimin fetar të shqiptarëve, zakonet, martesën, gruan, shpirtin luftarak, veshjen, armët, etj. Ai shënon ngjarjet e rëndësishme historike që ndodhën në çdo vendqëndrim të tij dhe përshkruan legjendat, zakonet e traditat e vendit. Ai citon lirisht nga shënimet e botimet e udhëtarëve të tjerë të kohës, sidomos nga Byron-i, Leak-u, Cocherell-i, etj., si dhe nga autorët e lashtë Ptolemeu, Straboni, Livi, Polibiusi, Homeri, Klodiani, etj., dhe nga mbishkrimet e objekteve arkeologjike që ndeshte gjatë turneut. Këtu janë përfshirë edhe anekdota që e bëjnë përshkrimin më tërheqës dhe lejojnë që të zbulohen opinionet, aludimet dhe personaliteti i autorit.
Vendin qëndror në 17 kapitujt e këtij vëllimi e zë përshkrimi i hollësishëm i jetës, karakterit, personalitetit, veprimtarisë e vdekjes së Ali Pashë Tepelenës, gjithnjë sipas mendimit të autorit anglez. Autori tregon për origjinën e familjes së Aliut, për forcimin e pushtetit të tij, për reformat administrative (…, për marrëdhëniet komplekse me suliotët, për marrëdhëniet diplomatike me francezët e Pukvilin, me rusët, me anglezët, për korrespondencën e Aliut me gjeneralin rus Potemkin dhe për korrespondencën e tij me Admiralin e Fllotës Mbretërore Angleze Lordin Collingwood. Hughes-i rrëfen me hollësi edhe vizitën e tij ceremoniale në sarajin e Ali Pashës – vizita e fundit, një vizitë lamtumire, si dhe bisedën e Aliut rreth ngjarjeve të mëdha ushtarake të kohës që po ndodhnin në Europë, etj. Gjithashtu, ai përshkruan marrëdhëniet e vezirit shqiptar me Portën e Lartë dhe me pashallarët rivalë, deri në vrasjen e tij me tradhëti, ekspozimin dhe fatin e kokës së tij të prerë në Stamboll.
Në Parathënien e botimit të dytë të veprës së tij Udhëtime nëpër Greqi dhe Shqipëri (Travels in Greece and Albania) të vitit 1830 autori, ndër të tjera, shkruan se duke e redaktuar e krehur mirë botimin e parë, ai ka mundur “të fitonte hapësirë për të përfshirë një sasi të madhe informacioni të ri nga ditaret e tij, si dhe nga autorët klasikë ashtu dhe nga ata modernë. Për më tepër, duke zgjeruar vëllimin e dytë, ai ka qenë në gjendje të shpalosë para lexuesit një përshkrim të plotë të Jetës dhe Vdekjes së personalitetit të jashtëzakonshëm të Ali Pashait të Janinës, tok me një raportim të përmbledhur të Revolucionit, në të cilin ai luajti një rol të shquar dhe që i ka dhënë pavarësinë Greqisë….Qershor, 1830”[1] (f. III-IV).
Në këtë botim të dytë Hughes-i ka hequr pjesën e udhëtimit në Siçili dhe ka ndryshuar titullin e botimit të parë të vitit 1820 – Travels in Sicily, Greece and Albania. Përveç trajtimit të hollësishëm të jetës dhe vdekjes se Ali Pashës (që ndodhi 2 vjet pas botimit të parë), ka shtuar vdekjen e Bajronit më 1824, rolin e Bubulinës në 1821, dëshmi të Vasiliqisë pas vdekjes së Ali Pashës, etj. Duhet shënuar se këtë botim të dytë të librit të “Udhëtimeve” të tij Hughes-i e bëri 16 vjet pasi ishte kthyer në Angli. Këtu ai përshkruan ngjarje që nuk i kishte përjetuar vetë, por që i kishte marrë të gatshme nga librat e udhëtarëve të tjerë. Kur shkruan për “informacion të ri nga ditaret e tij” Hughes-i nuk duhet ta ketë fjalën për ditare udhëtimesh, sepse ai nuk udhëtoi më jashtë Britanisë pas 1814-ës, po për ndonjë ditar që ka mbajtur, duke qenë pranë familjes së tij dhe duke lexuar librat e udhëtarve të tjerë, për ndjekjen e ngjarjeve të rëndësishme që ndodhën në Europë gjatë viteve 1814 – 1830. Kështu veproi me përshkrimin e vdekjes së Ali Pashës, të ekspozimit të kokës së tij të prerë në oborrin e sarajit të sulltanit, fatit të kësaj koke dhe të kokave të prera të 3 djemve dhe të nipit të tij Mehmet Pashës, si dhe të fatit të Vasiliqisë, etj. Këto fakte ai i gjeti të gatshme dhe i mori fjalë për fjalë nga libri i kapelanit të ambasadës britanike në Stamboll Dr. Robert Walsh “Rrëfim i një udhëtimi nga Konstandinopoja në Angli”, botuar në Londër më 1828.
