Publikohen disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret”, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të P.P.SH-së) të cilat i përkasin vitit 1961 dhe janë pjesë e një dosje voluminoze me letra, raporte, informacione, relacione, udhëzime, peticione, etj., ku bëhet fjalë për fillimin e kontradiktave dhe prishjen e marrëdhënieve të Tiranës zyrtare me Bashkimin Sovjetik, gjë e cila asokohe u ndje shumë te studentët shqiptarë që ndodheshin me studime në shkollat dhe universitetet e Bashkimin Sovjetik, të cilët, sipas urdhrit të marrë nga Tirana, i ndërprenë studimet dhe prisnin udhëzimet për t’u kthyer në Shqipëri. Dosja e plotë e studentëve shqiptarë në ish-Bashkimin Sovjetik, ku pjesa më e madhe e tyre, kryesisht ata që vazhdonin akademitë ushtarake, patën probleme të mëdha dhe u ndeshën me peripeci të shumta me autoritetet zyrtare ruse, duke u vënë deri në masën e arrestit si dhe ndërhyrja e atasheut ushtarak shqiptar në Moskë, gjeneral-major Halim Ramohito, për zhbllokimin e situatës dhe kthimin e studentëve ushtarakë shqiptarë në atdhe.
Nga: Dashnor Kaloçi
Fondi: KOMITETI QENDROR I PARTISË SË PUNËS SË SHQIPËRISË
(Drejtoria e Jashtme)
Përmbajtja: RAPORTE E RELACIONE TË ISH ATASHEUT USHTARAK SHQIPTAR NË BASHKIMIN SOVJETIK HALIM RAMOHITO, PËRGJEGJËSVE TË GRUPEVE E SEKRETARËVE TË ORGANIZATAVE BAZË TË PARTISË TË KURSANTËVE DHE TË OFICERËVE QË STUDIONIN NË SHKOLLAT USHTARAKE TË BRSS KU BËHET FJALË: MBI ZBATIMIN E URDHRIT TË QEVERISË SË R.P.SH, PËR KTHIMIN NË ATDHE TË KURSANTËVE TË MARINËS, ETJ. PENGESAT DHE VËNIEN E TYRE NË KONDITA ARRESTI NGA ORGANET SOVJETIKE, QËNDRIMIN E MIRË POLITIK TË KURSANTËVE DHE OFICERËVE SHQIPTARË DHE BISEDAT QË ATA KANË PASUR ME QYTETARË, KURSANTË E OFICERË SOVJETIKË, PËR GJENDJEN NË BASHKIMIN SOVJETIK PAKËNAQËSITË NDAJ POLITIKËS SË HRUSHOVIT, MBLEDHJEN E BUKURESHTIT E TË MOSKËS, QËNDRIMIN NDAJ REVIZIONIZMIT JUGOSLLAV, SOLIDARITETIN E POPULLIT, KURSANTËVE, SI DHE DISA OFICERËVE SOVJETIKË, ME QËNDRIMIN E DREJTË TË P.P.SH-së.
Raport-informacioni i atasheut ushtarak shqiptar në Moskë, gjeneral-major, Halim Ramohito, dërguar Komitetit Qendror të P.P.SH-së në Tiranë
KOMITETIT QENDROR TË P.P.SH TIRANË
Lënda: Raport mbi zbatimin e vendimit të qeverisë së R.P.SH për kthimin në atdhe të kursantëve të marinës.
Në datën 13 maj (të shtunën pasdreke) shoku Nesti Nase, më njoftoi lidhur me vendimin e qeverisë së RPSH mbi tërheqjen e kursantëve të marinës, nga shkollat ushtarake të Bashkimit Sovjetik. Sipas vendimit, duhet të ktheheshin gjithsej 247 kursantë që vazhdonin mësimet në 6 shkolla ushtarake. Prej tyre 5 shkolla me qendër në Leningrad dhe 1 në Baku. Ministri i Mbrojtjes Popullore Gjeneral-kolonel, Beqir Balluku, dha udhëzime që unë të njoftoja më parë për këtë vendim të qeverisë sonë, Komandën e Bashkuar. Të kërkoja ndihmën e tyre që lëvizja, të bëhej brenda 7-10 ditëve. Në rast se kjo ndihmë, nuk do të jepej nga Komanda e Bashkuar, do të merrja masa vetë për rikthimin e kursantëve në Shqipëri.
