Hylli i Shqipërisë: 108 vjet

FRANÇESKANËT

Atë Gjergj Fishta, shkruante:

“E tuj kenë se me të hîm t’ ushtrive ndërkombëtare në Shkodër mbaroi nata e errshme e robnisë e për Shqipëtarë filloi me ague e bardha dritë e Lirisë, e kemi quejtë ketë të Përkohëshme tonë: “Hylli i Dritës”, përsč âsht tue lé nepër ag të qytetnisë së Shqipënisë.

E porsi Hylli i Dritës me fërfllim t’ambël të vetin ngjall shpënesët e shueme në zemër të shtegtarit, errun ndër shkretí të mjerueme, (ashtu) na do të përkujdesena, qi edhe e Përkohëshmja jonë të mrrijë me ngjall shpënesën ndër zemra të Shqipëtarëvet se prej Hyut ditë mâ të mira kanë me iu reshë Shqipënisë” (H.D. I. 1913, 4-8). (Pater Gjergji).

Më 11 tetor 1913, në Shkodër u botua nga At Gjergj Fishta, revista “Hylli i Dritës”.

E botuar dhe e qarkulluar nga “Nikaj Press”, revista u mbështet nga një figurë e shquar, si Luigj Gurakuqi. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore në vitin 1914, botimi dhe qarkullimi i saj u ndalua se promovonte interesat shqiptare.

“Hylli i Dritës” ka qenë e para revistë e botuar në Shqipëri, me një program të qartë atdhetar, politik e kulturor, dhe që u bë shprehja më e pastër e intelektualëve katolikë dhe e kryesisë së Provincës Françeskane në Shqipërí, përfaqësuesit e së cilës qenë jo vetëm drejtori i saj Át Gjergj Fishta, por një plejadë e tërë letrarësh, gjuhëtarësh, folkloristësh dhe ekonomistësh të nderuar.

Revista u bë shprehësja kryesore e aspiratave të elitës shqiptare për pavarësi, demokraci e kulturë perëndimore. Kjo revistë ka në themel veprën e përkushtimin e paharrueshëm të françeskanëve shqiptarë ndër të cilët ndrin emri i Atë Gjergj Fishtës.

Që në editorialet e para, ai u drejtohej bashkëkombësve “se kur flasim për ekzistencën e Shqipnisë na e nënkuptojmë gjithmonë si Shtet të qytetnuem dhe europian”.

“Hyllit i Dritës” shprehu të gjitha shpresat dhe zhgënjimet, ulje-ngritjet shqiptare dhe shumëçka tjetër që ka lënë gjurmë të kundërtash përgjatë një shekulli.

Revista qe mirëfilli institucion kulturor – shqiptarët kanë shprehur maksimumin e energjive të veta mendore, si asnjëherë e askund tjetër.

“Hylli” vuri bazat për një sërë studimesh, si ato albanologjike, letrare, etnografike, folklorike, pedagogjike e nxorri në pah gjithë atë pasuri shpirtërore që kishte mbetur e pacenuar nga nata otomane.

Në vitin 1944 fillon heshtja e gjatë. Një nga aktet e para të qeverisë së Tiranës ishte mbyllja e kësaj reviste si “përfaqësuese e reaksionit”, si dhe dënimi me vdekje e burg i drejtuesve të saj, si At Gjon Shllaku, At Anton Harapi, At Benardin Palaj, At Donat Kurti e shumë të tjerë, si dhe vjedhja e trashëgimisë së saj arkivore nga shteti komunist.

Periudha e rilindjes së Hyllit, fillon pak vite pas rënies së diktaturës, pikërisht në vitin 1993. Këto vite kanë shenjën e “fratit të kujtimeve” Atë Zef Pllumi “ideologut shqiptar të lirisë kundër tiranisë”.

Qasja ndaj lirisë, edukata demokratike, gjuha e komunikimit me Europën, rreziku i tribalizmit dhe autoritarizmit, por edhe plotësimi i sistemit të gjymtuar kulturor, “ringjallja së vdekurish”, qasjet moderne e pa ngarkesa ideologjike që e shihnin letërsinë dhe historinë “si të tillë”, ishin disa prej motiveve të grupit themelues që rilindën “Hyllin”.

Në metropolin postkomunist plot me kioska, që i ngjante një ngrehine pa shpirt në çoroditje e rendje pas fitimit të shpejtë, do të gjindej kjo çetë intelektualësh që do të grumbulloheshin rreth “Hyllit” në kërkim rrënjësh, në pasqyrim tradite, në rizbulim të identitetit europian të mbuluar nga ideologji e trashëgimi të tjera qytetërimore..

“Hylli”, në sintoni me traditën e vet të hershme, u shfaq gjatë tranzicionit si zëdhënëse e mendimit demokratik perëndimor në Shqipëri. /konica.al

postbck postbck

Recent Posts

1971/ Viti kur u thyen tabutë në Kosovë

  Këtë vit kemi pasur pak më shumë arsye të jemi të lumtur. Gjërat në…

20 hours ago

Akademiku Fehmi Agani në 1991/ Si ta kuptojmë shprehjen “Shqipëri e Madhe”

  Portali “Telegrafi” ka risjellë shkrimin e akademikut Fehmi Agani (1932-1999), të botuar në maj…

22 hours ago

Historia e Papa Albani dhe amanetit të tij: Mbi varr më shkruani që jam shqiptar

  Gjon Françesk Albani, siç u thirr në Pagëzim, lindi më 23 korrik 1649 në…

23 hours ago

E varrosur me drapër në qafë/ Kjo është Sosia, gruaja “vampire” e shekullit të 17-të

  Me një drapër në qafë dhe një dry në gishtin e madh të këmbës…

23 hours ago

Vetëm një grua/ Pse kjo është “fotoja më inteligjente në histori”

  Nëse keni menduar ndonjëherë nëse Albert Einstein, Marie Curie, Max Planck, Hendrik Lorentz, Erwin…

24 hours ago

FOTO/ Një kopje e rrallë e dokumentit të Pavarësisë së Shqipërisë

  Në maj të këtij viti gjeta në Boston një kopje të Dokumentit të Pavarësisë,…

2 days ago