Fraza që tronditi Tiranën e viteve ’60

Shkruan Ndue Dedaj

Ka qëndrime e kumte të papërsëritshme në jetën e një qyteti, aq më tepër të një kryeqyteti. Ato ndodhin rrallë dhe nguliten thellë në memorie për vlerën sipërane që mbartin. Ishte dimri i vitit 1963, kur në Tiranë sapo kishte përfunduar gjyqi politik ndaj ushtarakut poet Trifon Xhagjika. Ishte dënuar me vdekje për përfshirje në “grupin armiqësor” imagjinar të Temo Sejkos. Në atë heshtje varri, ku as zogjtë nuk fluturonin më nga pema në pemë, teksa Trifoni po dilte i lidhur këmbësh e duarsh nga dyert e gjykatës, befas dëgjohet një zë kumbues: “Mbaje lart kokën, vëlla! Se ke Shqipërinë me vete”. Kishte thirrur kështu vëllai i të dënuarit, mjeku Ylli Xhagjika. Fjala do të shkonte gojë më gojë dhe kryeqyteti nuk do të shqiptonte tjetër fjalë ato ditë, ndërkohë që dhe mbi duart e tij u mbërthyen prangat e regjimit, me akuzën për agjitacion e propagandë.

Ylli Xhagjika, gjithçka mund ta kishte menduar në jetë, po jo se një ditë do t’i duhej të sillej si hero, pa qenë i tillë dhe pa qenë në luftë me pushtuesit, ku kishte kuptim të ishe hero. Ai, ashtu si dhe i vëllai, Trifoni, ishte intelektual. Kishte studiuar në Shën Petërburg, Rusi, për Mjekësi në Akademinë Ushtarake dhe ishte kthyer në Shqipëri mjek ushtarak. Është shkruar për Trifonin dhe poezinë e tij, por jo dhe për Yllin. Në shënimet e tij për poetin e ri me fat tragjik, publikuar para pak kohësh në gazetën “Panorama”, shkrimtari i njohur Dritëro Agolli shkruan se ai më parë kishte njohur të vëllain, Yllin, në Leningrad (Shën Peterburg), në vitet ’50 të shekullit të kaluar, kur ishin bashkëstudentë dhe kishin pasur shoqëri, që kishte vazhduar dhe në Tiranë, ku Xhagjika do të ishte dhe mjeku i familjes së shkrimtarit.

Ylli asokohe u kishte folur studentëve shqiptarë të letërsisë e gazetarisë për poezitë e të vëllait, me dëshirën që ata të lexonin diçka prej krijimeve të tij. Bile dhe vetë studenti i mjekësisë kishte shkruar shkrime në shtypin e kohës. “Në fjalën e tij ne ndienim dashurinë e thellë mes dy vëllezërve. Dhe ishte kjo dashuri, që kur shpërtheu në dhjetorin e vitit 1963, e la gojëhapur Tiranën. Ishte ajo ditë kur u dënua Trifon Xhagjika me pushkatim nga gjyqi ushtarak dhe kur po e shpienin policët në makinën e zezë të burgut, Ylli thirri në mes të njerëzve: ‘Kokën lart, vëlla!’ Sakaq, i vunë prangat edhe Yllit për këtë dashuri, që do ta quaja heroike”, shkruan Dritëroi. Doktor Ylli u mbyll në qeli për shumë vite, por mbeti jashtë burgut shprehja e tij proverbiale: “Mbaje lart kokën vëlla!”, duke përshkuar jo vetëm Tiranën, por dhe kampet e diktaturës dhe vendet ku do të shkonte më pas në gjysmë-internim, ndër të parët e të paktët mjekë me gradën “Kandidat shkencash”, ishpedagog në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë.

Gjaku shqiptar nën komunizëm nuk ishte bërë ujë. Rrimë ndonjëherë e tjerrim fraza pafund për disidencën dhe nuk ndalemi para shprehjeve të tilla të pazakonta, që janë kumte të drejtpërdrejta të antidiktaturës. Si e tillë, fraza e tij do të meritonte një instalacion më vete, në mes të kryeqytetit, ku të ishte e gdhendur çdo germë e saj. Çfarë mund të thuhej më shumë? Kishin marrë rrokullimën dy vëllezër atdhetarë, dy ushtarakë të zotë, njëri poet e tjetri mjek, e bashkë me ta një nga familjet e njohura jugore në Tiranë.

