Hamamet turke në Britani dhe Amerikë – nga Urquhart deri te Pink Floyd

Daut Dauti

Hamamet, për të cilat ditëve të fundit u folë lidhje e palidhje (më shumë pa lidhje) nuk kanë qenë të njohura vetëm te ne. Në Britani të Madhe hamamet apo ‘Turkish Bath’, siç njhen ndryshe, dikur kanë qenë të popullarizuara dhe, në një masë, ende janë.

Njeriu që i popullarizoi hamamet ka qenë diplomati britanik, David Urquhart (1805 – 1877), i cili shërbeu disa vite në ambasadën britanike në Stamboll. Urquhart, i cili, përndryshe, shqiptarët i shihte me simpati, ishte iniciatori i ndërtimeve të hamameve turke në qytetet e Britanisë së Madhe. Ai kishte një plan që secilat pjesë të qyteteve britanike të kishin hamame. Me këtë Urquhart synonte që ta përmirësonte gjendjen shëndetësore dhe ta lehtësonte jetën e vështirë të klasës punëtore në kushtet e përparimit të industrisë kur në shumicën e vendbanimeve urbane nuk kishte kanalizim dhe ujësjellës. Por, nuk pati sukses që t’i ndërtonte disa mijëra hamame siç aspiroi. Megjithatë, gjatë jetës dhe pas vdekjes së tij u ndërtuan 600 hamame.

Hamamet u bënë të mirseardhura sidomos për gratë që e çmonin pastërtinë por edhe për faktin se aty mblidheshin për muhabet e llafe (gossip). Në këtë aspekt hamami luante një rol të rëndësishëm social. Madje, nën propozimin e grave, William Penhaligon më 1872 e krijoi parfumin me emrin Hamam, i cili edhe sot është në përdorim (shih fotografinë 1 dhe 2). Prandaj, siç shihet në fotografinë 3, shtypin e vërshuan reklamat së bashku me posterët që bënin thirrje të shkohet në hamam për pastrim të trupit. Shumica e këtyre hamameve kanë qenë në përdorim deri para pak viteve dhe një numër i vogël ende është në funksion. Madje, viteve të fundit është popullarizuar ideja e riparimit të tyre dhe ndërtimit në stilin e ri.

Hamami më i njohur në Londër, i ndërtuar nga Urquhart, ka qenë në Jermyn Srteet që u hap në vitin 1862 dhe që shihet në fotografinë 4. Pastaj, ndërtimi i hamameve u përhap edhe në kolonitë britanike, siç janë Australia, Zelanda e Re, Kanadaja, SHBA-të, etj.

Ideja e ndërtimit të hamameve u përkrah edhe nga mjekët dhe shoqatat e tyre në Britani dhe gjetiu. Hamami i parë në New York u ndërtua nga mjeku Charles Sheppard në Brooklyn Hights në vitin 1863. Një vit më vonë ky mjek, aty afër, e ndërtoi edhe një hamam tjetër për gra. Siç tregon foto 5, hyrja në hamam ka qenë 1 dollar ku shihet edhe plani i brendshëm i hamamit.

Pas dy viteve, dy mjekë së bashku me kolegët tjerë të kompanisë Drs Miller, Wood & Co, e ndërtuan një hamam tjetër në Manhattan. Pastaj, hamamet u shumuan edhe në qytetet tjera në Amerikë. Edhe sot janë të popullarizuara dhe më i njohuri, i stilit modern, është ‘Trump Soho Turkish Hamam’ që gjendet në New York dhe me siguri është pronë e ish presidentit Trump.

Sot, edhepse shumica e hamameve të ndërtuara në shek XIX nuk funksionojnë, një prej tyre ka qenë shpesh temë e mediave. Fjala është për hamamin në Hove (Brighton) i cili quhet Medina House (Shtëpia e Medinës) pasi që ishte ndërtuar më 1893 në stilin e shtëpive arabe të Medinës. Para disa viteve ky hamam është blerë nga David Gilmour i rock grupit të famshëm Pink Floyd, së bashku me gruan e tij, shkrimtaren Polly Samson (foto 6). Gilmour dhe Samson dëshiruan ta rindërtonin hamamin, por kjo gjë doli e pamundshme pasi që ndërtesa ishte shkatërruar matanë kushteve të riparimit.

Prandaj, Gilmour dhe Samson vendosën ta rrënonin hamamin por u doli problem i madh. Banorët e qytetit dhe shoqëria civile britanike protestuan me vite dhe nuk lejonin prishjen e një ndërtese të rëndësishme historike. Madje, me këtë rast, kënga e njohur ‘The Wall’ e Pink Floyd-it u shndërrua në parodi nga protestuesit.

Më në fund, çifti në fjalë, kanë marrë lejen që ta prishin ndërtesën deri në themel por në vend të saj të ndërtohet një e re e cila duhet të jetë tërësisht e njejtë me të vjetrën. Megjithatë, kjo është mirë dhe duhet të shërbej si shembull se si ruhen ndërtesat e vjetra dhe tradita./InforCulture.info

postbck postbck

Recent Posts

Kjo është temperatura më e përshtatshme në dhomën e gjumit në dimër

Sezoni i ngrohjes ka filluar dhe shumë prej nesh ngrohin shtëpitë edhe gjatë natës. Megjithatë,…

17 hours ago

E dini se çfar është hamari, apo koshi?

Është një ndërtim tradicional që përdoret për ruajtjen e ushqimit, veçanërisht për drithërat dhe prodhimet…

19 hours ago

Si të transformoni rutinën tuaj ditore në një burim frymëzimi dhe produktiviteti

  Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Rutinat ditore shpesh mund të duken tëzakonshme dhe monotone, por ato…

24 hours ago

Soft Skills: Aftësitë që na ndihmojnë të jemi të suksesshëm në punë dhe jetë

Zana Islami / Trungu&InforCulture.info Në botën e sotme, suksesi profesional dhe personal nuk matet vetëm…

2 days ago

Personat me këtë grup gjaku nuk duhet të pinë kafe

  Ngrënia e disa ushqimeve bazuar në grupin tuaj të gjakut mund të përmirësojë shëndetin…

2 days ago