Ditën e martë më 16 maj, u takova me Gjeneral Armate, Antonov (më 15 maj nuk munda të takohesha me të). Atij i komunikova vendimin e qeverisë. Arsyet i thashë, ju i dini vetë. Vendimi i njëanshëm i qeverisë sovjetike për likuidimin e bazës, prishët të gjithë planin e përgatitjes së kuadrit tonë të marinës, këtu në BRSS. Vazhdimi i mëtejshëm i mësimeve nga kursantët tonë, i thashë Antonovit, mbetet pa qëllim është humbje kohe dhe kërkon shpenzime. Gjeneral Antonovi mu përgjigj se vendimi i qeverisë suaj, për tërheqjen e kursantëve më duket i nxituar. Tani do të shkojë dhe Komisioni në Shqipëri dhe do të diskutohet mbi këtë çështje. Unë e pyeta nëse do të ketë ndonjë ndryshim të vendimit që ka marrë qeveria sovjetike, lidhur me tërheqjen e ekuipazheve sovjetike nga baza detare e Vlorës, në 20 maj?! Ai mu përgjigj se kjo çështje nuk ndryshohet dhe se ajo, është vendosur nga Këshilli Konsultativ politik i Traktatit të Varshavës. Në fund Gjeneral Antonovi më tha se me gjithë atë, kjo çështje ju takon juve dhe vendosni si të doni. E njoftova se do nisem sonte për në Leningrad. Ju luta gjithashtu Gjeneralit, që të njoftonte për këtë masë komandat e shkollave. Ditën e martë pasdreke, më thërret gjeneral-kolonel Gusevi, në zyrë. Është zëvendësi i Antonovit. Në bisedën e të dhe ai, më përsëriti fjalët e Antonovit, pastaj më thotë që ta lëmë këtë çështje nga muajt Qershor ose Korrik, sepse kursantët atëherë mbarojnë dhe provimet, etj. I përsërita se ky është një vendim i përfunduar dhe ka lidhje me vendimin e njëanshëm të qeverisë sovjetike për bazën.
Të bisedojmë i thashë, për grafikun e nisjes së kursantëve pasi vendimi është marrë dhe nuk ndryshohet. Gusevi, më tha që qeveria sovjetike, do ta shqyrtojë këtë çështje dhe se ti mos u nis për në Leningrad. Atje, asgjë nuk mund të bësh, tha ai pasi komandat e shkollave, marrin urdhër nga ne. Ju përgjigja se do të nisem sonte për Leningrad dhe se do të njoftoj kursantët për nisjen e tyre në Shqipëri. Në rast se ju nuk na ndihmoni, unë do ti marr masat vetë. I thashë se nuk ka përse të shqyrtohet ky vendim i qeverisë shqiptare. Unë nuk e diskutoj këtë gjë me juve i thashë, por ju lutem më ndihmoni për nisjen e kursantëve. Kështu u ndamë me Gusevin, ai me mendimet e tij, unë me të miat. Qëndrimi i Antonovit me atë të Gusevit, për zbatimin e vendimit të qeverisë sonë ditën e martë, ishte i ndryshëm. Dhe siç del edhe më vonë nga zhvillimi i ngjarjeve, vendimi i qeverisë sovjetike për të mos i lejuar kursantët tonë për tu kthyer në Shqipëri, me qëllim presioni dhe për ti përpunuar, është marrë pas takimit tim me Antonovin. Për takimin tim me Antonovin dhe Gusevin, njoftova menjëherë gjeneral Beqirin. Nga ai mora urdhër të zbatoj vendimin e qeverisë shqiptare për kthimin e kursantëve. Dhe në rast se nuk na ndihmon Komanda e Bashkuar, do ti nis me shpenzimet e shtetit shqiptar.
