John Hodgson lindi në Notingem të Anglisë, më 1951. Më 1977 mbaroi studimet master për gjuhë angleze në Kembrixh dhe ato doktorale, tre vjet më vonë, në Njukasëll. Erdhi si mësues i gjuhës angleze në Kosovën e kohës së Jugosllavisë, ku mësoi shqipen së cilës iu përkushtua shumë. Ka përkthyer nga shqipja në anglisht dhe së fundmi, ka botuar kujtimet e tij për Kosovën, shkruar në shqip.
Bisedoi: Andreas Dushi
Z. Hodgson, këtë vit keni botuar në Kosovë librin “E ardhmja në të kaluarën: Kujtime të Kosovës” ku tregoni se si erdhët në Kosovë, si e njohët atë vend dhe, mbi të gjitha, ajo çka më së shumti na intereson në këtë bisedë të orientuar drejt urës që me anë të përkthimeve keni krijuar mes shqipes dhe anglishtes, se si u njohët me gjuhën tonë. Pse pikërisht viti 2021 duhet të ishte ai në të cilin këto kujtime do të botoheshin?
I shkrova këto kujtime në karantinën gjatë valës së pare të pandemisë. Duke qenë i ngujuar në shtëpi, m’u kujtua ora policore në Prishtinë në vitin 1981 dhe pastaj m’u zgjuan kujtime të tjera të jetës së dikurshme. Më mori malli për Kosovën, për trevat shqiptare dhe faktikisht për udhëtime në përgjithësi. Nuk jam mësuar të mos kem ndonjë biletë treni në xhep.
Kur e menduat këtë libër, a ndjetë për ndonjë çast dyshimin mos ndoshta do të ishte më mirë po ta shkruanit në anglisht dhe historinë e treguar nga ju mos t’ia paraqisnit lexuesit shqiptar por atij britanik?
Nga fillimi lexuesit e mi imagjinarë ishin shqiptarë, se pari ish-studentët e fakultetit në Prishtinë, ndaj të cilëve jam shumë mirënjohës. Ka shumë libra për shqiptarët në anglisht dhe shumica bien në kurthin e orientalizmit. Sikur janë shkruar prej aventurierëve që nisen drejt trevave gjoja ekzotike. Nisen nga ndonjë qendër metropolitane, të zëmë Londra, drejt periferisë dhe kthehen për të përshkruar këto vende të largëta për kënaqësinë e metropolit. Nuk desha t’i kontribuoja këtij lloji të letërsisë. Më interesante do të ishin përshtypjet e një autori shqiptar për Anglinë, por besoj se asnjë libër i tillë nuk ekziston. Pastaj desha të bëja diçka për larmishmërinë ekologjike të gjuhëve. Nganjëherë më duket se anglishtja, si gjuhë ndërkombëtare, imponon një farë monokulture, si fushat e pambarimta të pambukut në Uzbekistan. Pastaj shqipja e ka bukurinë e vet dhe kujtimet e mia për Kosovën më ishin të lidhura ngushtë me mësimin e gjuhës.
Prishtina ku vajtët në vitet 1980 nuk ishte kalimi juaj i parë përtej perdes së hekurt. Pasi kishit vizituar Gjermaninë Lindore, me ç’pritshmëri u nisët drejt Kosovës? Po pastaj, kur i krahasuat ndjesitë që shoqëruan mbërritjen tuaj në Gjermani me atë në Kosovë, çfarë menduat?
U nisa drejt Kosovës plotësisht injorant për Ballkanin, për shqiptarët, për serbët, jugosllavinë etj. Nuk kisha asnjë ide se si mund të jetë jeta atje. Në realitet, kjo mungesë e pritshmërisë më ndihmoi shumë. Isha më i hapur ndaj të papriturve. Vërtet, kisha përvojë nga Gjermania Lindore, e cila për ne anglezët ishte ana tjetër e “perdes së hekurt” dhe Jugosllavia ishte deri diku një vend komunist. Por, mësova shumë shpejt se çështjet thelbësore ne Kosovë nuk përcaktoheshin nga polet ideologjike
të komunizmit dhe kapitalizmit, se ishte një shoqëri shumë më komplekse. Ndarja e botës në Lindje dhe Perëndim, sipas shabllonit të Luftës së Ftohtë, tani na duket tepër naive.
Raporti me gjuhën shqipe, vështirësitë e saj, dialekti i folur që dëgjonit përballë standardit të shkruar që lexonit … Më ka mbetur në mendje emocioni që përshkruani kur për të parën herë patë germën “ë” apo njohja juaj me formën lidhore. Kur i thatë vetes se tanimë e keni mësuar shqipen mjaftueshëm sa të përkthenit nga ajo gjuhë? Po aq sa të shkruanit në këtë gjuhë?
Më fascinoi gjuha shqipe nga fillimi, sepse ne atë kohë në Kosovë gjuha ishte duke pësuar ndryshime të mëdha dhe të ndërgjegjshme me hyrjen e gjuhës standarde, ose “gjuha e asfaltuar” si e quanin njerëzit. Studentët e fakultetit debatonin midis tyre ç’ishin format korrekte gjuhësore dhe të gjithë synonin të zotëronin një shqipe “të pastër”. Terë kultura gjuhësore po përtërihej. Kuptohet, ky ishte një aspekt i ndryshimeve shoqërore dhe politike që po ndodhnin në Kosovë. Në të njëjtën kohë, nën shtresën e hollë të asfaltit vazhdonte kultura e thellë e gjuhës popullore. Do të thotë se shqipja ishte në një fazë kritike dhe krijuese të zhvillimit të saj. Më dukej si anglishtja në kohën e Shekspirit, kur gjuha ndryshoi shumë nën ndikimin e Rilindjes.
Në përshkrimin e udhëtimit tuaj drejt Prishtinës, shkruani diku: A mos po përsëritja fatin tim djaloshar prej Harry Potter-i? E keni gjetur në ndonjë tjetër herë veten tuaj në këtë dilemë gjatë qëndrimit tuaj në Kosovë apo punës tuaj me shqiptarë?
Shkruan: Ahmet QERIQI Shembujt e këngëve rapsodike shqiptare ku stigmatizohet dhe dënohet fuqishëm akti i…
Historiani shqiptar nga Peja, profesor Doktor Jahja Drançolli ka publikuar më 8 Gusht 2019,…
Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit shqiptaro-polak në Shkodër është gjetja e…
Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…