Persekutimi i Vrionëve – Nga Evdal Nuri
Vrioni, është një nga familjet më të mëdha aristokrate shqiptare. Burime të shumta pohojnë se Vrionët janë pasardhës të dinastisë bizantine të Paleologëve, gjeneratë perandorësh të Bizantit, rreth mesit të shekullit XI. Kontributi patriotik i familjes Vrioni, pasurohet me figurën e Mehmet Ali Pashë Vrionit, i cili ka qenë anëtar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptare në Komitetin e Janinës të Shoqërisë së Stambollit. Ai gjithashtu ka qenë edhe nënkryetar i Lidhjes së Prizrenit, në vitin 1878, anëtar i së cilës ishte edhe Omer Pashë Vrioni. Më vonë Iliaz Bej Vrioni dhe Sami Bej Vrioni ishin ndër nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar më 28 nëntor 1912. Në ditët e errëta të Luftës së Parë Botërore, ndërsa trojet shqiptare ishin të pushtuara nga të gjitha anët, Sami Bej Vrioni dhe Qemal Bej Vrioni, tentuan të gjenin shpëtim në Kongresin e Durrësit, në dhjetor të vitit 1918, duke u bërë delegatë përfaqësues të Beratit. Në vitin 1920, Iliaz Bej Vrioni, ish-kryetar i Shoqatës Bashkimi, udhëhoqi delegatët e Beratit për në Kongresin e Lushnjës, ku ishte pjesëmarrës edhe Hysen Bej Vrioni. Me ardhjen në pushtet të regjimit diktatorial, pas Luftës së Dytë Botërore, Vrionët u stigmatizuan nga ideologët e luftës së klasave, si simbole të tradhtisë ndaj kombit dhe si armiq të klasës.
Diktatura i shpronësoi dhe shtetëzoi të gjitha pronat e Vrionëve dhe shkatërroi gjithçka nga trashëgimia e tyre kulturore, duke përfshirë këtu edhe Sarajet historike të Beratit, në vitin 1947. Ka mbijetuar vetëm pavijoni ku u zhvillua Konferenca e Beratit, në maj të vitit 1944. Terrori i diktaturës ekzekutoi me varje dhe pushkatim, burgosi dhe internoi në kampe përqendrimi e kampe pune të gjithë anëtarët e kësaj familjeje, të cilët janë padyshim të shumtë. Në vitin 1946, eshtrat e Iliaz Bej Vrionit (tri mandate kryeministër dh pesë mandate ministër i Jashtëm ), nënshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë, u zhvarrosën dhe u hodhën në lumin Osum. Në vitin 1947, Sami Bej Vrioni, nënshkruesi tjetër i Deklaratës së Pavarësisë, vdiq në trotuar. Qemal Bej Vrioni u ekzekutua në vitin 1950, ndërsa Izedin Bej Vrioni në vitin 1947.
Kahreman Pashë Vrioni vdiq në rrethana të panjohura në vitin 1955. Nermin Vrioni vdiq në gjendje te keqe e ndërkaq që Jusuf Vrioni, përkthyes i talentuar u dënua me 15 vjet burg. Por ky persekutim nuk mbaroi me kaq .Tri herë e futën në burg Irfan Vrionin, vetëm se fliste kundër komunizmit. U dënua me burgim të përjetshëm dhe vdiq në burg. Enver Vrioni, u dënua me 5 vjet burg. Ai ishte student në Torino dhe u kthye në vitin 1939, së bashku me Todi Naçon, për të luftuar fashizmin. Todi u lidh me PKSH-në, kurse Enveri me Ballin Kombëtar. Këtu u ndanë rrugët e dy shokëve të ngushtë. Pas çlirimit, Todi mori merita të mëdha dhe u bë gjeneral, ndërsa Enveri u fut në burg. Ai kaloi 30 vjet në ndërmarrjen “Rruga”, duke mbushur kamionët me rërë dhe duke ngritur bunkerë. Mirëpo, në vitin 1975, u “zbulua” grupi armiqësor në ushtri dhe Todi u internua në Berat, pikërisht në shtëpinë ku banonte më parë Enveri. “Këmbeheshim rrugës, por flisnim me sytë e zemrës. Një natë të errët, u gjendem përballë dhe u fshehëm që t’i shtrëngonim duart njëri-tjetrit”, tregonte Enveri. “Todi më tha: “E di që ke vuajtur shumë. Më beso, nuk të ndihmoja dot”. Siç tregon Enveri, Todi ishte mjaft i pikëlluar që nuk kishte mundur ta ndihmonte.
Persekutime të tjera të Vrionëve
-Hasan Vrioni , ishte Kryetar i KNACL-së për fshatrat Suk-Strum. Si i pasur dhe për bindje të ndryshme politike në vitin 1946 u dënua me 5 vjet burg. Në vitin1960 u dënua përsëri, por këtë radhë me 10 vjet burg, duke bërë 8 vjet. Në vitin 1967, nga Berati u internua në Strum.
-Nesim (Neka) Vrioni, Anëtar i njësitit gueril në Kuçovë. Në qendër të Kuçovës ekzekutoi një nga spiunët italianë. Pas çlirimit, u shpall kundërshtar i regjimit. U dënua me 30 vjet burg. Bëri grevë urie deri sa vdiq. As varri nuk i dihet.
-Ali Vrioni u internua në Libofshë, pasi mendohet te ketë thënë se edhe mbreti Zog ishte i bukur.
-Shehafedin Vrioni, më 1 maj të ‘43 la shkollën dhe me 100 nxënës doli në mal partizan. Pas lufte u bë mësues dhe në fund si i deklasuar përfundoi punëtor.
-Muharem Vrioni, partizan dhe më vonë u internua në Roskovec në një stallë lopësh .
-Faik Vrionin e pushuan nga arsimi edhe pse ishte mësues i shkëlqyer matematike. Po kështu, u persekutuan edhe Hadi Vrioni, Shkëlqim Vrioni, Sabaudin Vrioni.
-Eshref Vrioni, ishte fotograf mjaft i talentuar. Me fotografitë e tij u bë i njohur në Berat dhe më gjerë. Me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, u organizua një ekspozitë, në të cilën u publikuan edhe fotot e tij. Por atij ia kishin ndryshuar mbiemrin dhe ia kishin vënë Eshref Vrina. Kur kërkoi që t’i korrigjohej mbiemri, i thanë se ashtu ishte më mirë për të.
Më 17 shtator 1825 u lind në Shkodër shkrimtari, poeti dhe publicisti i Rilindjes Kombëtare…
Armenia e re, nuk mundi ta harronte Shemsedin Samiun, duke u kthyer kështu në Stamboll,…
Nga Artur Ajazi Dangëllia, zona më e begatë e Përmetit, është përmendur gjithmonë për patriotizëm.…
Nga Xhevdet Shehu Lufta e Spanjës dhe vullnetarët shqiptarë Në kalendarin e datave përkujtimore ka…
Teksti dhe fotografitë: Mehmet Biber (reportazh i botuar në revistën National Geographic – vëll. 158, nr. 4,…
Kosovo, 1981: Jeta ndryshe dikur në Kosovë (Video) https://www.youtube.com/watch?v=PeGFbxgiy3M&ab_channel=FMImagesAlbania