Dokumentet e 1947: Çfarë ndodhte me pasuritë që ju merreshin kundërshtarëve politikë me vendime gjyqi gjatë periudhës dhjetor 1944 deri në janar 1947
Menjëherë pasi komunsitët morën pushtetitn, kundërshtarëve politikë iu konfiskuan pasuritë e tundshme që përfshinin paratë, monedhat e çmueshme prej ari dhe argjendi, stolitë, mallrat dhe pasuritë e patundshme ku bënin pjesë tokat e pronarëve të mëdhenj e të mesëm, shtëpitë, fabrikat, që u morën nga shteti. Kundërshtarët politikë ishin të një spektri të gjerë që përfshinte: administratën e mëparshme të Mbretit Zog, qeveritë gjatë okupacionit italian dhe gjerman, Ballin Kombëtar, gradat e ushtrisë dhe xhandarmërisë së mëparshme, përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë, nëpunësit e zyrave dhe kancelarive, tregtarë e bejlerë. Gjatë viteve në këtë spektër u përfshinë edhe pjesëmarrësit në lëvizjet antikomuniste, partitë dhe organizatat politike, pjesëtarët e komuniteteve fetare, “sabotatorët ekonomikë” e gjithashtu u prekën të gjitha shtresat e shoqërisë. Për konfiskimin e pronës dhe arit u ngrit Komisioni i Konfiskimit të pasurive të të arratisurve dhe të dënuarve politikë pranë Ministrisë së Drejtësisë, që drejtohej nga Gogo Nushi.
Por ku përfundonin pasuritë që iu konfiskoheshin të etiketuarve si “armiq të popullit” dhe “kriminelë lufte”? Kush i administronte? Ç’pjesë iu lihej familjarëve të tyre dhe si veprohej me dosjet e këtyre konfiskimeve?
Një varg dokumentesh të periudhës janar-mars 1947 dëshmojnë se kjo histori kishte shumë anë të errëta. Dhe nuk flitet këtu për ligjshmërinë e këtij akti që merrej thjeshtë dhe vetëm për arsye politike(pjesa dërrmuese ishin kundërshtarë të regjimit komunist). Edhe pse kishin kaluar më shumë se dy vjet dhe ishin mbyllur pjesa dërrmuese e gjyqeve politike, regjimi nuk kishte hedhur ende hapa seriozë për regjistrimin e këtyre pasurive, shtetëzimin e tyre dhe administrimin e rregullt të kësaj pasurie. Komisionet lokale të ngritura që në vitin 1945 për konfiskimet nuk funksiononin në rregull dhe një pjesa e mirë e pasurive nën sekuestro ishte dëmtuar apo zhdukur.
Në një shkresë të 18 janarit 1947 Ministria e Financave vë në dukje se “administrimi i kësaj pasunije ndën sekuestro sjell ndërlikime të mbëdha dhe i ka çelur nji punë tepër të madhe Seksjoneve Financiare periferike, të cilët detyrohen t’administrojnë dhe të mbajnë llogari individuale për sejcilin person. Për pos kësaj mos sistemimi definitiv i kësaj pasunije ka pasur si pasojë damtimin dhe çdukjen e nji pjese të konsiderueshme të saj”.
Për këtë arsye kjo ministri kishte nxjerrë një qarkore për pjesën dërrmuese të prefekturave të Shqipërisë ku parashtronte në 13 pika se si duhej të administrohej kjo pasuri që ju ishte marrë kundërshtarëve të regjimit.
Qarkorja pasohet me një varg shkresash të tjera deri në mars të 1947, duke dëshmuar forcimin e këtij aksioni shtetëror për të zbardhur e regjistruar e njëkohësisht për të përligjur një prej grabitjeve më të paprecedenta të pronës private në historinë e vendit.
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
MINISTRIJA E FINANCAVET
DREJTORIA E T’ARDHUNAVE
Nr. 3/18
Tiranë, më 18/I/1947
Landa: Mbi mos funksionimin e Komisioneve për konfiskimin e pasunive private.
KRYEMINISTRIS
T i r a n ë
Me ligjën Nr. 40 datë 14.1.1945 modifikue me Dekret-Ligjën Nr. 249 dt. 27.V.1946 asht parapa krijimi dhe funksionimi i Komisioneve lokale për konfiskimin e Pasunive private kriminelëve të luftës dhe armiqve të popullit.
Nga dita e çlirimit e këndej gjyqet e ndryshme kanë dhënë një numur të math vendimesh ndëshkimore, në të cillat parashifet dhe konfiskimi i tanshëm ose i pjesëshëm i pasurivet të lujtëshme dhe të paluejtëshëm të këtyne personavet. Këto pasuri prej nji kohe të gjatë ndodhen nën sekuestro në pritje që të vendoset konfiskimi i tyne nga ana e Komisioneve të nalt-përmenduna.