“Pasi ia kishin prerë kokën Aliut, trupin e tij e varrosën me pompozitet e solemnitet oriental në varrin e gruas së tij të parë Eminesë. Koka u balsamos me kujdes (thuhet se e zhytën në mjaltë që të mos prishet) dhe u dërgua në Konstandinopojë, ku arriti me 23 shkurt, bashkë me gruan e tij Vasiliqinë, nipin e tij Ismail Bej, dhe me një pjesë të konsiderueshme të thesareve të tij, nën ruajtjen e seliktarit. Ky oficer u prit në Portën e Lartë si ngadhnjimtar, midis brohoritjeve të popullatës, dhe dërgesat iu paraqitën Sulltanit me ceremoni të madhe nga vetë Veziri i Madh. Dita e nesërme u bë dëshmitare e moralit kulmor të historisë sonë: ajo kokë, para të cilës ishin dridhur aq shumë viktima dhe para të cilës ishin përkulur me nderim aq shumë skllevër, u ekspozua për ta parë publiku në oborrin e madh të sarajit, vendosur në një pjatancë mbi një kollonë të ulët prej mermeri: një rojë perandorake qëndronte aty pranë, me një çallmë të lartë në kokë dhe me një stap të bardhë në dorë, i cili e rrotullonte pjatancën rreth boshtit të saj që të mund ta shihnin të gjithë fytyrën e frikshme të rebelit dhe mjekrën e bardhë e të gjatë që ende i derdhej nga gusha. Mbi kokë i varej një fetfa apo mbishkrim” që shpjegonte arsyet e dënimit.
Pas “fetfas” së sulltanit, të cilën e ka marrë të gatshëm të përkthyer në anglisht fjalë për fjalë nga kapelani Walsh, Hughes-i shton: “Por duhet të na lejohet të bëjmë një vëzhgim për mbishkrimin pjesërisht të vërtetë dhe pjesërisht të gënjeshtërt, i cili ishte ekspozuar mbi kokën e Ali Pashës, se tirania e tij nuk ishte as sa gjysma e papranueshme nga vartësit e tij dhe as sa gjysma paragjykuese ndaj interesave më të mira të njerzimit, sa ç’ishin ato të ngadhnjimtarit të tij.” (vëll. II, Kap. IX, f. 327-328).
“Koka e këtij personazhi të jashtëzakonshëm i shpëtoi për një qime floku pashtërimit që do të pësonte duke u bërë spektakël publik për popullatën angleze dhe duke shëtitur rretheqark nëpër kryeqytetet e Evropës, sepse Doktor Walsh-i, i cili e pa ekpozitën në oborrin e sarait të sulltanit, na informon se një tregtar i Konstandinopojës ofroi një shumë të madhe për ta blerë atë. Mirëpo kur marrëveshja ishte gati për t’u mbyllur, një dervish i quajtur Solyman (Sulejman), i cili kishte qenë një nga agjentët e fshehtë të Aliut, ndonëse kishte hequr dorë nga shërbimi për shkak të disa kundërshtimeve në pikëpamje, ofroi një shumë më të madhe. Ky besimtar bleu edhe kokat e tre djemve të Aliut dhe të nipit të tij Mehmet Pasha, të cilat i depozitoi, së bashku me kokën e vezirit plak, në një varr të gjërë familjar pranë Portës së Silivrit, duke ngritur mbi ta edhe pesë gurë varri prej mermeri të bardhë, të zbukuruar secili, sipas mënyrës turke, me çallma të gdhendura dhe duke deklaruar titullin e pesë të vdekurve”. (Kap. IX, f. 327-328)
Në 35 faqe të Kapitullit V (f.100-135) Hughes-i, pavarësisht paragjykimeve, ka dhënë një përshkrim interesant të jetës së Ali Pashës, historisë së herëshme të origjinës së tij. Mirëpo për ta paraqitur biografinë e tij ashtu siç duhet, ai thekson se paraprakisht e sheh të domosdoshme “t’i hedhë një vështrim të shpejtë atij populli luftëtar e të çuditshëm, trimëria e të cilit ishte baza e suksesit të karrierës së kryetarit të tyre dhe mbështetja e pushtetit të tij.” Prandaj ai fillimisht shpjegon shtrirjen gjeografike të trojeve shqiptare, tiparet dhe karakterin e shqiptarëve, gjuhës, zakoneve e veshjes së tyre, etj.
