Vithkuqi ndodhet rreth 20 km në jug-perëndim të Korçës, në një terren malor, rreth 1300 m mbi nivelin e detit. Rrethohet me male e pyje ahu, bredhi e dushku, që krijojnë një kurorë natyrore shumë të bukur dhe peizazhe piktoreske.
Gjatë shek. XVII-XVIII Vithkuqi arriti një zhvillim të lartë ekonomik e kulturor. Tregtarët vithkuqarë kishin arritur deri tregjet e Evropës Qendrore.
Por, ashtu si dhe qendrat e tjera të ngjashme të kësaj treve, edhe Vithkuqi u shkatërrua dhe u dogj nga sulmet e feudalëve, ngjarje e cila është rregjistruar në faqen e parë të ungjillit të kishës së Shën Mëhillit.
Si dëshmi e periudhës kulmore të zhvillimit të Vithkuqit kanë arritur disa monumente, ndër të cilat dallohet manastiri i Apostujve Pjetër e Pavli.
Manastiri ngrihet mbi një kodër, që lartësohet në veri-lindje të fshatit. Nga kompleksi i manastirit kanë mbetur katolikoni dhe pareklisi i Shën Kozmait dhe Damianoit, jashtë mureve rrethuese të manastirit. Konakët e manastirit janë shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kodiku i manastirit u hartua në vitin 1708 nga Haxhi Athanas Rimara, nga lagjja Borishë. Në vitin 1736 u ndërtua kisha e Shën Kozmait dhe Damianoit, e cila u pikturua në vitin 1750 nga vëllezërit korçarë, Konstandini dhe Athanasi. Në vitin 1759 igumeni i manastirit, Tarasi, ndërtoi katolikonin, kushtuar apostujve të shenjtë, Pjetrit dhe Pavlit, i cili u pikturua po nga vëllezërit korçarë më 1764 Një tjetër piktor i shquar i shekullit XVIII, Konstandini nga Shpati ka kontrubuar në zbukurimin e kishave të manastirit, siç dëshmon mbishkrimi i lënë prej tij në ikonën e Krishtit të ikonostasit të qimiterit të Shën Kozmait dhe Damianoit. Më 1761 u gdhend ikonostasi me kontributin e voskopojarëve. Për ndërtimin e kishës ndihmuan dhe vithkuqarët e ndodhur në Hungari.
Kisha e Shën Kozmait dhe Damianoit është një kishë e vogël njënefëshe e mbuluar me qemer cilindrik. Kati përdhes, gjysëm i futur në truall, është përdorur si qimiter.
Kisha e Apostujve Pjetër dhe Pavël është një bazilikë me kupolë dhe me nef tërthor. Struktura e kryqit në kompozimin hapësiror të brendshëm pasqyrohet dhe në pamjen e jashtme nga kryqëzimi i çative që mbulojnë nefet, në qendër të të cilave lartësohet kupola. Në anën perëndimore dallohen gjurmët e narteksit, i cili në gjendjen e sotme është i rrënuar. /Monuments of Albania
Çdo katër vjet, planeti duket sikur ndalon për një muaj. Rrugët boshatisen, ekranet mbushen me…
Robin Hudi nisi si një traditë gojore në shekullin XII, përpara se të shndërrohej në…
Reaksioni nuk shfaqet menjëherë, prandaj shumë pacientë nuk e lidhin atë me atë që…
Nëse ju duket se mushkonjat ju zgjedhin gjithmonë ju si objektivin e tyre kryesor,…
Shalqiri, i cili është ngrënë nga njerëzit për 5,000 vjet, është i njohur jo…
Temperaturat e larta të verës rrisin rrezikun e dehidratimit, ndaj ekspertët këshillojnë konsumimin e…