Administrimi i kësaj pasunije ndën sekuestro sjell ndërlikime të mbëdha dhe i ka çelur nji punë tepër të madhe Seksjoneve Financiare periferike, të cilët detyrohen t’administrojnë dhe të mbajnë llogari individuale për sejcilin person. Për pos kësaj mos sistemimi definitiv i kësaj pasunije ka pasur si pasojë damtimin dhe çdukjen e nji pjese të konsiderueshme të saj.
Nga sa i rezulton kësaj Ministrije gjithë dosjet përkatëse u janë referue këtyne Komisioneve qysh prej kohe por këta s’i kanë dhanë randësin e duhun çashtjes dhe kështu puna ka ardhë tue u grumbullue vazhdimisht.
Me urdhëna të përsërituna kjo Ministri ka kërkue prej Komiteteve Ekzekutive të Prefekturavet që këto Komisione të fillojnë nga puna me nji herë dhe t’i japin sa ma parë fund këtyne veprimeve, por deri sot për pos disa vendime sporadike të Komisioneve në Prefekturat e Tiranës, të Peshkopis, Vlorës, Gjinokastrës dhe Beratit, asnji nga Prefekturat e tjera s’kanë fillue akoma nga puna.
Që të mundet kjo pasuri jo e vogël, të gjejë sistemin e duhun d.m.th. të ndahet ajo që do të konfiskohet në favor të Shtetit nga ajo që do t’u lihet familjeve të të dënuarve, kështu që Zyrat e Pasunis së Shtetit të marrin nën administrim pjesën që i takon Shtetit, lutemi që t’intervenoni pranë Komisionit Qendruer dhe Komisioneve lokale për konfiskimin e pasunivet të privatëvet, që të japin sa ma parë fund këtyne veprimeve, tue cektue mundësisht edhe nji afat brenda të cilit të marrë fund shqyrtimi i dosjeve relative.
MINISTRI I FINANCAVET:
(firma, vula)
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
V.F.L. P.
MINISTRIA E FINANCAVET
Drejtorija e t’Ardhunavet
Nr. 3/19
Tiranë, me 21.I.1947
Q A R K O R E
KOMITETIT EKZEKUTIV TË PREFEKTURËS
-Seksionit Financiar-
Durrës-Tiranë-Shkodër-Korçë-Vlorë-Berat-Elbasan-Gjinokastër-Kukës-Peshkopi
L a n d a : Instruksione mbi sistemimin e pasunive të sekuestrueme.
Këto kohët e fundit Komisionet Lokale për konfiskimin e pasunivet private, të disa Prefekturavet kanë fillue nga shqyrtimi i dosjeve përkatëse mbi konfiskimin e pasunis së kriminelave të luftës dhe anmiqt të popullit. Përfundimi i kësaj pune imponohet një orë e ma parë, pse përveç konsideratavet të tjera damton rëndë interesat e Arkës së Shtetit dhe pengon mundësit për një administrim mà të mirë dhe ekonomik të pasurivet që me këtë rast i kalojnë Shtetit.
Për këto arsye kërkojmë që t’i nepen gjithë ndihmat dhe nxitjet e duhura Komisioneve në fjalë që të shpejtojnë marrjen e vendimeve të konfiskimit.
Theksojmë se deri më sot këto Komisione nuk kanë ecë me ritmin e duhur, prandaj është nevoja të shpejtohen veprimet, tue na mbajtë në korent dhe tue na konkretizue, shkaqet q’eventualisht pengojnë këtë punë.
Ullishtat, pemishtat, tokat e bukës, që i kapë ligji i Reformës Agrare nuk duhet të figurojnë në Vendimet e konfiskimit, porse këto do të konfiskohen dhe do t’i njoftohen Zyrës së Reformës Agrare, e cila u a ndan fshatarëve q’e punojnë.
Për t’evituar korrespondencë të tepërtë, këndej e tutje e shofim të nevojshme t’apim në mënyrë të përmbledhur, të gjitha udhëzimet rreth veprimeve që duhet të kryeni me kalimin e kësaj pasunije n’administrimin t’uaj definitiv. Prandaj sa herë që të merrni kopje vendimesh konfiskimi nga Komisioni Lokal për konfiskimin e pasunivet private, do të veproni si më poshtë:
Ministri i Financavet :
(firma, vula)
Kjo është përmendorja në Mitrovicë që u ngrit për nderë të grevës së minatorëvee të…
Lulet e blirit që prej lashtësisë njiheshin si lulet ku fshihen rrezet e diellit.…
Muaji i Ramazanit është periudhë reflektimi, përkushtimi dhe disipline shpirtërore. Përveç agjërimit nga…
Videoja “The Longest Penguin Migration on Earth” nga BBC Earth paraqet një nga udhëtimet më…
BMW M ka njoftuar se po punon në rreth 30 modele të reja që do…
Është zyrtare, të paktën sipas disa mjeteve të inteligjencës artificiale. ChatGPT dhe Google kanë pohuar…