Për shtrirjen gjeografike ai shkruan: “Vendi tani i quajtur ALBANIA është vështirë të përcaktohet. Fillimisht ai kufizohej brënda rajonit të vogël Albanopolis, (tani Albassan) në Ilirikumin Jugor, i quajtur më vonë Epiri i Ri. Nga kjo origjinë e parëndësishme, guximi i banorëve të tij në rritje, i shfaqur veçanërisht gjatë sundimit të shrregullt e të dobët të perandorëve bizantinë, i zgjëroi kufijtë, apo më mirë të themi e zgjeroi shtrirjen e emrit në pjesën më të madhe të Ilirikumit dhe Epirit; kështu që në kohën e sotme, ai kufizohet në veri me Bosnjën, në lindje me Maqedoninë dhe Thesalinë, në jug me Akarnanian dhe Gjirin e Ambracias, në perëndim me Detin Jon dhe me Adriatikun. Mirëpo shqiptarët në asnjë mënyrë nuk përbëjnë popullsinë kryesore brënda këtyre kufijve, sepse janë të shpërndarë e të përzierë me shumë fise serbe, bullgare, vllehe, osmanllij dhe romaike apo greke të ditëve tona; kështu që në të njëjtin qytet nuk është e pazakontë të dëgjosh që fliten gjuhët turqisht, romaikisht (greqishte e sotme), bullgarisht, vllahisht dhe shqip, si dhe nganjëherë, një ‘patois’ (dialekt), përzierje e të gjithave bashkë. Shqipëria jo rrallë ndahet në Shqipërinë e Sipërme dhe të Poshtme, ndonëse vija kufizuese e këtyre ndarjeve është shumë e papërcaktuar: ato ndoshta mundet që me përkatësinë e madhe të pronësisë të quhen Shqipëria Ilire dhe Shqipëria Epirote.” Për të gjitha këto autori i referohet këtu autorëve të lashtë në shënimin në fund të kësaj faqeje:
“Gjeografi Ptolemeu, i cili lulëzoi në mbretërimin e Hadrian-it dhe Antonius-it, është i pari, sipas dokumentave, i cili e përmend emrin ‘Albarur’. Dion Cassius-i duke numëruar fitoret e romakëve në Azinë e Vogël, e përmend Shqipërinë dhe e quan ‘Albarur’, si për të bërë dallimin me ndonjë ‘Albania’ diku tjetër”. Dhe më tej: “Krahinat, të cilat përgjithësisht pranohen si të sakta në këtë vend janë si më poshtë: Scutari (Shkodra), Dibra e Sipërme dhe e Poshtme, Kruja, Dulcigno (Ulqini), Tiranna, Albassan (Elbasani), Ochri (Ohri), Avlona (Vlora), Berati, Muzakia (Fier-Lushnjë), Desnitza (Dishnica), Skrapari, Koritza (Korça), Kolonja, Konitya (Konica), Dangllia, Toskëria, Mallakastra, Arbëria ose Liapuria (Labëria), Argyro-Castro (Gjirokastra), Kimarra (Himara), Delvino, Liutzaria (Lunxhëria), Zagoria, Palaio-Pogojanni (Pogoni?), Ioannina (Janina), dhe Tzamouria (Çamëria), të cilave tani mund t’u shtohen Arta dhe Luro (?), sepse në këto provinca ka aq shumë banorë shqiptarë sa dhe në shumicën e atyre të sipër-përmendura.”