Natën e 16 majit, u nisa për në Leningrad dhe mbërrita atje mëngjesin e datës 17 maj. Në Leningrad, nuk më priti asnjëri nga Komandat e Shkollave. Në të kaluarën, kam shkuar disa herë në Leningrad dhe në qytete të tjera të Bashkimit Sovjetik, dhe nuk ka pasur asnjë rast që të mos më kenë pritur. Në datën 17 maj u takova me komandat e shkollave të cilat, i njoftova mbi vendimin e kthimit të kursantëve, mbi arsyet që na detyruan që të marrim këtë vendim, i falenderova për ndihmën që na kanë dhënë, etj. Komandat e Shkollave mu përgjigjën se nuk kanë marrë urdhër nga Komanda e Bashkuar për tërheqjen e kursantëve. Unë i thashë që ti kërkojnë në telefon pasi unë i kam njoftuar. Menjëherë pas takimit me komandat e shkollave, mblodha kursantët. Në bisedat e para që pata me to, u informova se disa kursantë dhe oficerë sovjetikë kishin përhapur tek kursantët tonë fjalë të ndryshme sikur, në Shqipëri po bëhen arrestime të mëdha, se gjoja delegacioni i P.P.SH në Konferencën e Moskës ka mbajtur një qëndrim prej rrugaçësh, se udhëheqja shqiptare është kundër Traktatit të Varshavës, etj. Kursantëve u fola haptazi për të gjitha çështjet. Hodha poshtë shpifjet që bëhen në drejtim të partisë sonë. Iu komunikova më në fund vendimin e qeverisë sonë për kthimin në Shqipëri. Fjalën time kursantët e dëgjuan me vëmendje të madhe.
Mbledhjet u kthyen në manifestime të zjarrta për Partinë dhe shokun Enver. Në datën 18 maj paradite, bëra në Leningrad mbledhjen me ata oficerë të cilët nuk parashikohej që të hiqeshin nga akademitë ku studionin, si dhe me studentët anëtarë partie. Mbledhja duhet të bëhej në një nga sallat e Universitetit të Leningradit. Kur ne u grumbulluam para ndërtesës së universitetit, na njoftuan se salla nuk do të na jepet. Vunë për këtë pretekste të ndryshme sikur salla ishte e zënë, etj. Shokët tanë studentë na dërguan në ndërtesën e tyre të fjetjes. Aty filluam mbledhjen. Pas 10 minutave, mbi 15 veta (komiteti i partisë së universitetit, punonjës të Sigurimit të Leningradit, etj) na nxorën nga salla e mbledhjes me insistim dhe në mënyrë demonstrative. Mbledhjen me ushtarakët dhe studentët tanë, u detyrova që ta zhvilloj në një park të Leningradit. Lajmi mbi kthimin e kursantëve tanë në Shqipëri, u përhap në të gjithë Leningradin nga kursantët dhe oficerët sovjetikë, nga kursantët dhe oficerët e demokracive popullore që studiojnë bashkë me studentët tanë në akademitë dhe shkollat ushtarake, si dhe nga kursantët tanë dhe të njohurit e tyre në Leningrad. Në datën 18 maj pasdite, më kërkon të takohem me të Sekretari i dytë i Komitetit të Partisë së Leningradit. Në takimin që pata me të në Smolni më thotë: Ç’janë këto veprime partizane që bën ti këtu në Leningrad?! Pse nuk ke kërkuar leje dhe sallë në Komitetin e Partisë për mbledhjet që bën?! Pse flet kundër udhëheqjes së Bashkimit Sovjetik?!
Ja hodha poshtë të gjitha. I thashë se kam ardhur disa herë këtu në Leningrad dhe asnjëherë nuk më ka dalë problemi i sallës dhe aq më keq i masave që po merrni ju që unë, të mos të takohem me njerëzit e mi. I përmenda shpifjet që përhapen tek kursantët tanë lidhur me vijën e partisë sonë dhe udhëheqjen e saj. I përmenda se kishin dërguar letër në organizatën e partisë me shpifje në drejtim të partisë sonë. Këtë ma kanë thënë dhe qytetarët shqiptarë që janë në Leningrad. I theksova që sipas jush ju keni të drejtë që të përhapni shpifje ndërsa unë nuk paskam të drejtë që t’ju shpjegoj njerëzve tanë ato që nuk janë të vërteta. I kërkova që ai të më ndihmojë që të tërheq kursantët. Mbas bisedimeve me të, në fund më tha se: shokun Enver Hoxha, e kanë pritur si asnjeri tjetër këtu në Leningrad, kurse tani ai flet ndryshe për Bashkimin Sovjetik. Ja hodha poshtë duke i thanë se e kanë gënjyer. Me qenë se ndihma nga Komandanti i Shkollave, për nisjen e kursantëve nuk mu dha, mora masa vetë për nisjen e kursantëve.
