Mbi kryengritjen antikomuniste të Malsisë së Madhe të udhëhequn nga Prek Cali

Prof. Dr. Romeo Gurakuqi

76 vite më parë, repartet e Ushtrisë së Kuqe të komanduara nga Shtabi i PKJ dhe i PKSH, invaduan Malesinë dhe Kelmendin. Për mbrojtjen e Malësisë së Madhe nga invadimi komunist, populli u organizua në mbrojtje, nën drejtimin e këtyre prijësve: Kelmendi me prijës Prek Calin, Zagora me prijës Llesh Marashin, Hoti me prijës Gjelosh Lulin, Shkreli me prijës Pjetër Gjokë Bajraktarin dhe Nikollë Prekën, Kastrati me prijës Gjon Martinin dhe Mirot Palokën.

Posaçerisht e ashpër ka qene beteja për nënshtrimin e popullit të Kelmendit, të papërkulun prej shekujsh ndaj okupatoreve dhe ruajtes të pathyeshem te piramidave veriore të Shqipnisë. Për shtypjen dhe nënshtrimin e Kelmendit u angazhuan batalioni i parë i Brigadës I dhe mbasi kjo njësi ra në përpjekje me forcat nacionaliste të drejtuara nga Prek Cali, asaj iu bashkëngjitën edhe dy batalione të tjerë të Brigadës XXIV.

Raportet e partizanëve (AQSH, Fondi 14, Viti 1945, D. 215, fleta 81-87. Raport i Ushtrisë Partizane, pa nënshkrim, që mban datën 18 shkurt 1945), tregojnë, se operacionet e pastrimit kanë vazhduar gjatë muajit shkurt të vitit 1945. Me datë, 7 shkurt 1945, pas një marshimi të gjatë nëpër borë dhe akull, në lartësi nga (1800 – 2000) metra, nëntë batalione të Ushtrisë së Enver Hoxhës arritën të rifillonin sulmet kundër Kelmendit. Duhet të theksoj, se rezistenca në Kelmend u zhvillua paralelisht me procesin e spastrimit, që partizanët jugosllavë zhvillonin për nënshtrimin e Hotit dhe Grudës matanë kufirit dhe luftën në Plavë dhe Guci. Në fazen finale te rezistences, Prek Cali me 40 besnikë u mbyll në një shpellë gati të pakapshme në shkrepat e Vuklit, ku ka rezistuar deri me datë, 15 shkurt 1945, ora 14.00, kohë kur ka lëshuar armët nën besën, që komunistët nuk e mbajtën.

19 familje u internuan e përfunduan më pas në kampin e Beratit. Prek Cali u soll në Shkodër, ku u prit nga turma të inskenuara dhe u gjykua nga Gjyqi Ushtarak i Korparmatës III në Shkodër, në të cilin u dënuan 25 persona.

Në gjyq Prek Cali deklaroi, se “partizanët janë njerëz të këqij, të djegin, të vrasin dhe janë njerëz pa fe”. Me vendimin nr. 42, datë 3 mars 1945, gjykata ushtarake, ndër të tjerë, deklaroi fajtorë dhe dënoi 70-vjeçarët Prek Calin dhe Ded Lulash Smaili, me vdekje. Hetuesi, që i ka pyetur me radhë të gjithë malësorët, ka qenë Skënder Hysi. Trupi Gjykues në Shkodër, ka qenë i përbërë nga Major Tonin Jakova, anëtar Mustafa Iljazi dhe Zoi Themeli, Prokuror i çështjes ka qenë Jonuz Mersini. Vendimi i Gjykatës Ushtarake të Brigadës II në Shkodër, është konfirmuar nga Gjykata e Naltë Ushtarake në Tiranë, e përbërë nga kryetari Gaqo Floqi dhe anëtarë Frederik Nosi dhe Veledin Zejneli. Prokuror i çështjes në shkallë të lartë ka qenë Myftar Bare, ndërsa sekretar Jani Thoma.

Prek Cali dhe 8 të dënuar të tjerë u ekzekutuan nga Brigada II e “Mbrojtjes së Popullit” në Shkodër, pas Varrezave të Rrmajit. Ky gjyq, dënoi 25 vetë (Prek Cali nga Katundi Vermosh, Gjelosh Toma, Niksh, Dedë Lulash Smajli, Niksh, Fran Zef Pëllumbi, Niksh, Prelë Tom Gjergji, Niksh, Kolë Prek Pëllumbi, Niksh, Tona Tomia, Niksh, Gjergj Mark Luca, Niksh, Fran Mirash Zefi, Vukel, Fran Dosh Preka, Vukel, Mark Gjelosh Vata, Vukel, Pal Mark Gjeka, Vukel, Dod Nikoll Zefi, Vukel, Fran Pretash Zogu, Vukel, Ndue Gjon Rapuka, Vukel, Dod Shan Doshi, Vukel, Ndue Luc Gjoni, Vukel, Ndue Gjek Vuksali, Vukel, Maç Ndue Gjoni, Vukel, Gjon Mirash Zefi, Vukel, Nikolle Pretash Logu, Vukel, Dedë Gjelosh Lula, Vukel, Mark Gjok Vuksani, Vukel, Zef Gjon Rapuka, Vukel, Mark Tom Luca), nga të cilët edhe 4 me burgim të përjetshëm, ndërsa të tjerët kryesisht me 30 vjet burg. (Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Dosja nr. 287-A, viti 1945, vendim i Gjykatës Ushtarake të Korpusit II, datë 16.03.1945).