Sado ngjarje të bujshme ndodhën më vonë në kryeqytet, asnjëherë nuk u harrua ajo thirrje, si një urdhër lirie, që vinte nga thellësitë e ekzistencës së shqiptarit. Ylli Xhagjika e dinte se i vëllai, Trifoni, ishte i ikur, por kjo nuk e pengoi që të “shkonte” dhe vetë me të, ani se duke mbetur gjallë. Mund të heshtte, të ndiqte fatin e tij në jetë, të vazhdonte të shërbente si mjek e profesor universiteti, mirëpo nëse do të ndodhte ashtu, nuk do të mund ta mbante gjithë jetën pengun e fjalës që nuk kishte arritur ta thoshte në vendin e duhur dhe në kohën e duhur. Por jo, kishte folur ndërgjegjja dhe shpirti i tij. “Mbaje lart kokën, vëlla!”

Ylli Xhagjika, pas vuajtjes së dënimit politik, do të dërgohej në Mirditë, sa punëtor në gjeologji, sa mjek fshati në Simon, Perlat dhe së voni dhe në spitalin e Rrëshenit. Për 27 vite, jetën e tij e nxorën nga “shinat” për shkak të asaj shprehjes së famshme. Ishim fëmijë në qytetin e vogël verior, kur patëm dëgjuar se si nën zë një doktor nga Tirana, me emrin Ylli Xhagjika, kishte pas thënë në gjyqin e të vëllait: “Mbaje lart kokën, vëlla!” dhe se për atë fjalë e kishin dënuar e sjellë në katundet tona. Nuk dinim asokohe se cili kishte qenë i vëllai dhe se pse ishte dënuar, ama ajo shprehje na u ngul fort në kokë, edhe pse silueta e doktorit trim herë shfaqej e herë zhdukej për muaj e vite në humbellat e provincës. Rregulli i shkruar dhe i pashkruar i diktaturës ishte ta lëvizte andej e këndej armikun, duke mos i zënë këmbët dhé asnjëherë në të njëjtin vend.

U rritëm dhe rasti e solli të njiheshim me doktor Yllin, disa dhe familjarisht. La emër e nderim mes mirditorëve, të cilët venin tek ai për vizita mjekësore disi speciale (nga emri i “doktorit të shkencave” që e kishte ndjekur pas), siç venin fshehurazi te priftërinjtë për të pagëzuar fëmijët. Ai ishte mjek i zoti, ndonëse nuk i ishte lejuar të specializohej, vazhdonte të lexonte literaturë mjekësore, njerëzit dëftojnë plot raste shërimesh nga recetat e tij. Në Mirditën e viteve ’60-’70, krahas doktor Xhagjikës, punonin dhe mjekët e njohur: Paulin Shqalshi, Nikolla Nesturi, Mëhill Lleshi, Pirro Shtino, Mustafa Selenica, Agim Qarri, Aqif Gjokutaj, Zef Prenga, Begator Dervishi, Tine Arapi etj.

Doktor Ylli ishte modeli i trimërisë civile dhe intelektuale, njeri i urtë e i mençur, që nuk kishte muskuj të fortë për t’u ndeshur dhe nuk mbante pushkë në krah, por kishte shqisën dhe verbin e të papërkulurit. Ka vite që nuk rron, por nuk vdes sidomos kredoja e tij, ajo fraza sui generis e shqiptuar me guxim të pashoq në “dimrin e madh” të viteve ’60.

Së fundi, i dëgjojmë politikanët e sotëm në foltoret e lodhura nga sherret politike dhe fjalori banal, po ashtu parlamentarët që thonë e ç’nuk thonë dhe nuk mbajnë përgjegjësi me ligj (!?) për çfarë qesin nga goja. Atëherë na kujtohet fraza që i kushtoi burgun politik, persekutimin dhe karrierën një intelektuali të elitës, doktor Ylli Xhagjikës, duke na bërë të besojmë se fjala nuk ka vdekur, ajo ka peshë, paçka sa trimëria qytetare, publike e fjalës peshon sot ndër ne…

postbck postbck

Recent Posts

Kjo është temperatura më e përshtatshme në dhomën e gjumit në dimër

Sezoni i ngrohjes ka filluar dhe shumë prej nesh ngrohin shtëpitë edhe gjatë natës. Megjithatë,…

23 hours ago

E dini se çfar është hamari, apo koshi?

Është një ndërtim tradicional që përdoret për ruajtjen e ushqimit, veçanërisht për drithërat dhe prodhimet…

24 hours ago

Si të transformoni rutinën tuaj ditore në një burim frymëzimi dhe produktiviteti

  Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Rutinat ditore shpesh mund të duken tëzakonshme dhe monotone, por ato…

1 day ago

Soft Skills: Aftësitë që na ndihmojnë të jemi të suksesshëm në punë dhe jetë

Zana Islami / Trungu&InforCulture.info Në botën e sotme, suksesi profesional dhe personal nuk matet vetëm…

2 days ago

Personat me këtë grup gjaku nuk duhet të pinë kafe

  Ngrënia e disa ushqimeve bazuar në grupin tuaj të gjakut mund të përmirësojë shëndetin…

2 days ago