Planëzova për të nisur kursantët në Moskë me tren, në datën 19 maj ora 18. Ditën e premte paradite kisha në plan të bëja kontrollin e gatishmërisë së kursantëve për nisje. Fillova nga Shkolla e Lartë e Inxhinierisë së Marinës (VITU). Me tu paraqitur në shkollë, jo vetëm që Komanda e Shkollës nuk më priti por rojet e armatosura nuk më lanë të marr kontakte me kursantët. Të premten paradite të gjithë kursantët e marinës, u izoluan në territoret e shkollave me roje të armatosura. U morën masa që asnjeri të mos takohej me ta. Gjithashtu unë që të premten paradite isha në kontroll të hapur nga 10 vetë civilë, të organeve të Sigurimit. Stacioni i trenit në Moskë dhe aeroporti, u vunë nën kontrollin e rreptë të trupave dhe agjentëve të Sigurimit. Emrin tim dhe karakteristikat e mija siç më thanë kursantët tanë më vonë, e kishin të gjitha patrullat e garnizonit.
Gjatë ditës së premte, u takova përsëri me Sekretarin e dytë të Komitetit të Partisë së Leningradit, me anëtarin e Këshillit Ushtarak të Qarkut të Leningradit, si dhe me komandantin e Florës Ushtarako-Detare të Baltikut. Të gjithë më kërkonin që të anulloja urdhrin për nisjen e kursantëve. Komandantit të Flotës Ushtarako-Detare të Baltikut, në takimin që patëm i përshkrova historikun e çështjes. Ai në prezencën time mori në telefon në Moskë, admiral Gorshkovin dhe pastaj unë me anën e Gorshkovit, zhvillova një bisedë me Shefin e Shtabit të Ushtrisë Sovjetike, Marshall Zaharovin. Marshall Zaharovi më komunikoi në telefon këto çështje:
Qeveria sovjetike nuk ka marrë vendim akoma për kthimin e kursantëve tuaj në Shqipëri.
Kthehu në Moskë urgjent që të bisedojmë këto çështje. Unë i dhashë Marshallit këtë përgjigje:
Qeveria shqiptare, për arsyet që ju i dini mirë ka vendosur tërheqjen e kursantëve të marinës dhe për këtë gjë unë me kohë kam njoftuar Gjeneral Antonovin dhe Gusevin për të dhënë ndihmë në transportin e tyre.
Kam dhënë urdhër që sot në orën 18 kursantët, të vijnë në stacionin e trenit në Moskë për tu nisur. Ata tani mbahen të izoluar me roje në shkolla. Në rast se do të ndodhë ndonjë aksident me ta, unë nuk përgjigjem.
Unë nuk mund të vij në Moskë pa nisur kursantët. Vendimi i qeverisë shqiptare është ligj për mua dhe unë do ta zbatoj. Menjëherë pas bisedës sime me Zaharovin, unë isha plotësisht i arrestuar. Nuk më vinin dorë por më shoqëronin kudo. Nga hoteli mora shokun Nesti Nase në telefon me të cilin mbaja kontakte të vazhdueshme, gjatë qëndrimit tim në Leningrad. Nesti më njoftoi që të nisem për në Moskë. Atë e kishin thirrur në Ministrinë e Jashtme në këtë kohë dhe e kishin njoftuar për largimin tim nga Bashkimi Sovjetik. Të premten në orën 17, nisem për në aeroport me qëllim për tu nisur për në Moskë. Kam qenë gjithnjë i shoqëruar nga agjentët e Sigurimit, edhe gjatë rrugës për në aeroport. Në aeroport, me t’u drejtuar tek biletaria e avionit, më njoftuan se Dega e Sigurimit, ka njoftuar që të mos më jepet biletë avioni për t’u nisur për në Moskë. U riktheva në Leningrad dhe natën e së premtes u nisa me tren për në Moskë, pas kërkesës që i bëra komandantit të Flotës së Baltikut. Mbërrita në Moskë të shtunën në mëngjes. Menjëherë i paraqita Komandës së Bashkuar, letrën për Komandantin e Forcave të Bashkuara. (Teksi i letrës më erdhi i përgatitur nga Ministria e Jashtme). Meqë atasheu ushtarak kinez në Moskë është, udhëheqësi i atasheve ushtarakë të vendeve të demokracive popullore, e njoftova atë me telefon rreth ikjes sime, duke i thënë shkurtimisht arsyen. Po në telefoni ai më uroi rrugë të mbarë dhe shfaqi keqardhjen që nuk po takoheshim.