Më, 25 mars 1945, në muret e qytetit të Shkodrës u shpërnda një afishe e madhe, e cila kishte këtë titull: “Pushkatohen kriminelat e Luftës dhe Armiqtë e Popullit”. Kështu, Malësia humbi 137 bijë të saj, trimat e devotshëm në kryengritje. U burgosën 345 burra dhe u internuan 41 familje të shpallura reaksionare. Me të drejtë thuhet se Malësia, u vesh me petkun e zisë. (Mërgim Korça, Historia e vertetë e pushkatimit të Prek Calit, “Bota Sot”, 17 shtator 2017).

75 vite pas rezistences, Kelmendi ndodhet nen nje “agresion” te ri: ate te nxjerrjes jashtë vendit, në heshtje dhe tinzisht të rinisë, zaptimit të pronave shekullore të malësorëve (në një foto është harta e pronësisë së Vermoshit, skicuar nga Komisioni Ndërkombetar i Caktimit të Kufirit të vitit 1914. Një prove dokumentare, që çdo pëllëmbë toke në Malësi ka pronar privat ose komunitar dhe për rrjedhojë titujt e pronësisë janë të patjetërsueshëm nga makinacionet qeveritare) dhe shkatërrimit të ekosistemit, përmes ndërtimit pa asnjë kriter, të hidrocentraleve të klientëve të pushtetit socialist.

Tregues i vijimit të përçmimit të heshtun të Tiranes zyrtare ndaj Malesise kreshnike, popullit të Kelmendit, diasporës që jeton me mendje dhe zemer ne troje, asht gjendja e mjerueme në të cilën ndodhet sot shtëpia e Rojtarit te Madh te Kufinit Verior te Shqipnise: PREK CALIT.

(Shtëpia e Prek Calit u rrëzua nga ata që donin të ndërtonin një kullë 3 katëshe në vend të saj – pastaj ndërhyri Bashkia dhe i bllokoi punimet pa leje atje, se ata nuk kishin aplikuar fare për leje ndërtimi – keq ka shkuar kjo punë, dikush do duhej ta rindërtonte kullën e Prek Calit, të rrënuar tashmë, por nuk po merret kush me të! /AÇ)

Asht koha për nderim të njimendtë, që len pas fjalët.

Duhet nji angazhim serioz për mbrojtjen e jetës, pronës, traditës dhe zhvillimit në Kelmend, në Malesi, në Shkoder dhe krahinë.

Shkodra nuk asht nji hapesineëfundore e Shqipnisë, që mund të zotnohet përmes përdorimit të injorantëve, prozhmuesve rrahagjoksa të rrugëve, si model kundërvënës mbi pjesën e urtë dhe të ditun të shoqnise krahinore. Asht koha e ndërrimit për mbarë të regjistrave të referencës dhe e udhërrëfyesve programore, për ndjekjen e politikave të përshtatshme zhvillimore.

postbck postbck

Recent Posts

Shtjefen Gjeçov Kryeziu: – Për Shtetin e Ri Shqiptar 1921, aktual edhe për ditët tona

“ …Por edhe prej anës së Sundimtarve duhen Aristida, duhen Mark Aurela, e duhen kujtue…

1 hour ago

Si “LINDI” Molla e Kuqe dhe a ishin shqiptarët të shtrirë deri atje?

  Deri më tani nuk më është e njohur se ndonjëri nga akademikët shqiptarë nga…

2 hours ago

BBC dëshmon në dokumentarin e tyre se në Greqi flitej shqip në vitin 1811 (VIDEO)

  BBC përmes një filmi biografik dëshmon se në Greqi flitej shqip ne vitin 1811.…

2 hours ago

Si të bëni vetë një shërup për kollë? Jo më në farmaci

  Me gjethe dafine dhe pak mjalt ju mund të krijoni një shërup shumë efikas…

2 hours ago

Zbulim i madh arkeologjik në Strugë: varre mbretërore ilire dhe artefakte të çmuara

Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik ka tërhequr vëmendjen e studiuesve në Koroshishtë të Strugës. Një…

2 hours ago