Për origjinën e shqiptarëve, gjuhën, tiparet dhe karakterin e tyre duket qartë se Hughes-i nuk është i thelluar në burime shkencore, por merr andej-këtej mendime të të tjerëve. Ai vetë pohon se “unë nuk kam fare dijeni për gjuhën… prandaj e ndjej veten të pakualifikuar për të dhënë mendim për këtë çështje”. Ai i referohet W.M. Leake-ut si burimi më i besueshëm i kohës së tij. Për këto ai shkruan: “Për sa i takon origjinës së këtij populli, i cili mbeti si i thonë në gjumë për kaq shumë shekuj, ‘occulto velut arbor aevo’ (latin.‘rritur ndër shekuj si pemë e fshehur’), gjatë sulmeve të barbarëve që vërshonin në kohë të ndryshme mbi Perandorinë e Lindjes, historia është fare e heshtur; gjithshka që ka mbetur është hamendësim; edhe vetë hamendësimi në këtë rast ka shumë pak terren për formimin e një hipoteze. Duke qenë se gjuha e tyre është tërësisht gojore, nuk ka mbetur asnjë dokument i shkruar që mund të na ndihmojë në kërkimet tona shkencore. Sipas opinionit të Kolonel Leake-ut, ndërkohë që shumë pak njerëz janë në gjendje për të gjykuar më mirë se ai, ata e kanë prejardhjen nga një komb i lashtë ilir, i ruajtur nga barrierat e tyre malore që të mos përziheshin me gotët, hunët sllavët dhe fiset e tjera pushtuese që vendoseshin në atdheun e tyre; dhe e vetmja hipotezë që duket se mund të qëndrojë kundër kësaj është se ata mund të jenë emigrim i shqiptarëve aziatikë (angl. Asiatic Albanians), për të cilët Straboni na ka lënë një përshkrim të bollshëm, ku disa tipare të karakterit çuditërisht përkojnë me këta europjanë, të modifikuara nga shkenca moderne dhe ndjekja e riteve fetare të ndryshme.”
Për veçoritë antropologjike të shqiptarit Hughes-i shkruan se ka “ballë të ngushtë, gojë të vogël, vetulla të holla të harkuara, mollëzat e faqeve të larta dhe mjekër me majë, të cilat i japin një fizionomi skithiane shumë të theksuar; mirëpo unë nuk kam fare dijeni për gjuhën, e cila, sipas gjykuesve më të mirë, konsiderohet dialekt i sllavishtes me një përzierje të shumë gjuhëve të tjera, dh nuk kam të dhëna të tjera të çfarëdo natyre qofshin, prandaj e ndjej veten të pakualifikuar për të dhënë mendim për këtë çështje. Emrin e shqiptarëve (‘ALBANIANS’) duket se shkrimtarët bizantinë e kanë marrë nga Ptolemeu; sepse turqit i quajnë ata ARNAUTË, ndërsa në gjuhën e tyre ata e quajnë veten SKYPETARË, vendin e tyre SKYPERI, dhe gjuhën e tyre SKYP. Ata janë të ndarë në katër fise apo klane të mëdha të quajtur DGEDGES, TOSKIDES, LIAPIDES dhe TZAMIDES; në secilin prej tyre ka disa nuanca ndryshimesh për sa i takon gjuhës dhe sjelljes që bëjnë të mundur për një vendas t’i dallojë ata nga njëri tjetri. Mirëpo tiparet kryesore të karakterit shqiptar duket se kanë mbetur të pandryshuara që nga koha e Aleks Komnenit, kur ata fillojnë të shquhen e të identifikohen nga historianët si një popull i fortë (i guximshëm) dhe nomad, por mizor (i egër), grabitqar (lakmitar) dhe të pashtruar (të pabindur, të panënshtruar). Pas vdekjes së Skënderbeut të madh, kur shqiptarët, të cilët kishin bërë një rezistencë shumë të guximshme, ranë nën zgjedhën osmane, u shfaq një risi në besimin e tyre fetar: deri në këtë kohë ata të paktën deklaroheshin të krishterë, sado të paudhëzuar mund të kenë qenë për dogmat e doktrinat e saj të veçanta. Filloi ndërrimi i fesë, ndonëse në fillim ishte shumë i ngadaltë dhe feja e Muhametit nuk pati shumë pasues deri nga fundi i shekullit