Pas disa orësh atasheu ushtarak kinez më fton për drekë me gjithë gruan. Më pritën dhe më përcollën para ambasadës përveç atasheut edhe 10 vetë të tjerë. Gjatë drekës i tregova historinë e çështjes. Ai më tha se kjo ngjarje nuk na çudit. Kjo është vazhdimi i qëndrimit të padrejtë që këta, mbajnë për shumë çështje. Gruas sime dhe mua na dhanë dhurata. Vetë atasheu ushtarak mua më dha një dekoratë që në ushtrinë kineze iu jepet të dalluarve. Kur po më vinte dekoratën në xhaketë, ai u shpreh se këto medalje sovjetikët jua heqin, por unë në emër të udhëheqjes së ushtrisë kineze po jua jap. Punonjësit e ambasadës sonë si dhe ushtarakët e tjerë që studiojnë në akademitë e Moskës (rreth 100 vetë) më përcollën nga ambasada për në aeroport shumë ngrohtë. Gjendjen e krijuar me heqjen e kursantëve tanë nga Leningradi dhe Bakuja, ushtarakë të ndryshëm dhe populli e konsiderojnë skandal politik. Në Leningrad qytetarë të ndryshëm me ironi flisnin se po merren masa për shqiptarët pasi udhëheqja jonë ka frikë se mos ata (shqiptarët) e marrin Leningradin në mënyrë paqësore. Oficerë të ndryshëm dhe me gradë kundëradmiral në zyrat e tyre, iu kanë kërkuar oficerëve dhe kursantëve tanë se çfarë po ndodh pasi ata nuk dinë asgjë. Në qytete, dhe në stacionet e trenave me gjithë masat e forta për izolimin e kursantëve, ata me fotografinë e shokut Enver kanë brohoritur për miqësinë me Bashkimin Sovjetik, për partinë tonë, dhe për shokun Enver.
Në stacionet e trenave janë përcjellë nga ushtarakët kinezë të cilët, i kanë ndihmuar kursantët tanë dhe gjatë ditëve të izolimit nëpër shkolla që të mbanin kontakte me pjesën tjetër të qytetit. Ka pasur raste që kursantëve tanë kur do niseshim u kanë thanë që kemi urdhër nga Drejtoria e 10 që kush të dojë le të qëndrojë që të vazhdojë mësimet këtu. Komitetet e Partisë, Komandat Ushtarake, si dhe Organet e Sigurimit të Leningradit dhe Bakusë janë marrë direkt me masat për të zbuluar këtë skandal që bënë dhe që e cilësojnë si një “rebelim i shqiptarëve”. Pas ikjes sime siç thonë kursantët, kanë filluar mbledhjet nëpër reparte ushtarake, shkolla, e qendra pune, lidhur me largimin e kursantëve tanë. Qëndrimi i oficerëve dhe kursantëve të marinës lidhur me mbrojtjen e vijës së Partisë, ka qenë heroik. Megjithëse kursantët lanë mësimet përgjysmë, madje disa do të mbronin edhe diplomat për inxhinieri, asnjëri nuk shfaqi shqetësimin më të vogël për këtë çështje. Të gjithë u shprehën që edhe sikur karrocaxhinj po të na caktojnë në Shqipëri, ne do të ikim atje ku do të na thotë Partia. Dy kursantë dhe një oficer ishin të martuar me vajza sovjetike. Unë bisedova më vete me ta dhe, u komunikova që do të kthehen në Shqipëri pa gratë pasi nuk lejoheshin martesat jashtë shtetit. (Urdhrin që të lejoheshin ushtarakët e martuar për të marrë gratë, ma njoftuan me vonesë) ata menjëherë u shfaqën të gatshëm duke më thënë, Partia mbi të gjitha. Në Shqipëri nga 247 kursantë të marinës që parashikonte vendimi për tu kthyer, u kryen 246 pasi një kursant, mbeti në Spitalin Ushtarak të Leningradit i sëmurë rëndë.
Halim Ramohito
Tiranë më 24.5.1961
U shtyp në dy kopje
U dakt. Kap. I. I. K. Kole
30.5.1961 Nr. 377 r/sh
Kopja 1 Komitetit Qendror të P.P.SH
Kopja 2 Ministrisë së P. të Jashtme
RELACION I GRUPIT TË NËNDETËSEVE
Në datën 17.5.1961 Gjeneral Ramohito, na lajmëron vendimin e Komitetit Qendror të P.P.SH dhe të Qeverisë mbi largimin tonë nga BRSS dhe ndërprerjen e studimeve. Vendimin e Komitetit Qendror të P.P.SH, kursantët e edukuar nga Partia jonë e Punës, thirrjen që i bëri Partia e pritën me brohoritje të mëdha dhe me një entuziazëm gjigant, dhe nga goja e kursantëve doli fjala se ne jemi gati ku të na çojë Partia dhe jemi të gatshëm të mbrojmë atdheun. Gjeneral Ramohito, në diskutimin e tij bëri një bilanc të shkurtër që nga koha e Mbledhjes së Bukureshit, deri në ditët e sotme ku me plot bindje tregoi qëndrimin heroik të P.P.SH-së, që ecën në rrugën e marksizëm-leninizmit dhe mbi disa çështje ekonomike ndërmjet B.R.S.S dhe R.P.SH. Ai, foli se qëndrimi i qeverisë sovjetike me në krye Hrushovin nuk është i mirë karshi vendit tonë, qëndrim jo marksist p.sh. në lidhje ekonomike mbi mospranimin e ndihmës për mos ndërtimin e planit të tretë pesëvjeçar, mbi mos dhënien e grurit, etj. Po kështu foli dhe për çështjet ideo-politike, etj.
Gjeneral Ramohito në fjalën e fundit të tij, dha dhe udhëzimet e veta:
Kursantëve duhet tu sqarohet puna mirë e mirë, që nga koha e Mbledhjes së Bukureshtit mbi vendimet e K.Q të P.P.SH si p.sh. çështjen e ndërtimit të Pallatit të Kulturës, dhe si arsye të largimit tonë, duhet të kishim bindje të plotë mbi largimin e bazës sovjetike nga Deti Adriatik d.m.th nga bregdeti ynë.
Meqenëse po largohemi, që të lëmë përshtypje të mira duhet që rregullin e brendshëm të shkollës ta ruajmë e ta forcojmë sa më tepër.
Të ruhet miqësia e BRSS me R.P.SH, dhe kjo miqësi do të forcohet dhe më tepër e nuk ka për të vdekur kurrë. Largimin tonë, e morën vesh të gjithë kursantët e profesorët sovjetikë. Atyre, ju erdhi shumë keq sepse nga duart e tyre nuk nxorën kursantë shqiptarë që të drejtonin nëndetëset. Kursantët tanë monolitë dhe të udhëzuar nga Gjeneral Ramohito, jua shpjeguan këtë situatë kursantëve dhe profesorëve sovjetikë. Dita e parë, ka qenë me të vërtetë e mrekullueshme sepse të gjithë kursantët sovjetikë, na kuptuan drejtë. Por në këtë kohë, Sekretari i Partisë së shkollës, Kapiteni i I-rë Lebediev, thërret Sekretarin e Partisë së grupit të nëndetëseve, dhe i thotë shokut Astrit Mezini, që duhet tua mbyllësh gojën kursantëve tuaj, në lidhje me këtë propagandë që po hapin ndërmjet kursantëve sovjetikë. Qëndrimi i Sekretarit të Organizatës Bazë të Partisë, Astrit Mezini ka qenë se ne, kursantëve sovjetikë do tua sqarojmë ikjen tonë drejtë dhe me kuptimin e plotë marksist. Por më vonë Komanda e Shkollës mori masat e duhura:
Prenë lidhjet telefonike me qytetin. Nuk lejonin takimet me shokët shqiptarë, d.m.th oficerët, etj.
Për të mos lejuar që kursantët tanë të dilnin, morën masat e shtimit të rojeve në territorin e shkollës. Dhe grupi i rojeve, ishte në gatishmëri luftarake për çdo gjë që mund të ndodhte. Mbas këtyre masave ata, filluan që të flisnin dhe me propagandën e tyre p.sh., Sekretari i Partisë së shkollës, tha se qeveria e RPSH nuk ka firmosur deklaratën e Traktatit të Varshavës në Moskë d.m.th. që ajo është kundër armatimit, dhe nuk dëshiron që të jetë pjesë e këtij traktati. Ai, theksoi gjithashtu se qëndrimi i shokut Enver Hoxha në Mbledhjen e Moskës, nuk ka qenë qëndrim marksist, etj. /Memorie.al/
Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…
Ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë që udhëtarët të shmangin përdorimin e stacioneve të karikimit…
Një foto tronditëse nga Google Street View ka çuar në zbulimin e një vrasje…
Eqrem Çabej (1908-1980) Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet…
Nëse keni grup gjaku O, ju jeni më unik se një njeri mesatar. Sipas…