XVI. Atëherë doli një ligj që i siguronte pasuritë në pronësinë e atyre familjeve shqiptare që do të rrisnin një nga antarët e tyre me besimin musliman. Kjo pati efekt të dyfishtë: e mbante vendin më të pastër etnikisht nga erdhacakët turq se pjesa tjetër e Perandorisë turke, por dhe e transferonte shpejt pasurinë kryesore në duart e të konvertuarve (proselitëve)M të rinj. Megjithatë, në kohë tëë ndryshme fshatra, qytete dhe krahina të tëra, për përfitime politike, kanë hequr dorë vullnetarisht nga feja e paraardhësve të tyre; dhe këto raste kanë ndodhur jo rrallë në kohën e sotme. Megjithatë, muslimani shqiptar nuk është më tepër ndjekës i doktrinave, riteve dhe ceremonive nën ligjin e tij të ri sesa ishte nën ligjin e vjetër dhe shikohet me përbuzje të madhe nga osmanlliu dogmatik. Ai shpesh martohet me një grua të krishterë, i çon djemtë e tij në xhami dhe i lejon vajzat e tij ta shoqërojnë nënën e tyre në kishë; bile, edhe ai vetë shkon në mënyrë të alternuar në të dy vendet e adhurimit dhe ha me familjen e tij në një tenxhere ku ka mishra të ndaluara nga ndjekësit e Muhametit. Shumë pak prej tyre bëhen synet. Për këtë arsye, kur pashai, në një çast zelli fetar, i dërgoi sheikët që të kryejnë operacionin nëpër disa krahina, si pasojë shumica e të rriturve vdiqën. Ata janë në përgjithësi aq të varfër sa që nuk mund të përfitojnë nga leja që u jep feja për poligami, por kënaqen me një bashkëshorte, e cila zgjidhet, si çdo kafshë tjetër, më shumë si skllave ose shërbëtore se si bashkëshorte. Ata nuk janë fare xheloz për gratë e tyre dhe as nuk i mbajnë të mbyllura si turqit dhe grekët. Ajo grua e shkretë, me një ose dy foshnja të lidhura në një traste në shpinë, punon tokën dhe merret me punët e shtëpisë me rradhë, ndërsa zotëria i saj kapadai endet nëpër pyll për gjueti, ruan tufat e dhenve, ose fshihet prapa një shkëmbi me pushkën gati për të qëlluar ndonjë udhëtar të shkujdesur. Këto gra janë në përgjithësi me tipare të ashpra, me lëkurën e fytyrës të ashpërsuar nga ekspozimi në të gjitha llojet e motit dhe me trupin e tyre të dobësuar nga puna e rëndë e ushqimi i pamjaftueshëm. Në disa krahina ato trajtohen më mirë dhe tregohen të gatshme të ndajnë rreziqet e luftës së bashku me burrat, si dhe punët e bujqësisë.”
Përveç fizionomisë, karakterit, gjuhës, besimit, sjelljes si bashkëshort e disa veseve të shqiptarit, Hughes-i jep mendimin e tij vetjak edhe për paraqitjen e jashtme, pajisjet e veshjen e burrave dhe grave shqiptare. Ai shkruan: “Ata janë shumë lakmitarë për të fituar dhe janë gati të vuajnë nga uria për para, të cilat i shpenzojnë pa hesap për të blerë armë. Shumë nga fiset e tyre nuk i lënë kurrë mënjanë armët, bile as kur flenë. Kur një shqiptar është komplet i armatosur, ai mban një mushqetë në sup, një kobure dhe një jatagan në brez, me një shpatë të ngushtë, të harkuar në ije në një mënyrë disi të ngjashme me husarët tanë; i pajisur kështu dhe i qethur si abantët,[2] me atë kësulën e vogël në majën e kokës, gunën e tij prej leshi të hedhur krahëve dosido, xhaketën e qëndisur, këmishën apo fustanellën e tij të bardhë, dhe opingat e tij të kuqe të stamposura me argjend; ai e quan veten palikar, hedh shikimin me përbuzje ekstreme mbi pjesën tjetër të botës, dhe ecja e tij ka atë hap krenar karakteristik, i cili është i dukshëm, ndonëse në një shkallë më të vogël, ndër malësorët tanë të Kaledonias (Skoci).
Shpirti luftarak dhe etja e madhe për fitim e ka bërë shqiptarin që të tregohet shumë i gatshëm për të hyrë në shërbimin e shteteve të huaja; mirëpo, si të gjithë malësorët, lidhja e tij me vendlindjen është aq e fortë, sa që ai kurrë nuk rekrutohet për një kohë të gjatë, dhe idea e kthimit në kodrat e vendlindjes e bëjnë të durojë të gjitha privacionet e fatkeqësitë. … Kostumi shqiptar, veçanërisht ai i grave, ruan një ngjashmëri të jashtëzakonshme me atë të antikitetit. Sistemi abdominal i burrave duket shumë i ngushtuar nga shtrëngimi i brezit në zonën e vitheve; mirëpo kjo, bashkë me praktikën e përhershme, i mundëson ata që të durojnë udhëtime të gjata e të vështira në këmbë; dhe aktiviteti i tyre në ngjitjen e shkrepave e maleve është i jashtëzakonshëm. Në temperament ata janë deridiku gjaknxehtë dhe shumë rrallë e falin një goditje: por atyre nuk u mungon aspak talenti dhe mprehtësia, dhe është fakt i jashtëzakonshëm që tre njerëzit më të mëdhenj që kanë dalë në Turqi gjatë kohës sonë, të gjithë e kanë prejardhjen ng Shqipëria. Ata janë të shquarit Bajraktar Vezir Mustafai, Mehmet Ali Pasha i Egjiptit dhe subjekti i këtyre kujtimeve që po tregojmë.”
Përshkrimi i detajuar i jetës, veprimtarisë, karrierës dhe personalitetit të Ali Pashë Tepelenës nga udhëtari anglez T.S. Hughes dhe analiza kritike ndaj shumë aspekteve të kësaj biografie nuk janë objekt i këtij shkrimi. Hughes-i e ka përshkruar me aq hollësi biografinë e Ali Pashë Tepelenës në aq shumë faqe të librit të tij, sa që ato mund të botoheshin si libër biografik më vehte. Përshkrimi fillon që me vendlindjen: “Tepelena, një qytet i vogël i Toskides (Toskërisë), në bregun e majtë të Aous-it ose Voiussa-s (Vjosës), afër daljes nga ngushtica e Klissura-s (Këlcyrës), ishte vend-lindja e Aliut rreth vitit 1841”. Pastaj autori tregon për origjinën e familjes, për gjyshin e Aliut, Myftarin, “që konsiderohej luftëtari më i madh i kohës së tij dhe që ra duke luftuar trimërisht në rrethimin e famshëm të Korfuzit më 1717”, për babain Veli Beun, për “nënën e tij, Khamkon (Hankon) e famshme, vajzën e një beu të fuqishëm nga Konica…dhe për motrën e tij Shainica, një grua me talente të jashtëzakonshme, guximtare sypatrembur dhe me vendosmëri të madhe, por e egër, hakmarrëse e paepur si tigreshë”. Me tej autori tregon për edukimin e Aliut në artet marciale dhe edukimin fizik, veprimtarinë e tij si ‘kleft’, ambicjet e tij për pushtet, zgjerimin dhe forcimin e pashallëkut të tij, aleancat politike e ushtarake të Aliut, reformat administrative (ndërtimin e fortesave, reformimin e policisë dhe shërbimit sekret e dipllomatik, pastrimin e vendit nga kusarët plaçkitës të rrugëve, ndalimin e gjakmarrjes, etj.). Autori ka trajtuar, sipas pikëpamjeve të tij vetjake, edhe marrëdhëniet e trazuar të Aliut me suliotët, kontributin e tij në revolucionin grek, rritjen e ambicjeve të tij separatiste dhe përplasjet me Portën e Lartë, ekzekutimin e tij me tradhëti nga Hurshid Pasha me urdhër të sulltanit me 25 janar 1822 dhe deri tek ekspozimi publik i kokës së Aliut në Stamboll më 23-25 shkurt të po atij viti.
[1] Travels in Greece and Albania, Second Edition, with considerable additions, London, Henry Colburn and Richard Bentley, New Burlington Street, 1830. Preface to the Second Edition, p. III-IV.
[2]Banorë të lashtë të Çamërisë
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…
Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme. Shkrimi…
Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…